Ndahet nga jeta:
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
Sot, në mëngjes, në Internet lexuam këtë lajm: “Me hidhërim të thellë ju njoftojmë, se u nda përgjithnjë nga jeta, nëna jonë Xhevahire Gashi-Vidrica.Varrimi bëhet në Tufinë, ditën e dielë, ora 13:00.Adresa e familjes është: “Rruga “5 Maji”, pallati në formë U-je, Tiranë. Nga: Familja Vidrica”.
Me këtë rast, ju dërgojmë ngushëllimet tona dhe marrim pjesë në hidherimin e madh të pjesëtarëve të familjeve Vidrica e Gashi, si dhe artdashësve të Malësisë se Gjakoves (Tropojë), për ndarjen nga jeta të “fluturës” brilante të valleve popullore të asaj krahine, Xhevahire Elez Gashi-Vidrica! Jemi të sigurtë që emri i saj do të mbetet i paharruar dhe do të kujtohet gjatë, nga të gjithë ata, që e njohën dhe brezat pasardhës.
Në shenjë nderimi e kujtimi, për jetën dhe përkushtimi e saj, më poshtë po ribotojmë një shkrim modest.
Tiranë, 18 nëntor 2017
* * *
“Kur shkruan për një person të caktuar, së pari, nëpër mend kalon vitet e shkuara. Pra, përpiqesh të kujtosh njohjet e lidhjet e mëparshme me të. Kam dashur të shkruaj disa herë për një nga talentet më të spikatur të valles popullore tradicionale të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Është fjala për “fluturën” ose valltaren brilante e, ndoshta, të papërsëritshme të asaj treve, Xhevahire Gashin. Por nuk e di, se si jam “ngatërruar” në këtë gjë dhe vetëm tani po i shkruaj këto pak radhë. Jam i nxitur edhe nga fakti se ajo, kohët e fundit, ka qenë e shtruar në një spital të kryeqytetit Tiranë dhe tani vazhdon të jetë ca e pamundur nga shëndeti, në shtëpi. Me këtë, dua të shpreh nderim e respekt për talentin, përkushtimin dhe interpretimet e saj, nëpër skenat shqiptare dhe jashtë tyre.
Në vitin arsimor 1957-1958, pas mbarimit të gjimnazit në Tiranë, m’u dha rasti të jem mësues në shkollën 7-vjeçare të fshatit Tropojë. Aty kisha koleg edhe shokun e shkollës 7-vjeçare të Kolgecajt (sot qyteti “B.Curri”), Fahri Doçin, sot “Mësues i Popullit”, më vonë kunat i Xhevahires. Ndërsa drejtor kishim normalistin e Elbasanit, Elez Gashin, gjithashtu tani “Mësues i Popullit”. Ky na tregonte se kishte 5 vajza dhe se i kishte rritur me vështirësi, pasi bashkëshortja e tij ishte ndarë nga jeta në moshë të re. Njëra nga ato ishte Xhevahirja, e cila më vonë do të bëhej e njihej një ndër valltaret më virtuoze të Malësisë së Gjakovës (Tropojë) ose do të mbetej përherë “xhevahire”, në interpreptimin e tyre.
Vitet rodhën e përsëri u takova me Elezin, në vitet 1966-1973, kur shkova familjarisht, nga Tirana, në qytetin “B.Curri”. Në atë kohë, pesë vjet isha kryeinspektor i kulturës së rrethit, ndërsa ai mësues në shkollën 8-vjeçare të qyteti “Bajram Curri”. Siç dihet, atëherë tregohej kujdes i veçantë për lëvizjen amatore kulturore-artistike. Në shkallë rrethi, kishim ngritur një ansambël të këngëve e valleve popullore, me emrin e bukur “Valbona”.
Ai jepte koncerte, herë pas here, për banorët e qytetit e rrethit dhe e përfaqësonte krahinën tonë në veprimtaritë në shkallë kombëtare. Kuptohet, se në këtë ansambël kishim mbledhur talentet më të spikatur, si për këngët dhe vallet popullore. Kujtoj tani me nderim këngëtarët: Isuf Halili, Riza Zymeri, Zef Avdia, Murat Alia, Pjetër e Ndoc Imeraj dhe valltarët Hazir Rrustemi, Skënder Haklaj e Deli Metaliaj, rapsodin Sokol Arifi, instrumentistët Ali Mula, Malush Shabani e Sokol Zmajli dhe mjaft të tjerë. Ndërsa nga vajzat, ishin bërë të njohura valltaret e shkathta Bubë Mici e Hajrie Haklaj, vogëlushet e “Valles së gështenjave” e të tjera.
