Zbulohet dorëshkrimi i panjohur i Marin Barletit

0
454

ProInformacion.com, 23 korrik 2018

ATSH/ – Kërkimet shkencore disavjeçare individuale dhe të përbashkëta të studiues Lucia Nadin dhe historianit Aurel Plasari, kanë çuar në zbulimin e një teksti të panjohur të Marin Barletit.

Ai ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Francës i ardhur nga Venecia. Nga studimi i deritanishëm, ky dorëshkrim që vjen i ilustruar përmes këtyre dy fotografive, është më i hershmi i zbuluar nga Marin Barleti, që si dëshmues i rrethimit të parë të Shkodrës mbi pesë shekuj më parë.

Në një deklarim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Albanologia Lucia Nadin nënvizoi faktin se ishin disa të dhëna që çuan në këtë studim, ndërsa nënvizoi se bashkë me studiuesin Aurel Plasari ka punuar për vite me radhë.

“Disa të dhëna na çuan të mendonin se Marin Barleti kishte shkruar diçka para dy veprave të publikuara, por ishin vetëm të dhëna. Le të themi që ishin hipoteza dhe duan vite kërkime dhe arritëm që të identifikonim këtë dorëshkrim që vinte nga Venecia, por që ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Dorëshkrimi rrëfen “Rrethimin e Shkodrës”, por në një verson të mëparshëm, pra që ishte botuar në 1504 dhe kështu hapet një skenar të ri, kur është shkruar ekzaktësisht, momentin kur Marin Barleti shkruan këtë dorëshkrim, materialet që kishte në dispozicion. Kështu që tani hapet nje kapitull i ri studimesh, i raporteve të Barletit me Beçikemin dhe për pasojë për ngjarje dhe infomacione të Marin Barletit si dhe saktesime te datave te reja dhe ngjarjeve historikete reja, materiale të reja historike që përafrohen me botimin e 1504”, – shpjegoi ajo.

Nga ana e tij, studiuesi shqiptar, Aurel Plasari tha se fakti që dokumenti daton shumë më herët seç studiuesit kishin menduar, përfshirë edhe vetë atë, përkthehet në një “vetëkorrigjim” që i duhet bërë historisë.

Ky dorëshkrim përmban rrethimin e Shkodrës të datuar në 1500. Botimi i librit i dedikohet një dogje, kreut të Republikës, në 1504. Botimi ose teksti i tanishëm i dedikohet dogjës paraardhës dhe kjo është siguria maksimale që është shkruar shumë vite më parë se Beçikemi. Kjo ndryshon shumë gjëra në kontekstin kur është shkruar vepra e Barletit. Është menduar se është shkuar gjatë paqes që bënte Republika e Venedikut me turkun, por në të vërtetë vitet na japim diçka tjetër. Është viti i kryengritjes shqiptare, kryengritjes së Lezhës, për çlirimin e Krujës dhe Shkodrës dhe kur në Arbëri vjen nipi i Skënderbeut, ose Skënderbeu i Ri.

Pra, rrethanat përmbysen krejtësisht. Pretendimet e autorëve që duke llogaritur botimin dhe pa njohur këtë vepër kanë menduar se Barleti ka marrë pasazhe nga Beçikemi në 1503, pra ka kopjuar prej tij. Këto marrëdhënie kthehen më kokëposhtë, sepse rezulton që është Barleti vite përpara Beçikemit dhe nuk është Barleti ai që ka marrë nga Beçikemi, por e kundërta”, – shpjegoi studiuesi Plasari.

Nga ajo që është studiuar deri tani bëhet fjalë për një dorëshkrim që i përket fundit të 1494-ës, pra fundit të 1400 deri në 1501. Sipas Nadin dhe Plasarit, dorëshkrimi duket si një kopje luksi e përgatitur për botim, pa shënime anash, i pastër, me një shkrim të thjeshtë, lehtësisht e korrigjueshme. Një kopje e këtij dorëshkrimi në formatin digjital do t’i jepet edhe Bibliotekës Kombëtare.