Zogu i lënduar

0
751
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

I fërkova sytë.
Te koka vërejta librin e mbetur hapur nga mbrëmja e vetëtimthi më iku mendimi i fundit nga radha e lexuar, “Jeta është udhëtim mes dy stacionesh” J.D. Kaq bukur e ka thënë autori dhe nuk ia dola ta zbërthej më thellësisht, ngaqë e ndoqa fluturën nga i afrohej dritares.
Tashmë do të humbin dhe fluturat.
Tashmë ikin dhe zogjtë, me krrokëritjet pikëlluese në tufa krijojnë pamje të gjallë në V qiellit. I lënë foletë këtu të kthehen përsëri në pranverë t`i kërkojnë, kryesisht në pemët tashmë të ndezura në gjethet ngjyrë artë dhe të bruztë. Nuk është megjithatë çdo gjë e vdekur në vjeshtë. Vilen pemët, hambarët mbushen plot me drithërat, që do t`i bluajmë për të bërë bukë deri në valën e re të pjekjes së grurit, apo të misrit një vit më vonë…
Ma tërhoq vëmendjen luga e një copëz bukë, të cilat i kishte lënë nëna Hatë të ha kafjall me qumësht, ndërsa ajo kujdesej për t`i rehatuar delet e ballicat, t`i përgatis, më vonë unë të ikja me to në kodrën e Hasës së Aracës, t`i kullosja, t`i ikja të hanin e të pinin ujë në pus, e prapë të këpusnin barin me ritëm të përhershëm, tërë ditën. Në të njëjtën kohë të kënaqesha nën tingujt e fyellit , që me kaq mjeshtri i krijonte pa nota Sabiti.
Ulej në cep guri e krijonte ndërthurje të këndshme me shumë tinguj e ngjyra, tërësi të harmonishme me vetëm një vegël magjike frymore, krijonte tërësi për secilën zemër dhe për secilin vesh, për të gjitha kohët e ëndrrat, krijonte pamje magjepse para delesh, të cilat këpusnin barin në të gjitha luginat në botë dhe lart në qiell, mes vinjetash e yjesh kaq të zjarrtë të imagjinatës. Ndërmjet tyre rridhte vija e bekuar e ujit, blegëronin shqerrat dhe kërcenin sutat lart, lart, lart…
Me t`i hapur sytë, më parë, gjithnjë, bëja përpjekje të ngjitesha në majë të pemë prapë dritares, të prekur nga tufat e dritës për të gjetur dhe gëlltitur me shije ndonjë man. Piqeshin çuditërisht vallë-valë të më ëmbëlsonin. Zbritja pastaj nga pema e filloja të merresha me punën e radhës. E merrja lugën e copën e bukës të përgatitur nga nëna Hatë e pa ndonjë kërkesë tjetër sulesha në qumështin e derdhur në gjyveç, e skajoja shtrezën e mazës në një anë e haja. Nuk ndodhte të prishja gjyveçin. Haja vetëm në një skaj, pikërisht aty ku më kishte sugjeruar nëna.
Mëngjeset në Dumnicë në cilëndo stinë janë të mrekullueshme, e kanë ngjyrën dhe ritmin e shquarjes së vetvetes… e – ky mëngjes, i cili për fije më kujtohet, është kaq i çuditshëm. Është i turbullt e mjegull as fije nuk ka.
Ka lëmshe, ka brigje të murrme e ndërmjet fijesh të ngatërruara përvidhen zogj me ndonjë krrokëritje, zogj të heshtur… Ikin larg të kthehen prapë te degët e lisat e vet, te çerdhet e veta, të hijet që u ngelin mbi fushat, mbi malet, mbi liqenet. Të kthehen te dashuria e përhershme.
Dreni shikonte i hutuar.
