Zgjimi i shqiptarëve të Sanxhakut dhe implikimet për çlirimin e tij nga represioni serb

0
704
Mobilizimi për mbrojtjen e Sanxhakut

Prof. Ismet Azizi, GjilanRevista Drini3 Nëntor 2019

Dr. Vasa Çubrilloviçi në elaboratin e tij “Shpërngulja e shqiptarëve”, thotë: ‘problemi i shqiptarëve, është i kamotshëm. Kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe pjellore’. Praninë e shqiptarëve ai e quajti “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Serbia e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë Serbe. Pikërisht këtu ai e ka fjalën për Sanxhakun, kur kryengritësit serbë, në krye me Karagjorgjen kishin bërë spastrimin etnik të tij. Gjoka Perina, titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë, poashtu e mbështeste këtë pikëpamje karshi shqiptarëve. Sipas tij, popullsia shqiptare në rajonin e Sanxhakut, paraqet rrezik të përhershëm. Prandaj, ai preferonte shpërnguljen ciklike brenda për brenda shtetit, ku popullsia shqiptare, siç konsideron ai, “do të humbasë në detin e gjerë sllav”.

Në përcaktimin e vijave territoriale dhe shtetërore, në rast të ndryshimit, korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, ka gjasa të rritjes dhe fuqizimit maksimal të lëvizjeve për mëvetësi, por edhe ndarje të Sanxhakut nga Serbia.

Me ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë, po ashtu, rriten gjasat për shndërrimin e menjëhershëm të Sanxhakut si çështje ndërkombëtare, apo ndërkombëtarizimin e çështjes së Sanxhakut. Pasi serbët nuk duan të jetojnë në një territor të qeverisur nga shumica shqiptare, shtrohet pyetja, pse boshnjakët do të jenë të detyruar të jetojnë në një shtet të qeverisur nga shumica serbe dhe malazeze?

Pasi serbët në veriun e Mitrovicës nuk duan të jenë nën autoritetin e Kosovës, duke u thirrur në vazhdimësinë territoriale me Serbinë amë, është e pritshme që sanxhaklinjtë ta përdorin të njëjtin argument. Boshnjakët, po ashtu, janë shumicë në territorin e tyre, vazhdimësi territoriale në veri-perëndim që përfshijnë territoret e komunave Priboj, Prijepole e Plevle, lidhen me territoret e komunave në Bosnjë dhe Hercegovinë, siç janë: Foça, Çajniqe, Vishegrad e Gorazhdë, me të cilat shumica e popullsisë e kanë gjuhën, fenë e përbashkët apo përkatësinë nacionale. Por, gjithashtu, komunat e Sanxhakut, duke u nisur në lindje nga komuna e Novi Pazarit, mandej në jug ajo e Tutinit, Rozhajës, Plavës e Gucisë të populluara me shumicë boshnjake e shqiptare ka vazhdimësi historike, territoriale, etnike dhe kulturore me vendbanimet e komunave të Mitrovicës, Istogut, Pejës, Deçanit dhe vendbanimet veriore të Shqipërisë, prej nga edhe e kanë prejardhjen popullsia e Sanxhakut, e asimiluar në masë të madhe në boshnjak. I njëjti kriter vlen edhe për vendbanimet e komunave Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të Luginës së Preshevës të cilat në çdo pikëpamje janë pjesë të Kosovës.

Sanxhaku i Novi Pazarit përfshin një sipërfaqe prej 8687 km², ku jetojnë mbi 400 000 banorë. Nga kjo sipërfaqe 4504 km² i përkasin Serbisë, ndërsa 4183 km² Mali i Zi. Mbi 60% e banorëve të dy pjesëve të Sanxhakut janë myslimanë, përkatësisht boshnjakë e shqiptarë.

Pozita gjeografike paraqet faktorin, i cili, në teorinë e gjeografisë, është i një rëndësie të madhe gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Prandaj, pozita gjeografike është objektiv i pa shmangshëm i analizës së të gjitha trajtimeve komplekse të hapësirës gjeografike dhe ngjarjeve politike.

