Vrasësi me pagesë

0
402
Pajtim Xhelo

Tregim ( pjesa e parë )

Sonja Tjurinova e mbylli celularin me zemërim të papërmbajtur dhe e përplasi në çantën ku mbante sendet e tualetit, psherëtiu me zhurmë disa herë, pastaj nisi një ecejakje të pavullnetëshme, duke ndalur hapat heraherës, sikur të donte të kujtonte diçka që e kish shpërfillur ndoshta pavetëdije, po që po e bënte të dyshonte për sjelljen jo të rregullt të Ermalit këto kohët e fundit.

Kish mbrritur që në drekë në Tiranë dhe vetëm pas dy orësh ai i kish hapur telefonin.
– Do të lutem të më presësh edhe gjysëm ore. Jam akoma jashtë Tiranës por po nxitoj, Të lutem, falëm për vonesën, po ashtu më doli një problem. Nuk mund të ta them në telefon.
Çt’i thosh ajo? Qe e detyruar ta priste, nuk dinte ku të shkonte pa Ermalin. Hera e dytë ishte që po vinte në këtë qytet të rrëmujshëm. As që e krahasonte me Vlorën dhe me Sarandën, ku prej tre muajsh po kalonte ditë të paharruara, sidomos mbrëmjet buzë detit, që i kujtonin Santorinin ku pat kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë dhe rinisë, pasi qe larguar nga Moska së bashku me familjen. Në fillim e pati ca të vështirë të mësohej me ishullin, pasi kish lënë hapsirat e pafundme të qytetit të saj të lindjes, po magjia e detit pakngapak ia kish robëruar shpirtin dhe tashmë qytetin e stërmadh po ia largonin nga përfytyrimi agimet dhe muzgjet e pazakonta të ishullit..
Derisa nuk e pat parë Shqipërinë , rusja mendonte se ishulli ku po jetonte ishte Parajsa e botës,po kur pa Sarandën e më pas Vlorën, i kish thënë Ermalit :
– Tani e kuptova se sa e vockël jam unë në këtë botë kaq të madhe.
Ermali pat qeshur :
-Mos më thuaj asgjë, lere habinë pasi të kemi parë edhe disa nga perlat e Shqipërisë.
Ku nuk e kish çuar dhe vajza tashmë nuk qe në gjëndje të thosh se cili qytet apo vend i kish pëlqyer më tepër. Për një gjë ish e sigurt : po të vendosnin të jetonin në Shqipëri, padyshim Vlorën do të zgjidhte njëlloj si Moskën ku pat lindur.
Këtë ia kish shprehur edhe Ermalit disa herë, po djali qeshte dhe nuk i thosh asgjë.
Një ditë më parë ai qe nisur për Tiranë dhe në mbrëmje lajmëroi Sonjën që e priste të nesërmen atje,
– Mos u nis herët, sepse edhe unë do të pres në mesditë para ambasadës amerikane. Do të sqaroj kur të takohemi, mirë zemër?
Taksisti e zbriti para ambasadës amerikane, po Ermali nuk dukej gjëkundi. Sa më shumë kalonte koha, aq më tepër shtohej ankthi i Sonjës, derisa dëgjoi zilen e celularit dhe Ermali e qetësoi që nuk do vonohej.
Minutat e para inati nuk pati dëshirë të largohej, po pastaj nisën të shkonin para saj studentët e Filologjikut dhe zërat e tyre të lartë, çiltërsia me të cilën komunikonin me njeritjetrin, shpërfillja e natyrshme e të rinjve ndaj botës që i rrethonte, rrobat e thjeshta që kishin veshur, lirshmëria me të cilën ecnin krah njeritjetrit, e futën në vorbullën e pafajësisë së botës së tyre
Eh, kush nuk do të donte të ishte student i përjetshëm…
Sidomos ata që qenë diplomuar dhe kishin nisur rrugën e gjatë e plot telashe të jetës.
Nuk mund t’i përjashtoje nga kjo dëshirë edhe të tjerët si Sonja, që nuk pati fatin të përjetonte vitet më të bukura për njeriun, vite pa kokëçarje për asgjë që shqetësonte gjithë pjesën tjetër të njerëzimit.
E them pa mëdyshjen më të vogël se bota është e studentit, bota mendon për studentin, bota punon për studentin, veç bota nuk është edhe aq mikpritëse për të pasi është diplomuar. Deri në atë çast ajo është nënë e dhëmshur, pastaj bëhet njerkë.
