Në Arkivin Qëndror të Shtetit ka dokumente që flasin për Xhevdet Dëshnicën: ditari në arrati, i vitit 1925, korespodenca e panjohur me patriotët e shquar: Sotir Peci, Fan Noli, Riza Cerova, Llazar Fundo, Lano Borshi, Ali Këlcyra, Hysni Lepenica, Mehmet Pavari, Sheh Karbunara, etj., me të cilët ishte bashkëluftëtar për çështjen kombëtare.
Nga Agim Dëshnica* dhe Enver Lepenica
“Këta intrigantë, tue interpretuar këto të thëna simbas qejfit të tyre, janë duke bërë një propagandë me tregtarë e bujq se qëllimet e shoqëris “Bashkimi” janë anarshi e bolshevizëm dhe këtë e bëjnë me qëllim diskretitimi për këtë shoqëri, e në dëm të shtetit. Themi në dëm të shtetit, se sot, kur bolshevizma urrehet prej gjithë shteteve të Europës, prandaj këta intrigantë me qëllime të proshtra, thonë këto fjalë”.
Kryetari i shoqërisë “Bashkimi” të qarkut të Beratit, Xhevdet Dëshnica
“Populli nuk është ftuar, në bolshevizëm, por të shpëtoj nga zgjedha feudale dhe zinxhirët që kishin pushtuar jetën ekonomike të tij, zinxhirë që u këputën. Kjo është një shpifje, është një gurë prej synimesh personale për të goditur shoqërinë “Bashkimi”.
Kryetar i shoqërisë “Bashkimi”, Llazar Fundo
Letër e Fan S. Nolit dërguar Xhevdet Dëshnicës
PO NUK VUAJTËM PO NUK PËSUAM MJERIME, IDEALI KOMBËTAR E QËLLIMI FILANTROPIK ME TË CILIN JEMI LIDHUR EDHE, NUK TRIUMFON.
Xhevdet Dëshnica, lindi në Berat në vitin 1896. I ati tij patrioti Sulejman Dëshnica, kishte shërbyer në ushtri me gradën kapiten. Ai në ditë të kremte priste në shtëpi, madje edhe në bahçe, në një qoshk apo në verandë të mbuluar, për kafe, drekë a darkë, miq nga qyteti e fshati, zyrtarë, ushtarakë, doktorë, e mësues, si Babë Dudë Karbunara, Xhelal Koprencka, Sulo Resuli, Baki Gjebreja, Ibrahim Buharaja dhe shumë të tjerë nga mëhalla, të njohur në gjithë krahinën. Aty bisedohej edhe për çështje të mëdha, siç qenë hapja e shkollave shqipe dhe ngritja e flamurit në Berat e në Vlorë.
I biri i Sulejmanit Xhevdet Dishnica mësimet e para i mori në vendlindje dhe të mesmen në gjimnazin e Shkupit. Në vitin 1914 mori dëftesën për mësues në Normalen e Elbasanit me nota të mira. Në vitet ‘20, ishte një nga mësuesit e njohur në Berat e Lushnjë. Në ato vite bashkëpunoi me prof. Jonuz Blakçorin nga Peja, për çështje kombëtare. Miqësia e tyre që nga koha në gjimnazin e Shkupit, si arsimtar e në Shoqërinë “Bashkimi” zgjati deri në moshë të thyer.
Si anëtar i Komitetit të Mbrojtes Kombëtare, Xhevdet Dëshnica u shqua me ligjëratat në mbledhjet me qytetarë e fshatarë në sheshin qendror të Fierit, kundër pushtuesve italianë, me thirrijen “ Lironi atdheun, lironi Vlorën.” Më pas me forcat vullnetare të Beratit, mori pjesë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës si dhe në Luftën e Vlorës, më 1920.
Pas luftës së ‘20-tës ishte sekretar në prefekturën e Vlorës, në nën- prefekturën e Fierit dhe sekretar i financave në prefekturën e Beratit.
