Shkruan: Florim Zeqa, 14.09.2018
Sa më shumë që thellohet dialogu final i Brukselit, aq më tepër po shkrihet Republika e Kosovës nga fusnota*, duke mbetur vetëm formalisht institucionet e shtetit, si; Kuvendi, Qeveria, Presidenca dhe Gjykata Kushtetuese, si “gardian” dhe mbrojtës i kushtetutës.
Në gjysëm shtetin e Kosovës, formalisht kanë mbetur edhe subjektet politike, në pushtet apo opozitë qofshin ato!
Nuk ka si të jetë ndryshe, kur të gjithë së bashku e heshtën vizitën e Vuçiqit në veri të vendit, me ç’rast presidenti serb shfaqi hapur ambiciet territoriale ndaj shtetit të Kosovës.
Pra, të gjitha partitë politike po heshtin edhe përkundër faktit se Hashim Thaci po flet hapur për “shkëmbim” (falje) territoresh e që në fakt është ndarje e pastër e Kosovës!
Me përjashtim të ndonjë deklarate sporadike për shtyp, dhe opozita, sikurse pushtetartët e miratuan në heshtje vizitën e Vuçiqit dhe lojën djallëzore të Hashim Thaçit, për shkak se opozitare nuk e ndërmuarën asnjë veprim konkret kundër presidentit hipokrit, mashtrues e manipulues dhe i cili po e shkel Kushtetutën, gjakun e dëshmorëve dhe vullnetin e qytetarëve.
I vetmi reagim ishte ai, banorëve të disa fshatrave të Skënderajt, ku krahas pengesës që i bënë Vuçiqit për të shkuar në fshatin Banjë (i banuar me serb në zemër të Drenicës), për herë të parë drenicasit e shfaqën mllefin ndaj birit të tyre-president aktual i shtetit të Kosovës, të cilin e mallkuan për të gjitha të bëmat e tij nga periudha e luftës e deri në ditët e sotme!
Edhe pse ky, një zgjim i vonuar i drenicasve, paraqet fillimin e ndëshkimit final të Hashim Thaçit i cili po vepron si një despot i egër, pa pyetur askënd po negocion dhe bënë pazare me armiqt shekullor duke shkelur me të dyja këmbët mbi gjkaun e dëshmoreve, dhe po vret ardhmërinë dhe përspektivën pa marrë parasysh koston shumëvjeçare që do të rëndojë mbi gjeneratat e ardhshme të Kosovës.
Është hera e parë në historinë e popujve të robëruar, kur një udhëheqës politik i luftës për çlirim, pas 20 viteve në shtetin e lirë kthehet në prehrin e pushtuesve, për të negociuar lirinë e fituar me gjak!!!
Mbase është momenti fundit për të reaguar si komb ndaj ndaj këtij fenomeni sa antikombëtar po aq edhe paradoksal, që është duke rrezikuar seriozisht tkurrjen e re të territoreve etnike, që po përgatitet të realizohet përmes dialogut të Brukselit.
Paqen e rrezikoi Vuçiqi e jo drenicasit
Megjithëse me vonesë të madhe, u bë shkas vizita e Vuçiqit në veri të vendit, që Drenica të reagoj hapur e ashpër kundër Hashim Thaçit.
Sikur Kosova të kishte politikan të përgjegjshëm dhe të guximshëm, që e mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit, atëherë presidenti serb do duhej ndaluar pa hyrë në Kosovë, e jo në rrugën për në Banjë të Skenderajt.
Pasi kjo nuk ndodhi, presidenti serb, për dy ditë rresht si në “bahçe të babës” ishte shëtitur në territorin e shtetit tonë, duke folur zi e terr kundër shqiptarëve, si dhe duke rrezikuar seriozisht paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
Vizitën Aleksander Vuqiqit në Kosovë, ia mundësuan Hashim Thaçi, Haradinaj dhe Veseli me pro-rusin Pacollin, i cili në fakt është hapi i parë i hapjes së derës finale për t’ia rrëmbyer Kosovës hapësirën më vitale të saj.
