ZGJEDHJET PËRFUNDUAN — PO TASH?!

0
663

Frank Shkreli

Ja mori fund fushata elektorale në Shqipëri dhe në Kosovë. Po numërohen votat dhe po shpallen fituesit. Çdo fushatë elektorale që përfundon me zgjedhje, ka fituesit dhe humbësit. Fituesit gëzohen dhe humbësit, natyrisht, janë të zhgënjyer. Disa janë të lodhur e e të mërzitur e të tjerët ndihen triumfues. Këtu në Amerikë thonë se politika është një sport i ashpër. Ndeshja përfundoi dhe rezultatet zyrtare janë në proces që t’I njoftohen publikut. Për gjithëçka ka një kohë dhe një stinë. Ashtu ishte edhe stina e fushatës dhe më në fund e zgjedhjeve — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Është ky një ushtrim që votuesi angazhohet, normalisht, çdo katër vjet ose edhe më heret, siç ishte rasti i zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë,për të zgjedhur përfaqsuesit e vet. Kjo stinë mori fund dhe së shpejti, bazuar në votat e hedhura nga shqiptarët për partitë e tyre të preferuara do të formohen qeveri të reja në Prishtinë dhe në Tiranë. Në momentin e këtij shkrimi, duket se Partia Socialiste do të ketë numrin e mjaftueshëm të mandative për të krijuar e vetme qeverinë, ndërsa në Kosovë pritet të formohet një qeveri koalicioni, ose të mbahen zgjedhje të reja, pasi asnjë parti e vetme nuk e ka numrin e nevojshëm të deputetëve për formuar qeverinë.

Si për fituesit ashtu dhe për humbsit mori fund fushata u mbajtën zgjedhjet dhe po numërohen votat. Për mirë ose për keqë sovrani e tha fjalën e fundit. Humbësit duhet të japin përgjegjësi për humbjen, ndërsa për fituesit, tani është koha për veprim, për cilën do qoftë parti ose ose koalicione partishë.

Si fituesit ashtu edhe humbësit e zgjedhjeve duhet ta dinë se ndonëse mund ta konsiderojnë veten si të tillë, ata janë pikë së pari qytetarë të një komuniteti më të gjërë e më të madh se sa pjesëtarë të një vathi të ngushtë të cilësdo partie politike qofshin dhe se para Zotit dhe para popullit, si fituesit ashtu edhe humbësit, të gjithë janë të barabartë. Cilat do qofshin animet e juaja politike, fituesit të reflektojnë dhe të tregojnë përvujtëri dhe respekt në debatet dhe dialogjet e ardhëshme politike, qoftë në formimin e qeverisë së re, qoftë në konsolidimet e qëndrimeve politike për qeverisjen e shqiptarëve katër vitet e ardhëshme. Gjëja që ka munguar këto 27 vjet, por që nevojitet tani është dialog dhe jo monolog midis palëve të ndryshme politike, nëqoftse ekziston dëshira për fuqizimin e kombit shqiptar, për një jetë më të mirë, në paqë dhe siguri për të gjithë shqiptarët dhe pa dallim.

Nëqoftse jeni të sinqertë me veten dhe me popullin shqiptar, madje edhe si fitues, duhet të relfrktoni seriozisht se diçka nuk po ecen siç duhet dhe se punët nuk po shkojnë mirë në Shqipëri, kur 56% e popullësisë do t’ia mbathte duke u larguar nga vendi, po të kishte mundësi. Është ky një fakt që pasqyron jetën e përditshme të shqiptarëve e me të cilin nuk mund të mburret as Partia Socialiste e cila ka qeverisur vendin katër vitet e fundit dhe e cila duket se po shkon drejtë fitores së këtyre zgjedhjeve dhe as partitë e tjera të vendit.

Nëqoftse jeni fitues, të tregoheni modest dhe mirënjohës për besimin që u ka dhënë votuesi shqiptar. Mos i mitizoni “arritjet” dhe “sukseset” tuaja sepse shqiptarët janë të vetdijshëm për gjëndjen e tyre. Votuesi shqiptar është i vetdijshëm për situatën në të cilën gjëndet. Ndoshta reagimi më normal i moskënaqësisë së i votuesit shqiptar karshi partive politike ishte pjesmarrja e ultë në zgjedhje. Fitues e humbës: shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë janë të lodhur me një politikë grindavece e të përçarë, e cila vetëm mendon për vete dhe ruajtjen e kolltuqeve. Mos e mendoni veten pra si Gjergj Kastriota, Isa Buletina, Ismail Qemala, Luigj Gurakuqa e Themistokli Gërmenja, sepse asnjë prej jush nuk jeni të tillë. Po të kishit meritat e këtyre dhe të tjerëve patriotë të historisë së kombit shqiptar, Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithsi, do ishin ndryshe sot nga gjëndja politike dhe ekonomike në të cilën e ka hedhur kombin kjo klasë politike.