Vrasja e pa besë e heroit tonë kombëtar Avni Rustemi do ta hidhëronte pa masë, dhe ai do ti shkruaj një miku të tij: “Andaj siç e ndjeni dhe vet në anormalitetin e sotëm, do jetë nder e mbi nder për ne të shkojmë jetë të vështirë se sa ( mos ardhtë kurrë) të ndodhemi pranë sofrës së mallkuar që është shtruar sot në Shqipërinë mbarë mbi eshtrat e vajtueshme të të madhit Avni e të veteranëve të tjerë të kombit”.
Në korrik 1924, pas vrasjes së Avni Rustemit, kryetar i Qëndrës së Përgjitshme të Shoqërisë “Bashkimi” u zgjodh Llazar Fundo, ndërsa Xhevdet Dëshnica u zgjodh kryetar i Qendrës së Shoqërisë Bashkimi për qarkun e Beratit me degët në Lushnjë e në Fier.
Ai shkruan në kujtimet e tij: “Pasi u ktheva në datën 5 korrik nga Tirana, erdhën më 15 korrik shokët Lazar Fundo etj. e u formua dega e “Bashkimit” në Berat. Kryetar unë, Xhevdet Dëshnica, sekretar Refat Mehqemeja, arkëtar Andrea Sahatçi. Anëtarë: Andon Myzeqari, Kostaq Llavda ,
Goxhomani, Shyqyri Lakra, Rebani Vokopola, Bektash Berberi, Todi Naska. Mandej u shtuan anëtarë të tjerë, Abdurrahman Lakra etj. Berat 20 korrik 1924”.
“Anëtarët e shoqërisë “Bashkimi” ndërmjet të tjerave shfrytëzonin për veprimtaritë e tyre ditët kur në qytet zbrisnin shumë fshatarë, sikurse ishin ditët e pazarit. Kështu në një ditë të tillë drejtuesit e “Bashkimit” deklaruan botërisht para turmës së grumbulluar në Berat se me zbatimin e programit të qeverisë demokratike të Fan Nolit, bujqit do të merrnin tokë, do të shpëtonin nga detyrimi i së tretës dhe nga detyrime të tjera për “dhekamësit e tiranët”, siç i cilësoi çifligarët kryetari i degës së “Bashkimit” për Beratin, Xhevdet Dëshnica” (“Historia e Popullit Shqiptar”, Tiranë 2007, f. 231)
Kështu pra Xhevdet Dëshnica ishte shumë aktiv në krye të shoqërisë “Bashkimi”, për të propaganduar programin demokratik të kësaj shoqërie. Aktiviteti tij është paqyruar në gazetat demokratike,“Bashkimi”, – Tiranë, “Politika”- Vlorë, “Shqiptari i Amerikës “- Korçë ku u botuan shkrime në vlerësim të veprimtarisë atdhetare të Xhevdet Dëshnicës. Gazeta “Ushtima e Tomorrit” duke lëvduar e vlerësuar Xhevdet Dëshnicën e cilësonte si Flamuratar i Rinisë.
Në tetor të vitit 1924, Xhevdet Dëshnica u thirr të punonte në Ministinë e Luftës. Në 24 dhjetor pas qendresës me një batalion në Qafën e Tujanit, teksa Qeveria e Nolit, po largohej, i ndjekur nga forcat e Ahmet Zogut u ngjit maleve me dëborë të Dëshnicës e Skraparit. I vetëm, në thëllim, ditën flinte i fshehur nën shkurre, natën, ecte i mësuar në errësirë. I ushqyer me rrënjë bimësh e lënde lisi, kalonte nga një shpellë në tjetrën, i mbrojtur nga të ftohtët e kafshët e egra.
Gjatë nëntë muajve në arrati, shënonte në ditar ngjarjet e ditës, shkruante vjersha, dhe dërgonte letra miqëve në qytet. Është me interes për idetë atdhetare dhe karakterin e Xhevdet Dëshnicës të botojmë të plotë një nga këto letra të datës 20 gusht 1925, që u dërgonte miqve:
“I dashuri z. Haxhi Lla Lla!