I shihte Sonja me zili vajzat dhe djemtë që ktheheshin nga auditorët dhe trishtohej për fatin e saj të vajzës së dy prindëve refugjatë, për më tepër të divorcuar. Të ëmën e rrëmbeu herët nga jeta një ishemi akute, kurse i ati bashkëjetonte me një grua tjetër, me nënën e Ermalit, edhe ajo mbetur e ve që kur Ermali qe katërmbëdhjetë vjeç.
Sonja e përjetoi me dëshpërim humbjen e të ëmës, sepse tashmë ndihej fillikat në këtë botë që po i dukej e huaj, e largët, po fati desh që Ermalit i erdhi keq dhe u afrua me të, në krye të herës për ta ndihmuar, pastaj iu bë e domosdoshme, e afërt dhe nisi ta donte mbi gjithçka që kish më të shtrenjtë. Në fillim hasi në kundërshtinë e të ëmës dhe të babait të Sonjës, po duke parë që të rinjtë duheshin, edhe ata sikur u pajtuan me këtë mardhënie.
Ermali ishte shumë i lidhur me të atin e Sonjës, Nikollaj Tjurinovin dhe vajzës i vinte mirë tek i shihte që bisedonin dhe shoqëroheshin shpesh.
Djali largohej gjithnjë nga Santorini, po Sonja nuk dyshonte kurrë, nuk i shkonte npërmend asgjë e keqe. Një mbrëmje po shëtisnin anëdetit. Ermali dukej i mërzitur, nuk e kish hapur gojën që kur patën dalë nga shtëpia. Sonja e vuri re, po nuk donte ta bezdiste dhe nuk e pyeti. Po shkonte shumë vonë dhe kur vajza e kujtoi që duhet të ktheheshin, Ermali e zuri për duarsh, e afroi pranë vetes, e puthi gjatë, pastaj u shkëput dhe i tha me gjysmë zëri :
– Më duhet të kthehem në Shqipëri.
Sonja nuk tha asgjë.
– Kam disa punë që do kërkojnë kohë të gjatë. Nuk di si do të bëj larg teje, e mira ime!
Sërish vajza heshti. Pështeti kryet te gjoksi i tij dhe i shkoi krahun rreth belit.
Ermali nuk po ia shihte fytyrën e saj , mbi të cilën qenë rrëzuar flokët e dendur, që nata pa hënë i bënte edhe më të errët se ç’ishin. Një çast pati përshtypjen se Sonja ishte përlotur, ia largoi kokën nga gjoksi i tij dhe e ktheu përballë vetes.
Jo, në sytë e vajzës nuk dukeshin lotët. Përkundrazi, atje shkëlqente një gëzim i çuditshëm, i pakuptuar, një ngrohtësi ledhatare, që e bëri Ermalin ta harrontë mërzitjen, kthetrat e së cilës i kishin mbërthyer shpirtin që në orët e para të asaj dite.
Djali u ndie i mjegulluar nga një e panjohur e këndëshme dhe nuk po arrinte të kuptonte shkakun e asaj melodie mbrëmësore që përhapën sytë e Sonjës. Ai e tërhoqi drejt vetes dhe e puthi me etje, sikur të donte t’i linte në buzë edhe shijen e ditëve që nuk do ta kish pranë.
Sonja u shkëput me kujdes dhe e pyeti :
– Pse më puth, sikur po më lë lamtumirën?
Si nuk mori përgjigje, vijoi:
– Do vi edhe unë me ty. Nuk mund të të lë vetëm, kam frikë se do të rrëmbejë ndonjë shqiptarkë lozonjare.
Ishte diçka që nuk e pat menduar më parë, kësisoj nuk foli. I duhej të merrte pak kohë për ta shoshitur. Nisën të ecnin përsëri, të heshtur. Po ndjenin hapat e njeritjetrit që shtyheshin tejane, terrinës që u rrëmbente dëshirat e pathëna dhe mendimet. Tashmë i qenë larguar anëdetit dhe po rrugëtonin nën hijet e rënda të disa pemëve të larta, që fshihnin edhe dritat e zbehta të trotuarit që zgjatej bri rrugës automobistike, ku rrallë kalonte me zhurmë ndonjë makinë e vonuar.
Ermali e puthi sërish.
-Do të them diçka që duhet ta dimë vetëm ne të dy, as ime më, as yt atë – i tha.
– Po pres – ia ktheu Sonja e qetë.
– Do ikim dhe nuk do kthehemi këtu. Të takon ty të vendosësh se ku do jetojmë, në Shqipëri, apo në Rusi. Vendimi është i yti.
