Zëra të kujtimit – poezi

0
446
Nexhat Halimi - pikturë

Nexhat Halimi

Zëra të kujtimit

Ai që e sheh s’mund të jem unë kurrsesi
As gjërat përreth s’do të jenë ato kurrë
Eci, iki vetes te vetja e nuk mund të arrij
Nuk ka mbetur as udhë as dhiare e as urë
Iku nga një copëz e vetes e ec e ec vigut
Halil thataku përshkon arën vijës së ujit
Ja gjurma në tokën e lagur a është e mujit
Shfaqet matanë hendekut hije e të ligut
Do t’ia dal ta mbaj drejtpeshimin vetes
Të arrij lart te mëhalla e të ec ende etjes
Në degë të pemës cicëron veç zog i vjetër
Dëgjoj zërat fikur tashmë për zë kavallit
E një shkrim ende ka mbetur te guri tjetër
E kujtimi i vetmuar për psherëtimë mallit

Zëra të kujtimit II

Si t’ia lexoj vijat vetëtimës së fallit
Në pëllëmbën e dorës së ngrirë nga vetmia
Mes rrëzimit e ngritjes në ëndrrat e mia

Si t’ia shkruaj zemrës gjysmë flakën aty
Ja ngelin vetëm gjurmë të etura gjaku në hi
Apo ja ç’më përdredh gjithësi e djallit
Shprehur për vija të fatit kaq thellë ballit

Si t`ia lexoj vijat vetëtimës së fallit,
Ja çdo gjë ka ndërruar e bie veç hije

Seç e dëgjoj vdekur vetminë e strallit.