Koha kritike premtoi të piqem e të çmallem me ju vetëm me letër. Jam gëzuar shumë prej z. suaj, se edhe në këto momente nuk po më ndani prej zemre. Zoti u pastë për mirë e lëntë të mira.
Me anën e z. E, kam mësuar e kuptuar jetëshkrimin tuaj nacionalist, dhe demokratik, si edhe gjendjen e deritanishme. Vuajtjet këso dore burojnë jo nga mendja, por nga shkolla.
Po nuk vuajtëm po nuk pësuam mjerime, ideali kombëtar e qëllimi filantropik në të cilin jemi lidhur edhe, nuk triumfon.
Andaj siç e ndjeni dhe vet në anormalitetin e sotëm, do jetë nder e mbi nder për ne të shkojmë jetë të vështirë se sa ( mos ardhte kurrë) të ndodhemi pranë sofrës së mallkuar që është shtruar sot në Shqipërinë mbarë mbi eshtrat e vajtueshme e të madhit Avni e të veteranëve të tjerë të kombit.
Mos të dëshpërohemi se atëhere koha e ardhëshme dhe brezi i ri që pritet, nuk do hartoj dot historinë e revolucionit kombëtar. Andaj, neve, si ju, si unë e të tjerë shokë këtu,mjermet e
sotshme s’ia detyrojmë kujt, s’na detyron kush, por ne ia detyrojmë atdheut, pra, nuk shuhemi, nesër patjetër, kemi për të qenë në fuqi. Në qoftë se keni studjuar historitë e kombeve të tjerë ose diturinë komëbtare, ka për t’iu hyrë në shpirt, se patrioti është i shtënë të vuaj e të vdesë.
Kam vendosur të dal jashtë kufirit, jo që të shpëtoj, po të gjej rast të punoj. Ndryshe s’kam shpëtim dhe do vdes pa bërë detyrën.
Për të mbaruar këtë qëllim më duhen të holla. Lutem i merrni prej … S… mbas dy letrave që po u çoj dhe në është se të japin m’i dërgoni sa të jetë e mundur sa më parë. Nuk paska më zi, kur në kohën e rrezikut të jetës të mbetesh pa të holla!. Po të mejtohesh çmënde. Po vetëm dashuria tek atdheu të jep kurajo e të mban me shpresë edhe z. S… ashtu dhe miqëve të këtushëm mirësitë s’kam për t’i harruar.
I juaji në arrati, Xhevdet Dëshnica”
Ministria e Punëve të Brendshme më 27 prill 1925 u shkruante prefekturave: …
“I arratisuri
Xhevdet Dëshnica, ish kryetar i shoqërisë ‘Bashkimi” të Beratit është tue u përpjekë për prishjen e qetësisë…” Më poshtë jepet urdhëri i prerë i Ministrisë së Punëve të Brendshme: “… porositeni që të merrni masa ekstraordinare për zanien e tij, gjallë ose vdek, sa ma parë”. Gjithashtu, theksohet në urdhër, “…dhe mbi ata që e mbajnë dhe i japin lehtësinë duke u bërë strehë e të arratisurve të kapen…”. (AQSH)
Siç na tregon në një vjershë Sali Butka, Xhevdeti i ndjekur hap pas hapi nga policia mundi të kaloi kufirin për në Greqi më 12 tetor 1925, me ndihmën e tij, në zonën Kolonjës.
Jeta e vështirë në emigracion.
Fillimisht Xhevdet Dëshnica u vendos në Selanik. Atje u njoh nga afër me patriotët e shquar Sotir Peci (1873 – 1932) e Hasan Prishtina, dhe si atdhetar e mik u kujdes per shëndetin Pecit dhe për sigurimin e jetës së Hasan Prishtinës, që ndiqej nga agjentët e Zogut, me ndihmën e mërgimtarëve nga Skrapari që punonin në fabrikën e tullave në Selanik.