Pamjet e preknin brenda vetes. Lëvizja gati e vdekur e ndonjë gjethi, ndonjë gemi, e ndonjë trungu të vjetër e mbudhnin mallëngjim. Rigonte ndopak vetmi. Heshtje brenda çdo gjëje. Pa zë, pa cijatje. Heshtjen memece e thyente vetëm rrjedha e vijës së ujit, me rrëmbimin e ashpër, të egër. Rriskat e dritës, të rëna mes degësh, përqafonin brigjet e verdha me vetëtima të purpurta. Era papritur shkundi gjethe tashmë të verdha dhe luhati ashpër degë me ashpërsi. Pikuan dhe ca pika shiu…
Në këtë shi më shfaqet papritur vetja, apo hija ime tjetër, ajo e Drenit. Pra më thërrasin Dre` dhe me këtë do të lëviz herë në kujtimet e Dumnicës e herë në të kaluarën më të largët, apo në të ardhmen në Prishtinë. I pranishëm ndonjëherë në të njëjtën kohë mes dy sendeve, mes dy dukurive, mes dy trajtave, e dy mënyrave, të cilat shpesh e përjashtojnë njëra-tjetrën. Brenda meje diçka e këtillë do të ndërlidhet e do të përplaset herë për e herë tjetër kundër. Ashpër, tepër ashpër.
Prapë pikuan dhe ca pika shiu të ftohta.
-Vjeshtë, – psherëtiu Dreni nga i shikonte degët në lëvizje të rëndë . – Kjo erë, kaq e lazdruar, i ngjet një fëmije të përveshëm, – ndërsa gjethet e kuqërremta e të verdha i binin para këmbësh. –Kjo lojë e rëndë. Ja, sa pamëshirshëm i këput gjethet nga degët, nga jeta…
-Vërtet lojë e rëndë,- e dëgjoi zërin e vet të përzier me fishkëllimat e erës. –Ja, – shikoi qiellin nga krijonte brigje reshë të rënda, ndërsa në të njëjtin çast dëgjoi dhe këngën e gjelit nga lajmëronte ditën, e cila tashmë ndriste mbi brigjet, në luginat, në pemët e prekura rëndë nga era. Dreni ecte ngadalë e me kureshtje të veçantë e ndiqte këtë ndërrim të përnjëhershëm të natyrës e në fytyrë gjaku e mërdhezke më fuqishëm sesa rëndom. E përvodh me shikim fluturimin e tufës së zogjve nga të heshtur iknin nga jugu në formë të shkronjës V.
-Ku iknin të dashurit e mi. Dashurinë e dheut e të qiellit, të secilit burim e pemë që e leni këtu nuk do ta gjeni askund tjetër, – ofshani me pikëllim të thellë. Fati i njëjtë do të më djeg dhe mua. Babai ka blerë shtëpi të re në qytet dhe do të na marrë me vete edhe ne, – iku shikimin te vargu në V i zogjve nga rrihnin krahët qiellit të burbujëshëm e heshti rëndë. I hutuar eci dy hapa –ara një prapa e ndali te vija e ujit. Qëndroi aty me shikim në rrjedhat gjarpërore të ujit. Bënte përpjekje t`i lidhte e zgjidhte valët, t`i numëronte shkulmat e ftohta. Valët vinin me hov, përplaseshin njëra mbi tjetrën, e rrihnin pamëshirshëm bregun e verdhemë. Kjo gjë e inatoste. Pse nuk ia dilte ta lidhte njërën valë ndaras prej tjetrës. Fillonte prapë dhe prapë kot. Niste përsëri.
