25 Shkurt 2017
Ish-kreu i Gjykatës së Kasacionit, aktualisht Gjykata e Lartë dënon kërcënimet për dhunë të politikës, duke bërë thirrje se vetëm paqja i duhet Shqipërisë.
Brozi nënvizon se populli shqiptar duhet të protestojë, por nuk duhet të marrë përsipër të bashkohet me ata politikanë të opozitës që kërkojnë të djegin dhe njëherë Shqipërinë për të shpëtuar veten nga Reforma në Drejtësi.
“Shqiptarët kudo që janë t’i thonë jo thirrjeve të Bashës, Berishës e kujtoqoftë për dhunë, djegie e shkatërrim. Njerëz te ndershëm të Shqipërisë sonë të dashur mos sakrifikoni veten për politikanë!
Drejtësia bëhet e ashpër mbi ju qytetarët e thjeshtë, ndërsa politikanët janë të Paprekshëm! Kujtoni sa mijëra qytetarë të thjeshtë u vranë në këto 25 vite dhe sa herë u dogj e shkatërrua Shqipëria jonë e dashur sepse ashtu deshën disa politikanë vrastarë e djallëzorë! Sa prona të vëna me aq mund nga njerëzit e thjeshtë u vodhën e shkatërruan!
Sa shumë pasuri e gjithë popullit u vodh apo shkatërrua! Sa shanse humbi Shqipëria nga kjo dhunë! Asnjë gjemb në këmbë nuk u hyri atyre politikanëve që e nxitën dhe organizuan dhunën! As pasuria dhe jeta e shëndeti i tyre dhe i të afërmëve të tyre nuk pësoi ndonjë dëm!
Përkundrazi, ata janë sot në politikë dhe paguhen nga taksat e shqiptarëve. Shumë prej tyre bëjnë jetë luksi me pasurinë e vënë me korrupsion! Prokuroria dhe Gjyqësori kanë garantuar Paprekshmërinë e këtyre politikanëve!
Disa politikanë të opozitës po duan të djegin përsëri Shqipërinë për të shpëtuar veten nga Reforma në Drejtësi. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht për problemet e tyre, por jo të shkelin ligjet dhe kryejnë krime edhe kur i urdhëron Luli a kushdo tjetër. Paqja e jo dhuna i duhen Shqipërisë!”, deklaron Brozi që nga SHBA.