ZYBA HYSA, PËRURON ROMANIN E PARË TË SAJ

0
2413

(Në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari” të kryeqytetit)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Këto ditë, mësuesja veterane dhe krijuesja e njohur Zyba Hysen Hysa publikoi këtë njoftim në Internet: “Të dashur miq e mikesha, kolegë të artit dhe letërsisë! Kush ka dëshirë ta ndaj me mua gëzimin e paraqitjes së romanit tim të parë, “Rrjedha”, është i mirëpritur në “Festën e Librit”, pranë shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari”, në Kombinat-Tiranë. U mirëpresim”. Ky njoftim u shoqërua nga urimet e disa lexuesve. Por po shkëpusim vetëm fjalët e mikes poete, nga Kanadaja, Seli Murati: “Me urimet më të mira dhe suksese pa fund, krijimtarisë tënde të artë, e dashur mikja e zemrës, artiste poete, Zyba Hysa! Përqafime, me shumë mall e me shumë respekt, të pafund…Të dua shumë!”

…Kur po hyja në derën kryesore të kësaj shkolle, të cilën e vizitoja për herë të parë, pyeta një vajzë të buzëqeshur, në se e dinte vendin, se ku do të organizohej ajo veprimtari përuruese. Me dashamirësi e respekt, ajo eci përpara dhe arritëm pranë sallës përkatëse. Me këtë rast, e pyeta në se ajo ishte nxënëse aty. Ndërsa Sara Kolvani më tregoi se, në këtë shkollë, kishte mbaruar klasën e 9-të dhe sivjet Gjimnazin “Myslim Keta”. Por i pëlqente letërsia dhe pati dëshirë që përsëri të rikthehej aty, për të marrë pjesë në këtë përurim libri, për të takuar drejtues e mësues të saj, por dhe nxënës të sotëm të kësaj shkolle.

Në bisedë e sipër, para na doli mikpritësja, shkrimtarja e poetja Zyba Hysa. Bashkë me të, takuam mësuesen Vitore Marku dhe drejtorin e shkollës, mikun tim të kahershëm, Besim Cengu. Ky na tregoi se është i kënaqur, që drejton një kolektiv me mësues e nxënës të përkushtuar, në fushën e mësimit dhe edukimit, duke patur gjithnjë një bashkëpunim frytdhënës me prindërit… Gjithashtu, ngado që hidhje sytë, të tërhiqnin mjedisi i këndshëm e i hijshëm dhe rregulli e qetësia shembullore.

2.
Në orën e parashikuar, në sallën e bukur të përurimit u vendos qetësia. E para e mori fjalën, moderatorja e veprimtarisë dhe mësuese e letërsisë në këtë shkollë, Refije Muçi. Ndërsa drejtori, B.Cengu paraqiti para mësuesve e nxënësve disa nga të ftuarit, që ishin aty. Ndër ta, ndodhej arsimtari veteran e publicisti Ibrahim Hajdarmataj, ish-drejtor i Gjimnazit në fshatin e bukur Zogaj, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë).

Me vëmendje u dëgjuan nga të pranishmit shpjegimet, që bëri autorja e romanit të ri, Zyba Hysa, si për tematikën, personazhet, gjuhën e përdorur etj. Ajo i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në përurim, të cilëve ua dhuroi me nënshkrim, librin e saj më të ri. Po kështu, shprehu dëshirën që, duke mbetur përherë mikeshë e kësaj shkolle, pasi ta lexonin romanin”Rrjedha”, aty të organizohet një takim tjetër, për të diskutuar e shprehur mendime, rreth tij.

Pjesë e këtij përurimi ishin dhe përshëndetjet e rastit. Kështu, me fjalë të zgjedhura, foli këngëtarja e njohur e Teatrit të Operas e Baletit, Hatixhe Lushi. Pastaj ajo recitoi poezi të autores Z.Hysa dhe këndoi bashkë me të pranishmit në sallë. Po kështu, unë i falënderova për ftesën e bërë dhe e përshëndeta kolektivin e mësuesve e të nxënësve të kësaj shkolle, në emër të kryesisë së Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë.

Bukurinë e kësaj feste të librit e shtuan disa nxënës, si: Erisa Zeqiri, Kristina Emini, Paula Shebaj e Kejsi, të cilat kënduan bukur dhe zërat e tyre të ngjanin si cicërima zogjësh. U duartrokitën fort nga të pranishmit, recitimi i poezive të Zyba Hysës, nga nxënësit: Mirselda Hysaj, Esmeralda Elezaj, Klodiana Ndërshtiqaj, Anxhela Osmani, Kejsi Muça, Gesjana Ismaili, Grisilda Hoxha, Kejsi Leka, Mikaela, Eralda e Milena.

U ndamë nga autorja e romanit, që u përurua, Zyba Hysa dhe drejtuesit, mësuesit e nxënësit e kësaj shkolle, me përshtypjet më të mira dhe me shpresën, se përsëri aty do të marrim pjesë në veprimtari të bukura, kulturore e artistike, që organizohen herë pas here,në këtë shkollë 9-vjeçare të kryeqytetit.

3.
Në mbyllje të këtyre pak radhëve informuese për lexuesit, shënojmë se Zyba Hysa është autore e 13 librave. Nga këta, libra me poezi e poema janë: “Shkrepëtima dhimbjeje”(2002),”Festa e Abetares”(2002), “Erë Shqipërie”(2004), “Dritë në Llakatund”(2005), “Sikur…”(2009), “Nënë Engjëllore”(2009) e “Lumi kërkon Detin”(2011). Ndërsa në prozë e studimorë janë librat: “Kur shpirti vallëzon”(2006), “Obelisku i Bektashizmit”(2007),”Mbretëresha ime”(2012), “Sharrajt, në jetën e Kombit”(2012), “Isuf Luzaj, një Shtizë Diell mbi Atdhenë” e romani i ri, “Rrjedha”(2016).

E urojmë përzemërisht këtë autore, për krijimtarinë e begatë dhe cilësore të saj, duke shpresuar që ajo do ta vazhdojë pandërprerje e gjithnjë në ngjitje, këtë udhë të bukur, në fushën e letrave shqipe!

Tiranë, 28 tetor 2016