-Një valë, ja, më pastaj tjetra, e dyta, e treta… – kot, ngatërrohej e i pezmatuar, kryeneç, fillonte serish. Kraharori i ulej e i ngrihej me vrull. Gjithnjë në harbim. Uli kokën, mendoi pak. Provoi përsëri t`i ndiqte valët një e një e nuk ia doli. –Prit, – i tha vetes. – Kaq herë provova e kot. Me gjasë valët e tashme nuk ngjasojnë me valët e më hershme. Ka ndërruar diçka? – Gjithsesi po. Asnjëherë nuk janë dalldisur në këtë mënyrë. Ndoshta e kanë hetuar hyrjen e vjeshtës? Apo, jo, nuk mund të jetë kjo? Çfarë mund të jetë atëherë, – bloi në vete. –Ndoshta pse ikin zogjtë në tufa e na lënë të vetmuar? Jo, as kjo nuk mund të jetë. Zogjtë fluturojë, ani çka, pse të brengosen valët për këtë! Vjeshta tashmë është e qartë ka shtrirë veten në çdo gjë, me krahët herë të heshtjes e herë tjetër të shpërthimit të ashpër të erës së ftohtë…
Dreni zgjati ca duart nga njëra pemë, më pastaj nga pema tjetër. E uli kokën, bëri përpjekje të re të lidhej me valët e vijës së ujit veç e veç dhe kot, përsëri u ngatërrua dhe ashpër ktheu fytyrën nga sfondi i kuqërremtë i pafundësisë së qiellit, në të cilin binin rreze të arta të dritës.
-Natyrisht, – tha, – nuk është çdo gjë vdekje në vjeshtë. Kjo stinë na sjell frutat, pemët e shijshme, mollët që kaq bukur ndrisin ende në degë… Papritur e shkëputi mendimin, ngaqë shikimi iu ndal afër, shumë afër, në degët e rrapit, tek ndriste çerdhja e zogut të bardhë. Zogu qëndronte ende aty, në çerdhen që ia kishte ndërtuar Dreni, të cilën gjë kaq me dashuri e shfrytëzonte zogu. Kjo gjë i pëlqeu shumë. I përshkoi degët e vrazhda të rrapit të përqendrohej prapë te çerdhja. Qe e vetmja gjë kjo që bëri tërësisht të ikte mendjen nga valën e ashpra të vijës ë ujit, kaq të egërsuar… E kërkonte të shfaqej zogu, të cilin e hetonte të qe në çerdhe. Njëherë ia shihte vetëm kokën shpendit, ndërsa ca çaste më vonë, ai kërceu në një gem dhe Dreni ia dëgjoi zërin e thekshëm, të shqetësuar. Nuk ia ndante shikimin. E vështronte pupël për pupël, të cilat ia hapte era që e rrihte. Kjo gjë për herë të parë ia zgjoi me vrull dhe ritmin e rrahjes së zemrës. Ndjeu dashuri të paepur për të e këngën, të cilën e përhapi në thellësitë e pafundme të qiellit e në secilën pore të kopshtit dhe të pemishtes. Qe këngë që vjen nga shpirti dhe i hyn me gjithë tingujt e ndezur shpirtit. Përshëndeste. Kjo e tronditi Drenin. – Do të ik dhe zogu i bardhë, – tha. Degët, secila pemë, qielli e vija e ujit do ta ndejnë thellë mungesën dhe heshtjen e gjatë të këngës. Tufa e kuqërremtë e dritës tashmë prapë qe zbehur… Zogu dhe një herë e nisi dhe e përfundoi këngën, e cila i ngjante një përshëndetjeje mallëngjyese. Në të njëjtin çast mori hov të ngrihej lart-lart qiellit, të bëhej pjesë e tufës së kojrrilave nga iknin gjithnjë në formë të shkronjës V, i ndeshur me ashpërsinë e madhe e të egër të erës, i përplasur për degët e vrazhda të rrapit, zogu i bardhë do të përplasej pamëshirës mbi tokë, në gjethe të verdheme.
Dreni ndër dhembje të papritur mbuloi fytyrën me të dy duart dhe për pak çaste nuk lëvizi.
