Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë?

0
700
Mesazh nga zonja në Medugorje

Shkodër, më 01.05.2017

Të dashur vëllezër e motra!
Mirë se keni ardhur në këtë mbledhje vëllazërore në 7 vjetorin e Bashkësisë Jeruzalemi i Ri!
Jam Kreshnik Marku nga Kallmeti i Lezhës.
Jam rreth 21 vjeç dhe kam kryer shkollën 9 vjeçare në fshatin tim. Pas shkollës bëja një jetë normale si shumë të rinj brenda rrethit tim familjar dhe shoqëror.

Si pjesëtar i një familjeje tradicionalisht katolike, edhe unë frekuentoja Kishën në momentet kryesore. Sidoqoftë jeta ime nuk ishte krejt e rregullt. Natyrisht ecja me mangësitë dhe boshllëqet e shumë të rinjve, megjithëse zemra ime ishte gjithmonë në kërkim të më së mirës, në kërkim të Zotit.

Ambienti jetësor dhe personat që më rrethonin nuk më ndihmonin të ndihesha i plotësuar.
Familja ime është e mrekullueshme, por megjithë aspektet pozitive që ka, zemra ime përsëri nuk ndiente paqe. Dukej sikur diçka mungonte. Përjetoja vetmi dhe konflikte, nganjëherë të pashpjegueshme edhe për veten time. Në këtë vetmi nuk mungonin as tundimet, as rëniet dhe nganjëherë ndiqja shembullin jo të mirë të shokëve. Isha i bindur se kjo nuk ishte rruga e drejtë dhe Zoti në zemrën time pati një mëshirë të madhe për mua.

Lutesha shumë herë që Shpirti Shenjt të më udhëzonte në rrugën e drejtë. Më mungonte mbështetja dhe përkrahja morale dhe shpirtërore.

Para rreth dy vitesh, në Kishën e shën Eufemisë në Kallmet, u takova me një anëtar të Bashkësisë. Gjendesha mirë me të sepse flisnim për gjëra jete, dhe kryefjala e bisedave tona ishte Dashuria e Zotit dhe gjeja një ngushëllim e paqe. Ai më ftoi në përvjetorin e gjashtë të kësaj Bashkësie dhe megjithëse nuk dija se çfarë do të ndodhte, mora pjesë i nxitur nga Shpirti Shenjt.

Ishte 1 maj 2016. Përjetuam një ditë së bashku të gjithë me lutje, dëshmi dhe bashkëndarje tek Kisha e shën Eufemisë, ku edhe disa prej jush sigurisht kanë marrë pjesë.

Në atë takim, gjithçka më dukej interesante, me vlerë, dhe sikur ishte bërë krejtësisht për mua. Me dukej sikur po gjeja vetveten. Aty për herë të parë në jetën time mora Lajmin e Gëzueshëm se Zoti më do pafundësisht, pavarësisht se isha një mëkatar. Aty kuptova personalisht se Zoti është Dashuri dhe i do të gjithë. Besoj se të gjithë ne e marrim dashurinë e Zotit jo në mënyrë teorike, siç mendojnë shumë njerëz, por e marrim nëpërmjet një personi, që e ka përjetuar këtë dashuri para nesh dhe që Zoti e ka frymëzuar.

Kështu ndodhi me mua: nëpërmjet predikimit të vëlla Nikolinit, nëpërmjet çdo të veçante të asaj dite, madje edhe nëpërmjet disa vogëlsirave, Zoti i foli zemrës sime.

Imazhi që më foli më shumë ishte gjezmja me ujë që vlonte vazhdimisht. Çfarë kuptimi kishte ky imazh? Ashtu si uji vlon vazhdimisht nëse qëndron mbi zjarr, kështu edhe zemrat tona, kanë nevojë të rrinë vazhdimisht të bashkuara me Zotin, që të sjellin gjithmonë fryt.

Zoti më ftoi që të rri gjithmonë i ndezur në dashurinë e tij, duke marrë parasysh edhe sakrificat që duhen në këtë ecje, sepse me siguri ia vlen.

Të dashur miq! Që atë ditë i kam besuar Dashurisë së Zotit për mua dhe për të gjitha krijesat e tij. Pas një periudhe verifikimi, kërkova të jetoj në bashkësi me dëshirën për t’iu dhuruar krejtësisht Zotit nëpërmjet këtij misioni.

Ka një vit të plotë që jetoj në bashkësi, ka një vit që çdo ditë shoh dhe përjetoj hire të reja dhe jam i lumtur për thirrjen që më ka bërë Zoti.

Fillimisht e vuaja largësinë nga familja, por shikoja gjithnjë e më shumë se premtimet e Zotit po realizoheshin në mua dhe në familjen time.

Përvoja ime e dashurisë në Bashkësi ka bërë që të rrezatoj lumturinë e vërtetë tek të gjithë personat që takoj në ecjen time.

Me ndihmën e Zotit do të njihemi më mirë, por kam dëshirë ta mbyll me këto fjalë të Psalmit: Zoti është drita ime dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë? Zoti është mbrojtësi i jetës sime, para kujt do të dridhem? Për një gjë të vetme i lutem Zotit, vetëm atë ia kërkoj, që të jetoj në shtëpinë e Zotit të gjitha ditët e jetës sime, që ta shijoj kënaqësinë e Zotit e ta vërej Shtëpinë e Zotit.

Zoti ju bekoftë shumë!

Kreshnik Marku