ZGJEDHJET E 30-QERSHORIT: NJË POSHTËRSI PËR QEVERINË SHQIPTARE

0
480
Rama - Ruçi - Balla

NJË DËSHTIM PËR OPOZITËN,
NJË TURP PËR NDËRKOMBËTARËT
DHE NJË FATKEQËSI PËR KOMBIN SHQIPTAR!

Frank Shkreli Nga Frank Shkreli

Ja erdhi dhe shkoi edhe 30-qershori i “votimeve” të Edi Ramës, sepse zgjedhje këto nuk mund të quhen, bazuar në asnjë standard ndërkombëtar. Gjatë viteve, nepërmjet shkrimeve modeste, jamë përpjekur të shpreh mendimet e mia modeste – për mirë e për keq — mbi zhvillimet politike të këtyre 3-dekadave post-komunizëm në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Prandaj, kësaj radhe, nuk dua të përsëris zhgënjimet e mia të njohura në lidhje me klasën aktuale politike dhe mungesën e zhvillimeve të një demkoracie të vërtetë në trojet tona shumë të vuajtura. Sepse po të bëja një gjë të tillë, do të mërzisja, jo vetëm lexuesin por edhe veten time. Prandaj, me këtë rast, dua të shpreh, shkurtimisht, zhgënjimin tim personal mbi votimet e fundit në Shqipëri – në përputhje, pak a shumë me reagimet e shprehura në media nga disa kolegë të mi të nderuar nga Amerika, si Profesor Sami Repishti, Profesor Nikolla Pano dhe Dejvid Filips.

Nëqoftse këto fjalë të mia mund tu duken pakëz si të ashpra, u kërkoj falje, por dalin nga zemra e një shqiptaro-amerikani i cili e do Kombin e vet, dhe i cili mendon dhe beson se Kombi shqiptar – pas njërës prej diktaturave më të egra komuniste në botë — meriton shumë më mirë se kaq. Në të vërtetë unë jam zhgënjyer edhe nga mos regaimet e diasporës e sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me gjëndjen e krijura në Shqipëri. U garantoj se po të ishte imponuar kjo gjëndje sot nga të huajt – nga sllavi, greku, turku ose italiani – shqiptarët e Amerikës do i shikoje me pllakarta në protesta para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë. Por ç’të bëjmë tani, të protestojmë para botës, shqiptari kundër shqiptarit?

Si mund të quhen zgjedhje, votimet me një pjesëmarrje prej më pak se 20% e shqiptarëve që kanë të drejtë vote, ndërkohë që në shumicën e rasteve, kandidatët socialistë ishin pa asnjë kundërshtarë? Çfarë qeverie, kudo qoftë, do të ndihej krenare për organizimin e një spektakli të tillë të shëmtuar? Organizimi i tyre ishte i turpshëm dhe mbrojta e atij procesi, nga nivelet më të larta të qeverisë dhe të partisë në pushtet, është një ofendim i inteligjencës së shqiptarëve por edhe i ndërkombëtarëve, për të mos thënë poshtërsi për vet procesin.

Ky ishte një ushtrim i kotë politik, krejtësisht pa asnjë vlerë. Një humbje e madhe për qeverinë dhe kryeministrin e saj! As opozita të mos festojë, se nuk ishte fitore as për opozitën e bashkuar. Mos mendoni se shumicën e 80% të shqiptarëve që nuk votuan të djelën që kaloi, i kini me veten, sepse unë e di dhe ju e dini mirë se nuk janë as me ju. Duhet t’a dini gjithashtu se populli shqiptar është lodhur me të gjithë ju. Fatkeqsisht, me këto votime, kjo klasë politike i mbetet besnik trashëgimisë së saj edhe pas 30-vjet post-komunizëm: e “fikur dhe e koritur”, para Kombit dhe para botës.

Ç’të them për ndërkombëtarët dhe reagimin e tyre me këtë rast, përfshir atë të OSBE/ODIHR-it? Unë dua të rrëfej se që nga viti 1989 e këtej, si pjesë e punës kam ndjekur me kujdes dhe për nga afër misjonet e OSBE-së anë e mbanë botës ish-komuniste dhe kam pasur gjithmonë respektin më të madh për punëne tyre. Kam pasë fatin madje të jem edhe disa herë anëtar i delegacioneve për mbikqyrjen e zgjedhjeve në vendet ish-ko,muniste, përfshirë edhe delegacionin e parë të Departamentit Amerikan të Shtetetit në zgjedhjet e para pluraliste në mars/prill 1991 në Shqipëri. Megjithëse me shumë të meta dhe mungesa serioze standardesh, me keqardhje më duhet të them se organizimi i atyre zgjedhjeve nga regjimi i Ramiz Alisë, pothuaj 30-vjet më parë, i plotësonte më shumë standardet e zgjedhjeve të përcaktuara nga OSBE-ja, në krahasim me votimet e organizuara nga qeveria Rama të djelën që kaloi — tre dekada pas shembjes së komunizmit.

