ZHGËNJIMI

0
1081
Kristaq Turtulli - Zhgënjimi

KRISTAQ TURTULLI

NOVELË

I

S’ma merr mendja të keni dëgjuar për mua sakatin. Jam plagosur në luftë vite të shkuara. Këmba mu gangrenizua, ma prenë me sharrë druri dhe, prej dhembjeve të tmerrshme këndova nuk qava. Ariani, komandanti i batalionit, u afrua pranë shtrati ku dergjesha dhe, bërtiti me sa zë që kish në kokë: ‘Respekt për një burrë trim, për një hero!’ Fshiva tinës lotët e dhembjes, dhe, u bëra me krahë. Pa mbushur gjashtëmbëdhjetë vjet, komandant Ariani më bëri hero. Por qysh atëherë ka rrjedhur shumë ujë nën urën e drunjtë të jetës dhe komandant Arianin e vrau partia për tradhti…

E pra, unë jam ai gjoja heroi, sakati. Përpiqem të humb mendjen prej dertit të madh. Bëj sorollatje; nga ‘Ushtari i panjohur te Çajupi,’. Këmbën e drunjtë e tërheq zvarrë. S’e kuptoj, përse ‘Ushtari i panjohur’ mërzitet kaq shumë me mua! I murrëtyer, më shtyn në shpinë me tytën e pushkës së gjatë, si të më thotë: ‘Hajt, shko tutje, mjaft u vërdallose përpara syve të mi.’ Guna e leshtë i ka shkarë nga supet. Tyta e ftohtë më shkakton të ngjethura. Dua të ik, por s’ik dot, aq e kam çapin… Matem t’i kthehem, t’i them: ’O ushtar, o trim, largoje tytën e pushkës. Mos më bjerr në qafë, dhe unë ushtar i panjohur jam, por me gjymtyrë e kocka më pak.’

Më tundon përplasja me masivin e bronztë. Jam pa këmbë, ai është rëndë, në qendër të qytetit dhe me dy këmbë. Dikur, im atë më tregoi për patriotin Mihal Grameno, zhgënjimin, dehjen, sorollatjen si unë, në këtë rrugë dhe trishtimin tij…
Unë s’kam vënë dhe s’vë pikë raki në gojë. Urrej dehjen prej merakut të dërrmimit përfundimtar të kockave. Ndoshta dhe ti o ‘Ushtari i panjohur’ vuan si unë nga zhgënjimi dhe, nga që s’di kujt t’i a nxjerrësh, me shtyn me pushkë si me dobec…
Dielli në majë duket si një unazë e vjetër prej bakri e harruar në qiell dhe i mbuluar nga një vello e lehtë e përhime, që vjen e hollohet. Mjegulla e hirtë gjarpëruese, ndjehet, ulet, përdridhet, me fasha e plasaritje, si mësallat e irnosura të plakave të vjetra. Pllakaqet e plasaritua të trotuareve janë të qullura dhe, sa herë i shkel bëhem helaq.
Më është mërzitur jeta, mbart brengë të madhe. Dua të bredh i vetëm, me hidhësinë e marazit në gjuhë. Të flak tutje fjalët helmëta që janë mbërthyer në trup si grerëza. Të ec, të gjykoj, t’i bie kryq dhe tërthor qytetit të ndryshkur. Të bares si breshkë e vjetër që i kërcet shpina…
Është e mundshme të jesh sakat, me gjysmë këmbë, tërheq gjithë jetën protezë të konsumuar druri. S’je si të tjerët, që ecin lirshëm, vrapojnë, kërcejnë, dancojnë, luajnë me dy porta, kacavirren dhe, ku di se çfarë tjetër. I gëzohen trupit kur shikohen në pasqyrë, qeshin të lumtur, shkrihen prej kënaqësisë. Ndërsa unë i gjori jam me eshtra më pak dhe sa herë shihem në pasqyrë rrëqethem…
Klithma më është shuar, sikur ngrihet me zvarritje nga një hon i thellë. Protesta ime rakitike kundrejt pamundësisë, shndërrohet në një mundim zhgërryes, i lemerishëm, si eshtrat e zbardhura të një kafshë prehistorike, lënë në humbëtirë ku gërryejnë vazhdimisht erërat e forta dhe tajfunet.
Më kuptoni, është mundim i pa rrëfyer të tërheqësh zvarrë jo vetëm një këmbë të poshtër druri, por të mbartësh mbi supe kapotën e rëndë të brengave dhe halleve torturuese. Ndjehesh i lidhur me zinxhirë çeliku. I burgosur i përjetshëm, me eshtra të cunguara, në kthinën e harruar e të neveritshme të nënvleftësimit. Të mundon shpjegimi ndaj asaj që fshihet dhe të vërtetës së plagosur rëndë. Je i hallakatur mes indiferencës, hipokrizisë e çmendurisë së botës dhe, i mbërthyer nga mendime tmerrësisht sfilitëse. Të duket vetja si skllav i padijes, i brengës dhe padrejtësisë. Cungu dhe proteza e drunjtë janë klithma ngjethëse në humbëtirën shekullore. Truri më është mpakur, mbledhur si oshaf, lodhur prej trusnisë. Ndërsa zemra e lodhur më dridhet si zemberek ore i shkurdisur.
Kush isha…e, çfarë jam! Oh, ju lutem a mund ta përjetoni zhgënjimin shpartallues të një plaku sakat, me kocka e gjymtyrë të shkulura prej trupit, shumë vite më parë, flakur në sepeten e shqyer të harresës..!
‘O Ushtari i panjohur’ hiqu tutje, pse më shtyn me tytën e pushkës, si me dobec. Mjaft, o ushtar! Me siguri nuk të kujtohet, ndoshta s’ e di, hëm s’ke faj, jo..! Sepse i panjohur kam qenë, por pushkën me gjalmë e mbajta, e shkreha me mijëra herë dhe jam lënduar prej armës.’ Ushtari i panjohur është hijerëndë. Më duket sikur do shtypem prej tij. S’i kthej kryet. Më bëhet sikur dëgjoj psherëtima të thella. Ngrij. Rënkon dhe njeriu në bronc?!
Trupi më çan, më dhemb. Kockat më shpojnë, si të më priten përsëri me sharrë druri. Këmba e cungët me siguri ka marrë ndonjë të plasur të re.
Shtyhem djathtas ti shmangur ushtarit të panjohur, pushkës së gjatë dhe psherëtimave që, më dërmojnë shpirtin. I vij rrotull një pirgu me borë dhe gjendem sakaq në Bar- Restorantin e pistë: ’Penda e sorrës’ të Vlash Pambuk hundëpoçes. Dikur lokali kishte qenë i madh, pas privatizimit u nda në shumë copa. Vlashit i lanë cepin më të largët, ku më shumë e zë qoshja e pallatit, prej shkakut të një grindje me drejtorin e ndërmarrjes. Atje ishte kuzhina e pjesa e oxhakut. Sa herë e lyen aq më tepër nxin, prandaj e quajti: ‘Penda e sorrës’. Vlashin e njoha kur bënim zborin e detyruar ushtarak, ai ishte përgjegjës i organizatës së batalionit dhe pëlqente të ecte pas kazanit të kuzhinës. Jo për gjë, por në kuzhinë bëheshin mbledhjet dhe planet e stërvitjes. Ai ishte syjeshil, flokëkashtë, hundëpoçe, vetullvarur dhe dimër e verë mëngët e këmishës i mban të përveshura, sikur do zihej me grushte. Ai ka vendosur bërrylat mbi banak dhe lokali është e shkretë.
-Njatjeta Vlash,- i them.
-Ç’të ka shkrepur që sorollatesh si karroqe,- më tha.
-Më paske përgjuar, o hundëpoçe,- i them.
-Ç’të bëj, o do vras miza, o do kullos sytë,- më tha, pastaj më pyet: – Të përgatis një kafe si zakonisht?
-Kokën e lava në mëngjes,- i them. Po t’i kërkosh Vllash Pambuk hundëpoçes kafe borxh, s’ të bën kafe, por ujë të vakët, lëng gështenje, të lash kokën. Prandaj shtoj: -Sot e kam një pesëshe për kafe të fortë.
I hedh pesëshen mbi banak, monedha u rrotullua, tringëlloi bukur dhe u preh rehat. Ai u kollit dhe më hodhi një vështrim të mprehtë.
-Borxhi është borxh dhe veresia është veresie,- tha dhe vuri xhezven të zjehej. Vështroi në gjysmë profili nga unë dhe duke psherëtirë shtoi:- Përherë kothere do të mbetemi o Ndrio.
I nervozuar dhe i paduruar ia kthej:
-Të jesh fukara s’është turp.
Vlashi me hodhi një buzëqeshje si gjysmë hëne e konsumuar dhe më tha:
– Por është maskarallëk o Ndrio.
-Më lër rehat hundëpoçja i dreqit. Jeta nuk është vetëm para,- i them.
-Po çfarë muti është! Pushteti dhe e drejta është nga ai që ka para,- ia pat me inat Vlashi dhe i ra banakut me grusht:- Fukarallëku është si kjo ndreq kthinë që sa herë e lyej aq më tepër nxihet.
S’i kthej përgjigje. Ndoshta kafja do më qetësojë. Dëgjoj zhurmën cucëritëse të kafesë dhe pa ditur as vetë nis e trokëllij lehtë gishtat mbi banak. Vlashi ktheu kryet nga unë dhe më pa me bezdi.
Është pesëshja e fundit, dhe si gjithë pensionistët marr bukë me listë. Jerina, shitësja e bukës, është trupshkurtër, fytyrëëmbël, sy të kaltërremë. Të jep bukë me listë, pa ndalur vështrimin e trishtuar. Ajo ka një bllok të madh ku shënon emrin e cilido që merr bukë, me listë. Në fillim të muajit të shastisën veshët me cëren e telefonit dhe korrierët, derisa ja bën likuidimet. E lehtësuar u heq një vijë të kuqe borxheve dhe hapen faqe të re, duke luajtur syrin dhe shtuar me zë të ëmbël:
‘Buka ime është e ngrohtë’.
‘E ngrohtë je e tëra, o Jerinë,’ i thashë një ditë, për ti bërë qejfin. Ajo u shkri nga kënaqësie. Luajti shpatullat e bëshme:
‘Ua, s’të dija kaq shakaxhi!’ më tha.
‘Eh moj Jerinë!’ ia bëra, vura bukën në sqetull.
Një mesoburrë vetulltrashë rinte mbështetur në cep të banakut dhe ia kishte ngulur sytë Jerinës, por ajo nuk ia varte. Jerina u kthye nga ai dhe e pyeti ftohtë: ’Hë do marrësh gjë, apo do ti a mbathësh, se si shumë po na bën vapë?
Jerina është shpirt njeriu. Dyqanin ia la i shoqi që vdiq para dy vjetësh. Ajo pëlqen djemtë e rij, por dhe me ta nuk gjen derman, ka ndarë nja tre. Xhuvit djalit tim i pëlqen të shkojë te ajo, kam frikë se mos ma futë në thes, prandaj detyrohem të shkoj vetë…
Vlashi të lan e të lyen dhe të lë morrat brenda. Ai e hodhi kafen në një filxhan të pastër, me germa e lule kineze dhe e shtyu me kujdes drejt meje dhe nisi të më ankohej për skamjen e tërësishme dhe mungesën e myshterinjve. Më parë ma hidhte kafen në një filxhan të thjeshtë, pa të tilla salltanete. Mora kafen u ula në tavolinën pranë dritares, i ktheva shpinën Vlashit dhe vështrova përjashta, njerëzit nxitonin, më dukeshin sikur kishin hedhur mbi supe pelerina gri. Ngrita filxhanin dhe rrufita kafenë pa e pasur mendjen aty, aq sa lëngu u nxehtë më përvëloi buzët dhe gjuhën…