Shqipëria nuk është as e Partisë Socialiste, as e Partisë Demokratike, as e Levizjes Socialiste për Integrim dhe as e ndonjë partie tjetër politike, ashtu siç nuk është as Kosova pronë e PDK-ës, LDK-ës, AAK-ës ose VV-ës, e tjera. Shqipëria dhe Kosova janë dhe duhet të konsiderohen si Nëna e të gjithë Shqiptarëve, pa dallim dhe politika duhet të kujdeset për të gjithë. Të gjithë shqiptarët dhe të gjitha partitë politike, anë e mbanë trojeve shqiptare – fituese ose jo në zgjedhjet e fundit — kanë të drejta dhe përgjegjësi kombëtare të barabarta. Si të tilla dhe mbi të gjitha, për to duhet që të përcaktohen interesat kombëtare si prioriteti numër një për të gjithë, nga fituesit dhe humbësit së bashku – mbi ato të individit që përfaqëson partinë ose të partisë – dhe të tregohet angazhim serioz për të punuar drejtë realizimit të tyre, qofshi në qeveri qofshi në opozitë. Ka mjaftë çështje politike dhe ekonomike e të tjera, të dorës së dytë, për të cilat pozita dhe opozita mund të debatojnë pa fund.

Por koha e fushatës dhe e zgjedhjeve kaloi. Morën fund gjithashtu edhe trumbtimet e sloganeve dhe e premtimeve boshe. Tashti është koha që fituesit dhe humbësit në zgjedhje të punojnë për një Shqipëri dhe për një Kosovë, shpirtërisht dhe fizikisht integruese dhe gjithë-përfshirse për të gjithë shqiptarët – të një Shqipërie e Kosove me të vërtetë shqiptare. Ashtuqë të gjithë bijtë e bijat e shqipes, pa marrë parasyshë pikëpamjet e tyre politike – do t’i konsiderojnë trojet shqiptare si çerdhe të nxehta për të gjithë pa dallim, ashtuqë të ndalohen prirjet masive të emigrimit nga trojet shqiptare, që sot për sot, historikisht mund të jetë rreziku më i madh që i kanoset kombit shqiptar. Masat e nevojshme që duhen marrë për parandalimin e këtij rreziku duhet të jetë prioriteti numër një kombëtar.

Sot për sot, interes më të madh kombëtar se ndalimi i zbrasjes së trojeve shqiptare nuk ka. Fituesve u është dhënë mandate që të punojnë, ashtuqë Shqipëria dhe Kosova të adhurohen nga vet shqiptarët dhe të respektohen ndërkombëtarisht, të zhvilluara politikisht dhe ekonomikisht, të integruara në organizmat euro-atlantike, me qëllim që të kufizohet emigrimi masiv i shqiptarëve në dhena të huaja. Është ky një fenomen trishtues për të ardhmen e trojeve shqiptare, ndërkohë që kënaqë lakmitë e armiqëve shekullorë të shqiptarëve të cilët historikisht kanë synuar një realizim të tillë madje edhe nepërmjet politikave ekonomike dhe ushtarake për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore. Nuk ka interes as pasuri më të madhe kombëtare se populli shqiptar dhe mbrojtja dhe siguria politike dhe ekonomike e mirëqenjes së tij.

Se si të arrihet realizimi i këtij objektivi të zhvillimit ekonomik dhe politik për të cilin ëndërrojnë shqiptarët për më shumë se një çerek shekulli tani, është përgjegjësi e qeverive që do të formohen nga partitë dhe aleancat e dala nga zgjedhjet e fundit në Shqipëri dhe në Kosovë. Cila parti ose koalicion partishë — me programet e tyre reale politike dhe ekonomike — do të përcaktojë rrrugën që do të ndjekin Kosova dhe Shqipëria gjatë katër viteve të ardhëshme? Cilat do qofshin ato, vullneti i popullit shqiptar i shprehur nepërmjet votës së lirë pret nga kjo klasë politike, që më në fund, të përcaktojë rrugën dhe të zbatojë politika dhe programe për realizimin e idealeve dhe interesave të larta kombëtare.

Përcaktimi dhe realizimi i interesave madhore dhe jetike të kombit, siç është ndër të tjera, edhe ndalimi i emigrimit në masë i shqiptarëve – nevojitë një harmonizim mbarë kombëtar të të gjitha partive politike pa pasur nevojë që të ndryshojnë identitetin politik të tyre. Ka kaluar gjithashtu edhe koha kur për hallet e shqiptarëve fajësoheshin fatkeqësitë e ngjarjeve historike. Sot, ju jeni përfaqsuesit e zgjedhur të shqiptarëve dhe si të tillë jeni përgjegjës ndaj kombit dhe para historisë, për gjëndjen aktuale dhe për të ardhmen e brezave. Kjo është koha e juaj për të vepruar. Për ndryshe bëhet vonë. Mos tash, kur?