Prandaj, deklarata e delegacionit të OSBE-së të hënën që kaloi ishte zhgënjyese, në krahasim me ato që vërtetë duhej të thonin për votimet vendore në Shqipëri. Konstatuat se ishin të qeta! Është ky një prej standardeve, por të qeta ishin zgjedhjet edhe në kohën e komunizmit, por a mund të thoni se këto ishin të lira, të drejta dhe demokratike – standardet kryesore për cilësimin e zgjedhjeve në një vend që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s. Unë nuk dua tu mësoj ju të nderuar Zonja e Zotëri, se cili duhej të kishte qenë raporti i juaj paraprak për këto zgjidhje, sepse ju jeni ekspertët ndërkombëtarë. Por dua tu pyes, në cilin vend tjetër të Evropës do e pranonin procesin e zhvillimit të votimeve si ky që u mbajt në Shqipëri fund javën që kaloi, me një pjesëmarrje më pak se 20% dhe në shumicën e rasteve vetëm me paraqitjen e kandidatit të Partisë Socialiste – pa kundërshtar? Demorkatike ishin këto?

Unë si shtetas amerikan prej pothuaj gjysëm shekulli dhe si një shqiptaro-amerikan që, për arsye të ish-detyrës, kam pasur fatin të bashkpunoj gjatë karierës time me shumë diplomatë amerikanë, jo vetëm në Shqipëri por anë e mbanë botës dhe për të cilët kamë zhvilluar dhe ruaj gjithnjë respektin më të madh për punën e tyre në rrethana shpesh të vështira – më habiti edhe reagimi i Ambasadës amerikane në Tiranë për këto votime, ashtu siç ka habitur edhe shumë shqiptaro-amerikanë me të cilët kam biseduar kohët e fundit, e të cillët janë shumë të shqetësuar me zhvillimet e fundit atje, e sidomos me reagimet/mosregaimet ndërkombëtare ndaj atyre zhvillimeve.

Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, citon deklaratën e Ambasadës amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave votimet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave”, thekson deklarata e cituar nga VOA shqip. “Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”. Deklarata e Ambasadës dakordësohet gjithashtu me OSBE/ODIHR-in se, “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve”, duhet të presin një ent juridik që, sot për sot, nuk ekziston, “Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë se do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”, thuhet në atë deklaratë.

Reagimet e ndërkombëtarëve ndaj votimeve të së dielës në Shqipëri po konsiderohen nga shumë ekspertë brenda dhe jashtë Shqipërisë si mbështetje prej tyre e një procesi illegal dhe jashtë standardeve ndërkombëtare. Një mik imi këtu në Amerikë më solli ndër mend kohën e fashizmit kur Italia dërgonte në Shqipëri njerëz gjysmakë, sidmos në fushën e mjekësisë, duke i aryetuar si, “e buono per Albania”. A mendojnë ndërkombëtarët se qeveria që kanë shqiptarët, “e buono për Albania”, sepse kaq meritojnë shqiptarët? Pse deklaratat e juaja mbi aktualitetin politik nuk pasqyrojnë të vërtetën e zhvillimeve në atë vend, përfshirë korrupsionin në të gjitha nivelet? Thoni të vërteten! Kaq presin shqiptarët prej jush.

Unë nuk e kuptoj se pse duhet të pritet dy muaj që OSBE/ODIHR të lëshojë një raport mbi këto votime, kur është tejet e qartë se çfarë ndodhi, jo vetëm në sytë e ndërkombëtarëve, por mbi të gjithë, populli shqiptar e sheh mirë se ç’po ndodhë në vendidn e tyre dhe janë duke votuar me këmbë duke u larguar vazhdimisht nga trojet e veta mijavjeçare. Nëqoftse ndërkombëtarët nuk mund të ndihmojnë gjëndjen, atëherë do i këshilloja që të pakën mos ta ndërlikojnë edhe më keq se ç’është, me deklaratat e tyre ose gjysëm deklarata të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e gjëndjes në Shqipëri. Më mirë heshtni fare. Sepse në fund të fundit, është kjo një gjëndje e krijuar nga vet klasa aktuale politike dhe është detyrë dhe përgjegjësi morale dhe atdhetare e saj, që sa më shpejt – nepërmjet dialogut politik dhe me pjesëmarrje të gjërë edhe të shoqërisë – të dali nga ky qorrsokak politik, para se të bëhet vonë – me qëllim të mënjanimit të një fatkeqësie kombëtare, përballë të cilës gjëndet sot Kombi Shqiptar – falë papërgjegjësisë së saj politike dhe kombëtare.

Klasa politike shqiptare duhet që sa më shpejt të marrë përgjegjësitë e veta për gjëndjen e krijuar në vend dhe ndërkombëtarët duhet gjithashtu të reflektojnë thellë për rolin e tyre gjatë këtyre dekadave – ashtu që i vetmi fitues të jetë Kombi Shqiptar në marrëdhënie të ngushta dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët e tjerë atlantiko-veriorë. Koha është tani, jo nesër, jo pas nesër, jo dy muaj pas sodit, në pritje të një raporti të OSBE-së, jo kur të krijohet ky ose ai ent juridik ose politik! Shqiptarët kanë pritur mjaft dhe janë të lodhur. Por shqiptarët presin një fillim të ri. Nëqoftse ini shqiptarë, dialogu gjithëpërfshirës për një fillim të ri duhej të kishte filluar dje — në interesin madhor të KOMBIT!