II

Gruaja Anjëze dhe djali im Xhuvi më grindin gjithnjë. Por sot në mëngjes më dokëndisën. Ma hedhin mua fajin për çdo gjë dhe gjithçka ka ndodhur dhe do ndodhë, deri te buka me listë dhe kafja lëng gështenje. Sikur unë sakati, jam pika e referimit, të fillimit dhe të mbarimit të kësaj bote të mbarsur me halle dhe rrëmete. Më vjen të bërtas, të ulërij në kupë të qiellit:
Hej, heshtni! Nuk u lodhët së më ndëshkuari? S’më mjaftoi ndëshkimi i jetës. Më lini një copë herë të mbledh kockat si kërmill, të qetësoj trurin e lodhur, të prehem i qetë, pa zhurmë dhe shamatë. More të dashurit e mi të shtrenjtë, as vetë nuk e kuptoni se çfarë kërkoni prej meje. Kush jam unë, e çfarë dreqi ta marrë jam unë. Hë flisni, çfarë! Veç një pensionist sakat që me durim qëndroj në radhë e gjatë për të marrë pensionin. Pres emrin të më dalë në listën e paralajmërimit të fundit për të shkuan përmatanë, atje, ku ikën dhe nuk kthehesh më. Të më shterohet përfundimisht vaji, të shuhet kandili i jetës sime sakate dhe të pakuptimtë. Eh! Ku i dihet ndoshta çuditërisht pas vdekjes mund të shfaqem në formën e një protezë e mundimshme druri për dikë tjetër, që ndoshta mund të jetë idealist dhe fatkeq si unë.
Anjeza, gruaja ime s’është më e pafjalë dhe e urtë si më parë, është bërë tmerrësisht e paduruar, nevrike dhe topatane, s’ka fare dhembshuri për mua, mban anën djalit, Xhuvit i cili gjithnjë më thotë pa më parë në sy: -Ku ishe ti baba kur u shtrua sofra dhe në mes në mes të dhomës dhe u vu bakllavaja e fitimtarit?
-Ku isha! Në ballin e luftës dhe të punës isha,- i them.
-Le që s’hëngre ndonjë cipë bakllavaje por dhe shurupin e saj e le të zaharosej…
-Ik lanet, nuk di se ç’flet. Unë e mbrojta bakllavanë se ishte për popullin dhe shurupin e bakllavasë nuk e lashë të zaharosej, more vesh, mora thuaj?!- e ndërpreva zëngjirur, më përvëlonte fyti.
– O baba, përse bën sikur s’kupton. Si i bëhet hallit se populli si ne, mbeti me gisht në gojë dhe bakllavanë e përlanë të tjerët! Përse s’je si të tjerët që ditën e vërtitën, si dje dhe sot një skenar? Ata që e drodhën bëjnë jetë përrallore, të shtypin kokën me para. Ndërsa ne…
-Ore derr i derrit… Mjaft më çukullite kokën dhe dëgjo këtu hiqe atë dreq ‘Ti’ se më acaron nervat …
-Mirë e the, ‘derr i derrit, jemi barabar.’
-Nuk e thashë mirë, nuk jemi derra. Po çfarë të them, o Xhuvi, o bir. Të lutem griji sytë, më vështro në sy, nuk ta thotë zemra, veç të llomotit gjuha,- i thashë.
-Unë të them një të vërtetë të hidhur, o baba,- më ktheu Xhuvi.
-Eh, e vërteta, e vërteta! Më pyet ku isha unë, hë?! Kam punuar si gjithë të tjerët, me përkushtim, thjeshtësi e ndershmëri dhe ndjenja kënaqësi, – fola me gjithë shpirt.
-Po çfarë qullose o baba?
-Çfarë qullosa!? Ashtu ishte koha…
-Mirë e ka djali,- më ndërpreu Anjeza si kakapëre:- Qulli na mbeti dhe qulli po na mbyt. Ty tu pre këmba, vuajte si qeni. Tani të dhembin dhe të çajnë kockat. Të tjerëve që nuk i pickoi asnjë grerë, bëjnë pallën e ariut.
-Anjeza, ti e di mirë sa i ndershëm dhe i përkushtuar isha unë, ndaj teje, familjes, detyrës dhe idealit,- i fola ultas, gati me të lutur, më dridhej trupi.
-E sikur ta dija o burrë, ç’rëndësi ka, tani nuk e di më. Sytë i kam në ballë dhe veshët në vend. E shoh dhe dëgjoj çdo ditë çfarë bëhet,- mu shkreh ajo: – Medaljet zieji dhe piu lëngun tre herë në ditë.
-Eh more baba, ku je ti dhe ku janë të tjerët? Idealizmat e tua dhe qenve po tu a hedhësh nuk i hanë,- më foli me ironi djali.
-Ja, merr shembull Reshat Meçkën. Hë më i lumtë atij, ai është burrë,- më foli gruaja me të keq.
-Mjaft! Më lini rehat, bëhuni def…- i ndërpreva me inat:- Reshat Meçkë na qenka burrë dhe unë jo. Turp. Ai është zarbë, djall me brirë, jo njeri. Përse më merrni shembull të tillë njerëz dhe më lodhni me gjepura dhe nuk më vështroni në sy? Nuk e shihni, nuk u plasin sytë! Më duhet të tërheq në labirintin e ngushtë dhe me kthesa të viteve të vështira një protezë të poshtër druri. Nuk jam si të tjerët! Hë, përse nuk jam si të tjerët e përse duhet të jem si ata! Sigurisht nuk jam si të tjerët. Unë s’kam këmbë por një cung dhe ata i kanë të dy këmbët e shëndosha, nuk baresin por vrapojnë.
-Duhet të ishe si të tjerët,- më buçasin veshët: -Këmba e drunjtë, gjaku i derdhur në luftë, me meritë duhet të jepte copën e merituar të tortës apo të bakllavasë dhe jo të mbeteshim të varfër deri në dhembje.
-Unë të rrëmbeja copën më të mirë të bakllavasë?! – ia bëra gjithë trishtim. Gruaja dhe djali më kishin qëndruar mbi krye, sikur do më merrnin frymën dhe penguar rezen e dritës. Lëviza krahun e majtë për ti shmangur dhe duke rënkuar u thashë:- Jo, kurrë, po shokët që u vranë? Ata trima që ranë në luftë, që dhanë jetën për një ideal. Ata të gjorë s’kanë gojë të flasin, të kërkojnë, u kalbën në dhe. Vallë ata nuk kanë të drejtë më shumë se të gjithë! Ju lutem ikni, më lini te qetë, më lini vetëm, me heshtjen, vuajtjen dhe mundimin tim. Kam faj unë që nuk jam si të tjerët.
Ika i ndërkryer. Zbrita shkallët e ngurta duke hedhur këmbët kuturu. Gruaja më thirri nga pas të ecja me kujdes, të mos gremisesha nëpër shkallë. Më thua sa për sy faqe të mos gremisem. Ku ta gjej të gremisem, por jo të thyej ndonjë eshtër dhe kockë tjetër, por të më bjerë në kokë dhe në gropë…
Vlash Pambuku do muhabet, prandaj më hedh ndonjë fjalë si nëpër të. Por unë nuk kam asnjë dëshirë të bisedoj me të dhe me të tjerët. Ç’mund të them, ai e ka kripën e thatë, një copë pronë e ka, sa herë e fshin dyqanin do gjejë ndonjë monedhë. Po unë, mbart mbi supe ankimin skandaloz të familjes. Në lokal hynë ky klientë dhe unë shpëtova prej tij. Por dhe në lokal nuk më rihet më, më duket sikur më ha trupi. Përshëndeta me dorë Vlashin, ai ishte i përpirë nga puna dhe s’ma kishte ngenë. Dola.
Koha është e vrenjtur, mbështjellë me mjegull të lehtë, të përhimë dhe here pas here qëmton dëborë. Atje ku kanë mbetur ende gjurmë të pa shkrira prej qëmtimit të dëborës, më duket sikur ka një ngjyrosje mellani, blu të errët, kalimtarët nuk guxojnë ta shkelin por e anashkalojnë, duke pritur të shkrijë lagështira lodhëse e ditës. Një hop kujtova se mos dëbora qe përlyer prej kallamarit me bojë shkrimi të përmbysur aksidentalisht i ndonjë fëmije shkolle. Këmba e drunjtë është vjetërsuar, plasaritur dhe nga dita në ditë po bëhet gjithnjë e më e pavolitshme, por që është pjesë e pandarë e trupit tim. Kam dëgjuar që diku jashtë shtetit përgatiten këmbë plastike të lehta dhe shumë të manovrueshme, por duhet një torbë pazari me të holla ndërsa pensioni im simbolik është vetëm një fjalë goje.
Duart e rreshkura i kam rrasur thellë në xhepat e pardesysë së vjetër, të zbardhur si për të ruajtur baraspeshimin, por nuk mundem të kthehen përsëri te ‘Ushtari i panjohur’ më lidhen këmbët gjer aty.
Ec kokulur me merakun e rrëzimit të papritur dhe krisjes së tmerrshme brenda vetes. Tërheq këmbën zvarrë, në trotuarin me pllaka të thyera, pranë xhamave të mëdha të hotel turizmit, për të shkuar dyqanin e Jerinës, të marr si zakonisht bukën me listë. Mezi pres ditën e nesërme, e do zoti nuk bie shumë dëborë. Është ditë e rëndësishme e muajit, do shkoj në arkën e sigurimeve shoqërore do të tërheq pensionin qesharak mujor e, prej andej do mbaj frymën në dyqanin e Jerinës, të heq prej supeve barrën e rëndë të borxhit.
Vështroj në xhama hijen time dhe tronditem. Të gjithë kanë hije të drejta elegante. Ndërsa hija ime lëviz cungueshëm, reflektohet në xhame dhe në ujëra, si një degë e thyer peme që përdridhet dhe përthyhet në imazhin e ujërave të lyrosura. Brenga ime është e gjithanshme.