Asokohe Ali Këlcyra (1891 – 1963), i dërgon një telegran Xhevdetit, nga Parisi, ku i thotë: ”I thoni z. Hasan të largohet menjëherë nga Selaniku se jeta e tij është në rrezik.” Hasan Prishtina pasi e lexoi, tha Xhevdetit: “Ashtu jam tue ba, kam me u nis qysh nesër heret, jo sot sepse ka ardhë nji prej fisit tem nga Kosova“.
Por dihet se Hasan Prishtina (1873 – 1933), nuk u largua nga Selaniku dhe u vra nga Ibrahim Sela më 13 gusht 1933. Dëshmia e Xhevdet Dëshnicës dhe Ahmet Gashit për vrasjen e Hasan Prishtinës është publikuar nga studjuesi Ajet Haxhiu. (Ajet Haxhiu “Hasan PrishtinaTirane 1979)
Në emigracion jeta e Xhevdet Dëshnicës ishte shumë e vështurë, pasi në radhë të parë duhej menduar për bukën e gojës. Por pavarësisht vështirsive, në radhë të parë për të nxjerë bukën e gojës, ai nuk hoqi dorë nga ideali dhe veçanërisht do të shquhet për vlerat njerzore, bujarinë dhe fisnikërinë e tij ndaj emigrantëve dhe shokëve të idealit demokratik. Ai qëndroi i lidhur me burra e personalitete të shquara të emigracionit si Sotir Peci, Riza Cerova, Ali Këlcyra, Fan Noli, Llazar Fundo, etj. Aq sa na lejojnë kufijtë e një artikulli po botojmë vetëm disa letra me miqtë:
Personalitetit i shquar i historisë Sotir Peci, i shkruan nga Follorina, datë 31.8.1931:
“Mik i dashur,
Jam më mirë se në Selanik. Klima këtu më vlejti dhe po të mos kisha pak të nxehtë do të kisha shpresa të mëdha për shërim të shpejtë. Puna e ushqimit rrit oreksin. Për ditë ju kujtoj dhe do vazhdoj t’i kujtoj shërbimet e sakrificat që keni bërë për mua, duke m’u ndodhur si një vëlla. Nga ime shoqe të fala. Zonjës nderime të mëdha. I juaji Sotir Peci”.
Letra e Ali Këlcyrës, Paris, datë 19.4.1932:
“I dashur z. Xhevdet,
E mora letrën tuaj. Pas 40 vjet lufte në fushën kombëtare vdekja e Pecit* në mërgim na pikëlloj zemrat të gjithëve. U gëzova që paski arritur në kohë për të bërë detyrën e fundit shokut të vlefshëm.
Zoti Xhevdet, u lutem si juve dhe Halimit* në është akoma aty të kujdesoni që “Liria Kombëtare” të bënjë një artikull të mirë për jetëshkrimin e Pecit, e për vdekjen e tij në mërgim, i patundur në luftën për realizimin e idealit kombëtar me gjithë premtimet apo… që iu bënë si nga italianët dhe nga Ahmeti* me gjithë se qe i sëmurë dhe e parashihte vdekjen. Me që B. K.** , nuk ka një organ të vetin, kjo detyrë e shenjtë e shokut në mërgim i përket organit tuaj.
Cilatdo, të jenë grindjet tona për mendimet, kalofshin, se përpara vdekjes lipset të shfaqet solidariteti. Një artikull i tillë besoj se do të bëj përshtypje në favorin tuaj. Kini mirësinë, u lutem , të më shkruani po të kini lajme me rëndësi. Të fala me mall shoku juaj Ali Këlcyra”.
(*- Sotir Peci- u largua nga jeta në vitin1932 në Follorinë-Greqi. Halimi – Halim Xhelua; Ahmeti – Ahmet Zogu; **- B K- Bashkimi Kombëtar- me qendër në Paris).
