Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi
Vëllazëria Jeruzalemi i Ri
Gojëdhënë dhe histori
3 qershori për qytetin e Mesinës është festë sepse është dita liturgjike e kushtuar të Shenjtërueshmes Mari, e nderuar me titullin “Zoja e Letrës”. Përveçse në Messina, Zoja e Letrës nderohet si Pajtore edhe në Palmi (RC) e në Finale (PA). Gojëdhëna thotë se Shën Pali shkoi në Mesinë në vitin 42 pas K., për të shpallur Lajmin e Mirë, Lajmin e Gëzueshëm që solli Jezusi. Banorët e pritën me entuziazëm Palin dhe shumë qytetarë pranuan me gatishmëri mesazhin që ai solli. Ndodhën kthime të mrekullishme në të gjitha shtresat shoqërore dhe mesinasit, në shenjë mirënjohjeje, vendosën të dërgojnë në Jeruzalem një “Ambasadë”, bashkë me Shën Palin, për t’i bërë homazhe Virgjërës së Shenjtë personalisht.
Ambasadorët shoqëruan Shën Palin në Jeruzalem. Aty takuan Marinë. Asaj i kërkuan, në emër të gjithë qytetit, bekimin e saj amënor. Virgjëresha Mari u dorëzoi atyre një letër për Mesinasit me bekimin për qytetin e Mesinës dhe sigurinë e mbrojtjes së saj amënore. Prej këtu zë fill edhe titulli “Zoja e Letrës”, Pajtore e qytetit.
Thuhet se delegacioni i besimtarëve nga Messina që shoqëroi në Palestinë Palin dhe që u mirëprit nga Virgjëresha e Shenjtë, u kthye në Messina, më 8 shtator të vitit 42 me letrën e rëndësishme, në të cilën Maria lëvdonte besimin e tyre, shprehte pëlqimin për devocionin, që ata kishin ndaj Saj dhe u siguronte mbrojtjen e Saj të përjetshme. Ajo Letër, e shkruar në hebraisht nga Zoja, thuhet se ishte e mbështjellë dhe e lidhur me ca balluke të flokëve të Saj. Balluket e flokëve të Zojës, që lidhën Letrën, gjenden tek Kisha Katedrale e Mesinës dhe ekspozohen në ditën e Korpit të Krishtit.
Sidoqoftë, kulti i Zojës së Letrës, u bë i njohur vetëm në vitin 1716, vit në të cilin murgu Gregorio Arena solli në Messina një përkthim nga arabishtja të Letrës së Marisë. Që atëherë, qyteti i Mesinës, kremton festën, më 3 qershor, me një proçesion të karrocës prej argjendi i Zojës plot me besimtarë. Nga kulti i Zojës së Letrës, i përhapur kryesisht në Messina e në Provincë, kanë prejardhje emrat e personave si Letterio dhe Letteria (shkurtimisht Lilo dhe Lila).
Teksti i plotë Letrës së Zojës
Është rast unik ky i Zojës së Letrës në Messina, ku bëhet fjalë për një Letër që Zoja e Bekuar i shkruan një populli.
Ja teksti i plotë i Letrës në shqip:
“Tejet e përvujtuara shërbëtorja e Hyjit,
Nëna e Jezusit të kryqëzuar,
prej fisit të Judës,
nga trungu i Davidit,
shëndet të gjithë mesinasve
dhe Bekim të Hyjit Atit të Gjithëpushtetshëm.
Kemi vënë re nga një akt publik se
ju të gjithë, me besim të madh keni dërguar tek ne
të Deleguar dhe Ambasadorë,
duke rrëfyer se Biri Ynë, i lindur prej Hyjit
është Hyj dhe njeri
e që pas ringjalljes së Tij u ngjit në qiell:
pasi që e njohët udhën e së vërtetës
nëpërmjet predikimit të Palit
apostull i zgjedhur
e për të cilën gjë bekojmë juve dhe qytetin tuaj
për të cilin ne dëshirojmë të jemi mbrojtëse e përjetshme.Nga Jeruzalemi, 3 qershor viti 42 i Birit Tonë. Indiksioni 1 hëna XXVII”.
Fraza Vos et ipsam Civitatem benedicimus (“Bekojmë juve dhe Qytetin tuaj”) është sot e shkruar me shkronja të mëdha në bazë të një përmendoreje të Zojës në krahun e fundit të Portit të Mesinës. Është për t’u theksuar se teksti i Letrës ka një kontradiktë tek data, meqenëse në atë kohë nuk ekzistonte akoma datimi i krishterë.
Lutje drejtuar Zojës së Letrës
(Lutje e zjarrtë e Atë Annibale Maria Di Francia drejtuar Zojës së Letrës,
për të marrë dritë në një rrethanë të veçantë)
25 maj 1889
Virgjëreshë Tejet e Fuqishme e Letrës së Shenjtë! Tek Ju që jeni Mbrojtëse e Veçantë e Mesinasve, unë vij si i fundit i bijve të tu, dhe ju përgjërohem të më ndriçoni në rrethanën e pranishme, që unë të vendosi ashtu siç është më në përputhje me Dëshirën Hyjnore.
Më lironi, o Nënë e Shenjtë, nga këshilla ime e marrë, dhe më drejtoni sipas ndriçimeve të Hirit Hyjnor! Juve, o Virgjëreshë Tejet e Shenjtë, jua besoj këtë çështje, dhe i përgjërohem amësisë suaj, që të më lironi nga bërja e një zgjedhjeje, që do të mund të kthehej në dëm të shpirtit tim, nga një zgjedhje në të cilën do të fyeja të Mirën më të Madhe, do të shkelja Ligjin e tij, do të shkandulloja të afërmin dhe do të vuaja dëm në shpirt!
Deh, o Nënë e Shenjtë, më ndriçoni Ju, dhe ndiçoni ata të cilëve iu kërkoj këshillë, gjersa jo ata, por Ju vetë të më këshilloni nëpërmjet tyre! Nëna ime e Bukur! Unë nuk e meritoj të më dëgjoni, por Ju, për dashuri të Jezusit e Mira më e Madhe më ejani në ndihmë e më shpëtoni! Amen!
Një Ati ynë, Të Falemi Mari, Lavdi Atit drejtuar Shën Jozefit.
Po ashtu Shën Gjon Pagëzuesi de Rossi˗t.
Po ashtu Shenjtit Engjëll Rojtar.