Sanxhaku është një rajon kompleks dhe shumë i rëndësishëm nga pikëpamja historike, gjeografike, gjeopolitike, gjeostrategjike dhe pikëpamja ushtarake. Është një territor që ndodhet mes Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Mali të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës. Ky rajon ndodhet në pjesën qendrore të Gadishullit Ilirik, i ndarë politikisht në mes të dy shteteve të pavarura – Serbisë dhe Mali të Zi. Sanxhaku paraqet një lidhje natyrore dhe të pashkëputshme territoriale dhe historike etnike me Kosovën dhe Shqipërinë. Përndryshe është regjion i konflikteve, përkatësisht në të ndeshen interesat e ndryshme. Për serbët, nëpër të kalon “Transferzalja e gjelbër”, për të tjerët linja ruse-serbe e interesit kah Mali i Zi dhe Deti Adriatik.

Dr. Vasa Çubrilloviçi në elaboratin e tij “Shpërngulja e shqiptarëve”, thotë: ‘problemi i shqiptarëve, është i kamotshëm. Kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe pjellore’. Praninë e shqiptarëve ai e quajti “Pykë të rrezikshme”. Mprehtësinë e kësaj “pyke”, sipas tij, Serbia e kishte dobësuar qysh nga Kryengritja e Parë Serbe. Pikërisht këtu ai e ka fjalën për Sanxhakun, kur kryengritësit serb në krye me Karagjorgjen kishin bërë spastrimin etnik të tij. Gjoka Perina, titullar i lidhjes së Kooperativave Serbe në Sarajevë, poashtu e mbështeste këtë pikëpamje karshi shqiptarëve. Sipas tij, popullsia shqiptare në rajonin e Sanxhakut, paraqet rrezik të përhershëm. Prandaj, ai preferonte shpërnguljen ciklike brenda për brenda shtetit ku popullsia shqiptare, siç konsideron ai, “do të humbasë në detin e gjerë sllav”.

Ideologët serb gjithmonë e kanë pasur në mendjen e tyre se ekzistojnë disa arsye që sanxhaklinjtë mund të ndjejnë afërsinë me Kosovën dhe trungun shqiptar. Pas Kongresit të Berlinit (1878), Sanxhaku i Pazarit të ri (Novi Pazarit) hyri në përbërje të Vilajetit të Kosovës i cili përbëhej nga sanxhaku i Shkupit, Prizrenit, Prishtinës dhe Dibrës. Nga ky moment popullsia e Sanxhakut të Novi Pazarit intensifikon lidhjet tregtare, kulturore me Kosovën dhe Shqipërinë, gjë që ndikoi në përtëritjen e lidhjeve etnike e vëllazërore dhe të një përafrimi më të madh në mes tyre. Marrëveshja e Berlini nuk ia njohu boshnjakëve dhe shqiptarëve asnjë të drejtë dhe as që u debatua për çështjen e tyre nacionale. Austro-Hungaria e fitoi të drejtën e okupimit të Bosnjës ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën me Sanxhakun luheshin lojëra të Fuqive të Mëdha. Perandoria Osmane edhe pse u mundua t’i mbajë edhe më tej këto territore, në Luftërat Ballkanike e humbi Kosovën, Sanxhakun dhe Maqedoninë, të cilat ranë nën okupimin serb.

Popullata e Kosovës dhe e Sanxhakut patën fatin e njëjtë, prandaj në vazhdimësi ishte e detyruar që të luftojë kundër pushtuesve serbë dhe malazezët, të cilët kishin për qëllim spastrimin etnik të këtyre mjediseve, Kosovës dhe Sanxhakut, nga popullata autoktone shqiptare e boshnjake. Këtë më së miri e dëshmon Lëvizja Nacionalçlirimtare Kaçake në Kosovë dhe në Sanxhak, pastaj veprimtaria e Komitetit “Mrojtja Kombëtare e Kosovës; veprimtaria e “Xhemijetit”, e vetmja parti politike në vitet ‘20, e cila kishte tubuar shqiptarë, turq dhe boshnjakë të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo organizatë, nën udhëheqjen e vëllezërve Dragaj dhe Aqif Blytës, artikulonte kërkesat e këtyre popujve të robëruar për liri. Një ndër më të zëshmit ka qenë Aqif Blyta, i cili ka dhënë gjithçka nga vetja e tij që Sanxhaku të jetë i lirë dhe kurrsesi nën pushtimin serb dhe malazez.