Letër e Fan Nolit, Hamburg datë 24.4.1932:
I dashur shok,
Artikullin tuaj, me ca ndreqie dhe ndryshime të pakta, ia dërgova Tashkos* në Boston që ta botojë në “Republika”. Gjithashtu e porosita t’ju dërgonjë 20 numura të gazetës çdo javë që t’ua përndani miqve andej. Na shkruani kurdoherë që të kini lajme, se shoh që ju vjen doresh. M’i dërgoni këtu në Gjermani tani për tani. U gëzova shumë që ju pëlqen “Republika”.
Për fat të keq, jemi ngushtë nga financat dhe u shtërnguam ta vogëlojmë. Se njerëzit janë pa punë fare, a me gjysëm punë që mezi fitojnë bukën. Mos na harroni . Të fala të gjith miqve andej.Juaji me besë Fan S. Noli. Postë Restante, Hamburg Allemagne”
(* -Tashko – Koço Tashko)
Letër tjetër e Ali Këlcyrës 15.9.1933:
I dashur z. Xhevdet,
Letrën tuaj e mora dhe u gëzova që jini mirë, si edhe ne mirë jemi. Fletoret jugosllave, që flasin me gaz për Kotën*, janë lodra të Zogollit* i cili përpiqet [të propagandojë] se në Shqipëri ka një opnion të mirë, ka një parti e kështu do të genjej të huajt.
Brënda flitet sikur do të bjerë kabineti i P. Evangjelit* dhe opinionet për Koço Kotën duan të sjellin aganë e tyre në krye të qeverisë, me këtë mënyrë…”
(* -Kota – Koço Kota; * -Zagolli – Ahmet Zogu; * -P. Evangjeli – Pandeli Evangjeli)
Pas vitit 1935, Xhevdet Dëshnica u stabilizua e jetoi e punoi familjarisht në qytezën Katerinë. Atje u njoh me kultivimin e duhaneve dhe u aftësua si teknik duhani. Më pas, në Shqipëri do të dallohej si një nga specialistët më të aftë për kultivimin e duhanit.
Kthimi në atdhe.
Konsullata shqiptare e njofton Xhevdet Dëshnicën se P.T. Ministria e Jashtme me shkresën nr. A.II.I/214 datë 24.3.1939, lajmëron se jeni i lirë të ktheheni në atdhe.
Pas një mërgimi të vështirë, 15-vjeçar, ai u kthye në atdhe në vitin në 1939 dhe pas një viti u kthye edhe familja.
Në atdhe Xhevdet Dëshnicau takua me të afërmit, me shokët e miqtë e tij të kthyer nga mërgimi, ndër ta, Hysni Lepenica, Ali Këlcyra, Llazar Fundo, Mehmet Pavari, Ali Nishica, Mehmet Kajca, Bahri Omari, etj. Korespodenca me miqtë dëshmon për shpirtin human, për fisnikërinë dhe bujarinë e tij, për kujdesin si prind për jetimët e patriotëve që nuk ishin kthyer në atdhe pasi kishin lënë kockat në dhera të huaj. Kështu do kujdesej për vajzën e Sotir Pecit, apo Tomorrin, djalin e Riza Cerovës, etj.
Ashtu si Xhevdet dëshnica edhe emigrantët e tjerë të kthyër në atdhe pas një mërgimi të gjatë plot vuajtje e sakrifica vihet re besnikëria ndaj shokëve dhe shpirti humanitar në përpjeket e tyre për të bërë detyrën ndaj bonjakëve, fëmijëve të shokve të tyre të idalit që mbenë në dhe të huaj. Kështu Ali Këlcyra i shkruan Ministrit të Punëve të Brendshme: “Zoti Bushati, Halim Xhelua, ka qenë një nga shokët më të mirë të mërgimit, i cili ka marrë pjesë në të gjitha lëvizjet kombëtare. Ky shok vdiq në mizerje, në mergim. Dy djemtë e tij janë shumë nevojtar. Eshtë një detyrë morale për gjithë patriotët t’u sigurojnë mjetet e mësimit djemëve të të ndierit.
Ju lutem t’i jepni një burse të brendshme djalit të tij. Me nderime Ali Klisura”.