– Në vendin tënd keni zakon që gruaja shkon pas burrit – ia ktheu ajo pa u menduar fare – Vendi im është atje ku është vendi yt.
Ermali u ndje ngushtë, pati përshtypjen se Sonja u nis nga forca e zakonit shqiptar që foli ashtu.
– Mos u nis nga kjo – e kundërshtoi – Për mua do ishte njëlloj, si Moska, si Vlora.
Vajza i tha prerë :
– Ta dhash përgjigjen. Është thjesht dëshira ime, e pandikuar nga asgjë. Nëse ti do ndihesh mirë në vendlindjen tënde, ajo do të jetë edhe lumturia ime.
Ai e përqafoi.
– Dije se do të dua dy herë më tepër se ç’të kam dashur deri tani – i tha.
Të nesërmen u nisën për të mos u kthyer më në vendin e huaj për të dy.
Sonja i kujtoi kalimthi këto çaste të jetës në ishullin grek. Pastaj i dolën para syve vendet prrallore të Vlorës dhe bregdetit të jugut. Kjo e bëri të ndihej e pështjellë me një kënaqësi shlodhëse, që i harroi zemërimin me Ermalin që qe vonuar shumë.
Sërish ai nuk po tregohej i përpiktë. Sonja e humbi durimin dhe i telefonoi. Zilja tingëllonte, po telefoni nuk hapej. Provoi disa herë; e njëjta gjë. Vajza hyri në një barkafe, për t’u qetësuar, po meraku për Ermalin që po vonohej e për më tepër që nuk i përgjigjej thirrjes në telefon, nuk e la që ta pinte deri në fund kafen ekspres. Ajo doli nga lokali, provoi të telefononte përsëri, po, si më parë, telefoni tingëllonte dhe nuk hapej. Tashmë kaluan dy orë. Si të bënte, ku të shkonte? Të priste akoma nuk i dukej me vend. Duke luftuar me mendimet e saj, Sonja vuri re një polic që po afrohej. E ndali dhe i tha si e kishte hallin. Në krye të herës njeriu me uniformë i kërkoi të falur, sepse duhet të merrte shërbimin pas pak, po kur pa shqetësimin e vajzës që e fliste shqipen me theks të huaj, u duk se i erdhi keq dhe me dikë bisedoi në telefon.
– Po të pres këtu para ambasadës Amerikane, po mos u vono, se më duhet të nxitoj për të shkuar në kohë në punë.
Pastaj polici e pyeti vajzën:
– Nuk jeni shqiptare, apo jo?
– Ruse – u përgjigj ajo duke e patur mendjen gjetiu.
– Njeriu që prisni është i fejuari juaj?
– Po, bashkëjetojmë. Tani kemi ardhur nga Greqia dhe së shpejti do vëmë kurorë në kishë.
Tjetri u mundua ta qetësonte :
– Mos mendo për keq – i tha – do t’i ketë bërë ndonjë defekt makina dhe po merret me të, ndaj edhe nuk ta hap telefonin. Kjo duhet të jetë arsyeja. Më beso mua, se kam përvojë për këto gjëra.
Si vuri re që rusen nuk e bindën fjalët e tij, polici u përpoq të bënte shaka :
– Apo mos je xheloze dhe mendon se do të ketë takuar ndonjë vajzë tjetër?
Sonja vuri paksa buzën në gaz. Ndëekohë erdhi makina e policisë që u ndal para këmbëve të tyre.
Sonja nisi t’i shpjegonte arsyen pse kish kërkuar ndihmë, po një police femër i tha të hipte në makinë.
– Flasim në Rajonin e policisë .
Sonja u tremb, mendoi se duhet të kish ndodhur diçka jo e pëlqyeshme, po nuk i shkoi mendja për asnjë çast te aksidenti. Dyshoi mos kishte ecur me shpejtësi mbi atë të lejuarën, se e pat bërë disa herë këtë, po gjobave u kish dredhuar paq deri tani. ” Mos ka ngecur me ndonjë polic që nuk i ka hapur rrugë justifikimeve të Ermalit dhe kësisoj e kanë marrë në rjon, apo akoma më keq, i kanë futur makinën në karantinë”
As që e mendonte rrezikun për jetën. Sidoqoftë, hipi e bindur në makinë.
Në Rajon i priti shefi, i cili u tregua shumë i sjellë me Sonjën.
– Lajmëruam të gjithë postblloqet deri në afërsi të Durrësit, të Krujës, Kurbinit dhe po presim përgjigje.