Edhe pse pushtuesit serb dhe malazez u angazhuan që ta zhduknin Sanxhakun, duke përdorur metoda të ndryshme të spastrimit etnik, madje edhe duke bërë krime e gjenocid ndaj popullsisë autoktone shqiptare e boshnjake, popullsia mbijetoi dhe vendi ende ekziston. Dihet që popullata e Sanxhakut kurrë nuk u pajtua të jetë nën sundimin serbo-malazez.

Dëshirën për të qenë autonom dhe për t’u shkëputur nga Serbia dhe Mali i Zi, populli i Sanxhakut e shprehu vazhdimisht sa herë që u krijuan mundësitë siç janë rastet në Konferencën e Sjenicës në vitin 1917, kur përfaqësuesit e tij vendosën që ti bashkohen Bosnjës dhe Hercegovinës; rasti i okupimit nga Gjermania e Italia kur banorët vendosën t’i bashkohen Shqipërisë Etnike; rasti me Kuvendin e Lidhjes së dytë të Prizrenit kur përfaqësuesit (Aqif Blyta ishte sekretar) e Sanxhakut kërkuan që Sanxhaku të jetë pjesë e pandarë e shtetit shqiptar; pastaj me përfundimin e Luftës II Botërore, ishte njësi më vete partiake-politike (Oblasni Komitet KPJ za Sandžak) dhe do të duhej të kishte një status të autonomisë territoriale-politike, nëse jo si i Kosovës (Oblast), atëherë së paku një autonomi kulturore! Sanxhaku kishte 8.600 km2 dhe u nda mes Serbisë (4.600 km2) dhe Malit të Zi (4.000 km2); dhe së fundmi, në prag të shpartallimit të Jugosllavisë komuniste organizoi referendumin për autonomi, me të drejtë bashkimi cilësdo njësi federale të Jugosllavisë. Duhet thënë se shumë shqiptarë jetojnë edhe sot në Sanxhak dhe boshnjakët, që shumë prej tyre besojnë se origjina e tyre është shqiptare. Në një bashkësi të shteteve demokratike, siç është UE, nuk është larg mendjes se me një referendum të lirë popullor do të deklaroheshin që Sanxhaku të jetë pjesë e shtetit të Kosovës.

Sanxhaku dhe Kosova gjatë gjithë historisë ishin të pandarë, ndërsa pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, masat që ndërmori pushteti i ri bëri që Kosova dhe Sanxhaku të ishin më larg njëri tjetrit. Në Jugosllavinë komuniste statusi i Kosovës përparonte ndërsa për Sanxhakun as që bëhej fjalë. Popullsia shqiptare e mbetur në Sanxhak shkonte drejt asimilimit dhe shpërnguljes në të gjitha drejtimet. Gjatë viteve të 70 dhe 80-ta sanxhaklinjtë zgjodhën, për shumë arsye, shkollimin e fëmijëve të tyre në Kosovë, fakt që ndikoi pak a shumë në mbajtjen e lidhjeve vëllazërore, edhe pse ata shkolloheshin në gjuhën serbokroate, lidhjet dhe kontaktet ekzistonin.

Në rrethanat e krijuara pas shpërthimit të luftës në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, lidhjet qenë zbehur tej mase. Pas stabilizimit të situatës në Ballkan, dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, situata ndryshoi në përafrimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Sanxhakut. Lidhjet e zbehura, pothuajse edhe të shuara filluan të përtërihen. Sanxhaklinjtë kurrë nuk pushuan së respektuari personalitetet si Aqif Blyta, liderin politik e ushtarak të Sanxhakut, Shaban Polluzhën me bashkëpunëtorët e vet me mbi 3000 vullnetarë që u shkuan në ndihmë të sanxhaklinjëve në çastet më të vështira, kur popullata jo serbe e kësaj krahine ishte e rrezikuar nga shfarrosja prej njësive çetnike të Drazha Mihailloviçit. Kjo ishte arsyeja e përtëritjes së vizitave dhe bashkëpunimit në organizimin e tribunave shkencore, debateve, simpoziumeve, konferencave dhe manifestimeve të ndryshme kulturore për të kaluarën e përbashkët, që u mbajtën në Kosovë e Sanxhak.