III

Që në mëngjes mu lëndua dita, por nuk e dija se do më vritej përfundimisht ajo.
U shmanga prej xhamave tradhtare dhe lëviza pjerrtas disa hapa më tej. Befas buzë trotuarit dy metra larg meje qëndroi me zhurmë dhe frenoi me forcë një makinë kartë e re që më spërkati me baltë, më bëri helaq. U mata të bërtisja me sa zë që kisha në kokë. Ti shkrehesha shoferit, ti thosha:
Ore buf, s’ të plasën sytë, se sheh, ka njerëz që ecin në trotuare.
Në çast gjuha më ngriu, mu bë njëlloj, si cungu i këmbës. Kur pashë që me ceremoni u hap dera e makinës dhe me madhështi zbriti… Reshat Meçka! Kisha vite që se kisha parë Ai ishte i vjetër por i mbajtur, i fryrë, gjoks përpara, i shëndoshë, Fytyrëkuq, dukej sikur do ti pëlciste fytyra prej vetëkënaqësisë dhe shëndetit. Të jetë vërtet Reshati ky! Ai më hodhi një vështrim indiferent, nënvleftësues, përbuzës dhe bariti me madhështi drejt shkallëve të hotel turizmit.
-Mirëserdhët, urdhëroni brenda zoti Reshat, – dëgjova zërin servil të punonjësit të turizmit.
Unë u zbytha me tej. Reshat Meçka! Anjeza dhe djali Xhuvi ma përmendin gjithnjë këtë emër, ma shpifin, ma venë si shembull përpara. Ata nuk e dinë kush është Reshat Meçka, prandaj i dëgjoja pa u kushtuar shumë vëmendje dhe nervozohesha. Çuditërisht tani gjendem ngujuar, si trung në trotuar dhe i përlyer me lym nga koka deri në këmbë prej makinës së tij. I nënvleftësuar e përbuzur. Më bëri të më vinte keq për veten dhe gjithë jetën time. Të më rrëqethej trupi deri në palcë….
Çfarë bëre o Reshat Meçka! Përse më dole përsëri përpara o Reshat Meçka. Pikërisht tani kur më ha dhe më kruan i gjithë trupi prej marazit dhe më përleve me llum. Shkoje ore tutje, qyteti ka boll trotuare ku mund të ndalosh makinën.
Por ky Reshat Meçka nuk dëgjoi, më shpartalloj dhe njëherësh më shkundi trupin tim të drobitur me gjithë lecka….
‘E sheh ku është Reshat Meçka, e sheh! Ku ai dhe ku ti! Atij i ndrit lëkura, ndërsa ti, rrjepacak i përlyer si lypsar i mjerë me baltë,’ më foli zëri pas veshit.
‘Ku dini ju gjë,’ gati sa nuk bërtita: ’Nuk dua të jem si ai.’
‘Sigurisht nuk je si ai.’
‘Ëhë!’ ia bëra.
‘Ti je me një këmbë, cung, ai me dy këmbë, i gjatë i shëndoshë si ka.’
‘Oh!’ mërmërita.
‘Ai është me shërbëtorë në shtëpi,’ më buçiti zëri pas veshit.
‘Reshati me shërbëtorë,’ klitha.
‘Pse çuditesh, të kesh sot shërbëtorë është gjë e zakonshme.’
‘Shërbëtorë! Mjaft, mjaft, mjaft! Ikni tutje. Më lini me gjithë hallin tim,’ bërtita. Dhe zura veshët me duar. Por zërat ishin kokëforta mi dërmonin gishtërinjtë…
U tërhoqa mënjanë. Iu shmanga njerëzve me nxitim dhe u përpoqa të përmbaja veten mos më ngatërronin me Cile të marrin, i cili kur lodhet nga fjalët dhe ngacmimet e të tjerëve, lëshon klithma histerie, zë veshët me duar dhe ulet në bisht kudo që të ndodhet…