Vajza e falënderoi.
– Keni njeri këtu në Tiranë? e pyeti ai pas pak.
– Jo, kemi ardhur vetëm para pak kohësh në Shqipëri dhe Ermali nuk më ka njohur akoma me njerëzit e tij, po mesa kam mësuar, nuk ka ndonjë të afërm këtu në Tiranë.
Rusja sikur u qetësua disi, mbase nga ngrohtësia me të cilën e rrethuan vajza police dhe të tjerët.Në kësi rastesh ambienti miqësor që të rrethon duket se ta largon merakun, të jep një siguri të përkohëshme brenda teje, që të zbon edhe dyshimin
për të keqen që mund të kish ndodhur..
Dikur u hap dera dhe policja që e pat sjellë në Rajon i bëri shenjë shefit të saj që të dilte jashtë. Vajza mendoi se ishin punë policie , që nuk duhet t’i dëgjonte një i jashtëm dhe priti e qetë, po kur ata hynë të dy, ajo nuhati se diçka nuk shkonte në sjelljen e tyre, sidomos të polices femër; ata nuk guxuan ta shihnin në sy në çastin e parë., pastaj shefi u ul pranë Sonjës, u përtyp dhe po mundohej të thosh një gjë të pazakontë, po nuk po gjente mënyrën e duhur. U qas edhe vajza police.
Rusja u ngrit rrëmbimthi, sikur të kish parë ndonjë skenë të frikëshme dhe iu errën sytë.
– Më thoni ç’ka ndodhur me Ermalin? – nuk u përmbajt ajo.
Shefi e mblodhi veten. E pati aq të vështirë dhe të pamundur në fillim t’i jepte lajmin e tmerrshëm kësaj të huaje, duke menduar që ajo kish mbetur fillikat,në një vend që po e shihte për herë të parë, ku nuk njihte askënd veç të fejuarit që tashmë nuk jetonte më.
– Mblidhe veten – i tha ai më në fund – Do të ndihmojmë për gjithçka, nuk do të lemë të ndihesh e braktisur.
Policja e përqfoi, duke i folur zëshuar :
– Ermalin e qëlluan me armë zjarri dhe nuk kish mundur t’i përballte plagët. Ndrroi jetë pak më parë në Spitalin “Nënë Tereza”.
Sonja u lëshua e pafuqishme në krahët e polices, që e uli me kujdes në divan.Ajo vetëm lëshoi një psherëtimë dhe tha një fjalë në gjuhën e vet. U përmend pas një çasti, hapi sytë e mëdhenj, që tashmë nuk shprehnin më asgjë si më parë, po lotë nuk derdhi…Nuk i pat takuar në portën e asaj dhëmbjeje, që tashë qe hapur kanatë dhe erërat e tërbuara futeshin si në shtëpinë e tyre, për të rrëmbyer atë ç’kish mbetur akoma në përfytyrim nga Ermali i saj.
Grushti që e goditi pat qëlluar në shenjë. Sytë ishin të hapur, po vajza nuk shihte asgjë, sepse mendimi ishte larguar së bashku me shpirtin e lënduar përjetësisht.
Ajo merrte frymë, po as nuk fliste, as nuk dëgjonte. Në sytë e hapur u lexua një tmerr pa fund që donte të klithte e të vraponte në gjithë hapsirën e botës që e rrethonte, po diçka e pengonte dhe e mbante rob të një qelie dhëmbjeje makabre.


( pjesa e dytë )

Kur u përmend Sonja shëtiti shikimin rrotull dhe e kuptoi që ishte në shtratin e një spitali. Një infermiere që po shihte nga dritarja, u afrua dhe i buzëqeshi.
– Si e ndjeni veten ? – e pyeti.
Vajza mblodhi supet.
– Po unë nuk kam gjë – tha – pse më keni sjellë këtu?
Ajo u ngrit ndenjur dhe donte të zbriste, po infermierja e ndaloi.
– Do vi mjeku dhe ai do vendosi se çdo të bëhet me ju zonjushë. Unë nuk kam të drejtë t’ju lë të largoheni, edhe pse do kisha dëshirë t’ju ndihmoja për këtë, sepse e kam kaluar para dy vitesh humbjen e të fejuarit tim.
Sonja donte ta pyeste për diçka, po hyri një polic që i bëri shenjë infermieres t’i linte vetëm.
– Jeni në gjendje zonjush Sonja Tjurinova që t’u përgjigjeni disa pyetjeve?
Vajza pohoi me kokë.
