VRITET GAZETARI, BIE QEVERIA NË SLLOVAKI

0
479

Sulmi kundër gazetarëve është një sulm kundër të gjithë neve

Nga Frank Shkreli

Ja, mu në qëndër të Evropës, në Slovaki, vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian, është vrarë muajin e kaluar gazetari Jan Kuciak dhe e dashura e tij. Vrasja shkaktoi protesta të mëdha anë e mbanë Slovakisë që sipas disa të dhënave në shtyp ishin më të mëdhat që ka parë ai vend, ç’prej demonstratave anti-komuniste të vitit 1989, përfshirë protestat në kryeqytetin Bratislava, ku demonstruesit mbanin plakarta me fjalët: “Sulmi kundër gazetarëve është nji sulm kundër të gjithë neve” dhe “Mafia largohu nga vendi im”. Si rrjedhim i protesatve të mëdha politike mbarë popullore, Kryeministri i vendit, Robert Fico u detyrua të jepte dorëheqjen nën presionin e kërkesave popullore që ai dhe qeveria e tij të dorëhiqeshin, si rrjedhim i vrasjes së gazetarit Jan Kuciak. Më së pari dha dorëheqjen Ministri i Punëve të Mbrendshme, Robert Kalinak, por largimi i tij nuk mundi të shpëtonte qeverinë e Kryeministrit të deritanishëm Robert Fico, i cili dha dorëheqjen fund javën që kaloi, përballë trazirave politike dhe protestave publike. Njoftohet se dhjetëra mijëra sllovakë anë e mbanë vendit morën pjesë në protesta anti-qeveritare gjatë javëve të fundit, për të kërkuar hetime të gjithanshme nga ana e qeverisë mbi vrasjen e gazetarit Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova.

Media vendase dhe ndërkombëtare njoftojnë se kur u vra gazetari Kuciak, ai ishte duke përgatitur një shkrim që do nxirrte në shesh lidhjet midis një grupi italian të krimit të organizuar, i njohur si “Ndrangheta” dhe disa individëve të afërt me kryeministrin Robert Fico. Mos zbulimi i aktorëve të këtij krimi ka shkaktuar zemërimin e publikut mbi korrupcionin në vend, gjë që më në fund çoi në dorëheqjen e kryeministrit dhe të qeverisë së tij. Mos zbulimin e këtij krimi, protestuesit e kanë cilësuar si një gjë të turpshme për vendin dhe kanë akuzuar qeverinë se ka keq-informuar publikun mbi këtë çështje. Presidenti sllovak, Andrej Kiska akuzoi qeverinë për ushtrim të një “pushteti arrogant” në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, është njoftuar se të premtën ishte në plan të zhvilloheshin protesta të tjera në më shumë se 30-qytete, anë e mbanë vendit.

Slovakia, megjithëse anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian(BE), është prekur rëndë nga korrupcioni vitet e fundit, ndërkohë që si rrejdhim i këtij fenomeni të pakontrolluar, partitë politike të të gjitha ngjyrave kanë humbur besimin tek publiku. Por, fatkeqsisht, u nevojit vrasja e një gazetari investigativ dhe të dashurës së tij që të nxirrte nga gjumi, masat e gjëra të zemëruara të popullit që të dilnin në protesta, jo vetëm për të demonstruar kundër korrupcionit në nivelet më të larta të qeverisë së Kryeministrit Slovak, por edhe për të kërkuar drejtësi dhe për t’i bërë presion organeve qeveritare për zbulimin dhe kapjen e vrasësve të gazetarit në fjalë.

Media të ndryshme thonë se kryeminisitri i dorëhequr Robert Fico konsiderohet si një arrogant që e ka zakon të tallet me kundërshtarët e tij politikë dhe me kritikët e tij në media – madje duke i quajtur gazetarët si, “prostituta anti-slovake”, ndërkohë që sipas disa mediave, menjëherë pas vrasjes së gazetarit, ai bëri një sërë akuzash të një natyre konspirative, me qëllim për të larguar vëmendjen e publikut nga kriza e krijuar pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak dhe të dashurës së tij, Martina Kusnirova. Njoftohet gjithashtu se hetimeve për vrasjen e tyre i është bashkuar FBI-aja amerikane dhe Policia britanike “Scotland Yard”.