IV

Më kujtohet fort mirë, kur ai zbrazi koburen, krismat shungulluan në veshët e mi dhe pas pak dëgjova klithma të thekshme, pashë rrëzimin e trupave, bërtita i çakërdisur:
-Çfarë bëre o Reshat Meçka?!
– Hë! Pse çfarë bëra? – ia bëri Reshati me shikim të mjegullt dhe fryu tytës së nxehtë të kobures.
-Ore me gjithë mend e zbraze koburen mbi ta,- rënkova me trishtim
-Koburja për tu zbrazur është bërë,- ma ktheu ai pa e prishur gjakun.
Vështrova sy zgurdulluar trupat e të dy qëlluarve me plumba, të plandosur njëri mbi tjetrin dhe u mbështeta në bërrylin e majtë. Të gjorët përpëliteshin në grahmat e pragvdekjes. Pellgu i gjakut filloi të rridhte curril prej plagëve të porsa shkaktuara, e po përpinte hapësirë në dyshemenë e mermertë dhe turrej drejt meje. Kërceva si të më kish pickuar zekthi dhe u tërhoqa pas me mundim. Përgjatë rrëzimit këmba e cunguar më ish përgjakur.
-Hëm, tu dhimbsen këta derra?
-Po ti i vrave?!- gërhita.
– Ç’ tu bëja, ti tarnanisja, – hungëriti Reshati dhe i fryu kobures që lëshonte akoma tym:- Nuk i pe qelbësirat, për këtë copë mut kuti tu sulën si përbindësha për të mbytur.
-Dhe ti Reshat për këtë copë mut kuti, i bëre fërtele tak- fak, hë! – mërmërita. Koka më buçiste.
-Më mo se borgjezë të poshtër janë, të pangopurit, gjithë jetën na kanë pirë gjakun. Shërbëtorë na kanë trajtuar, pa pikën e dinjitetit…
Dhembjet e këmbës së cunguar më thernin në shpirt. Kafshova buzën dhe u ngërdhesha, pa u ndarë shikimin dy të mjerëve që po mbërtheheshin prej zbehtësisë dhe akullsisë të pamëshirshme së vdekjes.
Ishte bastisja e tretë që bënim në shtëpinë e tregtarit të qytetit Ndini Frati. Pas shumë presioneve, torturave, më në fund Ndinit trup vogël me kokë të shukët ju hap goja:
‘Hëm.., është jeta ime, kanë punuar dhe ropatur katër breza… hëm…m… m, hëm…m…m,’ sikur fliste honi i thellë dhe jo njeriu. Shokët e grupit hetimor të dërmuar flakën përdhe veglat e torturave, u ndehën, përqendruan të gjitha shqisat për të zbërthyer pëshpërimën e rëndë si të ngrihej nga fund bota. Ata me të drejtë u nervozuan.
‘Përsërite prapë,’ i bërtitën, ‘fol maskara, trego. Nuk na duhet sa breza kanë punuar. Na duhet ku i ke fshehur qypet me florinj? Hape gryken, përgjigju.’
‘ Hëm…m…m, hëm…m…m,’ ia bëri përsëri Ndini Frati.
Shokët e grupit hetimor fshinë djersët, ngritën mjetet e torturave dhe u bënë gati për mësymje të re.
‘Mos do të shtrohesh prapë në torturë, të ngordhësh si qen,’i thanë:’ Merre vesh njëherë e mirë o pusht i keq, nuk ka mëshirë për borgjezët, klasën e përmbysur. Ngordhi koha juaj.’
Ndini Frati u përdrodh, u deformua, volli me gulçe dhe honi i thellë polli të fshehtën…
‘Më në fund u kuptua. I nxori lakrat e barkut,’ bërtitën shokët e grupit hetimor dhe gjëmuan jashtë në rrugët e përbaltura.
Binte shi me gjyma. Kërko, gërmo. Më në fund qypat e fshehura me florinj u gjeten aty ku nuk mendohej, qenë groposur në kopsht, thellë në tokë e mbi to me djallëzi Ndini imcak kish mbjellë trëndafila dhe tulipanë. Shokët e grupit hetimor morën frymë të lehtësuar dhe thanë:
‘I poshtri, dhe lulet donte ti përdhoste…’
Urdhëruan të mbartnin tregtarin e torturuar Ndini Frati në kthinën e labirintit të kthetrës ku firmoseshin formalitetet përfundimtare. Ai ishte bërë një skelet me dy pare shpirt dhe qëndronte i lidhur si qen i zgjebosur në cep të hetuesisë.
Meqenëse unë isha me një këmbë e gjysmë dhe Reshati mik i komisarit, ishim të caktuar nga komanda e qarkut për grumbullimin dhe rruajtjen e sendeve të sekuestruara. Na urdhëruan ti mbartnin qypet me florinj në zyrat e komandës së qarkut.
Befas në mesnatën e ditës tjetër kur ish ftohtë dhe binte botë me flashka të mëdha erdhi informata e fundit për fshehjen e kutisë me xhevahire dhe takëme grash nga një ish shërbyes i shtëpisë. Të lodhur dhe të pagjumë shokët e grupit hetimor e shkulën Ndini Fratin prej kthinës së kthetrës, e shpunë zvarrë në qilarin e ingranazheve të zbërthimit dhe e vunë sërish në torturë. Tregtari imcak ish bërë kockë lëkurë, nuk përballoi më, honi shumë shpejt u shtrydh dhe u zbërthye. Komanda e qarkut urdhëroi mua dhe Reshatin të shkonim ta gjenim dhe ta sekuestronim.
Gjithçka ndodhi shumë shpejt, sa hap e mbyll sytë. Trokitën me potere, me çokun e bronztë të fiksuar në portën e rëndë me dru are. Derën na i hapi i biri i Ndinit dhe e reja, të dy ishin të verdhë dyllë më fytyrë dhe të llahtarisur. Pa u thënë gjysmë fjale i shtymë pas derës dhe hymë me vrull në shtëpinë e madhe, të ftohtë dhe të boshatisur. Informacioni ish i përpiktë.
‘Hë, hë, druri vëlla ka dalë nga xheneti, nuk ka me të dëngla e mëngra,’ mërmëriti i kënaqur Reshati. Rrëzuam me kazmë disa tulla e kur po zgjatesha të merrja kutinë e argjende që gjetëm të fshehur në cepin e majtë të vatrës, dëgjova zërin e përgjëruar të nuses bukuroshe të veshur me mëndafsh:
‘Ju lutem vetëm këtë mos ma merrni, është prika ime.’
Më pas u dëgjuan klithma të trishtuara dhe qarje me kuje. Me bisht të syrit pashë disa duar që u ngutën për të ma rrëmbyer kutinë e argjend. Me rrëmbim dhe instinktivisht lëviza djathtas për tu shmangur, këmba e drunjtë nuk mu urdhërua, humba ekuilibrin, u rrëzova. Atë çast dëgjova disa krisma gjëmuese revolveri, dy trupat e çiftit të ri u këputën si të prerë me kosore dhe u dergjën përdhe, të mbytur në gjak, një metër larg meje.
Ndjeja dhembje në këmbën e prerë, proteza kish lëvizur prej vendit duke më shkaktuar gjakosje.
‘Nuk vritet njeriu për një copë kuti o Reshat,’ i thashë me inat. Vendosa gjurin e këmbës së shëndoshë dhe bëra të ngrihesha.
‘Vriten që ç’ke me të,’ hungëriti Reshati.
‘ Këta të gjorë nuk mundën as të më preknin. Rrëzimi ndodhi prej kësaj dreq këmbe,’ i thashë.
‘Nuk të prekën,’ bërtiti me sa kish në kokë Reshati.
‘Jo, nuk më prekën.’
‘Punë dreqi. Përse nuk të prekën? Tani më thua mua që nuk të prekën! Çfarë tu bëjmë këtyre borgjezëve që po përpëliten akoma?! Tu jap e nga një plumb në lule të ballit, të cofin njëherë e mirë?’
‘Ti hapje sytë,’ iu shkreha,’ duhet të jemi të matur. Njeriu nuk është krimb.’
Reshati ngriti supet.
‘Hëm, ti hapja sytë! Duhet të jemi të matur, hë! Ja që nuk jemi të matur, jemi të rinj, na zien gjaku në damarë,’ ia bëri Reshati, futi koburen në brez dhe shtrëngoi rripin e pantallonave.
‘Dhe këta që dergjen përdhe janë të rinj si ne,’ i thashë.
‘Këta janë reaksionarë, tregtarë, s’janë si ne.’
‘Ky djali vinte në celulën tonë,’ thashë.
‘Hajt, ç’u bë u bë,’ma ktheu Reshati pa ja vënë veshin fjalëve të mia: ‘Hajt të bëjmë një raport për ngjarjen, për rrezikshmërinë e paraqitur prej tyre, ta firmosim të dy dhe ta dorëzojmë në komandë,’ mërmëriti Reshati me sytë e ngulur tek nusja e re. Penuari i saj i mëndafsh i ish zbërthyer, shkalafitur, përlyer me gjak. Ajo ish vetën në të linjtat gati të tejdukshme.
‘Borgjezja e dreqit edhe pse e cofur ka një zbehtësi provokuese marramendëse,’ mërmëriti Reshati.
I biri i Ndinit, imcak si i ati, sy zgurdulluar po jepte grahmat e fundit.
U ngrita me vështirësi dhe u ula në stolin aty pranë. Reshati me kureshtje të madhe hapi kapakun e kutisë të gdhendur në ar dhe rrëmoi një copë herë aty.
‘Çfarë takëme janë ato o Reshat?’ e pyeta.
‘Rraqe të poshtra borgjeze. Rangulla të ndyra, si ato që mbajnë zuskat në bordello,’ ia bëri Reshati dhe mbylli kutinë.
‘Ma jep kutinë ta shoh,’ këmbëngula.
Reshat Meçka me pishman më zgjati kutinë ku në të ishin gdhendur dy engjëllushë të artë. Kutia brenda ish veshur me kadife të butë, të kuq dhe në të kish unaza të çmuara, xhevahire dhe byzylykë vezullues, më shumë më tërhoqi vëmendjen një unazë e trashë floriri me gur blu rrezatues. Nuk kisha parë në jetën time sende të tilla shkëlqimtare. Reshati nuk më la ti sodisja gjatë, ma tërhoqi kutinë me sytë që i zverdhonin prej lakmisë dhe e futi në çantën ushtarake.
U përpoqa të fiksoja protezën e drunjtë pas cungut të këmbës së lënduar, u shtrembërova më dysh prej dhembjeve, ishte punë që s’bëhej.
‘Hajt të çoj në spital,’ më tha Reshati.
‘ Jo, jo. Në fillim çojmë kutinë në komandë, pastaj do kthehem të mjekoj këtë dreq cung në spital,’ i thashë ne inat dhe vështrova me dyshim drejt tij.
Sa herë bëheshin kontrolle dhe bastisje në shtëpitë e tregtarëve, e zbulonim qypa të groposura me florinj të madhësive të ndryshme, shokët na i jepnin mallin e sekuestruar në besim, për ti çuar në komandën e qarkut e të cilat ishin pa inventar.
‘Qelbësirat, groposet floriri, djersa, mundi i popullit. Paraja është krijuar për ti shërbyer njerëzve, të blenë me to ushqime dhe veshmbathje, jo të fshihet vrimave,’ grindej Reshati dhe vështronte me kujdes rreth e rrotull e përlante me lezet disa monedha dhe i fuste me nxitim në xhep.
‘Çfarë bën o Reshat,’ i thosha, ‘florinjtë e sekuestruara i përkasin popullit fukara.’
‘Pse unë e ti, a nuk jemi popull fukara,’ ma kthente Reshati,’ të ëmën s’ ëmës, nuk ua kemi ditur asnjëherë lezetin këtyre verdhushkave të qelbura. Merr e ca ti se nuk përmbyset bota.’
‘Janë paratë e popullit o Reshat, të thashë,’ këmbëngulja.
‘He, he, populli nuk e la këmbën në luftë, ti e le,’ ma kthente Reshati dhe përdridhte buzët e trasha, dhe shtonte zë ulët: ‘ Na dëgjo këtu, kafshoje gjuhën përpara se të flasësh me të tjerët.’
Reshat Meçka hodhi çantën ushtarake në shpinë me kutinë me takëmet e çmuara borgjeze dhe i fërshëlleu një karroce që qëndronte e mbrehur në cep të kinemasë Maxhestik.
‘Hej, eja shpejt këtu, shtjere menjëherë këtë shokun në spital.’
Reshati pa u vënë veshin kundërshtimeve të mia, më ngrit peshë dhe më hipi në karrocën e pistë dhe pa më përshëndetur, me hap të shpejtë ktheu bërrylin e postës së vjetër…

