Ilustrimi nga Dea Halimi
Dea Halimi
Nga libri “Yjtë farfuritës” tregimi për shkronjën Xh
Para dyqanit të xhamaprerësit, Xha Xhenxhefili ka mbjell disa xhenxhefila. Ai përkujdeset shumë për secilin gjeth, për secilin gem të bimës. Ai është xhamaprerës dhe në dyqanin e vet ka punuar disa kulme shumë të bukur, të cilat i ka përforcuar me disa shufra për t`i ruajtur dhe krijuar ngrohtësi të duhur për bimët. Ka frikë sidomos nga ndonjë top i shqelmuar fuqishëm, i cili do t`ia shpartallonte kopshtin e vogël dhe kaq të dashur.
Xha Xhenxhefili qëndronte para dyqanit dhe herë shikonte kopshtin e vet e herë ne.
– Dea, eja të luajmë… – më thirri Xhenesa.
– Unë dhe Xhenesa, së bashku me fëmijët e lagjes luajmë xhamthi; të ndarë në dy grupe, vendosemi brenda dy rrathëve të largët, të emëruar “xhama” dhe e ndjekim njëri-tjetrin për ta kapur.
Po në atë kohë, për çudi, Xha Xhenxhefili çdo herë del para dyqanit dhe i ujitë xhenxhefilat.
– Luani, luani! – thotë. – Kënaquni… veçse gjithnjë të keni kujdes t`i ruani xhenxhefilat. E shikoni sa e kanë hijeshuar këtë copëz tokë…
– Çfarë do të thotë xhenxhefil, – m`u afrua e më tha Xhenesa, shoqja ime e lagjes.
– Këtë do të na e thotë për këtë barishte xha Xhenxhefili. Ai i njeh mirë dhe me kaq xhelozi dhe dashuri kujdeset për to
– Xhenxhefili është bimë barishtore shumëvjeçare e vendeve të nxehta, me gjethe si heshta e me lule të verdha, rizomat e së cilës kanë një lloj vaji dhe përdoren të thara për t’u dhënë erë të mirë pijeve dhe gatesave… – na shpjegoi xhamaprerësi.
– Shoqja ime, Dea, – i tha Xhenesa xha Xhenxhefilit, – është në klasë të parë. Gjatë javës do ta mësojë shkronjën Xh.
– Shumë fjalë fillojnë me shkronjën xh, siç është xhingël apo xhamadan apo xham apo Xhind…
– Çfarë do të thotë Xhind, – e pyeti Xhenesa.
– Xhind është një figurë e besimeve dhe e përrallave popullore, me prejardhje nga Lindja, e cila përfytyrohet si shpirt i keq, që del natën e që ka fuqi të mbinatyrshme mbi njerëzit e mbi sendet…
– Qenka gjë e frikshme, – tha Xhanesa.
– Do të qe më mirë të na flisje për xhamin ndoshta.
Xha Xhenxhefili qeshi.
– Xhami është qelq, ka me ngjyrë të bardhë, të gjelbër, të verdhë; përdoret për llamba të jashtme e të brendshme, për abazhurë e figura të veçanta-mahnitëse. Natyrisht, ka fletë prej qelqi që vihen në dritare, në dyer e në dollapë, për të hyrë drita përmes tyre. Përdoret dhe për korniza, në të cilat keni dëshirë t`i ruani fotografitë apo pikturat tuaja të bukura, për t`iu kujtuar për kohë të gjatë copëza përjetimesh të bukura…
– Për xhamin , – do të mund të flisnit tërë ditën, ndoshta ta shkruanit dhe një tregim, – ia bëra unë.
– Jo një tregim, por një libër me shumë fleta, – tha ai, qeshi prapë duke e lëvizur kokën e hyri në dyqan, të priste ndoshta ndonjë xham.