XHUZEPE UNGARETI – poezi

0
1011

XHUZEPE UNGARETI
( Giuseppe Ungaretti )

1888 – 1970

Më 8 shkurt 1888 Lindi në Aleksandri poeti i shquar italian Xhuzepe Ungareti. Mori pjesë në Luftën e parë botërore duke luftuar në frontet e Italisë dhe Francës. Kjo luftë i la gjurmë të thella, të dhimbshme në shpirt duke i zbuluar tmerrin e vdekjes, por edhe vlerën e solidaritetit njerëzor . Përmbledhja e tij poetike Ndjenja e kohës ( 1933 ) zgjoi debate të pasionuara. Nga viti 1947 deri më 1960 botoi lirikat e përmbledhjes Dhimbja, Tokë e premtuar, Një britmë, Peizazhe, Bllokim i planetit. Për Ungaretin poezia duhet të jetë pasqyrë e kohës dhe poeti duhet t’i rikthej fjalës pastërtinë e vet të origjinës që kishte humbur me ndikimin e sensualitetit dhe muzikalitetit të D’Anuncios. Ungareti synon te sublimimi i fjalës që e ngre poezinë në lartësinë e një himni pothuajse fetar për jetën. Në bazë të poetikës së Ungaretit qëndron analogjia. Poeti afron midis tyre objekte dhe ndijime të largëta në dukje, po që nga sinteza fitojnë një unitet organik që shtrihet në figura lirike. Ungreti ka një vend më vete midis hermetikëve.

ËSHTË ORA E URITUR

Është ora e uritur, ora jote o i marrë.

Shkule zemrën

Erë kripë bie gjaku i saj
Dhe bie era athtësirë, është ëmbëlak,
duke qenë gjak.

Shumë vaje
e bëjnë gjithnjë më të shijshme zemrën tënde.

Frutë i shumë vajeve zemra jote,
Shqyeje, haje, ngopu.

YLLI

Yll, i vetmi ylli im,
Në varfërinë e natës,
Vetëm për mua ti ndrit.
Në vetminë time ti shkëlqen;
Po për mua,
Yll që kurrë s’do të pushosh së ndrituri,
Një kohë tepër e shkurtër të është dhënë,
Më jep një dritë
Që dëshpërimin tek unë
Veç sa e mpreh, e thellon.

UNIVERS

Me detin
një arkivol freskie
i bëra
vetes sime

që qëndisi yjet
me jehonën kristalore
të zemrës

Cila festë buronte nga zemra
në dasmë

Kam qenë një moçal
errësire

Tani kafshoj errësirën
si fëmija
gjirin

Tani jam i dehur
me univers

KUJTIM NGA AFRIKA

Dielli pushton qytetin
Nuk shihet më
As edhe varret s’rezistojnë më më shumë

USHTARET

Jemi
si gjethet
vjeshtës
mbi pemë.

Pylli i Kurtonës, korrik 1918

NA ISHTE NJEHERE

Pylli Kapuçio
ka një rrëpirë
me blerim të kadifejtë
si një kolltuk
i butë

përgjumem
vetëm
në një kafene të moçme
me një dritë të mekur
si drita
e kësaj hëne.

PESHA

Ai fshatar
i beson medaljes
së Shën Antonit
dhe ikën ngadalë

Por krejt i vetmuar dhe krejt lakuriq
pa mirazh
sjell ai shpirtin tim.

1916

PORTI I VARROSUR

Atje arrin poeti
dhe pastaj kthehet në dritë me këngët e tij
dhe i shpërndan ato

Nga kjo poezi
më mbetet
asgjëja e së fshehtës
së pashtershme

Mariano, 29 qershor 1916

SHKËPUTJE

Ja një njeri
uniformë.

Ja një shpirt
Shkretirë,
ja një pasqyrë e patundshme.

Më rastis shpesh të zgjohem
dhe të bashkohem
dhe të zotëroj

e mira që më lind rrallë
më lind kaq ngadalë

dhe si zgjati kaq
u shua pa u ndierë

GONIA

Të vdesësh si laureshat
e etura
në një mirazh

Ose si shkurta
në shkurret e para
me të kaluar detin
sepse s’ka më dëshirë pëër fluturim

Dhe jo të jetosh me ankime
Si një gardalinë e verbuar në kafaz

Përktheu: Faslli Haliti