V

Çfarë bëre o Reshat Meçka!
Nuk doja ti zgjoja, ti shkundja prej pluhurit të gjatë, ti risillja nëpër mend dhe më në fund… Ah më në fund, të vija në lëvizje buzët e holla të rrudhosura e të hapja gojën. Në kamaren time të holluar kanë mbetur si bedena të një kështjelle të çakërdisur, të sfilitur prej kohë zgjatjes, vetëm tre dhembë të përparmë, të poshtëm, të verdhë, gjysmë të kalbura në pritje të rrëzimit të paralajmëruar. Dhe aty tek tuk, nëpër të, si të kërkosh nëpër rrënoja, mezi dallohen rrënjët e dhëmbëve dhe dhëmballëve të thyera.
Nuk doja kurrsesi ti përmendja o Reshat Meçka. Nuk mund të them që isha unë, por ishe ti me të tjerët, që me megalomani dhe moskokëçarje më shtytë dhunshëm, shkallmuat derën e ronitur të së djeshmes ku qëndronin të fshehura, të groposura. I shtrënguat me forcë, i shkundët, por u ngeli ndër duar myku dhe u mbyti kalbësira. Çuditërish u dëgjua rropamë e madhe, duhej të ishit shurdhuar veshët ndaj nuk dëgjuat shungullimën që u ngrit së thelli, si një uragan dhe që tronditi trupin tim të munduar.
Kisha vendosur përfundimisht të mos i rikthehesha, një të pakthyere, ngaqë analizat e stërholluara, në tehun ndryshkur të vetmisë shpesh herë janë thikë të mprehta me dy presa. Le të qëndronin atje ku kishin mbetur, duke mbartur me vete shembjen dhe harrimin shumëvjeçar.
Jo nuk mundesha të doja e të mos i kujtoja o Reshat Meçka, nuk mundesha…
Sa vite kanë ikur qysh atëherë, shumë e shumë vite. Kanë rrjedhur ujëra të kthjellëta e të turbullta nëpër shkëmbinjtë e thepisur, në ultësirat, rrëpirat dhe zigzaget e jetës. Janë ndërruar stinët, festuar përvjetorët, kongreset dhe planet pesëvjeçarë. Unë jam ai që isha me trokëllimën e çakërdisur të hapave të mia në kalldrëm, pa ndryshime të qenësishme, vetëm më i mplakur, më i gërmuqur. Po ajo shtëpi, muri i kopshtit në krah të rrugës kur fillojnë reshjet, shembet çdo vit.
Dikur isha rrogëtar i vogël, në fabrikën e qelqit, fryja dhe numëroja vazo e shishe, me përparësen e zbardhur e të përcëlluar deri në fund të këmbëve. I pandryshueshëm, i vendosur, i sertë, kokëmushkë, i sinqertë, i betuar.
Kur isha i ri, pesëmbëdhjetë vjeç dola në mal me shokë për të luftuar armikun, sikur do shkonin për piknik, me pantallona të shkurtra dhe këmishë të hollë pambuku. Nata në mal ish e ftohtë, nuk mund të flija. Zbrita poshtë në stan, çobani plak më dha disa tesha të vjetra por që ishin të ngrohta. Në pritën e parë të qafë Lamës, disa partizanë të vjetër të fshehur pas një shkëmbi, bërtitën, o burra të hidhemi në sulm mbi ta, dhe pa e zgjatur shumë u shkëputa me vrull prej llogores ku isha, u hodha në sulm i pari mbi ta. Mu bë sikur nuk isha unë, djaloshi pesëmbëdhjetë vjeçar, por një krijesë në shpërthim, më rrëmbeu magjia dërmuese e luftës. Ngado breshëri, shpërthime, shkëndijime, flakërima, e sa hap e mbyll sytë u gjenda i shtrirë përdhe. E kisha ngrënë një cifël të madhe murtaje në këmbë. Isha shumë i ri dhe nuk dija se çfarë ish frika dhe kërcënimi real i vdekjes shkaktuar prej luftës. Këmba mu gangrenizua.
Pranë shtratit tim u afrua mjeku, ishte një burrë i vjetër me rrudha dhe sy të skuqur prej pagjumësisë. Ai më kontrolloi me kujdes plagën, pastaj vështroi nga unë me dyshim dhe me dhembje. Sapo më kishte djersirë mustaqja.
‘Sa vjeç je?’ më pyeti.
‘Rreth gjashtëmbëdhjetë,’ i thashë. E gënjeva, unë isha plot pesëmbëdhjetë e dy muaj.
Mjeku qëndroi një copë herë i menduar me sytë e ngulur te këmba e gangrenizuar dhe më foli i pavendosur.
‘Duhet ta presim këmbën mbi gju, ndryshe do vdesësh. Si thua?!’
‘Duhet prerë këmba?’ pyeta për siguri e sikur bëhej fjalë për dikë tjetër.
‘Po, duhet prerë,’ më tha.
‘Prijeni,’ u thashë.
Mjeku u kapërdi me vështirësi.
‘Por ne nuk kemi narkozë dhe as sharrë operacioni, veç sharrë druri,’ më tha infermieri.
Mblodha supet dhe u shtriva. Mjeku dhe infermieri u panë sy ndër sy si ti thoshin njëri tjetrit: e ka me gjithë mend ky djalë. Unë prisja shtrirë. Infermieri disinfektoi me alkool sharrën që kuzhinieri priste drutë, pastaj qulli me alkool këmbën time.
Infermieri më vuri një copë kleçkë në gojë.
‘Shtrëngoje me dhëmbë,’ më tha.
Prerja e këmbës nuk ishte lojë, por një torturë e vërtetë. Sharra preu me shpejtësi lëkurën, venat e para dhe kur po priste kockën… O zot çfarë dhembje! Pështyva kleçkën dhe klitha:
‘Të çmendur, me gjithë mend e keni të prisni një këmbë me sharrë druri. Hiqeni atë dreq sharrë, zhdukuni, më lini të vdes, të poshtër,’ por ish tepër vonë. Sharra po priste kockën, këmbën time me zhurmë të ndyrë. Fillova të bërtisja, të shaja, të kërcënoja, të ulërija, të këndoja me shpirt ndër dhembë, për të përballuar dhembjet e tmerrshme, sharra prej druri po hynte thellë dhe më thellë në kockë. Kaq e madhe ishte kocka e këmbës sime sa po zgjaste një shekull?! Më pas, nuk kujtoj asgjë, u rrokullisa pingulthi në humnerë dhe humba ndjenjat.
‘Je vërtet burrë,’ dëgjova që më tha mjeku kur po përmendesha:’ Je trim, hero.’
Vështroja cungun e këmbës, s’më besohej, isha unë në të vërtetë i gjymtuar përjetë! U rrëzova, u ngrita me qindra herë, u gjakosa, qava prej dhembjeve në qoshe të shtëpisë, në vetmi, derisa u mësova të çapitem si lavjerrës, në këmbë, me këmbë të dhunshme të drunjtë dhe asnjëherë si të tjerët.
Trokëllinte këmba ime e drunjtë në kalldrëmet e rrugicave të ngushta. Bashkëqytetarët mërmërisnin nën vete, po vjen invalidi me këmbë druri dhe më hapnin rrugë. Kujtoja se ish respekt për merita lufte. I mëshoja më tepër këmbës së drunjtë me krenari gati qesharake. Nuk mund ta kuptoja se pas respektit të shtirur, fshihej keqardhja, mëshira. Më në fund gjeta Anjëzën, vajzë të urtë fshati, krijova familje në shtëpinë e të parëve, poshtë rrugës. Anjëza mu bë krahë, më ndihmon të heq dhe të vë këmbën e drunjtë dhe në gjithë punët e shtëpisë dhe më dhuroi një djalë. Ndërkohë përpara syve të mi rriteshin, burrëroheshin, ngriheshin në pozitë dhe përmbyseshin shumë veta prej radhëve tona. Nuk më vinte keq për ta, për mendimin tim merrnin atë që meritonin, firot janë të pranueshme, vetën flamurin e fitoreve të mbanin lart. Atje lart sipër mbi re ku qëndronte i madhi, e besoja dhe isha i bindur që atje lart ishte përsosmëria, nuk bëheshin kurrë gabime. Ne luftuam dhe luftonim për një botë të re, pa të shfrytëzuar dhe shfrytëzues…