Për shkak të problemeve të pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht të mos njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, gjendja ka shkaktuar probleme edhe në Sanxhak dhe Luginë të Preshevës. Për zgjidhjen e këtyre problemeve në bisedimet mes të Serbisë dhe Kosovës, pjesë e bisedimeve me ngulm kërkojnë edhe përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut.

Sanxhaku për momentin llogaritet nën statusin politik, juridik dhe kushtetues të Vojvodinës, i (ndarë edhe përbrenda vet Serbisë, mes Qarkut të Zllatiborit dhe të Rashkës), pasi kjo e fundit ka qenë si Kosova, me status të krahinës autonome. Me ndryshimin e kufijve, Sanxhaku mund të fitojë statusin e Vojvodinës, statusi i së cilës mund të përparojë.

Një sfidë e madhe brenda Sanxhakut është edhe mungesa e unitetit politik. Brenda Sanxhakut, partitë politike dhe bashkësitë fetare janë të ndara. Partia Aksioni Demokratik (SDA) në raport me Kosovën, i mbetet konseguente referendumit të mbajtur në vitin 1991, kur popullata e Sanxhakut me mbi 90 për qind votuan për autonomi dhe në rast të shpërbërjes së Jugosllavisë të kenë të drejtë t`i bashkëngjiten cilësdo njësi federale të Jugosllavisë. Muamer Zukorliq, ish myftiu, lider i Partisë për Pajtim dhe Drejtësi ka konstatuar se varianti i ndryshimit të kufijve është më e rrezikshmi, sepse, sipas tij, askund në botë, dhe sidomos në Ballkan, nuk kemi shembuj seriozë se ndryshimet e kufirit kanë ndodhur pa konflikt të armatosur. Zukorliq, teorikisht nuk e mohon mundësinë e ndryshimit të kufijve me marrëveshjen e të dyja palëve, por siç thotë ai, këtu ekziston interesimi i fuqive të ndërkombëtare, prandaj nuk është vetëm një çështje dypalëshe.

Megjithatë, ai është i përmbajtur dhe në çdo rast është në mbështetje të presidentin Vuçiç, në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Këshilli Kombëtar Boshnjak (ish Këshilli Kombëtar i Myslimanëve të Sanxhakut) i themeluar në vitin 1991, është organi më i lartë, i cili përfaqëson boshnjakët në Serbi. Këtë Këshill Kombëtar e kryeson lideri i Partisë së Aksioni Demokratik Dr. Sulejman Uglanin. Kryetari i KKB, Dr. S. Uglanin shpreh një afërsi të madhe me krerët politikë të Kosovës. Ai, me bashkëpunëtorët e tij ka vizituar disa herë institucionet shtetërore të Kosovës dhe ka mbështetur pavarësinë e Kosovës. Gjatë vizitës së fundit që ia bëri Kosovës, ai kërkoi që në bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, boshnjakët të jenë të përfshirë si palë e barabartë, sepse, sipas tij, çështja e boshnjakëve në veriun e Kosovës dhe në Sanxhak mbetet e pazgjidhur.

Rasim Lajiq, politikani tjetër nga Sanxhaku, i cili është lider i Partisë Social Demokrate, përndryshe Ministër i “përhershëm” në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mirë, por e vonuar, të cilën e kundërshton edhe një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare, për shkak të ndikimit që do ta kishte edhe për vendet e tjera të rajonit. Duke komentuar lidhur me një zgjidhje të çështjes së Kosovës, sipas modelit të dy Gjermanive, siç thotë ai: ”Pajtohemi që të mos e njohim njëri-tjetrin, por duhet të durojmë dhe të jetojmë pranë njëri-tjetrit!”Po ashtu, në aspektin fetar sanxhaklinjtë nuk kanë qëndrim unik. Bashkësia Islame në krye të së cilës është ish nxënësi i Medresesë së Prishtinës, Dr. Mevludin Dudiq, e cila është nën ndikimin e ish myftiut Zukorliq, kultivon marrëdhënie të mira me BI të Kosovës, dhe asnjëherë nuk ka dalë kundër pavarësisë së Kosovës, mandje në mënyrë indirekte e mbështetë. Bashkësia tjetër Islame nën kontrollin e qeverisë së Beogradit por që ka shtrirje institucionale edhe në Sanxhak, hapur është kundër pavarësisë së Kosovës. Madje, kjo bashkësi ka kërkuar nga vendet islamike të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Por, ndryshimi i kufijve në Ballkan, edhe këto marrëdhënie mes vetë krerëve dhe përfaqësuesve të Sanxhakut në raport me kundërshtarin e përbashkët, ka gjasa që t’i ngrejë ndjenjat e përkatësisë dhe vëllazërisë sanxhakase, nëse mbi interesin ditor politik dhe partiak, vihet interesi i Sanxhakut. Do të ishte shumë i rëndësishëm procesi i unifikimit të elitës politike, kulturore, fetare dhe intelektuale të Sanxhakut, pastaj defetarizimi i karakterit politik të saj, duke rritur etatizmin si identitet të sanxhakasve. Natyrisht se sanxhakasit edhe pjesë të vetë identitetit kombëtar e kanë fenë islame, por këtu fjala është vetëm për një aspekt të forcimit të identitetit politik e rajonal ― si Perëndimi që është sekularizuar dhe laicizuar nga feja krishtere dhe që identifikohet me të shumica e qytetarëve, qoftë edhe vetëm si traditë, nuk janë shkëputur nga vlerat kulturore që janë po ashtu të krishtera.

