Zymer Mehani
(Pak fjalë për librin “Nëpër shkronja do shëtis”, Prishtinë, 2020)
Poetja e talentuar Ymrije Beqiri këtyre ditëve nxori nga shtypi librin e saj të radhës, dedikuar fëmijëve, “Nëpër shkronja do shëtis”, libër krejt i veçantë, i ndryshëm nga të tjerët dhe unik. Përbëhet nga dy pjesë (Pjesa e shkronjave dhe pjesa me motive dhe tema tjera).
Në vëllimin poetik për fëmijët “Nëpër shkronja do shëtis” poetja nga Vushtrria, Ymrije Beqiri na ka dhuruar vargje tejet të bukura duke na ngazëllyer edhe ne të rriturve me magjinë që sjellin shkronjat në botën tonë, e posaçërisht në botën e fëmijëve…
Ja ç’na premton poetja:
Nëpër shkronja do shëtis
Do t’i marr t’gjitha me radhë
Vargje t’kohës së fëmijërisë
Gjithë sheqer, ëndërr e bardhë.
Do filloj me shkronjën A
Do e mbyll më shkronjën ZH
Shkronja t’vogla e të mëdha
Shkronja t’ buta dhe me zë.
Me këto shkronja do qëndis
Vargje fëmijësh me gjuhë t’nënës
Do t’i këndoj fëmijërisë
Do t’i këndoj me gjuhë të zemrës.
Të mjaltosura do të më vinë
Vargjet me germa të arta
Se po shkruaj për vegjëlinë
Zbukuruar si kreshtat e larta.
Pra, autorja Ymrije Beqiri në përmbledhjen “Nëpër shkronja do shëtis” ka trajtuar motive nga jeta e fëmijëve, ku me fantazinë e saj, vërtet ka shëtitur nëpër kopshtin magjik të alfabetit shqip prej A në ZH.
Por, ajo pas kësaj, do ta falënderojë me zemër ALFABETIN SHQIP, që ia bëri të mundshme realizimin e shëtitjes nëpër “kopshtin” e tij:
Faleminderit, alfabet
Jetë të gjatë, gjuha shqipe
Je vërtet gjuha model
Me shkronjat tua magjike!
Ja, shëtita një nga një
T’gjitha shkronjat n’alfabet
Që nga A-ja gjer te Zh-ja
I shijova me lezet.
I takova bashkëtingëlloret
Njëzetë e nëntë, rend me rend
M’u kujtuan t’miat fletore
Ku të gjitha aty zutë vend.
Sa herë e hapja fletoren
Ju më ngjanit porsi lulet
Për ju vargjet m’ rrodhën sot
Zemra ime ju përulet.
Pra, vëllimi në fjalë është dedikim për fëmijët dhe për nxënësit e shkollave fillore. Këtë konstatim e mbështesim fuqishëm duke u bazuar në gjuhën e thjeshtë, por të pastër dhe në fjalorin, të cilin me shumë kujdes e përdor poetja në ndërtimin e vargjeve.
Mund të themi se fjalë kyçe të kësaj përmbledhjeje janë fjalët: alfabeti, atdheu, shkolla, mësuesi, abetarja, motra, vëllai, gjyshi, gjyshja, zogjtë, lumi, pranvera, vera, vjeshta, dimri me dëborë etj etj., që janë të pranueshme dhe të dashura për botën fëmijërore. Kësisoj i hetojmë edhe motivet dhe temat që trajton autorja, mike e fëmijëve Ymrije Beqiri.
Ajo do të këngëtojë edhe për kopshtin e fëmijëve, që është jeta vetë, por edhe punë e përditshme, ku frymon, punon dhe gjendet përherë bashkë me fëmijët e vegjël.
Aromë lulesh të bukura,
Vije n’kopsht për mrekulli,
Si xixëllonja vere lozin,
Si engjëj ata fëmijë.
Disa mbledhin lule
E ca lozin me lodra,
Zemra t’gëzohet kur i sheh,
Të gjithë si vëllezër e motra.
Të buzëqeshur e të gëzuar,
Ecin pa përtesë,
Me prindër për dore, të lumtur
Në kopsht vijnë në çdo mëngjes.
Poezi të bukura janë edhe përkushtimet për nënën e babanë pastaj vjershat: “Xixëllonja”, “Engjëjt në kopsht”, “Na qesh fytyra”, “Kulla me gurë”, “Natyra” etj.
Konstatojmë se përmbledhja me vargje për fëmijë “Nëpër shkronja do shëtis” e autores Ymrije Beqiri shëmbëllen në një mozaik me laryshi ngjyrash, që lirisht mund të themi se ia kalon edhe vetë harkut të ylberit me vargjet domethënëse, kuptimplota dhe edukative për të vegjlit tanë.
Librit i urojmë rrugëtim të mbarë për te lexuesit e poetes Ymrije Beqiri po ashtu i urojmë shëndet dhe krijime të reja, po kaq të bukura, sikurse libri “Nëpër shkronja do shëtis”!