Por ajo, që i jepte jetë e gjallëri të veçantë valleve karakteristike tropojane, ishte pikërisht Xhevahire Elez Gashi. Kishte dalë në skenë që në vitin 1955, kur ishte 8 a 9-vjeçare, nxënëse e shkollës 7-vjeçare dhe nuk iu nda asnjëherë. Duke parë talentin e saj, dy vjet më vonë, ajo ishte dërguar pjesëtare në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, në Moskë, për ta përfaqësuar Shqipërinë në një festival ndërkombëtar, ku u nderua me çmim të parë. Por edhe në vitet pasardhëse, ajo nuk iu nda skenës edhe kur u martua me bashkëfshatarin tim, Gani Vidrica dhe lindi e rriti 6 fëmijë: Kozetën e Anën, Bardhylin, Fatmirin, Albanin e Taulantin. Bile, dy nga djemtë e saj, Bardhyli e Fatmiri arritën të bëhen valltarë të talentuar, në udhën e nënës së tyre Xhevahire, aq të njohur për interpretimin e valles popullore tropojane.
Në vitet pasadhëse, nuk kishte shfaqje folklorike në bazë rrethi, ku ajo të mos ishte ndër më të dalluarat dhe më të pëlqyerat në skenë. Kjo vinte se Xhevahirja binte në sy për lëvizjet e saj të shkathta e të sakta. Ruante besnikërisht traditën burimore të atyre valleve, që i kishin kërcyer historikisht, vajzat e gratë e asaj treve. Tani, pas kaq vitesh, më kujtohet dhe një shfaqje e ansamblit “Valbona”, në qershor 1970, para popullit të qytetit e fshatrave të rrethit të Tropojës. Kur Xhevahirja doli në skenë dhe vallëzoi si “flutur”, sheshi i stadiumit të qytetit shpërtheu në duartrokitje të fuqishme. Po kështu, u prit ajo ngrohtësisht edhe në sa e sa shfaqje të tjera, në Festivalet Folklorike të Gjirokastrës dhe deri në Festivalin Ndërkombëtar, në Ohër të Maqedonisë. Në të gjitha këto veprimtari, ajo është shpallur “Laurate e Festivalit”.
Nuk jam specialist i valleve e i këngëve popullore të vendlindjes sime, Malësi e Gjakovës (Tropojë). Por kam venë re me kënaqësi se hapat e valleve popullore të asaj krahine, luajtur nga Xhavahire Gashi, kanë shërbyer edhe për koreografët e Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve Popullore të Shqipërisë. Kështu, mund të them dhe për “kopjimin”, që ata u kanë bërë hapave të valltarit të jashtëzakonshëm të asaj krahine, Hazir Rustemi. Koreografi i njohur, Ramazan Bogdani është shprehur, kur Xhevahirja mori pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar, në Librazhd (2002): “Duhet përgëzuar Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore, që i mori këto “bulëza” dhe i bëri perla të Shqipërisë e me përhapje edhe më të gjerë.
Kam pasur fatin e madh, që punoj prej kohësh me të dhe Xhevahirja nuk është vetëm një valltare, por edhe një bartëse e folklorit të Malësisë së Gjakovës, përsa i përket zakoneve dhe riteve të dasmës e posaçërisht për veshjet popullore, të cilat i ka pasur dhe i ka në shpirt”. Po, është e vërtet se ajo, si qëndistare e talentuar, ka përgatitur sa e sa veshje të bukura popullore të krahinës, sidomos për gratë e vajzat, me të cilat pastaj ato edhe kanë marrë pjesë në veprimtaritë e ndryshme kulturore-artistike.
Megjithëse mosha e gjendja shëndetësore nuk ia lejon të dalë më në skenë, tani Xhevahirja sjell ndërmend udhën e përshkuar nëpër skenat lokale, kombëtare e ndërkombëtare. Dhe, natyrshëm, ka nostalgji, por dhe krenari të ligjëshme për vitet e shkuara, kur nuk u kursye as u lodh ndonjëherë, duke e kërcyer me pasion vallen popullore të krahinës së vetë. Talentin e saj të rrallë ajo e shfaqi, së pari, para malësorëve të vendlindjes, por dhe në skena të tjera shqiptare, ku u ndoq me dëshirë dhe u duartrokit nxehtësisht.
Në mbyllje të këtyre radhëve, i urojmë nga zemra valltares “flutur”ose “xhevahire” të Malësisë së Gjakovës(Tropojë), Xhevahire Gashi: Shëndet të plotë, jetëgjatësi e lumturi familjare!”
(Nga libri, me autor Murat Gecaj, “Për ju, krijuese”, Tiranë, 2015, faqe 222-224)