Nëse Kosova ndahet, rritet kërkesa legjitime për ndryshimin e kufijve të Ballkanit dhe Sanxhaku bën pjesë po ashtu në këto vende. Kërkesa e Sanxhakut bëhet më e fuqishme, më legjitime edhe më e pranueshme për faktorin ndërkombëtar nga vet fakti se në rast të ndryshimit të kufijve, një të drejtë të tillë do ta kërkojë edhe Republika Srpska. Edhe nëse do të ketë shkëmbime territoresh, fiton ideja e nacionalizmit etnik, sikurse e shpjegojnë sociologët. Nacionalizmi etnik dhe kulturor kërkon që territori të jetë i përputhshëm me gjuhën e shumicës së banorëve dhe kulturën e tyre etnike. Në këtë kontekst, Sanxhaku ka identitetin e vet etnik, gjuhësor, fetar, madje edhe territorial (de facto). Nëse serbët nuk duan të jetojnë nën autoritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës vetëm sepse përbëhen nga shumica shqiptare, atëherë sanxhaklinjtë kërkojnë të bashkohen me Bosnjën, por edhe jo larg mendjes të bashkohen edhe me Kosovën. Ekzistojnë shumë arsye pse sanxhaklinjtë ndjejnë afërsi me Kosovën.

Politika globale në dyluftimin mes të nacionalizmit qytetar, kozmopolit, multikulturor, dhe nacionalizmit etnik, monokulturor, prodhon efekte edhe në Sanxhak. Sanxhaklinjtë në vazhdimësi bëjnë përpjekje për të fituar statusin e autonomisë, ndërsa nëse paraqiten kushtet, kërkesa e tyre vetëm sa fuqizohet e plotësohet. Arsyeja e kërkesës për autonomi është sjellja e pushtetit serb ndaj popullit të Sanxhakut, duke i konsideruar ata si qytetarë serb e jo si qytetarë të Republikës së Serbisë. Boshnjakët e Sanxhakut, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre politik, kërkojnë që boshnjakët të jenë të barabartë me popullin serb.

Bashkësia ndërkombëtare është deklaruar se nuk është për ndryshimin e kufijve, pikërisht për shkak të mos hapjes së Kutisë së Pandorës, në mënyrë që një ndryshim kufiri të mos ketë efekte në shtetet e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, në rast se bëhet ndryshimi i kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, Sanxhaku do të ketë ndjesi, mobilizim, lëvizje dhe ndryshime edhe brenda vetë strukturave politike të Sanxhakut, opinionit publik, etj.

Nga kjo gjendje e krijuar në Ballkan, Sanxhaku nuk mund të humbë asgjë. Në secilin variant, Sanxhaku e ka kërkesën e kamotshme, e ka vullnetin shumicë të qytetarëve të saj që t`i kthehet statusi që kishte në mbarim të Luftës së dytë Botërore. Pra, të ketë autonomi qeverisëse, qoftë edhe nëse kjo nënkupton krijimin e një rajoni special ndërkufitar, ose rajoni autonom.