Po kështu në një letër që Hysni Lepenica i dërgon Xhevdet Dëshnicës nga Burreli, ku ishte prefekt, më 7 prill 1940, marrim vesh se ata interesoheshin të fejonin vajzën e patritit të shquar Sotir Peci me Uan Filipin. (Shih gazetën “Telegraf” dt. 26.01.2021, f. 20 – 21)
Në vitin 1942, i vlerësuar si specialist duhani nga Ibrahim Biçaku, u vendos me familjen në Elbasan dhe nisi punën si drejtues në fermën e duhaneve në Cërrik, duhane që furnizonin fabrikën “Flora” në Tiranë. Përveç punëve për mbarëvajtjen e fermës, ai u mësoi fshatarëve për rreth kultivimin e duhanit për rendimente të larta, prandaj edhe sot e kësaj dite ai kujtohet me respekt në ato fshatra.
Partizan me armë në dorë kundër pushtuesit fashist.
Gjatë luftës kundër pushtimit italian ishte mik me të gjithë ata, që luftonin për lirine e atdheut, ndaj mbante lidhje, si me Mestan Ujanikun, Rrahman Ruçin, po ashut edhe me Ali Këlcyrën, Bahri Omarin, Tefik Gabranin, etj. Herë pas here në kohë dimri ndërmerrte udhëtime me rrezik për jetën në rrugën me postoblloke ushtarake drejt Tetovës me makina të ngarkuara me trakte e pajisje lufte të fshehur në dëngjet e duhaneve.
Në maj 1943 e la punën në Cërrik dhe doli partizan duke u inkuadruar në batalionin Dumrea me komandant Petrit Hakanin.
Në vitin 1944, Xhevdet Dshnica e priti me dhimbje lajmin për Llazar Fundon të pushkatuar nga partizanët në Kolesjan të Kukësit. Në vitin 1945 nuk u pajtua me rregjimin e diktaturës që u vendos në Shqipëri, në kundërshtim me idetë tij demokratike, edhe pse komunistët kishin vrarë në prita shokët e tij të idealit.Veçse për të mbajtur familjen, vazhdoi të punonte, referent ushtarak në prapavijë.
Në vitin1946, Xhevdet Dëshnica u largua nga ushtria dhe punoi kryeteknik në industrinë e duhaneve, por pa mbushur vitin në këtë detyrë, me urdhër të Petrit Hakanit, ish komandantit të tij, por tashmë i shndërruar në prokuror ushtarak, u arrestua si sabotator e zjarrvënës i fabrikës së cigareve në Tiranë!
Në hetuesi ish komandanti i tij, Petrit Hakani, i shndërruar tashmë në bishë komuniste, e torturoi shtatë muaj rresht, të varur prej krahësh në hekurat e dritares, i akuzuar për lidhjet me “reaksionarët” , Mestan Ujaniku, Ali Këlcyrën, Hysni Lepenicën, Uan Filipin, Sheh Karbunarën, Riza Danin, etj.
Pas dënimit të Koçi Xoxes, një trup gjykues tjetër e dënoi Xhevdet Dëshnicën me kohën e paraburgimit për pakujdesi në punë. Më pas ai do të punësohej si teknik duhani në Minisrinë e Bujqësisë dhe me këtë detyrë do të shëtiste gjith qytetet e Shqipërisë.
Në vitin 1957 Xhevdet Dëshnica doli në pension. Edhe në kohën e pensionit ai mbeti aktiv dhe i vlerësuar, sidomos nga shokët e tij të vjetër. Ndërmjet të tjerave këtë vlerësim e marrim vesh edhe nga një letër që i dërgon atij Vexhi Buharaja:
“I dashur Xhevdet!
Lusim të jeni mirë me gjith shtëpinë. Ndofta na vjen rëndë t’ju çqetësojmë, por duke mendur se ju jeni gjithmonë i ri, kur është puna për gjëra me interes të përgjithshëm jemi të shtërnguar t’ju kërkojmë:
Pranë muzeut tonë, këtu në Berat, kemi hapur një kënd për shokun tuaj Riza Cerova. Mirëpo na mungojnë dokumentet e mjaftueshme. Ne dimë me siguri se familja e Rizait ka një pjesë të korespodencës së Rizait në mërgim.