– Nëse nuk do kuptoni ndonjë gjë, më thoni të thërras përkthyesen.
Ajo sërish lëvizi kryet në shenjë pohimi.
Policit i bëri përshtypje qetësia e Sonjës, po u kujtua pastaj që mjeku i pat thënë që ishte nën efektin e qetësuesve që i patën injektuar në venë.
Ai e pyeti gjerë e gjatë si ishin njohur me Ermalin, cilat ishin mardhëniet e tij me të atin e saj, Nikollaj Tjurinovin, me çpunë merrej i ati i saj në Greqi, kishin patur apo jo kundërshti e grindje Ermali me vjehrin e tij e të tjera pyetje për kohën që kishin jetuar ata në Santorin.
Vajza përgjigjej shkurt dhe nga mënyra si fliste, polici e kuptoi menjëherë që ajo thosh të vërtetën për gjithçka, nuk kish ç’të fshite.
Dikur ajo shtoi :
– Im atë e mbante shumë afër Ermalin, e vlerësonte. Kur largohej nga ishulli e merrte me vete edhe të fejuarin tim.
Polici diçka po bluate në kokë, edhe pse e dëgjoi me vëmendje atë që tha vajza. Dikur e pyeti:
– Dhe Ermali nuk të fliste për ato udhëtime kurrë, nuk të thosh kë takonin, ku shkonin, çbiseda bënin me njerëzit me të ciklët i lidhte puna.?
Sonja nuk u përgjigj menjëherë, lëvizi dorën që e ndjeu të mpirë, pastaj i tha :
– As unë nuk jam kurreshtare nga natyra, kështuqë Ermali nuk më thosh asgjë kur kthehej nga këto udhëtime. Unë dija që ai thjesht shoqëronte tim atë dhe nuk përzihej në punët e tij.
Polici shkruante heraherës dhe shpesh përsëriste pyetjen, sikur të donte të përforconte ato që pat dëgjuar.
Një çast ai nuk i bëri më pyetje dhe Sonja kujtoi se kish mbaruar.
– Kur do ta shoh të fejuarin tim?- e pyeti.
– Asnjëherë zonjush, më vjen keq t’u them se atë e kanë masakruar barbarisht, nuk kish për ta njohur as e ëma që e ka lindur.. Duhet të na thoni vetëm ku do ta varrosni, që të marrim masat tona për t’ju ndihmuar.
Sërish heshtje, një shpërfillje acaruese nga ana e vajzës, që e detyronte edhe tjetrin ta pranonte si një marrëveshje të fshehtë.
Polici nisi pyetjet përsëri, këtë herë për periudhën që Ermali dhe Sonja ishin në Shqipëri.
– Kishe vërejtur ndonjë lëvizje të çuditëshme të tij për kohën që ishit këtu?
– Asnjëherë, për asgjë nuk kam dyshuar tek ai njeri, ishte i çiltër dhe i hapur e i lexueshëm si një libër me përralla për fëmijë:
Polici qeshi, veç me kujdes, që të mos lëndonte vajzën.
– Të fundit që njohim njerëzit tanë të afërt jemi ne – i tha ai.-Ermali yt nuk ishte ëngjëlli që të premtonte parajsën; ishte ngatërruar dhe keq biles në punë të rënda dhe të pista. Të paktën nga të dhënat e deritanishme kështu mund ta përcaktojmë.
Sonja ishte bërë sy e veshë ; vështrimi i pat ngrirë te polici dhe të jepte përshtypjen e njeriut që ka etje për të dëgjuar në pafundësi. Kur kuptoi që tjetri nuk do të thosh më asgjë tjetër, e pyeti :
– Të gjitha këto që thatë janë të vërteta, jeni i sigurt për këtë?
Polici ia ktheu thjesht :
– Nuk kam arsye që të sajoj, as të mashtroj, mos harro se ke të bësh me ligjin dhe me shtetin. Sidoqoftë, në ditët në vijim do mësosh gjithçka mbi veprimtarinë e të fejuarit tënd dhe do bindesh për këtë.
Të nesërmen Sonjën e shoqëruan për në Vlorë, bashkë me arkivolin e Ermalit. Në varrim morën pjesë fare pak njerëz nga fisi i të atit të djalit. E ëma erdhi të nesërmen. Kish dëgjuar lajmet dhe i telefonoi një kushëririt të saj për të saktësuar në se ishte e vërtetë. Nikollaj nuk e shoqëroi, sepse qe larguar në Athinë, po i premtoi se do bënte çmos që të vinte në Shqipëri gjë që nuk ndodhi kurrë.
