Zgjohuni!

0
1257
Aurel Dasareti - bashkimi i Shqipërisë

Nga Aurel Dasareti, USA (ekspert i shkencave psikologjike-ushtarake)

Unë ëndërrova një mijë shtigje të reja, u zgjova dhe eca në shtegun tim të vjetër.

* * *

Ne nuk kemi nevojë për modele në përsosmëri, por modele të thjeshtësisë. Ne jemi të etur për shenjtorët e përgjithshëm, ne jemi të lodhur nga kotësitë. Ne kemi filluar të lodhemi nga vezullimet dhe idilet e rreme, nga pseudo intelektualët dhe pseudoatdhetarët. Ne jemi të etur për thjeshtësinë, pa lustrim.

* * *

Diku në hije, për shumicën e juaj të panjohur, ka disa dhjetëra burra dhe gra trime të kombit të cilët kurrë nuk kanë marrë një emër ose janë vërejtur, por përpiqen për të marrë thjesht diçka që i ngjan një jete.

* * *

Është mirë që edhe shqiptarët kanë hapur me milion faqe interneti, është keq që për shumicën e “kalemxhinjve” kjo formë e informimit është bërë një mjet sa për të vrarë kohën dhe të bezdisin të tjerët.

* * *

Të njohësh vetveten do të thotë të fitosh një kuptim thelbësor në rritje, mendore dhe ndijore, për pjesën tjetër deri më atë kohë të panjohur të psikikës vetjake. Ky proces mund të kërkojë vite e vite me radhë për një të sëmurë që do me të vërtetë të shërohet prej simptomave të tij, dhe një jetë të tërë për një njeri që dëshiron vërtet të jetë vetvetja. Ajo shkakton një shtim të energjisë, që çlirohet prej përgjegjësisë për të mbështetur kapërcimet; kështu pra, sa më tepër njeriu është në ndërlidhje me realitetin e tij të brendshëm, aq më tepër është i dritësuar dhe i lirë.

* * *

Dukuritë që shkaktojnë aq indinjatë – radikalizmi islamik, ikja e rinisë në Perëndim, toksikomania, krimi, zvetënimin kulturor e shpirtëror, përbuzja për vlerat e njëmendta etike – janë të gjitha në ndërlidhje me tërheqjen në rritje që ushtron vdekja dhe fëlliqësia. Si mund të pretendohet që të rinjtë, varfanjakët dhe të pashpresët të mos i nënshtrohen zhdukjes dhe rrënimit, kur kjo inkurajohet nga ata që udhëheqin rrugën e shoqërisë shqiptare?

* * *

Sa kohë që shqiptarët besojnë se bota është e pandryshueshme, ata mund të rrinë të qetë me bindjen se botëkuptimi i tyre është i vetmi botëkuptim i logjikshëm. Tradita, sado larg realitetit qoftë, të jep drejtim, dhe të menduarit nuk ka nevojë të kaloj përtej shqyrtimit të situatave konkrete.

* * *

Zgjohuni!
a nuk ngopen ata kurrë?
a nuk lodhen kurrë?
a janë ata të verbuar?
a nuk e shohin ata atë që është e vërtetë?
a nuk e shohin ata jetën?
ata thjeshtë duan më shumë
më shumë më shumë më shumë
më shumë shitje të pronave shoqërore
më shumë tradhti
më shumë mashtrime
më shumë cinizëm
më shumë izolim
më shumë egoizëm
zgjohuni!
kuptojeni realitetin
kthehuni te rrënjët
te ajo që ka vlerë
zgjohuni!

Nuk mundemi që djallit përherë me ia pre thonjtë sepse sërish i rriten, një here duhet me ia pre kryet.

* * *

Shpejtojmë. Të mos humbim kohën me të kaluarën. Të largohemi nga temat që na ndajnë, të përqendrohemi në ato që na bashkojnë. Ne nuk mundemi ta ndryshojmë të djeshmen. E nesërmja është vetëm një ëndërr. Ne jetojmë tani dhe këtu.

* * *

Profesionalizimit të artikullit dhe gjuhës letrare duhet t`i jepet rëndësi të madhe: t`u ngjallë lexuesve dashurinë për atdheun e t`i bëjë ata të aftë që me anë të leximit të zgjerojnë dijen e tyre. Artikujt duhet të jenë të karakterit superior ashtu që të edukoj të menduarit dhe ndjenjat patriotike të opinionit. Letrat tona që paraqiten në mënyrë të përsosur, vënë në lëvizje kompleksin e gjallë të ndjenjave të lexuesit, po të mos ia dalë në krye kësaj pune, leximi i letrës s`ka vleftë. Mos shkruajmë për tema që nuk i kuptojmë, sepse kur një gjysmë e vërtetë deklarohet si e vërtetë është më e rrezikshme se sa një gënjeshtër.

* * *

Njeriu pa emocione, nuk mund të luftojë për asnjë ide; për të luftuar është e domosdoshme të duam atë për të cilën luftojmë, dhe të urrejmë atë kundër së cilës luftojmë. Kjo gjë s`mund të konkretizohet pa ditur se çfarë ndjenja dhe cilësi do të nxisim te lexuesit. Letrat tona duhet t`u ngjallin lexuesve: Dashurinë ndaj atdheut, zotësinë në punë, disiplinën, thjeshtësinë, cilësinë për të thënë të vërtetën, guximin, dashurinë për njëri tjetrin, nderimin për më të mëdhenjtë dhe kujdesin ndaj më të vegjëlve. Letrat tona duhet t`u zhvillojnë të rinjve dashurinë pa kufi për Atdhe dhe Shqipërinë Natyrale, besimin e patundur për ribashkimin e trojeve.

Mendimet e shprehura në letër të shkruesit të mirëfilltë janë plotë figura, mbështeten në imagjinatën; mjeshtri i lapsit e paraqet realitetin përpara lexuesit me të gjitha ngjyrat, nuancat edhe më të hollësishme, plot gjallëri, sikur realiteti të shpaloset i tërë përpara syve të atij që lexon.

* * *

Duhet të hapim rrugën për të shembur çdo provincializëm, çdo dogmatizëm dhe rivalitet të sëmurë që mjerisht, ndër gjenerata, me shekuj ka mbijetuar në trojet e gjyshërve tanë. Asnjëherë nuk kemi qenë shtet-formues. Fuqitë e Mëdha, miqtë e Serbisë dhe Greqisë që shitën tokat tona para 100 viteve, si argument dhe arsyetim të veprimeve të tyre armiqësore ndaj nesh e morën edhe faktin se shqiptarët janë shkatërrimtarë të vetvetes, kanë psikologji të çoroditur, xhelozi mes veti por komplekse inferioriteti ndaj të huajve, nuk janë për shtet, nuk dinë të sundojnë, janë dele të cilat nuk lejojnë t`i udhëheqë dashi që u mungon.

Dhe, si të tillë, as që janë subjekt stabiliteti ta mbrojnë shtetin e tyre prej kërcënimeve nga jashtë, prandaj e zgjodhën Serbinë, të na sundojë e drejtojë. Shqipërinë e lanë të amputuar si shaka të Perëndisë. Për Evropën, një shtet i dobët i Ballkanit që nuk është në gjendje të bashkohet për të mbrojtur vetveten nga sulmuesit e jashtëm, do të sjelle telashe edhe për ta, prandaj ia vulosën fatin Shqipërisë. Kundër çfarë gjëje duhet të luftojmë? Vetëm kundër padijes që gjendet mes nesh.