A do të mundeshit ju si mik i familjes së Rizait, ta bindni këtë, që të na lejojë të paktën të fotografojshim këto letra?
Në rast se po, lutemi të na njoftoni mundësisht brenda datës 15 prill, duke na treguar edhe adresën e shtëpisë së familjes Cerova, që të drejtohemi kur të vijmë në Tiranë.
Nuk di në se edhe ju do të kini dokumente nga revolucioni i 1924 –ës (fotografi, shkresa që lidhen me Beratin)
Ju uroj shëndet qetësi e pleqëri të mbarë. Zonjës tuaj të fala, fëmijëve u puth sytë.
Berat, 23 mars 1959
Përqafime vëllazërore Vexhi Buharaja”
Drejtimi: Vexhi Buharaja, Muzeumi Berat
Në vitin 1962, me rastin e 50- vjetorit të Pavarsisë, Xhevdet Dëshnica e shumë bashkëkohës, u ftuan në festimet e Vlorës dhe u dekoruan për veprimtarinë patriotike, por më vonë u harruan dhe nuk u fol më për ta.
Xhevdet Dëshnica si gazeta e poet.
Hapat e para në gazetari Xhevdet Dëshnica i hodhi, kur ishte mësues në Berat, Lushnjë dhe me punë në Fier. Në emigrim në mbarim të një arratie të vështirë, nga Follorina e Volosi u vendos për një kohë të gjatë në Selanik. Nga viti 1926, atje bashkëpunoi me Riza Cerovën e Xhelal Prevezën me shkrime për gazetën “Liria Kombëtare” Në shkrimete tyre trajtonin kryesisht probleme të gjendjes së bujqësise në Shqipëri dhe rrugët për daljen nga prapambetja,
Është njeri prej publicistëve më të shquar të gazetës “Liria Kombëtare”(1925 – 1935) që botohej nga mërgimtarët politik shqiptar në Gjeneve, Svicër nën drejtimin e dr. Omer Nishanit.
Si një ndër veprimtarët e Komitetit të Çlirimit Nacional shkroi një varg artikujsh me frymë patriotike e demokratike në gazetat “Liria Kombëtare”, “Republika” e Fan Nolit në Boston, “Shqipëria e re “, Konstancë (“Fjalori Enciklopedik” Tiranë 2008, f. 463)
Fan Noli e ka vlerësuar Xhevdet Dëshnicën si gazetar kur më 24 prill 1932 i shkruan: “Na shkruani kurdoherë që të kini lajme, se shoh që ju vjen doresh. M’i dërgoni këtu në Gjermani tani për tani. U gëzova shumë që ju pëlqen “Republika”.
Në vitin 1957 pas daljes në pension nisi të merrej me shkrime për atdhetarët e shquar në histori të kërkuar nga historianë, gazetarë dhe puonjës të Muzeut Historik të Beratit, ndër ta,Vexhi Buharaja. U ftua të fliste në një mbledhje përkujtimore në Tiranë për Riza Cerovën.
Xhevdet Dëshnica kishte edhe dhuntinë e poetit. Ai ka bërë disa vjersha. Gjatë kohës në arrati janar 1925 – 12 tetor 1925, ai shkruan “ PO PRES ME SHOKËT NË MAL”
O Adriatik me val’
I thuaj Fan Nolit të dal’
Po e pres me shok’ në mal
Ku fryn era dhe Veriu
Ku bie breshëri edhe shiu
Ku ngrin akull e bie borë
Atje, jam me pushk’ në dorë.
Shtrirë poshtë në bregore.
Në mërgim, në Volos- Greqi në vitin 1927, ai shkroi një poemë të gjatë “MALLI PER ATDHE”
Në dhe të huaj po e shkoj jetën,
Ndonse natyrës i shoh stoli,
Zemra e fjalët të shkreta mbetën,
Se jam larg teje o mëm’ Shqipëri!
