ZHVILLIMI HISTORIK I LLAPIT

0
3366
Zymer Mehani - Fadil H. Curri

Shkruan prof. Zymer Mehani

Duke u bazuar në burime të shumta historike, treva e Llapit është herët e banuar për shkak të kushteve të volitshme natyrore. Rajoni i Llapit gjatë historisë ka pasur ndryshime territoriale dhe adimnistrative.

Emri Llap – Treva e Llapit është emërtuar nga emri i hidronimit Llap. Ky emërtim fillon të përdoret në antikë, mesjetë, por është ruajtur edhe ne Kohën e Re. Këto gjurma u përkasin disa shtresimeve etno-kulturore dhe gjuhësore;
1) (para) indoevropiane: LAB
2) (proto) shqiptare: LLAP

Shumë dijetarë hidronimin Lab e marrin si të lashtë dhe e sjellin nga një alb-, nga mund të dilte lab-, alp-. Forma fonetike te shqipfolësit është Llap. Në mesjetë haset trajta Lapia, edhe sot i kanë ruajtur ato emërtime. Forma fonetike te serbët është Llab.

Ka pasur edhe përpjekje për riemërtim tjetër, por nuk kanë gjetur përkrahje edhe pse nëpër harta gjeografike shpesh janë shënuar.

Ngjashëm është edhe me emërvendin malor Gollab, ku germa B është zbutur ne P dhe del Gollapi. Kjo e vërteton origjinën ilire qe rezulton nga fisi Galabroi-Galabret, të cilët e banonin këtë rajon, i cili u emërtua Gallapi. Kështu dhe Straboni përmend fisin ilir Dardi-Dardet, prej të cilëve edhe u quajtën Dardan dhe emërvendi-Dardani. Këto mendime janë ngritur mbi baza shkencore.

Pushtuesit nuk arritën ta ndryshojnë emërtimin e lumit Llap dhe të rajonit të Llapit.

Gjurmët e banimit nga lashtësia vërehen në lokalitetet e shumta të Podujevës, ndërsa këtë e dëshmon kultura materiale në formë gërmadhash të gjetura në disa vendbanime të kësaj hapësire, edhe pse shumica prej tyre janë dëmtuar. Gjurmët më të zakonshme janë themelet e kalave, varrezat, materialet e ndryshme, si dhe emërtimet e ndryshme. Në vendbanimin Gllamnik (5 km në jug të Podujevës) janë gjetur kështjella, gërmadha të vendbanimit të lashtë, stoli argjendi, Altari i Hyjneshës dardane, ndërsa ky vendbanim mendohet se ishte i banuar që nga neoliti e vazhdon në antikë me banorët iliro-dardanë.

Gllamniku i mëhershëm gjendet mu në vendin ku lokalizohet Vendenisi antik, që ishte zhvilluar në trasenë e rrugës Lissus-Naissus (Lezhë-Nish), e cila lidhte brendinë e Ballkanit me bregdetin Adriatik. Gjurmë të njëjta ekzistojnë edhe në vendbanimet: Sibovc i Epërm, Sibovc i Poshtëm Surkish, Llaushë, Llapashticë e Epërme, Llapashticë e Poshtme, Letanc, Obrançë.

Kjo hapësirë në kohën e ilirëve ishte pjesë e Dardanisë.

Dokumente arkeologjike të kësaj periudhe hasen në shumicën e vendbanimeve në komunën e Podujevës. Në vitin 395 kjo trevë bie nën sundimin e perandorisë Bizantine që zgjati deri kah mesi shek IX. Kah fundi i shek XII sllavët depërtuan në këto anë. Nga kjo kohë fillon ndërrimi i toponimeve dhe përvetësimi i kishave katolike shqiptare. Pas rrënimit të qytetit Vendenis, roli i lokalitetit të Podujevës rritet gjithnjë. Në dokumentet e vjetra Podujeva përmendet në defterin kadastral osman të vitit 1455 me 43 shtëpi, ndërsa në vitin 1566 ky vendbanim kishte 80 shtëpi.

