Letër e hapur shkrimtarit, Agron TufA
Agron i dashur,
Ka gjysmë qindvjetshi, që merrem kryesisht me punën studimore dhe me hartimin e veprave letrare poetike dhe kam qenë “larg” politikës dhe zhurmës që e kushtëzon përditshmëria. Kjo ka ndodhur sidomos në 23 vjetët, kur kam punuar si ligjërues në Universitetin e Kalabrisë në Itali (nga nëntori i vitit 1993).
Shpesh ajo që ka ndodhur në jetën tonë kulturore dhe politike në Kosovë dhe në Shqipëri, veçmas në dy dekadat e fundit, kur kanë ndodhur ngjarje e dukuri me rëndësi të madhe (lufta, shpallja e pavarësisë së Kosovës, qeverisja e saj nga vetë shqiptarët, hapja e Shqipërisë përballë demokracisë dhe botës, futja e saj në disa organe përfaqësuese të Evropës etj.) më ka trazuar përtej masës. Ky trazim ndonjëherë ka marrë aso përmasash sa më është dukur se po m’i bluan eshtrat dhe po më zhbën palcën.
Kjo më ka bërë të ndihem i zhgënjyer jo vetëm nga pushtetarët tanë, po dhe nga vetvetja! E keqja nuk përligjet vetëm nga veprimet e gabueshme, shpesh të shëmtuara dhe rrënuese të pushtetarëve tanë e të disa organeve që ata udhëheqin, po pse ato veprime nuk i prekin në ndërgjegje, nuk i vetëdijesojnë për përgjegjësinë që kanë, për detyrat që duhet t’i përmbushin ndaj qytetarëve si të zgjedhurit e tyre. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve, para së gjithash vetë politikanët.
Shkrimtari e poeti, Agron Tufa
Dhe sikur të mos ishte puna që bëja, të mos ishte përcaktimi im këmbëngulës, i mbështetur në parimin: meqenëse nuk mund t’i ndryshosh të tjerët, t’i ndryshosh rrjedhat, atëherë merru me veprimtarinë studimore dhe krijuese, bëj detyrën e një individi për arsye se çdo gjë në shoqërinë njerëzore fillon nga individi dhe gjithçka që ndodh brenda saj është rrjedhojë e punës së tij (secili i vë themelet e ndërtesës së veprimit dhe te jetës së vet me punë). Këtu dhe duhet kërkuar mos ndërhyrja, përkatësisht mos reagimi im publik përballë asaj që shpesh ka ndodhur në botën tonë, sa edhe jam turpëruar dhe e kam ndier veten fajtor për atë që ka ndodhur.
Ndonjëherë edhe kur nuk merr pjesë në ndonjë veprim të gabuar ose të shëmtuar të pjesëtarëve të shoqërisë e të botës që i përket, vetvetiu, si pjesëtar i asaj shoqërie dhe i asaj bote, a nuk bëhesh edhe ti fajtor!?
Me pak fjalë, dhembjen dhe pësimet që i kam ndier si pjesëtar i shoqërisë shqiptare, kam synuar t’i mbëltoj ose të ngritëm mbi to me punë: s’ka formë tjetër më të denjë të dëshmosh se je pjesëtar i një kulture dhe i një bote sesa me punë, e cila mund të shihet dhe të preket (natyrisht dhe të vlerësohet): janë shkrimet, librat, ligjëratat.
Largimi yt nga Shqipëria mëmë, nga kërcënimet që të janë bërë ty dhe familjes sate edhe nga njerëz në organe përfaqësuese shtetërore, më bën ta thyej parimin tim jetësor dhe të shkruaj këtë letër të hapur për arsye se punën e largimit tënd me familje nga Shqipëria, nuk e vërej si dukuri të një individi dhe të një familje, po si dukuri që duhet ta na tundë e të na vetëdijesojë para se ajo të marrë ato përmasa, që do të jenë me pasoja të jashtëzakonshme, edhe për vetë ata që sot janë në vendet me përgjegjësi të madhe shtetërore dhe politike, si zë dramatik i ndërgjegjes.
Po kujtoj këtu letrën e hapur, që Nëna jonë Tereze u shkroi “me lot në sy e me dashuri të Zotit në zemër” dy kryetarëve, Xhorxh Bushit dhe Sadam Hyseinit (po jo ushtarëve), që ta parandalonin luftën, përndryshe merrnin mbi vete përgjegjësinë para njeriut dhe para Zotit për të gjitha viktimat, jetimët dhe të vejat që do t’i shkaktonte ajo luftë.
Në fillim mendova t’u shkruaj një letër të hapur kryetarit të Shqipërisë, Ilir Metës, kryeministrit, Edi Ramës, po u mëdysha: pse t’ua kujtoj atyre përgjegjësinë që duhet të kenë dhe detyrën që duhet ta përmbushin dhe ta përligjin në çdo çast dhe për çdo rast që vë një pikë të zezë në rrjedhën e gjallimit të jetës shoqërore dhe politike të Shqipërisë dhe të botës shqiptare në përgjithësi.
