Vrasja e Jusuf Gërvallës me shokët, i “dyshuari” Behxhet Pacolli, afria e tij me Selim Broshen dhe “vizita zyrtare” në Shqipëri?!

0
652
Atentati ndaj vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës

Ibrahim Kelmendi, Revista Drini22 Janar 2020

A KISHTE ALIBI BEHXHET PACOLLI MË 17 JANAR 1982 ?

Një shkresë që e kam pa moti në dosje të kryehetuesve të LKA (Landeskriminalamt Baden Würtenberger Stuttgart/ Enti republikan i kriminalistikës për Republikën e Baden Vyrtenbergut në Shtutgar), dje e ka publikuar Haki Imeri.

Në atë shkresë, siç shihet në të, bëhet fjalë për komunikimin që kanë pasë BKA [Enti Federal i Kriminalistikës (Bundeskriminalamt)], me institucione policore zvicërane, për të siguruar informata për të dyshuarit Behxhet Pacolli, lidhur me vrasjet e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, më 17 janar 1982, në Untergruppenbach të Gjermanisë.

Në vazhdim po ofroi shqipërimin e shkresën, që e huazova nga faqja e Haki Imeri, të cilit i jam shumë mirënjohës për këtë shërbim që ka bërë:

* * *

[Shqipërim nga gjermanishtja e shkresës që po e shihni në faksimil:]

Enti Federal i Kriminalistikës (Bundeskriminalamt)
ST 33 për LKA BW (Enti i Kriminalistikës i Landit Baden-Württemberg)
Aktualisht në Heilbronn, më 5 shkurt 1982

Shënim
Lënda: Vrasja e trefishtë e tre jugosllavëve në ekzil më 17.1.1982 në Untergruppenbach, Qarku i Heilbronnit;
Këtu: dyshimi (indikacioni) sa i përket veturës Mercedes, me targa zvicerane TI-30408

Më datën 5 shkurt 1982 zoti ZWEIFEL nga Policia Federale në Bernë njoftoi përmes telefonit se është kryer verifikimi i alibisë i mbajtësit të targave me numrat e lartpërmendur.

Mbajtësi Behgijet PECOLLI (Behgjet Pacolli) deklaroi me sa vijon dhe këtë e dëshmoi përmes vulave në pasaportë dhe faturave të hoteleve:

Tha se më 9 janar 1982 ka udhëtuar nga Chiasso në Jugosllavi.

10 janar 1982 – 03:00 – kalimi i kufirit.

Tha se më 10 janar 1982 ka qenë në Maribor për të marrë një vizë për në Shqipëri. Tregoi se me veturën e tij Mercedes ka udhëtuar deri në kufirin e Shqipërisë, ku e kishte lënë veturën. Tha se udhëtimin në Shqipëri e kishte bërë për shkaqe zyrtare, andaj nga pika kufitare Sedar kishte udhëtuar më tutje me një veturë zyrtare.

Sipas tij, më 17 janar 1982 përsëri ishte kthyer në Jugosllavi (vula hyrëse gjendet në pasaportë). Tha se në orën 03:00 (18.1.82) kishte arritur në vendlindje, ku kishte qëndruar deri më 20.1.82. Më 21.1.1982, sipas tij, ishte kthyer në Zvicër.

Ai (Pacolli) tha se e njeh Selim BROSHËN. Bëhet fjalë, sipas tij, për një kushëri të largët. Pacolli tha se e di që BROSHA është shef policie dhe se punon për UDB-në (UDBA). Por tha se mban pak kontakt me BROSHËN.

Raporti mbi verifikimin e alibisë i dërgohet Komisionit të Veçantë; po ashtu edhe kopjet e dëshmive të ofruara.

(Nënshkrimi)
(Müller) KHK

* * *

Behxhet Pacolli

Behxhet Pacolli paskësh thënë se në Maribor, më 10 janar 1982, ka marrë vizë për vizitë në Shqipëri. Atëherë e as asnjëherë Shqipëria nuk ka pas konsullatë në Maribor. Nga Maribori paskësh rrugëtuar deri në kufit të Shqipërisë, duke kaluar kufirin në „Sader“ (që nuk ekziston).

Në Shqipëri paskësh qëndruar në „vizitë zyrtare“ der me 17 janar 1982, dhe sërish është kthyer në Jugosllavi, duke arritur në ora 8 të datës 18 janar 1982 në vendlindje. Aty paskësh qëndruar deri më 20 janar 1982, dhe më 21 janar 1982 qekësh kthyer në Zvicër.

Behxhet Pacolli e paskësh prezantuar Selim Broshën si kushërinj të largët…

Dy mashtrime i heton edhe laiku në këtë rrëfim. Vizën e Shqipërisë në Maribor, më 10 janar 1982, dhe hyrjen në Shqipëri në Sedar. Pastaj, mashtrimi i tretë duhet të jetë „vizita zyrtar“, meqë në janar 1982 Behxhet Pacolli nuk duhet të ketë qenë personalitet zyrtar.

Tani e kanë radhën Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haraddinaj, të dëshmojnë për kolegun e tyre, Behxhet Pacollin, se ai ka qenë i sinqertë atëherë, prandaj e kanë ricikluar në funksione politike, deri edhe president të shtetit…

Uroj, institucionet në Shqipëri të hulumtojnë, nëse Behxhet Pacolli ishte në vizitë zyrtare në Shqipëri, nga 11 deri me 17 janar 1982.

* * *

Faksimilin e kësaj shkrese dhe shqipërimin i kam marrë nga:
https://www.facebook.com/imer.imeri.750

* Marrë nga profili në fb i Ibrahim Kelmendit, aktivistit të njohur të cështjes kombëtare në mërgatë.