ZHGËNJEN BESJAN MUSTAFA ME DEKLARIME PAUSHALLE

0
622
Besjan Mustafa

IDRIZ ZEQIRAJ

Zgjedhjet e para kombëtare, të pas luftës, në Kosovë, ndëshkuan “komandantët” kriminelë, të tufëzuar në LPK-e, përkatësisht, në partinë-bandë PDK-e, së fundi, në PAN-in kriminal. Zgjedhjet demantuan, bindshëm, maskaradën përlavdëruese të “luftës” së tyre imagjinare. Ata, si në kor bretkocash, u sulën kundër LDK-së dhe Ibrahim Rugovës. Madje, nuk u mjaftuan me kaq. Mallkuan edhe popullin, për votën e tyre meritore e dinjitoze, të dhënë LDK-së dhe kryezotit të saj, Ibrahim Rugovës.

Në grafitet e shpërndara në Prishtinë, “komandantët” vrastarë të luftëbërësve shqiptarë, shkruanin:

Prishtinë zemra ime, haram të qoftë gjaku im, zgjedhjet 2000, TURP.

Intelektuali dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit Rugova, Xhemail Mustafa, në faqen e tij të së martës, në kombëtarën “Bota Sot”, do të reagonte dinjitetshëm, me shkrimin: “Mallkimi i Popullit nga “Të mallkuarit e Popullit”. Shkrimi u botua më 14 nëntor 2000.

“Komandantët kriminelë të SHIK-ut, të tërbuar nga e vërteta, në mungesë të fakteve, për ta dëmantuar shkrimin në fjalë, përdoren plumbat, për ta shuar pendën e artë, urtakun, engjullin krijues, Xhemail Mustafën, më 23 nëntor 2000. Emri i Xhemës tonë, edhe sot e gjithmonë, përlotë shqiptarët njerëzorë. Megjithatë, fëmijtë e tij, janë ngushëllimi ynë.

Anëtarësia e LDK-së, por edhe populli i Kosovës, (ata që kanë ndjesi njerëzore), mirëpriti emrimin e Besjan Mustafës, zëdhënës të LDK-së. Nga një baba i mirë, siç ishte basjkëpunëtori dhe miku i madh i Dr. Rugovës, Xhemail Mustafa, diçka duhet të trashëgojë edhe i biri, Besjani. Një intelektual në perspektivë, për t`u bërë politikan i mirë, përveç përgaditjes solide si ekonomist.

Nga intervistat e para, shquajmë atë të dhënë në televizionin T7, ke Fidan Jupolli, ku pyetjes direkte, por edhe ngulmuese: “Çka mendoni për reformat në LDK-e”, Besjani bishtnon e zhgënjen, se reformat do bëhen, jo tani, por në vite e dekada!!! Ndërkohë që, vonesa e mëtejmë është e tepërtë, jo me vite e dekada, por edhe me ditë e javë.

Unë nuk dua ta besoj se Besjan Mustafa është aq qumështor, sa të mos e kuptojë se nevoja e reformave në LDK-e, është aq e nevojshme, akute, madje, shumë e stërzgjatur. E vërteta e hidhur është se Besjani, paradoksalisht, zbaton shabllonizmin e shefit të tij, duke ngulmuar për statusquonë vetëvrasëse të LDK-së, me oreksin karrieristë të butakëve të saj. Pra, reformat presin në vite e dekada, deri në “kalendat greke”, me të vetmin qëllim
që udhëheqjen e LDK-së ta mbajë Isa Mustafa, me klanin e tij.

Mjerisht, disa kuadro të rinj, të cilët hynë në strukturat e partisë, jo me votim, por, me kooptim, emërim, sikur mendojnë se janë kuadro të atyre që i emëruan, pra, të kryetarit dhe jo të LDK-së!

Është detyrë e LDK-së që fëmijtë e ish-kuadrove të saj, t`i ndihmojë e lartësojë, në veçanti, të atyre që dhanë provën e sakrificës sublime, duke u bërë kurban i LDK-së, kurban i demokracisë. Dhe, assesi t`i shkatërrojë qysh në nismë të karrierës, siç po tentohet të bëhet me kuadrin e ri, Besjan Mustafa, duke mbrojtur kauzat e rreme të Isa Mustafës dhe të rrethit të tij vicioz.

Fëmijtë e kuadrove të LDK-së, të ekzekutuar ngeshëm e zyrtarisht, nga banda kriminale e fashizoide e SHIK-ut, e themeluar dhe e menaxhuar nga krerët e PAN-it të sotëm: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, vetëm pse ata ishin bashkëpunëtorë të denjë të Presidentit Rugova dhe besnikë në vijën e LDK-së, nuk i kemi parë e dëgjuar të janë afruar nga shefat aktualë të LDK-së!

Ministri, Kolonel Ahmet Krasniqi, kuadrot Shaban Manaj, Smajl Hajdaraj, Ismet Rraci, e tjerë, të cilët janë shantazhuar e kërcënuar me plumb, për ta braktisur LDK-në e Rugovën. Pavarësisht, rrezikut real, nuk janë dorëzuar, duke pritur plumbosjen e çdokohëshme. Dhe, ashtu ndodhi. Megjithatë, djemtë e tyre, të shkolluar suksesshëm, vazhdojnë të jenë, ndër vite, vetëm anëtarë të thjesht të LDK-së.