Kur kishin kaluar tri ditë nga varrimi i Ermalit, Sonjën e takoi një civil, i cili iu paraqit si punonjës i SHISH. Ai e porositi të bënte kujdes në çdo hap që të hidhte.
– Do të jesh e ndjekur dhe e shoqëruar në largësi nga njerëzit tanë. Nëse do shohësh ndonjë njeri të njohur nga ata që kanë jetuar me ju në Santorin, do u bësh shenjë njerëzve tanë. Nëse ata të takojnë, ndalo vetëm për një çast, pastaj gjej një shkak dhe largohu.
Ai e njohu me tre civilë të tjerë, të cilët do ta shoqëronin në lëvizjet e saj.
Sa e vështirë ishte për Sonjën të bënte rolin e ” karemit” me të cilin do binin në grepin e policisë vrasësit e Ermalit, po nuk kish tjetër rrugëdalje; tani i kish futur të dyja këmbët në valle dhe qe e detyruar të hidhte hapin sipas daulles. Sidoqoftë, edhe pse tashmë e dinte fare mirë jetën e dyfishtë të Ermalit në Greqi, në mardhënie me të ai kish qenë i vërtetë, i çiltër, e kish dashur dhe nuk i pati lejuar vetes ta fyente, ta mërziste, apo ta bënte të ndihej keq. Për një gjë Sonja ishte dyshuese; edhe pse i ati i saj e mbante afër djalin, tani që po mësonte për bëmat e tij si killer, apo si ” vrasës me pagesë” siç e patën quajtur ata të policisë, ajo nuk e përjashtonte mundësinë e një bashkëpunimi mes tyre. Ermali ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç kur mbeti pa baba dhe kur e ëma e tij u njoh me babain e saj, për të cilin Sonja kish patur rezerva gjatë gjithë kohës, djali mund edhe të qe futur në rrugë të gabuar e kësisoj të qe një ” marins” i përgatitur, ” i diplomuar” për t’u përdorur si ” killer” nga Nikollaj.Nuk mund të gjente argumenta të tjerë për ta mbështetur këtë dyshim, veç largimit të tyre të përbashkët dhe të shpeshtë nga Sntorini. Mbase kjo qe dhe aryeja që ai nuk pati dakortësi për lidhjen e të bijës me djalin, të cilin e pat futur në udhëkryqe rreziqesh të pashmangëshme.
Me shumë kujdes vajza i bëri një pyetje paksa provokuese të ëmës së Ermalit një mbrëmje , kur ishin vetëm.
– Im atë kish aktivitet të përhershëm tregtar në qytetet ku shkonte?
Gruaja u përgjigj menjëherë, as i shkoi nëpërmend se tjetra mund ta provokonte :
– Nuk e kam idenë, nuk njihja asnjerin nga njerëzit me të cilët ai kish të bënte.
Pas pak, si të qe kujtuar për diçka, shtoi :
– Vetëm një herë që unë u shqetësova për vonesën e tyre dhe nuk pata marrë asnjë njoftim, më tha : ” Mos ki merak, Ermalin nuk e pleks në problemet e mia.” Mua kjo më duhej, që djali të mos kalonte në porta rreziqesh.
Sonja përfitoi nga shtegu që e ëma e Ermalit kish hapur fare pa vetëdije dhe provoi të hidhte hapi në atë shteg:
– Im atë nuk fliste asnjëherë për veten, ai nuk tregonte kurrë për punët me të cilat merrej. Ndonjëherë, kur nëna e pyeste, ia priste shkurt : ” Ty të ka munguar gjë në shtëpi? Sonjës tonë gjithashtu. Të tjerat nuk kanë rëndësi.”
E ëma e Ermalit qeshi.
-Ashtu është yt at, nuk e ndryshojmë dot në këtë moshë që ka tani. Unë e kam vlerësuar se është i përpiktë në mardhëniet familjare dhe kaq.Nuk më ka lënë asnjëherë të vras mendjen për hallet e jetës, i ka zgjidhur ai vet, pa më lënë të futem në to.
Më së fundi, kur vuri re që gruas nuk i shkonte nëpërmend djallëzia e saj, Sonja e pyeti më troç :
– Dhe nuk të ka shkuar në asnjë rast mendja të dyshosh, se mos ai merret me punë jo të pastra?
– Nuk më hynte në punë kjo, ishte pjesa e tij. Mua nuk më le pa para, se ç’bën jashtë shtëpisë, përgjigjet vet.
