Vrasësit e vërtetë dhe vrasësit virtualë të Ahmet Krasniqit

0
1524

Shoqëria kosovare nuk duhet të pajtohet me vrasjet e njerëzve të pafajshëm. Duhet këmbëngulur që të zbulohen jo vetëm vrasësit e Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, i cili u vra në Tiranë para 18 vitesh.

Nga Enver ROBELLI

I ashtuquajturi president i Kosovës ishte shumë i zënë këto ditë. Mbrojti një grumbull beton, që regjimi i Slobodan Millosheviqit na e ka lënë në mes të Prishtinës në biçim të kishës ortodokse; hingëlliu kundër nxitësve të luftës (fjalën e kishte për Albin Kurtin), duke keqpërdorur një deklaratë të ish-liderit të Vetëvendosjes; lavdëroi mollët e Kosovës, thua se pjekja e tyre është meritë e qeverisë së tij; dërdëlliti pak edhe për Ditën Ndërkombëtare të Paqes. Vetëm vrasjen e Ahmet Krasniqit nuk e përmendi fare i ashtuquajturi president vigjilent.

Të mërkurën në Prishtinë u organizua një ceremoni modeste për të kujtuar 18 vjetorin e vrasjes së kolonel Krasniqit. Folën disa figura dytësore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse shefat nuk kanë kurajë të flasin. Ata qëmoti i kanë parasysh interesat e tyre të ngushta, personale, të cilat mund t’i realizojnë vetëm nëse mbyllin gojën për krimet e rënda që kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Se kush e vrau Ahmet Krasniqin, Enver Malokun, Xhemail Mustafën, plot politikanë lokalë të LDK-së – kjo bëhet temë vetëm para zgjedhjeve, kur udhëheqësit cinikë të LDK-së duan të lozin rolin e viktimës për të marrë ndonjë votë.

Që për vdekjen e Ahmet Krasniqit heshtin Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe pronto-banda e tyre, mund të merret me mend arsyeja. Por, që për këtë krim hesht edhe Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti dhe bashkëmendimtarët e tij – kjo s’mund dhe s’duhet të merret me mend. Për këtë Lëvizja Vetëvendosje meriton vetëm përbuzje! Heshtja flet për standardet e dyfishta që kjo parti aplikon për viktimat e krimeve.

Për vrasjen e Ahmet Krasniqit heshtën edhe snobët e kafehaneve të Prishtinës, të cilët duan të jenë edhe publicistë, edhe shërbëtorë të SHIK-ut, edhe liberalë, edhe proeuropianë, edhe vjelës të fondeve brukseliane. Heshtën edhe gjelat e Facebookut, ata që kanë mendim për grumbullin e betonit të quajtur kishë ortodokse në Prishtinë, për planin urbanistik të Prishtinës, për cilësinë e makiatos dhe të shkrimeve të shtypit perëndimor.

Shoqëria kosovare nuk duhet të pajtohet me vrasjet e njerëzve të pafajshëm. Duhet këmbëngulur që të zbulohen jo vetëm vrasësit e Ahmet Krasniqit, ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, i cili u vra në Tiranë para 18 vitesh. Ahmet Krasniqi, kolonel, atdhetar, luftëtar për çlirimin e Kroacisë dhe Kosovës nga sundimi i egër serb, nuk i kishte borxh askujt. Ai erdhi në Shqipëri për të organizuar kryengritjen e armatosur në Kosovë kundër forcave serbe. Duket se profesionalizmit të tij ia kishin frikën ata që heshtin për vrasjen e tij. Kush mund të jenë vrasësit e tij? Le të citojmë këtu agjencinë gjermane të lajmeve DPA, e cila më 22 shtator 1998 shkruante: «Të hënën në mbrëmje në Tiranë u vra Ahmet Krasniqi, <ministri i Mbrojtjes> i qeverisë së shqiptarëve të Kosovës në ekzil. (…) Sipas mendimit të vëzhguesve vrasja e Krasniqit mund të jetë vepër e grupeve rivalizuese brenda UÇK-së».

Një muaj më vonë gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» sillte një reportazh nga Pagarusha: «Pas humbjes së <territoreve të çliruara> shumica e prijësve të UÇK-së kanë ikur në botën e jashtme. Brenda UÇK-së po grinden <ideologët> dhe <ushtarakët>. Disa e shohin UÇK-në si <lëvizje çlirimtare kombëtare>, të tjerët duan ta bëjnë ushtri të rregullt të Republikës së Rugovës. Atentatet tregojnë se në radhët e shqiptarëve mund të ekzistojë një <dorë e zezë>. Në Tiranë u vra Ahmet Krasniqi, ministri i Mbrojtjes i qeverisë kosovare në ekzil të Bujar Bukoshit; Krasniqi shihej si armik nga ana e UÇK-së. Në Prishtinë këshilltari politik i Rugovës, Sabri Hamiti, për pak  shpëtoi nga një atentat. Në dyqanin e Pagarushës njerëzve u vjen keq që nuk ka intervenuar NATO-ja. <Sa me qejf do të donim të shihnim njëherë si hapet zjarr kundër serbëve>, thotë një shqiptar i Kosovës».

Fjalia e fundit «sa me qejf do të donim të shihnim njëherë si hapet zjarr kundër serbëve» shpjegon shumë mirë se çfarë mendimi kishin banorët jo vetëm të Pagarushës për ata komandantë të UÇK-së që prioritet e kishin luftimin e rivalëve politikë dhe të oficerëve profesionistë. I tillë ishte edhe Ahmet Krasniqi. Në atë kohë në krye të UÇK-së si komandant suprem gjendej lartmadhëria e tij Azem Syla, mashtruesi i autoriteteve zvicerane dhe i dyshuari i mëvonshëm për dallavere me toka të serbëve në periferi të Prishtinës. Me kë do niseshit në betejë për të çliruar Kosovën: me kolonel Ahmet Krasniqin apo me kimistin Azem Syla?

Në 18 vjetorin e vrasjes së Ahmet Krasniqit asnjë politikan kosovar nuk kërkoi që qeveria në Tiranë të zbulojë vrasësit. Krimi ka ndodhur në territorin e Shqipërisë dhe ky vend ka obligim të bëjë çmos që vrasësit të marrin dënimin e merituar. Edi Rama të mërkurën në mbrëmje merrej me fotografi historike të Shqipërisë dhe shkruante në Facebook: «Historia e Shqipërisë është si një ripërtëritje e përhershme e rrugës Egnatia që bashkëlidhte Perëndimin dhe Lindjen nëpërmjet truallit arbëror; me gjithë kalldrëmet e plasaritura, Egnatia-Shqipëria është prej shekujsh e prirë të shndërrohet në shëtitoren e qytetërimit europian, në atë çka Faik Konica përkufizonte si <kopshtin shkëmbor të Europës Juglindore>».

Çdo shqiptar i Kosovës mund të vë bast se Edi Rama nuk e ka idenë se kush ka qenë Ahmet Krasniqi, por i njëjti, pra Edi Rama, nuk përton të dërdëllit për «integrime kombëtare». Si mund të bëhen këto integrime me vrasës në liri? Sali Berisha të mërkurën në mbrëmje ishte marrë me një vrasje dhe me ca ullinj. Në 18-vjetorin e atentatit kundër Ahmet Krasniqit po bëhet gjithnjë e më vështirë të dallohen vrasësit e vërtetë dhe vrasësit virtualë të tij.