Ardhja e Vuqiqit në Koosvë, është më e rrezikshme dhe dëmshme, se sa treni nacionalist i para pak viteve, më e rrezikshme se sa hyrja “ilegale” e Gjuriqit. Ngase, ardhja e Vuçiqit dhe lejimi i agjendës së tij pikë për pikë, në Kosovën që e vrau dikur dhe që nuk e pranon sot, i ka kaluar edhe të gjitha parashikimet e nacionalistëve serb të sojit të Sheshelit.
Nuk ishin drenicasit që rrezikuan paqen, është Vuçiqi me eskortën e tij që rrezikoi paqen me deklaratat luftënxitëse si në kohën e Millosheviqit, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin e shtetit tonë.
Siq duket, ndalesa e Vuçiqit për shkuar në Banjë, më shumë se Vuçiqin e kishte penguar Hashim Thaçin, i cili akuzoi protestuesit për “rrezikim të paqes”!
Për reagimin e Thaçit ndaj protestuesve në Drenicë, më mirë se çdo shkrim dhe çdo varg, më mirë se çdo koment dhe analizë ishte video-mesazhi i një qytetari, i cili ia numëroi një nga një të gjitha dështimet e Hashim Thaçit dhe jo vetëm. Për gjendjen e rënduar socio-ekonomike të vendit dhe shpërdorimet me çertifikatat e veteranëve për qëllime elektorale përgjegjës i bëri ish komandantët rrejshëm, matrapazët e sotëm politikë që po negociojnë territorin e vendit për interesa personale.
Të ndalet loja djallëzore e Hashim Thaçit
Është momenti i fundit të ndalen lojërat tejët djallëzore të Hashim Thacit me shqiptarët e Luginës së Preshevës, kinse për “të drejtat e shqiptarëve në Luginë” duke u shitur ” kuazipatriot” për të fshehë kompromisin e dhimbshëm me Serbinë, të nënshkruar në Bruksel me dorën e tij, e që në fakt është Asociacioni i komunave serbe me kompetenca ekzekutive në veri të vendit.
Përkushtimi i presidentit të Kosovës për t’ia dhënë një pjesë të Kosovës Serbisë, konsiston me çmimin për të dhënë e paguar me territore, pasuri kombëtare e gjithçka tjetër në këmbim të heqjes së akuzave ndaj tij pranë Gjykatës Speciale.
Kjo është arsyeja që Hashim Thaçi po përpiqet përmes manipulimeve me korrigjimin dhe demarkimin e kufijve ta kalojë me lehtësi Asociacionin para opinionit vendor.
Për shqiptarët e Luginës nuk duhet kërkuar më shumë dhe as më pak se reciprocitet me të drejtat e pakicës serbe në Kosovë. Të drejta që u takojnë serbëve në Kosovë, po aq të drejta duhet t’u takojnë shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Manipulimi i Thaçi me liderët e Luginës, të kujton kohën e manipulimit të Millosheviqit me serbët e Kosovës përgjatë viteve të ’90-ta, kur satrapi i skrifikonte për qëllimet e politikave ditore.
Kërkesa për reciprocitet me Serbinë duhet të zbatohet në të gjitha rrafshet, filluar nga të drejtat e njeriut, levizja e lirë e njerëzve dhe mallërave e deri të vizitat e zyrtarëve shtetëror.
Të drejtën e vizitave që e gëzojnë liderët e Serbisë në Kosovë, duhet ta kënë edhe liderët shtetërorë të Kosovës, ndryshe nuk bëhet fjalë për reciprocitet, por për vasalitet ndaj shtetit serb dhe nënçmim e përbuzje e shtetit të Kosovës.
Përfundimisht, na mbetët të shohim në ditët në vazhdim, nëse protesta për ndalimin e Vuçiqit në Drenicë, ishte zgjim i vonuar, shpresë për ndryshim apo vajtim!
Përderisa të ndodh ndryshimi i shumëpritur në Kosovë, qytetarët vazhdojnë të urojnë njëri-tjetrin për marrjen e vizave për largim nga shteti i tyre!