Zgjedhjet e reja me sistem të vjetër!

0
246
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 05.02.2021

Në këto 13 vitet e pas pavarësisë, të gjitha elitat politike, për realizimin e interesave të tyre personale i tradhtuan interesat e qytetarëve. Po të mos ishte kështu, elitat politike nuk do duhej të pranonin në asnjë rrethanë shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, jo normale dhe jo demokratike (si produkt i një procesi gjyqësorë) pa reformën zgjedhore dhe pa ndryshimin e ligjit zgjedhor.

Jo vetëm tani, por nga pas lufta, e në veçanti pas ri-shpalljes së pavarësisë, të gjitha elitat partiake pa dallim, pozitë dhe opozitë nuk ishin të interesuara për ndryshime, nuk kishin vullnet për ndryshimin e sistemit të vjetër zgjedhorë, sistem i cili ua mundësoi të njëjtave parti dhe të njëjtëve liderë partiakë që të bëjnë vetëm rrotacionin e pushtetit, por jo edhe ndryshimin substancial dhe as mentalitetin qeverisës të vendit.

Në vend të sistemit të rregullt zgjedhor sipas rendit kushtetues (në çdo 4 vjet), kemi rrëshqitur në një sistem krejtësisht të parregullt, antikushtetues dhe antidemokratik, të mbajtjes së zgjedhjeve çdo dy vjet, dhe më shpesh se kaq, duke e përligjur një rregull të pashkruar, të çuarjes së vendit në zgjedhje sa herë që vihen në pikëpyetje interesat e një lideri partiak apo grupeve të caktuara të interesit.

Në vend të reformave dhe ndryshimit të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, po mbahet forcërisht sistemi aktual zgjedhor, i ndërtuar mbi bazën e sistemit të kaluar komunist një zonë zgjedhore), i convertuar (inventuar) për kushtet e sistemit plural të një demokracie parlamentare.

Kjo formë e sistemit zgjedhor u shkon për shtati vetëm elitave partiake, gjegjësisht liderëve partiakë, por jo edhe forcave reformatore brenda partive politike.

Ndryshimi i ligjit zgjedhor, përkatësisht, kalimi nga një zonë në shumë zona zgjedhore dhe ndryshimi i mënyrës së votimit, nga 5 kandidat në listë siq është aktualisht, në një të vetëm, gjegjësisht në sistemin e votimit ‘një kandidat një votë’, do të pamundësonte mbajtjen në pushtet të së njëjtës garniturë politike, do të zvoglonte numrin e ‘deputetëve veteran’ në Parlamentin e Kosovës si dhe do të zvoglonte mundësinë e kontrabandimit dhe manipulimit të votave gjatë procesit të numërimit.

Këto janë vetëm disa nga ndryshimet e shumta që duhet të ndodhin në ligjin mbi zgjedhjet, ku pa dyshim, më i rëndësishmi është ndryshimi i ligjit që e mundëson zgjedhjen e presidentit drejtëpërdrejtë nga populli, e jo të mbetet sikurse deri më tani, objekt i pazareve politike dhe si formë e shantazhit politik për formimin e qeverisë.

Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se, një president konsensual mes forcave të caktuara politike në Kuvendin e Kosovës pa legjitimitet qytetar nuk mund të krijojë unitet të mjaftueshëm për spektrin e gjërë politik.

Pavarësisht faktit se cila nga partitë aktuale i fiton zgjedhjet e 14 shkurtit, nuk do të kemi ndryshim, por vetëm rrotacion të pushtetit dhe riciklime të reja në Kuvendin e Kosovës si produkt i pazareve politike për formimin e ‘qeverisë së re’.

Sikurse herave të kaluara, për të “mirën” e vendit dhe qytetarëve do të kemi kalim të deputetëve nga njëri grupim politik në tjetrin, për kënaqjen e egove pesonale për pushtet do të kemi kalim të deputetëve nga njëri krahë në tjetrin deri në shpërbërjen e Kuvendit.

Më të zhgënjyerit do të ndjehen elektoratet partiake, kur e shohin produktin e votes së tyre në një subjekt tjetër politik!