Yjet

0
2167

Dionis Xhafa

E qetë është nata, vetëm yjet lart në qiell ndriçojnë
E në agim nuk ka asnjë shpresë, thjesht ditë e re vjen
Por errësirë është, njëjtë dhimbë e plagë e pashërueshme vlon,
Nëpër trenat ku avullon jetë e përmotshme, e myktë.

Qielli do të qajë, do të rënkojë në detin e paanë që oshëtin
Orestët do të vrasin baballarët e fundin e vet do ta kenë të sigurt,
Agemnenonët do të tradhtohen, djemtë në fusha do të kërkojnë hakmarrje
E lart në horizont të verdhë përzier më të kuq do të ngashërojnë yjtë.

Një ditë ndër ata yjë njëri do ndriçojë ndryshe, fort, do flakërojë
Shkrepëtimë si i sjellë nga Zeus do të rrëfejë dramën e madhe të arenës tragjike,
Do të flas haptaz, me gaz, hare, dëshirë e pasion, lëçitur me zjarr e mall,
E do shuhet në universin e pafund, rënë në ujë, në tokë a oqean.

Çuditshëm, mahnitshëm, krejt turbulluar si në tragjedi të Eskilit,
Si pasqyrë e madhe do të shfaqet e vërtetë, qartë, pa furi e dallgë,
E harresë ka, e mëshirë jo, gjuajtje e pafund për të përfunduar mizori – mirazh
Pastërtisht mbi dorë të larë do të ndihet forcë, kur bashkë ecin botë e vdekur me të gjallë.