Sonja tani e kish të qartë që kjo ishte një grua e rëndomtë, të cilën e shqetësonte vetëm atë që donte çasti…Më tej nuk e merrte mundimin të mendonte. Ishte e sigurt, po ashtu, se gruaja nuk kish patur asnjë hije dyshimi për rrugën që pat nisur i biri.
E gjithë biseda që pati me të ishte kohë e humbur.
Ndërkohë policia, Interpoli dhe SHISH, akoma pa pushuar jehona e mediave për vrasjen e bujëshme të djalit nga Vlora, ranë në gjurmët e vrasësit dhe arritën ta kapin atë në Aeroportin ” Nënë Tereza”, tek po priste t’i hipte avoinit të Athinës.. Kjo u mbajt e fshehtë, për të mos dëmtuar aksionin zinxhir të kapjes së ndonjë grupi të mundshëm kriminelësh.
Kur ishin ” të shtatat Sonja dhe e ëma e Ermalit shkuan në vorreza pët të çuar lule, sipas zakonit.Përpara se të ndalonte urbani, Sonja pati përshtypjen se dikush e përshëndeti lehtë me një lëvizje të kokës. Në krye të herës nuk e njohu dhe mendoi se nuk pati përshëndetur atë, po kur po zbrisnin, ai i kaloi pranë dhe i shkeli syrin. Vajza u kujtua menjëherë që e kish njohur Ermali me atë njeri në një disko.. I erdhi ndërmend edhe emri, Aleks quhej, vishej me sqimë dhe kishte një edukatë të shtirur, që të kallte krupën.
Sonja hodhi shikimin në të dy krahët e vorrezave për të dalluar njerëzit që e shoqëronin. I zuri syri njerin prej tyre dhe me kujdesin më të madh, duke u ruajtur mos e shihte Aleksi, i bëri shenjë atij. Ndaloi vetëm sa i zgjati dorën shokut të Ermalit dhe i kërkoi të falur atij, sepse e priste e vjehra.
– Këtu jam edhe javën që vjen – i tha ai kur po largohej – Do bëhem i gjallë vet, do të takoj. Duhet të të them diçka.
Një çast më vonë, u kthye, e arriti dhe i pëshpëriti gati pranë veshit :
– Kujdes, Ermalin e vrau yt atë.
Sonja mezi e mblodhi veten nga ajo që dëgjoi, u përpoq ta dallonte Aleksin për ta pyetur më gjatë, po nuk arriti ta shihte gjëkund; djalin sikur e kishin rrëmbyer varroshet rreth saj, që ngjanin me vilat luksoze të të pasurve të jetës mbi tokë.
Vajza arriti gruan që nuk vuri re fare gjithçka ndodhi mes Sonjës dhe Aleksit dhe shkoi bashkë me të për të vendosur lulet e freskëta mbi baltën që do të ishte shtëpia e përjetëshme e djalit këtej e tutje.. Ishin njëzetekatër karafila vishnje, si ata që Ermali i sillte asaj gjithnjë kur kthehej nga rrugëtimet jashtë Santorinit.
Para se t’i vendoste ata te koka e varrit, Sonja u përlot dhe ato pika vese të dhëmbjes ranë mbi karafilat, u dhanë petlave të tyre një shkëlqim verbues, njëlloj si t’ishin këputur në një kopësht, nën rrezet e para të mëngjesit.
Asaj iu kujtuan fjalët e Hamletit ” Lule për lulen”. I la me kujdes karafilat e vesuar nga lotët anës gurit të varrit dhe përsëriti po atë fjalë : ” Lule për lulen”
Gruaja ktheu kryet nga ajo dhe e falënderoi.
– Mbase kjo është hera e fundit që po vi. Mua nuk më lidh më asgjë me këtë qytet, të cilin e adhurova dhe kisha vendosur të kaloja jetën time me Ermalin.
Ndenjën disa minuta, pastaj u ngritën të dyja dhe morën rrugën e kthimit.
Në pasdite dikush e kërkoi për ta takuar. Kuptohet, ishte një punonjës i SHISH. Ai i tha se Aleksin e kishin shoqëruar në Komisariat, ku edhe ndodhej akoma.
– Diçka të tha atje në vorreza kur zbritët nga urbani, apo jo?- e pyeti ai.
Sonja i përsëriti fjalët e Aleksit.
– Dhe ti e besove? – e pyeti sërish ai.
Rusja nuk u përgjigj menjëherë, po vështrimi i tjetrit ishte këmbëngulës dhe nxitës.