VI

Ti na qenke burrë, trim, hero, o Reshat Meçka, me hundë dhe mjekër si shpend grabitqar, që fshiheshe si miu prapa poçes. I zellshmi për citate dhe i kudo ndodhur për pehlivanllëqe e maskarallëqe. Mua më vinte pështirë, karavidhe ke qenë. Por ti nuk e prishje terezinë dhe thoshe:
‘Për…për… përpara për… fitore, me betimin ndaj idealit dhe përkushtimin shembullor!’
Ka filluar të mbahet goja o Reshat, të thosha. Ti ktheheshe nga unë dhe zgërdhiheshe. Mua më vinte turp dhe pështirë. Por ti pa e prishur terezinë vazhdoje drugën.
Ndërsa mua dikur më quanin, diçka midis ironisë së hollë dhe xhelozisë së hapur:
‘I përbetuari,’ unë e dëgjoja pa fjalë dhe unë krekosesha si kaposh.
Tani duke nënqeshur me sarkazëm pëshpëritin pas shpine:
‘Sakat-fanatiku i mjerë,’ por nuk është e vërtetë. Njeriu e ka një moral. Unë nuk jam mësuar të kërcej si karkaleci, të jem i poshtër, maskara. E dua dhe e mbaj në shpirt idealin tim. Paçka se të tjerët e pështynë e shkelën me këmbë, e flakën si lëvere. Përsëri dua ta fitoj bukën me djersën e ballit. Por kur e thashë një ditë Anjeza ma ktheu me inat:
‘Çfarë bukë e fiton djersën e ballit, bukën borxh e merr. Ah more burrë, i gjori ti, hala ke ura…’
Sigurisht ke ura jam dhe pensionist i varfër dhe kur më mbarohen të hollat pa mëdyshje shënoj emrin në listën e bukës. Jerina, shitësja bukuroshe më vështron me trishtim dhe mbledh buzët e plota si dy kokrra qershie. Nuk i mërzitem sepse çdo ditë ndjej përdredhjen e buzëve pas shpine. A nuk është e neveritshme e deri ku mund të shkojë marrëzia e njerëzve?
Ndërkohë rrëgjimi im është më i dukshëm. Jam bërë si kosore e ndryshkur, lënë në harresë, diku në cep të haurit. Vërtitem si kërmill në shtëpinë që gjendet poshtë rrugës, që mbart lagështirë. Muri mbajtës nën rrugë, shembet çdo vit kur fillon lagështira dhe prej peshës së rëndë të makinave që janë shtuar shumë këto vitet e fundit. Dikur ashtu çalë-çalë, pastroja dherat, hiqja gurët mënjanë, përgatisja llaçin dhe e ngrija murin e rrëzuar. Vitet e fundit murin e rrëzuar e ngre djali im Xhuvi, por ai shan dhe grindet gjithnjë:
‘T’ ëmën e s’ ëmës, ky short më paska rënë, të ngre gjithnjë mure të rrëzuara.’
Unë largohem, nuk i flas, s’kam çfarë ti them. Djali punon tornitor me turne dhe lodhet shumë, por tani e kanë nxjerrë në asistencë dhe ka filluar të pijë cigare me shumicë. Më dukej sikur kisha influencë dhe fuqi, por s’paskam më. Çfarë pret nga një copë sakat. Hëm! Më gënjente mendja dhe dikur unë ëndërrmadhi budalla, mora një copë dru, përgatita vetë këmbën e drunjtë…U gjakosa, u rrëzova, u dërrmova: Të ecja më këmbë, ti përvishesha punës, të ndërtoja socializmin, jetën e re…
Nuk dua të gërmoj, të hap monopatin e thellë, të mbuluar qyshkur prej dherave, fletëve të kalbura, karthjeve të thata, luleve, përmbysjeve, rrëmbimeve, shpronësimeve, fjalimeve, dekorimeve, premtimeve, dëshirave, ëndrrave të stisura të përfunduara në sirtar. Ky monopat ka humbur së qëni është ngjeshur bërë gur prej mjeteve të rënda dhe hapave, marshimeve, paradave dhe zboreve të qindra e mijëra vetëve.
Më falni o njerëz të duruar, gjithsesi po e shtoj me dhimbje dhe trishtim, në kllapa të trasha: (Tashmë askush nuk ka më moral, por është karavidhe.) Ndërsa zëri brenda vetes, edhe pse është zë plaku të shastisur, pëshpërit, më sukullit veshët çdo ditë se njeriu asnjëherë nuk ka pasur moral, të gjitha kanë qenë gjoja de, përshpirtje të moralit. Dua ta përzë zërin brenda vetes. Kruaj veshët me inat, të cilat më janë bërë llapushë, por zëri i dytë nuk pranon të bindet e të largohet. Është bërë zë i fortë, i bezdisshëm, aq sa më shurdhon, më ka shkatërruar përfundimisht gjumin dhe shëndetin…