Një kryetar shteti dhe një kryeministër i një vendi duhet të kujdesen dhe të luftojnë me përkushtimin më të madh për t’u siguruar një jetë normale qytetarëve për arsye se ata – qytetarët – janë subjekti ku dëshmohet më së miri puna e tyre me përgjegjësi; ata pa ta, do t’ishin të pa qenë. Në periudhën e komunizmit në Shqipëri, që është dëshmuar vijimisht, sidomos me burgjet dhe vrasjet e shumta pa procese përkatëse, çdo gjë ka pasur vlerë më të madhe se njeriu!
Nuk u shkrova dy njerëzve që janë në krye të Mëmëdheut tonë, për arsye se ajo mund të shkonte në vesh të shurdhër, sikur kanë dëshmuar disa raste të tjera, kur të tjerët u janë drejtuar atyre me ndonjë kërkesë, që ka qenë krejt e arsyeshme. Në të shumtën e rasteve arsyetimi ka qenë i përmbysur: është detyrë e organeve të tjera…, e kanë hequr nga vetja, pa të drejtë, përgjegjësinë. Ose dukuritë e tilla i kanë zvogëluar, pra në qenësi i kanë prapësuar dhe mohuar.
Nuk u shkrova letër të hapur dy personaliteteve më të larta të Shqipërisë edhe për një arsye tjetër: ata deri më tani nuk treguan as edhe një veprim, qoftë dhe të dorës së dytë (nga ajo që unë kam mundur të mësoj) për braktisjen tënde të vendit tënd, për flijimin dhe për dhembjen tënde.
Për të mos përjetuar të njëjtin fat dhe letra ime, po të shkruaj pandërmjetësisht ty.
Janë disa arsye që po veproj kështu, por po përmend vetëm dy:
E para: ti je një krijues që e ke dëshmuar veten me punën letrare, me veprat në poezi, në prozë dhe në fushën e studimeve, që tashmë janë bërë pasuri e artit tonë të fjalës dhe e mendimit tonë intelektual dhe shkencor kudo ku flitet shqip; me punën pedagogjike (me ligjëratat si profesor), pastaj me punën e përkthimeve letrare, me të cilat e ke pasuruar letërsinë tonë.
Pos kësaj, veprimtaria jote si dejtues i Institutit për studimin e krimeve dhe të pasojave të komunizmit në Shqipëri, ku u botuan një varg librash me të dhëna e dokumente të krimeve të pushtetarëve të kuq për rreth 50 vjet – përligj përcaktimin tënd dhe punën tënde për shumëçka të qenësishme për botën tonë shqiptare, të sotme, po që do të shtrihet edhe në të nesërmen.
E dyta: të marr pjesë në flijimin tënd dhe në dhimbjen tënde e të familjes sate. Fatin tënd kam mundur ta përjetoj dhe unë, edhe një tjetër, secili që gjakon ta dëshmojë vetën me punë për të mirën e shoqërisë që i takon e zotohet për përparimin e saj, që me punën e vet synon t’i ndriçojë dukuritë, rrjedhat, qoftë të së tashmes, qoftë të së kaluarës. Është thënë shpesh (po e përsëris edhe unë): kush nuk e ndriçon dhe nuk e njeh të kaluarën s’ka as të tashme të mirëfilltë, s’do të ketë as të ardhme. Sikur e tashmja që ndërtohet mbi të kaluarën, edhe e nesërmja ndërtohet mbi bazën e së sotmes (së tashmes).
Në kulturat e tjera, i dashur Agron, krijuesit i çmojnë dhe i nderojnë për arsye se ata janë shtylla të rëndësishme dhe, në forma të ndryshme, përligjin rrafshin e përparimit, rrjedhën dhe frymëmarrjen e një shoqërie. Fishta ynë i madh thoshte: “Ideja e naltueshme, e veshne me fjalë të bukura e të përshtatshme, nuk merr mort. Prandej nder popuj të gjytetnuem poetve të vertetë, letrarve të njimendtë u ngrifen pomendore të madhnueshme, e i lavdojnë e i nderojnë si t’ishin do hyjní, të thuesh; edhè brezníve të reja u a paraqesin si trashigimin mâ të çmueshmin, per t’a ruejtë të pacenuem gjatë gjithë verigës së pakputne të shekujvet”.
Përkundër të gjitha rrethanave dhe pësimeve që po përjetojmë, ne do të vijojmë të frymojmë e të krijojmë edhe pse pushtetarët tanë, nuk shqetësohen shumë për këtë gjë. Pra, ne duhet të vazhdojmë punën tonë, dialogun tonë me librat për arsye se ne jemi ne, vetëm kur dëshmojmë me punën tonë që bëjmë ose, siç thotë Guliem Blinishti, “Librat janë dialogu, që shkrimtarët e shkëmbejnë me shpirtin e tyre, nga jeta në jetë”.
Prishtinë, dhjetor 2019
ANTON NIKË BERISHA