Xhihadistët rikthehen si Anti-Skënderbe

2
2475

ALEKSANDËR ÇIPA, 3 korrik 201424-ore.com

Dy gjeste simbolike përdhosëse të simbolit kombëtar të shqiptarëve, shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, nuk janë të rastësishëm dhe pa domethënie. E kemi fjalën për lënien pa autorësi në periferi të Tiranës para disa muajsh të një skulpture-monstër, në të cilën paraqitej Heroi ynë Kombëtar si një përbindësh. Qartazi ishte lënë të nënkuptohej se kjo ishte vepër e radikalëve islamikë, të cilët ekspozonin antagonizmin e tyre me atë çka përfaqëson Gjergj Kastrioti në historinë, jo vetëm shqiptare, por edhe atë europiane.

Javën e shkuar në Kaçanik, rezulton të filmohet për llogari të YouTube një sekuencë e një xhihadisti shqiptar, i cili shuplakon bustin e bronztë të Skënderbeut dhe duke fshehur fytyrën, edhe e pështyn atë. Ky i fundit sipas raportimit të mediave në Kosovë, tashmë do të përballet me gjykatën, e cila pritet ta dënojë deri në 9 vjet burg.

Gjithsesi, rasti në Tiranë i pazbardhur dhe ai në Kacanik, janë dy akte të pastra përdhosëse të simbolit kombëtar, të cilat lidhen pazgjidhshmërisht me triumfin e doktrinës xhihadiste në ndërgjegjen e militantëve shqiptarë.

Këto episode të ngjara në Shqipëri dhe Kosovë, janë pjesë e një historie të re përfshirjeje të një numri të paregjistruar xhihadistësh shqiptarë në ushtrinë globale të xhihadizmit. Një përfshirje e tillë e vënë re prej medias ndërkombëtare dhe e fokusuar në raportimet e medias më të rëndësishme si CNN, BBC, Haftington Post etj., etj.,ka alarmuar shumë struktura sigurie dhe shërbimesh inteligjente në BE dhe sidomos në rajonin tonë.

Zhvillimet ekstreme po e bëjnë edhe më të paqartë ardhmërinë e Lindjes së Mesme dhe po shënojnë atë që ish-ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fisher (shef i diplomacisë gjermane deri në vitin 2005), e konsideron “rikthim historie”. Në fakt ish-zëvendëskancelari gjerman në artikullin e publikuar gjatë 48 orëve të fundit edhe në shqip në disa site, referencë të parë ka një parashikim të Francis Fukuyama njëzet vjet më parë, kur ai parashikonte “fundin e historisë” dhe botën që mban frymën.

Se çfarë po ngjet në territoret e sotme të Irakut, Sirisë, në përgjithësi në Lindjen e Mesme etj., kjo është pjesë e një misioni të ri informues për mediat globale dhe qytetarët e tmerruar e të ndarë të asaj pjese të botës. Reaksioni zinxhir duket se ka nisur, por ndalimi apo masat preventive për lokalizimin e tij janë ende të paqarta dhe sipas shenjave, edhe të pamjaftueshme. Por kjo histori në zhvillim, me ndikime dhe të papritura të ardhme, me tronditje të pashmangshme dhe sidomos me trazime si në parashikime të “fundit të historisë”, po e përfshijnë edhe hapësirën shqiptare. Në artikullin që cituam me autor Joshka Fisher, që mban titullin “Lindja e Mesme dhe rikthimi i historisë…”, në fund të tij theksohet:

“Për Europën, zhvillimet në Lindjen e Mesme paraqesin dy rreziqe madhorë: rikthimi i luftëtarëve xhihadistë që kërcënojnë të sjellin terrorizmin me vete, si dhe përhapja e ideve të tyre ekstremiste në Ballkan. Në interes të sigurisë së tyre, Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare do të detyrohen t’i kushtojnë më shumë vëmendje Europës Juglindore”.