VII

Çfarë bëre o karavidhja, Reshat Meçka!
Përse më dole përpara o Reshat Meçka. Më mbive si flamë pikërisht tani, kur më është mërzitur vetja. Kur më ha dhe më kruan trupi nga marazi. Shko ore tutje, qyteti ka boll trotuare të ndalosh makinën. Më vështrove me indiferentizëm nga lart poshtë, ngrite krahun dhe shtrove me madhështi ato pesë qime të lyera me bojë. Në gisht të shkëlqeu unaza e artë me gurin e çmuar vezullues të viktimave. U zbytha më thellë sikur hyra brenda në murin me suva të thërrmuar. Ndoshta u përpiva nga imazhit të ngjyrosur të xhamave të mëdha. Dua të bërtas në kupë të qiellit: Përse s’të hyri gjemb në këmbë o Reshat Meçka. Kërceve si karkalec nga një magazinë në tjetrën, nga një shef kuadri në anëtar byroje. Në gërmadhën e vjetër të Naumit, tregtarit të pushkatuar ndërtove shtëpi, me oborr të madh përpara dhe prapa. Dhe, tani o Reshat Meçka me ndryshimin e sistemeve e ndërtove shtëpinë trekatëshe, i nxore takëmet që u vodhe borgjezëve të dikurshëm, unazat dhe xhevahiret e fshehura dhe hape dyqanin e bizhuterive në qendër të qytetit.
Reshat Meçka, o pusht i pushtave përse s’u zbythe tutje!
O dreq Reshat Meçka e shpartallove trupin tim të drobitur me gjithë lecka. Unë jam ai që isha, djalosh idealist plot ëndrra dhe dëshira të pambukta, hëngra ciflën e granatës në pritën e parë. Përballova dhimbjet e tmerrshme kur mu pre këmba me sharrë druri pa narkozë.
E kupton o Reshat Meçka, o qen i biri i qenit se çfarë ndodh me mua! Në çfarë luftë rraskapitëse jam me veten. Në ketë botë të flamosur nuk ec, por zvarritem. Kam qenë dhe mbetem i ndershëm, me merakun e përhershëm të rrëzimit të papritur, duke hequr këmbën e drunjtë zvarrë. E di ti o pusht, s’ mu ndanë radhët e gjata dhe, kur më mbaron pensioni marr bukë me listë. Zvarritem si breshkë e vjetër, tërheq pas vetes protezën e plasaritur dhe të drunjtë.
E kupton o Reshat Meçka, o biri i bushtrës, o vrasës, katil, na mbake dhe shërbëtorë. Çfarë faji bënë ata të rinj dhe shumë të tjerë të pambrojtur, që i vrave me gjakftohtësi xhelati? Ec si kërmill dhe, hija ime përthyet në xhama. Të ëmën e së ëmës, jo, nuk jam kërmill dhe s’do jem kurrë kërmill deri në frymën e fundit. Jam njeri dreqi ta marrë, me gjak në rremba, kam një zemër, të thjeshtë, të mplakur, të lodhur, të drobitur.
Ndërsa ti o Reshat Meçka je lubi, oktapod, përbindësh, dreqi me brirë. Nuk jam naiv, i trashë nga mendja, i luajtur nga fiqiri, por pleqëria dhe rrëgjimi i halleve më katandisi për ibret të zotit, në një thes të vjetër me byk e kashtë. Përsëri them me bindje o Reshat Meçka; jam njeri. E mira e shumëvuajtura ime Anjeze, djali im Xhuvi kanë të drejtë dhe, kjo kaploqja ime e shkretë s’bindet, mbeti qytyk, me mendime të prapambetura si më parë.
Një brengë kam dhe dert të madh, më shumë se ujërat e lumenjve, liqeneve, deteve dhe oqeaneve, ndaj ju lutem shumë more vëllezër, në keni mëshirë, mos e mundoni këtë plak të rrëgjuar, ma thoni:
Çfarë ndryshim ka, gjoja partizani, sharlatani, vrasësi me gjakftohtësi, Reshat Meçka dhe shokët e tij, bënë sikur luftuan për liri, drejtësi, barazi, por vranë e prenë të pafajshmit. Tashmë këta malukatë i sheh të krekosur, të pasuruar, të pangopur dhe prej atyre të mjerëve, klasës që e quajtëm të përmbysur, gjakpirës, tregtarë të poshtër, katilë, të cilët i shpronësuam, i përndoqëm, i burgosëm, i vramë pa mëshirë si të ishin kakarroçë?
Më dëgjon, e përsërit, u përpoqëm ti shfarosim me zjarr dhe hekur, ata luftuan për komb dhe atdhe, që me mund në qindra vjet, vunë kamje dhe pasuri. Ndërsa ti krokodil i pashpirt Reshat Meçka me shokë qysh në fillim tradhtuat idealin, gjakun e të rënëve, vodhët, u pasuruat pitë si vampirë gjak dhe, jeni më të keq se të këqijtë. Cilët kanë qenë dhe janë katilë dhe rezilë, ata që u munduam ti shfarosnim me zjarr e me hekur, apo jeni ju përbindëshi Reshat Meçka me shokë?
Oh, ju lutem, ju lutem shumë zbërthejeni fillin e këtij lëmshi të koklavitur, më thoni, më tregoni, mos më mundoni. Siç e shihni jam plak, me një këmbë, do vdes shumë shpejt dhe fatkeqësisht do marr me vete në atë botë, në varr, padijen, naivitetin, ndershmërinë e një veterani sakat të dalë mode…
Më besoni as vetë s’di çfarë kërkoj. Nuk e di kujt ti drejtohem, kujt ti hapem; vetes, miqësisë, njerëzisë në qoftë se do mundnin të më përgjigjeshin. Ti kthehem fanatizmit gërdallë, idealizmit të zhvlerësuar, bërë prostitutë rrugësh, marrëzisë, çmendurisë? Kujt?! Kudo është shurdhëri, shkretëtirë… Më vjen keq për veten por dhe dua të qesh me të madhe, të shkulem së qeshuri, të thyhen xhamat e vitrinave, të buçasin sirenat e makinave, të prishen hijet, të shqyhen rrjetat e merimangave, të shkundet i gjithë qyteti…
Pastaj… i detyruar prej rrethanave të rëndomta, bëj shaka të lezetshme, shaka pensionisti. Mbyll sytë e hidhem në rrotat e një makine të rëndë. Në momentet e fundit do dëgjoj në veshët e mi thyerjen e shurdhër dhe dërrmimin e kockave të mia. Pas disa orësh gazeta lokale do shkruajë dy rreshta: Në këndin e vogël të kronikës së zezë se; në orën kaq dhe aq, u shtyp aksidentalisht një pensionist, i panjohur, me shenjë të veçantë, këmba e drunjtë…
Pa kuptuar vendos të vë në zbatim shakanë e lezetshme pensionisti. Mendimet gjeniale duhet të vihen në praktikë. Zgjat këmbën e shëndoshë, e lëshov rëndë mbi asfalt. Të jem i sigurt kur të marr vrull, të sulem pa kthim makinës së madhe që turret drejt meje. Fundja më mirë kështu, shakaja merr fund, shtypem pa ceremoni, nuk lë nam e nishan: U shtyp një i panjohur, disa dhjetëra metra larg shtatores së ‘Ushtarit të panjohur.’
Kur do dëgjoja krismën e thatë të shtypjes, një dorë e fortë më ngriti peshë dhe tërhoqi me vrull…Buria e çmendur e makinës më shurdhoi veshët. Është djali im Xhuvi, tmerrësisht i zverdhur dhe, me mezi mbushej me frymë…