Pyje, lirishte kudo shikoj,
Kroje, përrenj, teposhtë, kur rrjedhin,
Zhurmë, mërmërimë, vë vesh, dëgjoj,
Si ty Shqipëri jo, nuk më dehin!
Xhevdet Dëshnica u nda ng jeta në 20 korrik 1972 në Tiranë, pas një sëmundje të gjatë qysh nga koha e arratisë maleve me dëborë, në shpella e në thëllim.
Aktiviteti patriotik i Xhevdet Dëshnicës nuk është vlerësuar sa duhet, ose në libra të ndryshëm është shmangur e vërteta, për arsye që dihen. Vetëm historiania Marela Guga në veprat e saj ka hedhur dritë për veprimtarinë patriotike të Xhevdet Dëshnicës (Shih: “Prefektura e Beratit 1920- 1939”, Tiranë 2012 dhe “Njerëz me kontribute në histornë eBeratit.” Tiranë 2013).
Keshilli Bashkiak i Beratit, i ka akorduar Xhevdet Dëshnicës titullin Nderi i Qytetit, me këtë motivacion: “Për kontribut të shquar atdhetar dhe patriotik në shtetformimin dhe shpalljen e pavarësisë si një shtet i lirë dhe sovran, për sakrificën humane intelektuale dhe qytetare në mbrojtje të vlerave më të mira morale dhe shoqërore të qytetit tonë dhe mbajtjen lart të emrit shqiptar dhe krenarisë kombëtare.”
* * *
*) Agim Dëshnica ka lindur në Selanik në vitin 1933 dhe jeton në Boston SHBA. Është poet, përkthyes dhe studjues i historisë. Ka botuar disa libra dhe në SHBA ka fituar tre çmime të para për krijime në prozë.
— F u n d —
DOKUMENTE E FOTOGRAFI
QË
TË ZGJIDHEN NGA GAZETARI
Atdheut si kane munduar ATDHETARET e PERKUSHTUA… JU jemi BORXHLLINJ!..!
Ju faleminderit Botuesve te kesaj faqeje te sheklqyer Hitorike, po e quajte kesa figurë te shquar atdhetare si Xhevdet Deshnica dhe tere bashkekohesit e tij. Keq me vjen 85 vjeçar e sot mesoj keto hollesi per kete Poatiotet te kohes, deri pas çlirimit Ai Atdheun ne plan te pre. Ju falemindrit, nga Toronto ju shkruaj, qe po e quaj te njejte, nga hallet e Shqiperise sone… mire qe jetojme si emigrante ne nje shtetet Social MODEL si Kanadaja. Bashkekohes me ngushellojne me maredheniet qe mbajme dhe aktivitete shoqerore, te organizuara ne shoqata atdhetare.
Mbrodhesite shoqerofshin bashkeatdhetaret tane kudo qofshi me AMANETIN; Bjerini BOTES ANE e MBANE po mos e harroni VATANE*. Faleminderit *Fjale e Lire* sa na sillni. Me mbi 80 *Pasues VETERANE* ne Toronto ju pershendes.
85 vjeçari BIR i *DANGELLISE NAIMJANE* Ni Kapedan Jano Xh Xhoga Zavalani krye çete Dangellise RENE, krah çeten e Papastath melanit, me Nendor 1913 te *Ura Dashit* mes Dangelli-Shqiperise, trupat e fqinjeve jugore, sulmuar vendin sa shpallur PV, i madhi Ismail Qemali me shoke. Faleminderit Qarkut Gjirokaster ne 100 vjetorin e PV, nderuar, mes Frasherit ne25 maj 2013- *DITE e Naimit*. Figura te tilla duhen evidentuar… Falemindrit, sa beni te *Fjala e Lire*.
Pasuesi Veteran 85 vjecar:
Toronto-02-02-2021 Guri Naimit D (Dh Xh)
Komentet janë mbyllur.