Xhemal Ahmeti
Mbrëmë kur pash në disa nga portalet wahabiste një fatwa të gruas së Fuad Ramiç me shpifjet më monstruoze kundër Arbana Xharra -s, thash: “ia nisën këta sërish”. Për më shumë Ramiç i akuzuar për terrorizëm është i zënë studiove të KlanKosovës duke shpëlarë veten.
Natyrisht pa lënë anash rifyerjen e figurave që nga Skënderbeu e deri tek i fundit – pa i interesuar as medias as atij se fyen dhe nxit. Nuk ka kohë dhe e ka ndërsyer gruan – kështu mendova. Se vërtet qenka kampanjë e orkestruar e “forcave të bashkuara të përtejbosforit” u binda kur sot lexova reagimin e ambasadës turke kundër një interviste të saj me studiuesin amerikan Philips. Pra s’qenka siç u lajthita fillimisht se kanë marrë injeksion nga Vuçiçi e ndonjë primat shqiptar, por më tepër.
Me siguri ju kujtohet kur para 4 -5 viteve Arbana Xharra nisi tekstet kundër ekstremizmit nën petkun e religjionit islam. Çka e pandehte shumica absolute e njerëzve të mediave, sociologë, çegevarat me kaçketë të gjelbër nga orienti dhe plot, shumica absolute e kolegëve të saj: Islamofobe.
Se kjo dhe një grusht njerëzish tjerë shpikin “dukuri të paqena”. Tash të njëjtët dhe BIK kërkojnë të holla për t’i resocializuar ata që në fillimet kur Xharra jepte alarmin nuk ekzistonin, nuk ishin, por vetëm si projeksione të Xharrës me kompani. Dhe shumë të tjera si kjo.
Kështu ndodhë në shoqëritë që mohojnë realitetin. Kështu ndodhë me mediat që në mungesë të guximit dhe profesionalitetit shpallin të paqena edhe bombat para hundës, që ua rrezikojnë me jetë edhe fëmijët.
Përkundër këtij zhvillimi – pra që e nxori zonjën Xharra në të drejtë – vazhdojnë kërcënimet, dakord ato ndërrojnë qendrat herë në Beograd, herë në Tiranë, herë në Stamboll e herë në Prishtinë, por në thelb kjo gazetare jomarionetë paguan një çmim shumë të lartë për punën që bën: ajo kërcënohet për çdo ditë. Rrezikohet për çdo orë nga mesazhe nga më fyeset, me horror-skena për familjarët e të ngjashëm. Ajo kërcënohet me shpifje edhe publikisht nga gratë e të akuzuarve, nga të çmendur e të rekrutuar mendërisht nga kjo rrymë, që i përcolli 700 shqiptarë nga mbarë kulturosfera në luftërat arabe.
Gjithë këta sërish kanë guximin ta quajnë dikë islamofobe, turkofobe. Kanë ngase gjenden në një shoqëri dhe shtet pa kurriz, pa dinjitet, pa integritet dhe pa fuqi ta mbrojë qytetarin e vet dhe fjalën e lirë të tij/saj.
Për ne që jemi jashtë e hedhin nga raketa është lehtë. Për ata atje që japin opinione të pavlera edhe për përmbajtjen e pesticideve; emancipimin e kuajve nga kafshë punë në modele rekreacione për elitat dhe temat nga të cilën s’dinë gjë po ja ulurijnë; për ata të ngakruar si marioneta klanesh politike e ekstremizmin nuk e ngucën kurrë është lehtë. Po Arbana Xharra jeton aty. Kjo nuk është hera e parë që e sulmojnë shtete tiranike si ai serb e ky turk për t’ia mbyllur gojën.
Pas kësaj revyje vërtet e pyes veten: a ia vlen moj motër kjo jetë nën presion, kërcënime e rrezik për një shoqëri të këtij lloji? Një shoqëri me polici që kurrë nuk ndërhyri për t’i ndalë kërcënuesit permanentë? Një shoqëri me media që dje thonin shpik kauza e sot shpëlajnë pikërisht ata që kanë kryer vepra terroriste. Madje habitem se si të mban dikush në punë?
Shpresoj që të kesh sa më shumë mbështetës që edhe kanë guximin ta hapin gojën. Përndryshe të dorëzojnë edhe në Turqi ashtu siç ua kanë dorrëzuar ekonominë, arsimin, kulturën… (e Ramushin në Francë /AÇ)