Për shkak të pozitës së mirë Podujeva rritej dhe zgjerohej shpejt. Nga fundi shekullit XIX Sylejman Pasha meremetoi rrugën Prishtinë-Podujevë-Dumnicë, ndërsa qendër e Nahisë së Llapit ishte Podujeva. Aty u ndërtuan mullinj, dyqane, u ndërtuan shtëpi të reja dhe u zgjeruan lagjet e qytetit, Në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 është i regjistruar si vendbanim me emrin Podjeva.

Pas dëbimit të shqiptarëve nga trevat e Toplicës e Jabllanicës, në vitet 1877-78, këtu gjetën strehim shumë familje shqiptare muhaxhire. Podujeva fillon të zhvillohet kah fundi i shekullit XIX kur fiton rëndësi si qendër strategjike e Turqisë ndaj Serbisë nga se me vendimin e Kongresit të Berlinit, kufiri i ri tërhiqet në afërsi të Podujevës. Gjatë sundimit osman ekonomia kryesore ka qenë blegtoria, vreshtaria, pemëtaria dhe lavërtaria. Uji i lumit Llap ka shërbyer si bazë e mirë që kjo anë të ketë mjaft mullinj me ujë për bluarjen e drithërave.

Pas dobësimit dhe përfundimisht tërheqjes së pushtetit osman më 1912 këto treva i okupoi Serbia. Okupimi i ri u përcoll me shumë vrasje, djegie dhe shpërngulje të popullatës. Që nga kjo kohë shumë shqiptarë nga kjo anë morën rrugën e emigrimit për në Turqi për të mos u kthyer kurrë më në vatrat e tyre.

Podujeva si vendbanim përmendet në defterin osman të shek XV.

Territori i Llapit zë hapësirën veriore dhe është një tërësi mikrogjeografike. Llapi në kuptimin e gjerë përfshin territorin e ujëmbledhjes së lumit Llap. Ujëmbledhja e Llapit fillon nga Mali i Argjendtë (Mote Argentorum ose Albanikos), (1789m), të cilin më vonë serbët e quajtën Kopaonik. Ujëmbledhësi topografik i lumit Llap përfshinë sipërfaqen prej 945,4 km. Kjo hapësirë përafërsisht përputhet me territorin administrativ te komunës së Podujevës në ndarjen e tashme të Kosovës. Podujeva si qytet në rajonin e Llapit është qendra me e rëndësishme ekonomike, politike, administrative, arsimore, kulturore, shëndetësore dhe të tjera.

Territori i rajonit të Llapit ka pozitë të rëndësishme gjeografike e strategjike. Në këtë mënyrë, ky territor ndodhet në qendër të Ballkanit. Nëpër rajonin e Llapit kalon rruga transitore që e lidh Kosovën me magjistralen e Adriatikut dhe magjistralen e Shkupit. Podujeva si qendër më e rëndësishme e Llapit, nga Prishtina është larg 30 km. Kjo afërsi dhe lidhje e mirë me kryeqendrën e Kosovës i jep Podujevës një vlerë dhe rëndësi për zhvillim të mëtejmë të sigurt dhe atraktiv për banorët e saj. Me Prishtinën lidhet me vijën hekurudhore që nga viti 1948.

Nga Podujeva degëzohen rrugët rajonale. Prej tyre më te rëndësishmet janë:
– Rruga Podujevë-Kërpimeh-Pollatë
– Rruga Lluzhan-Orllan.

Në këtë rajon janë 20 km rrugë magjistrale, 100 km rrugë rajonale dhe 150 km rrugë lokale. Podujeva është e ngritur në qendër te fushëgropës së Llapit në lartësi absolute prej 608 m të lartësisë mbidetare dhe karakterizohet si vendbanim subalpik.

Për trojet etnike shqiptare është me rëndësi të veçantë strategjia kufitare me Serbinë.

Pozita gjeografike e këtij rajoni ka qenë me rëndësi edhe gjatë historisë që nga koha e lashtë. Në territorin e Komunës së Podujevës gjendet pika kufitare në Merdarë.