Xhihadizmi dhe zhvillimet që lidhen me një doktrinë në ardhje të fuqishme si veprim dhe përmbajtje fetare, kanë nisur të bëhen prezent dhe aktivizojnë edhe shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Kjo përfshirje nga sa e raportojnë pjesërisht dhe paqartësisht mediat, është në shtim dhe me shtrirje të pakontrolluar. Kultura e përfshirjes është e pashfaqur se si dhe deri ku ka mbërritur ndër besimtarë dhe aktivistë që si dukje të parë kanë mjekrat, por si thellësi mbartin heshtjen dhe pazëshmërinë.

Kjo përfshirje shqiptarësh sipas statistikave që vijnë nga jashtë është më e madhe nga sa e dinë strukturat dhe shërbimet tona institucionale. Pandalshmëria e tyre është diçka e thënë dhe e lexuar.

Ajo ka lidhje me ndërgjegjen dhe një kapërcim të ri në besim dhe zell të tyre, pra të këtyre besimtaro-militantëve. Mendimi i institucioneve tona se sipërmarrjet apo masat preventive të Bashkimit Europian, SHBA-së apo strukturave të sigurisë rajonale, duket se reflekton një mentalitet pritmënie dhe delegimi të përgjegjësisë. Ndikimi i kësaj force besimtarësh të indoktrinuar në të ardhmen e afërt është i pashmangshëm edhe në realitetet shqiptare.

Diku me më tepër dukje e diku më pak. Sipas indikacioneve dhe dëshmive të deritanishme, në hapësirën shqiptare në Maqedoni dhe në Kosovë shfaqja e këtyre militantëve është më flagrante dhe tentativat e tyre për dukje dhe organizim po bëhen më të shpeshta. Ndërsa në Shqipëri lëvizjet dhe lidhjet e tyre mbesin më të padukshme, por në disa periferi dhe institucione besimi në periferi qytetesh duket se kanë më tepër organizim.

Ndikimi i frymës dhe lëvizjes së ISIS në Lindjen e Mesme nuk është i kufizuar për territore dhe komunitete të tjera besimtarësh. Alarmi global për këtë dukuri është dhënë me kohë. Ndërkohë që institucionet dhe organizmat e sigurisë në BE dhe SHBA, po shumëfishojnë apelet për institucionet e sigurisë kombëtare të shteteve me më tepër mundësi dhe rrethana për këtë strukturë radikale. Forca terroriste e së cilës, tashmë nuk është e largët për asnjë vend të Ballkanit, aq më tepër për hapësirën shqiptare. Leximi drejt i brendisë apo “frymës së këtij militantizmi”, do të evitonte të ardhmen me antagonizma radikale dhe dasi që gjakojnë. Lindja e Mesme po dëshmohet shumë afër me ne, jo prej diplomacisë dhe sipërmarrjeve shtetërore në shkëmbime tregtare apo lidhje ekonomike, por pikësëpari tronditshëm, përmes angazhimesh dhe përfshirjesh të xhihadistëve shqiptarë.

Ata, nëse kanë ikur për t’u përfshirë në struktura apo formacione të cilat po gjakojnë dhe ndryshojnë historinë e sotme të paqartë të Lindjes së Mesme, nesër, pas rikthimit, do të trazojnë hapur apo fshehtas ndërgjegje dhe zemra bashkëfamiljarësh dhe bashkëbesimtarësh në atdheun e tyre. Për këtë shkak të ikurit në padijen tonë, mund të kthehen si fatkeqësi dhe pësim për ne. Syçeltësia dhe veprimi në këtë rast ka lidhje me njerëzit tanë, të cilët duhen penguar për të mos u konvertuar në ndëshkues dhe besimtarë agresorë të ligjit dhe shtetit dhe natyrshëm edhe të bashkëjetesës mes religjioneve.

2 KOMENTE

  1. Ti nuk po e kupton islamin… nuk eshte xhihadizmi, por ISLAMI…

    ISLAMI ESHTE DHUNE. KUR’ANI ESHTE 10000000 here me i dhunshem se Main Kampf…

  2. Islami është ideologji e mbrapshtë , që në emër të Zotit manipulojn, keqpërdorin bëjn krime dhe vrasin të pafajshmit .

    Nga Halil Preniqi

Komentet janë mbyllur.