ZGJEDHJE E DUHUR, APO “ZGJIDHJE E NEVOJSHME”?!

0
1950

AV. XHABIR ZEJNUNI

Në MEDIA (dhe jo vetëm në MEDIA) po flitet shumë për Arta Markun, e zgjedhur nga Kuvendi Kryeprokurore e Përkohëshme.
Duke vizituar sitin internet të Shkollës së Magjistraturës, rezulton se Arta Marku ka qenë fituese e konkurimit për prokurore për vitin shkollor 1999-2000.

Ajo ka qenë në një klasë me Ina Ramën dhe Ermonela Felajn, me këtë renditje pas konkurimit:
1. INA RAMA (574 pikë, e klasifikuar e para);
2. ERMONELA FELAJ (542 pikë, e klasifikuar e pesëmbëdhjeta);
3. ARTA MARKU (517 pikë, e klasifikuar e njëzeta).
Studimet e Magjistraturës, ajo i ka mbaruar në vitin 2002.

Dosjet e hetuara prej saj si prokurore në Shkodër kanë qenë shumë të pakta. Në lidhje me këtë rendiment kaq të ulët në punën e saj (15 vjeçare!), ajo deklaroi para Komisionit të Ligjeve se këtë mangësi ajo e kishte rekuperuar duke “Firmosur mjaft dosje të kolegëve të saj”. Vlekan firmosjet e dosjeve të kolegëve si rendiment pune personale?

Para Komisionit të Ligjeve, ajo deklaroi se “Zgjodha të jem pjesë e garës, sepse e shoh Prokurorinë në kaos dhe kam aftësinë të bëj aftësimin normal të të gjithë sistemit deri në krijimin KLP-së dhe Prokurorisë së Posaçme.”

Të pretendosh që të bësh një ndryshim kaq rrënjësor në kaq pak kohë në Prokurorinë shqiptare, nuk mjafton vetëm të deklarosh se je e aftë. Pasi nuk kanë vlerë ato aftësi që dikush deklaron (dhe pretendon) se i ka, por ato aftësi të cilat dikush duhet t’i ketë fituar konkretisht gjatë karrierës së tij/saj profesionale.

Arta Marku shton se “Kandidoj për këtë post edhe për CV-në time, sepse është kulmi i karrierës së një prokurori, edhe pse mandati është i përkohshëm”.
Rëndësi nuk ka plotësimi i një CV nga ana formale, por nga ana substanciale.

Vërehet një tendencë e “çuditshme” në zgjedhjen e Kryeprokurorëve, pasi preferohen ose ata kandidatë që mund të kenë “gëlltitur ndonjë lugë çorbë të prishur” (helbete, pasi në 15 vite punë mund të ndodhë edhe kjo!), ose ata kandidatë që në karrierën e tyre profesionale nuk kanë spikatur fare.

Rasti i dytë, ka lidhje me Arta Markun. Mjaftojnë vetëm deklaratat e saja para Komisionit të Ligjeve për të vërtetuar këtë fakt. Por, edhe Komisioni i Ligjeve ka fajet e veta. Pasi do duhej që paraprakisht t’ju kërkonte kandidatëve të ofruar për këtë post kaq të rëndësishëm (edhe pse të përkohshëm!) të paraqisnin një LISTË me proçeset që ata kanë hetuar, ku të vinin në dukje proçeset që ata kanë fituar dhe humbur (në të trija shkallët e gjykimit) dhe të përshkruanin me dy rreshta arsyetimin e tyre për çdo proçes në fjalë. Ndërsa 7 kandidatët para Komisionit të Ligjeve, u mjaftuan vetëm duke thënë se “Kam hetuar këtë apo atë proçes”. Kaq?! Linte shumë për të dëshiruar edhe elokuenca e tyre: profesionale dhe komunikative.

Duket se pikat më të “forta” të Arta Markut, kanë qenë se ajo i përket klasës së të persekutuarve politikë dhe se është e besimit katolik!
Nëse në një organ kaq jetik duhet të zgjidhet (edhe pse përkohësisht!) një person me profil shumë të lartë profesional, por nga ana tjetër zgjidhet me një lehtësi kaq sipërfaqësore një person që nuk është dalluar për profesionalizëm gjatë karrierës së tij/saj, nuk është e vështirë të imagjinohet se në çfarë niveli mund të jenë kandidatët e tjerë. Arta Marku ka meritën se ka mbuluar disa poste drejtuese. Po rezultati i punës së saj, cili ka qenë? Ose, për çfarë rezultati të punës së saj, ajo është promovuar në poste drejtuese?

Kushtetuta (e ndryshuar me 22 korrik 2016 me 140 vota!) parashikon në nenin 148/a, par 3 se “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve të spikatur, me jo më pak se 15 vjet përvojë pune….”.
Arta Marku, ka në favorin e saj faktin se ka qenë 15 vite prezente në punë.

Norma kushtetuese do kishte “tingëlluar më mirë” nëse do formulohej kështu: “….. 15 vite prezencë NË punë”.
Fakti që Arta Marku para pak muajsh është shtuar me një vajzë dhe në këto kushte pranon një post (të ofruar paraprakisht!) kaq të lartë dhe me përgjegjësi, tregon një sforcaturë të pajustifikueshme jo vetëm nga ajo, por edhe nga ata që u shpejtuan që ta zgjedhnin në këtë post.
Në jetë, duhet të ecësh para se të vraposh.

Kurse Arta Markun, e zgjodhen te vrapojë menjëherë, edhe pse për një distancë të shkurtër. Dhe jo të ecë normalisht.
Duhet pohuar se për çudi përzgjedhje të tilla bëhen me qëllim që të përzgjedhurit të “menaxhohen” shumë më lehtë nga politika. Në rast të kundërt, pra kur ata nuk “menaxhohen”, atëherë damkosen në mënyra të ndryshme. Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.

Këto fakte, i din shumë mirë politika shqiptare.
Ashtu si edhe ambasadori amerikan Donald Lu!

Duke pasur parasysh CV-në e Arta Markut, nuk përjashtohet mundësia që ajo të jetë kandidatja më “papabile” për të udhëhequr akuzën shqiptare për një mandaj 7 vjeçar.
I takon.