Dihet se gazetaria investigative është një zanat i rrezikshëm por i pa zevendësueshëm për cilën do shoqëri që beson në ligj e drejtësi dhe për të mbajtur përgjegjës pushtetarët. Gazetarët që përballen me rreziqet më të mëdha në kryerjen e punës së tyre të përditëshme janë pikërisht ata të cilët mbulojnë krimet financiare, organizatat që merren me shitblerjen e drogës dhe me mbulimin e korrupcionit në përgjithësi. Në këtë kategori gazetarie, bënte pjesë edhe gazetari i vrarë slovak Jan Kucian dhe më heret Daphne Caruana Galizia, e cila është vrarë tetorin e kaluar në Maltë. Të dy këto shtete bëjnë pjesë në Bashkimin Evropian dhe mund të merret me mend prej disave se krime të tilla nuk duhej të ndodhin ose nuk duhej të ndodhnin në vende si këto, ku të drejtat e gazetarëve dhe liria e shtypit janë të sanksionuara me kushtetutën vendase dhe me ligje që duhet të zbatohen anë e mbanë BE-ës dhe nga strukturat e bllokut evropian të cilat duhej të siguronin dhe të lehtësonin punën e gazetarëve, pa rrezikuar jetën e tyre, në krye të detyrës. Por, fatkeqësisht, njerzit janë njerëz kudo, si në vendet demokratike ashtu edhe në vendet me sisteme dikatoriale politike — ka njerëz të korruptuar dhe kriminelë që merren me krime ose mbrojnë krimet dhe të korruptuarit, deri në nivelet më të larta qeveritare e shtetërore.

Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, në të gjitha rastet e vrasjeve të gazetarëve investigativ – fatkeqsisht, janë — njëherazi qeveritë, individët dhe grupet që gazetari i vrarë po investigonte – të njëjtit persona të cilët njëkohsisht kontrollojnë gjithashtu policinë, prokurorët dhe gjykatësit, e të cilët sipas ligjit duhej të ushtronin drejtësinë në mbrojtje të gazetarëve të vrarë, duke sjellur para gjyqit vrasësit e fjalës së lirë.

Në mungesë të drejtësisë nga autoritetet shtetërore, vrasjet e gazetarëve si në Sllovaki ashtu edhe në Maltë, me të drejtë kanë shkaktuar zemërim publik, trazira politike dhe protesta të mëdha në këto vende për të kërkuar drejtësi dhe zbulimin e vrasësve – në rastin e Slovakisë duke shkaktuar dorëheqjen, fillimisht, të ministrit të mbrendshëm dhe më vonë të kryeministrit, duke shkaktuar kështu rënjen e qeverisë.
Liria duhet të mbrohet çdo ditë ka thënë ish presidenti amerikan Ronald Reagan. “Për lirinë duhet të luftohet, liria duhet të mbrohet dhe tu dorëzohet brezave të ardhëshëm për të bërë të njëjtën gjë”, për ndryshe do ta humbasim. “Detyra e parë e çdo qeverie”, ka thënë ai, “është mbrojtja e popullit, e qytetarëve dhe jo të shkatërrojë jetën e tyre…Ne populli i diktojmë qeverisë çfarë duhet të bëjë dhe jo anasjelltas. Ne, populli, jemi shoferi e jo qeveria. Qeveria është vetura dhe ne vendosim se në ç’drejtim duhet të shkojë ajo, cilën rrugë duhet të ndjekë dhe me çfarë shpejtësie”, është shprehur dikur ish-Presidenti amerikan, Ronald Reagan.

Një student pjesëmarrës në protestat më të mëdha popullore në Sllovaki ç’prej revolucionit anti-komunist të vitit 1989, i tha agjencisë së lajmeve AFP se, “Unë dua një Slovaki të denjë e të ndershme, ku qeveria punon për të mirën e qytetarëve të vet dhe jo në dobi të saj”. Ashtu si në revolucionin anti-komunist të vitit 1989, me protestat paqësore të fundit, sllovakët treguan se zemërimi i popullit dhe vullneti i tyre për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe liritë në përgjithësi dhe siç u shpreh student sllovak, për një “Sllovaki të denjë e të ndershme”, është mjeti më i mirë për të bërë ndryshime në qeveri, përfshirë edhe rënien e saj kur vritet fjala e lirë.