– Oh, jo, – tha , – jo, jo, jo, – e përsëriti i tronditur. I hapi sytë dhe para vetes – në gjethe, e pa zogun të pa lëvizur, të ngrirë. Bëri përpjekje të gërmuqej, ta merrte ndër duar, veç dhembja e thellë që ndjeu dhe frika mos do të ketë pushuar të rrihte zemra e zogut e shtyri të zmbrapsej. Pa pikë faji ai e ndiente veten fajtor për tërë çfarë ndodhi.- Të mos isha unë, – belbëzoi. – Ai nuk do të provonte të këndonte këngën, të cilën për çdo mëngjes ma dhuronte, në shenjë mirënjohjeje për çerdhen e bërë me duart e mia të vogla. Është e qartë kjo dhe unë për këtë do ta dërgoj në shtëpi, te nëna Hatë, t`i jap të pi e të hajë ndonjë thermi buke.
-A pajtohesh zog? – mezi këputi fjalë.
Zogu vetëm hesht. Nuk çel sy fare. Nuk shikon dhe dihatë, me ndërprerje. Është përplasur ashpër. Ka dhembje. Nuk flet. Dreni megjithatë dhe kaq të heshtur e kupton. Ia çel zemrën, ia tregon herë çerdhen e herë tjetër tokën, gjethet e verdheme, mbi të cilat ai ra ndoshta i lënduar.
-Oh, ky zog kaq i bukur, ky zog që këndon këngën më të bukur… – i mbyll prapë sytë i kapluar tërësisht nga dhembja. Symbyllur, në dhembje, hetoi të lëvizte zogu mbi gjethet e verdheme. E kapi pa humbur kohë dhe e mbajti me ngrohtësinë e gjithë shpirtit në duar. Në të njëjtën kohë, për çudi, në vetullën e malit, përballë Drenit e zogut, mëngjesi pak më i vonë qiti syrin e vet të ylbertë, me spektrin magjeps të shtatë ngjyrave nga ndrisin pamje magjike, përrallore.
Papritur uli kokën, e pa me dhembje nga i lëviznin puplat engjëllore.
-Nuk e lënë kaq lehtë miqësinë ata që duhen, – ia prekte kokën zogut, ia lëmonte krahët pupël për pupël. –Unë veç mendova të më leje, or bukurosh… e çfarë do të bëja unë pa ty!?- fliste ndërsa zogu i shpupuriste ngadalë në duar. Vetëm kaq zgjati lëvizja e zogut në duart e Drenit e më pastaj papritur kërceu dhe ra prapë mbi gjethet e verdheme. E shikoi Drenin dhe ndoshta i tha në gjuhën e vet, me një cicërimë pikëlluese, të mos shqetësohet pse ai do të ik nga këtu bashkë me tufën e zogjve që fluturonin qiellit të mbushur brigje reshë të dendura. Ai do të kthehej prapë! E pret çerdhja këtu dhe zemra e jote e e nënës Hatë. E presin Gjirat, Kalanacat, Përroi i Zi, pusi i Hasë Oracës, fushat, brigjet e lulet e xhenetit… – Gjithsesi do të kthehem, – iu bë ta dëgjonte zogun t`i thoshte mes cicërimash. E zgjati dorën ta prekte dhe një herë. Ai nuk iu tremb. E mori në duar, e lëmoi e prapë e lëshoi mbi gjethet e verdheme. Në atë çast zogu e shikoi, më pastaj hapi krahët e iku lart te tufa që fluturonte në formë të shkronjës V.
E ktheu fytyrën nga pafundësia e qiellit. I ndiqte fluturimet e kojrrilave lart, lart, lart… Në të njëjtën kohë e lëmonte ëndrrën e thurur në vete, me zogun në duar. E mendonte të fjetur në çerdhen, të cilën e rrihte era e ashpër. Ndërkohë dëgjoi këngën e zogut kaq të ëmbël dhe njëkohësisht kaq të hidhur. Ndër tingujt e cicërimës iu bë të dëgjonte dhe fjalët e imagjinuara, të cilat i fiste zogu, – Më fal, or trim, veç ti e kupton pse unë ik. Më fal, – i humbi zëri ndër valët e erës, – më fal, vetëm dhe unë e dua lirinë. – Ai më s`u pa e në zemrën e Drenit mbeti një brengë, një njollë e dhembjes për zogun e tretur në largësi. I pikën dy kokrra lot , dy pikë lot nga sytë e ndezur.
-Pse qan, – i tha nëna Hatë, e cila e kishte ndjekur ngjarjen nga dritarja me pamje në kopsht.
-Zogu iku, nuk do të kthehet më kurrë në çerdhen që ia kam ndërtuar, – i pikën prapë lot.
-Kurrë nuk ka kurrë, bir! Kurrë… Ndoshta dhe familja tullariote, të cilës i takon, do të kthehet në një kohë në lugjet e brigjet, në tokën e vet, ku pemët, udhët, kujtimet zgjojnë varret e të parëve. Dreni i fshiu lotët nga sytë e në kokë i zgjoheshin fjalët e babait, mes të cilave i bredhte mendja në fshehtësitë më të fortifikuara të gurit e të gjakut, i rridhte etja e përhershme e shpirtit të vetmuar larg tokës së vet. Ndihej i robëruar. Ngrehi lart kokën e shikoi mbi brigjet e mjegullës, që notonin mbi kulmin e shtëpisë, mbi kurora pemësh të verdheme, lart nga iknin zogjtë e pikëlluar në formë të shkronjë V. I ndezur e i mërdhezur, nën avullin e afshit të ëndrrës, ikte kujtimit, dhembjes… Shikoi gjatë me kaq etje, sa përnjëherë humbi ndjenjën e afrisë me çdo gjë; hetonte para vetes rrëshqitësa, turinj bishash, vetëtima. Lidheshin krah për krah me njëri tjetrin e zhdukeshim, prapë ktheheshin e merrnin të notonim ndër valë të egra të një lumi të çmendur, gjarpëror, të dalë jashtë vetes, me të vetmin qëllim të kapeshin në bregun tjetër. Valët përplaseshin për bregun shkëmbor, apo të gjelbër me radhë pemësh, shkallë më shkallë. Frynte erë nga larg. I zgjoheshin penjëza të këputur, copëza të Dardanisë së lashtë, pjesë përbërëse e Ilirisë, e cila rrëshqiste brenda vetes në robërinë e rëndë…
-Ike ti prej vetes prapë, apo jo, – i ra kokës një zë.
-Apo ndoshta prapë kthehesh te vetja, – e dëgjoi të njëjtin zë.

-Kush më flet për Tullarin, për Toplicën, për Naisus-in… Kush, – nxori një zë të rëndë dhe e hapi derën e vjetër prej drurit e hyri në shtëpi, tek e priste nëna Hatë, për të ngrënë kafjall.

-Prej nga je ti, – tha ajo e buzëqeshi.
-Muhaxhir i Toplicës.
-Tullar? I Dumnicës së Poshtme të Llapit…?!
Më pikën dy pikë lot.
-Çfarë ke, – tha nëna.
– Historia është e mangët!
-E mangët është. Veç asgjë nuk jepet. Asgjë nuk ka vdekur… Rikujtohet, riprodhohet, jeton. Atëherë e tash, gjithnjë, lëvizin të gjalla fotografitë e atyre, që ikën nëpër atë dimër të rëndë nga vetja, nga vatrat e varret e veta, nga dhuna, nga vrasjet, masakrat e papara… Atëherë e tash lëvizin të njëjtat kolona të vdekurish, lëvizin ende të gjallë.
– E gjaku rrjedh nga duart e përgjatë trupit të tyre…
-Ai gjak nuk do të humb kurrë, – tha nëna.
– Pikat e të njëjtit gjak takohen patjetër diku, – i fola i tendosur, ndërsa i laja duart për t`u ulur pranë sofrës, ndërsa në të njëjtën kohë pak-pak e krijoja me durim këtë rrëfim, i cili do të më ndjek këtu e më pastaj në shtëpinë time në Prishtinë, aty tek ndihesha gjithnjë muhaxhir. Me këtë ndjenjë do të shkruaj mjaft vargje, poezi, duke u ndjerë shpirt i ndjekur nga toka që më takon fundja për vdekje!