– Nuk jam e sigurt, nuk di ç’të them. Nuk dyshova ndonjëherë as te Ermali, as te babai im.
Punonjësi i SHISH, e sqaroi :
– Aleksi u zbërthye, po është më mirë t’i dëgjosh ato që tha nga goja e tij. Eja me mua në Komisariatin e Policisë.
Sonja u bind; ishte kurreshtare të dinte gjithçka për të atin dhe për Ermalin.
Polici që po merrte në pyetje Aleksin e çoi Sonjën në dhomën e përgjimit për të dëgjuar bisedën e tyre.
– Përsëriti edhe një herë të gjitha ato që ke thënë – e urdhëroi ai.
Sonja dëgjoi zërin e Aleksit. Ai fliste qetë, pa u ngatërruar, sikur të tregonte një ndodhi që kish dëgjuar nga dikush.
– Nikollaj fillimisht na njohu me disa lloje pistoletash të kalibrave dhe madhësive të ndryshme, pastaj na çonte përditë në një shpat malor ku stërviteshim të gjuanim me përpikmëri. Kjo zgjati tre muaj. Ai na paguante, edhe pse ne nuk bënim asgjë akoma. Një ditë na dha të dyve nga dymijë euro. Na la takim në mbrëmje vonë në një klub nate, ku na tregoi një tip që e patën rrethuar katër femra të bukura , seksi dhe gjithë të tjerët i rrinin sa para prapa, duke iu bindur si Perëndisë. Dukej sheshit që ishte bos.Nikollaj na dha numrin e tij të telefonit.
– Do dilni jashtë parkimit dhe do ta telefononi – na udhëzoi ai- Sapo ta shihni, qëlloni direkt mbi të dhe aty do të hipni në një makinë që do t’u çojë diku, ku do të jeni jashtë rrezikut. Nëse gjithçka përfundon si duhet, do të keni secili edhe nga dymijë euro të tjera si shpërblim.
Kuptohet që në momentet e para ngurruam, po shpërblimi që do merrnin ishte goxha dhe kjo na i prishi mendjen. Për gjithçka në jetë ka një herë të parë dhe ne këtë e kaluam me sukses. Herën e dytë i dhamë vdekjes një çift pleqsh në vilën e tyre, jashtë Korinthos. Paratë i mori vet Nikollaj. Një herë tjetër hoqëm qafe një bankier në Selanik. Tashmë ne ishim kthyer në profesionistë për të marrë jetët njerëzore. Me paratë merrej Nikollaj dhe një grek që nuk ia mësova kurrë emrin Shpërblimin e merrnim nga ai.
– Sa ishte shpërblimi që merrnit? e pyeti punonjësi i policisë.
– Për çdo vrasje merrnim nga 5000 euro secili.
– Të gjitha vrasjet i kryet në Greqi?
– Njerin e vramë në Ankara, në Turqi. Një tjetër në Bullgari. Katër të tjerat në Greqi.
– Përse urdhëroi Nikollaj vrasjen e dhëndrit të tij, Ermalit? E njihje personin që vrau Ermalin?
Pyetjet ishin të drejtpërdrejta. Aleksi u përgjigj pa ngurruar :
– Sepse Ermali u largua me vajzën e Nikollajt, të fejuarën e tij për në Shqipëri për të mos u kthyer më në Santorin. Ai kish vendosur të hiqte dorë nga të qenit ” Killer” dhe të bënte një jetë normale me Sonjën, që e donte dhe e vlerësonte. Kjo e tërboi Nikollajn kur mori vesh , kësisoj dërgoi një kurd që e mbante si njeriun e tij më të afërt për gjithçka, Elmaz e thërriste, po nuk jam i sigurt në se qe emri i tij i vërtetë. Elmazi kish qenë edhe herë të tjera në Tiranë, kish punuar edhe në një klinikë dentare atje për dy vite.
Punonjësi i policisë i bëri edhe një pyetje:
– Ti si munde të largoheshe pa u vënë re nga Nikollaj?
– Kur mori vesh ikjen e Ermalit dhe Sonjës, ai u bë si i tërbuar dhe e humbi torruan dhe kontrollin. Unë isha atje kur urdhëroi vrasjen e Ermalit dhe nxitova të nisesha për në Shqipëri, që të paralajmëroja shokun tim, po për fat të keq nuk munda ta shpëtoja..
Sonjën e larguan nga dhoma e përgjimit. Kish dëgjuar aq sa i duhej për të mësuar të vërtetën për të atin dhe për Ermalin.
Një ndjesi neverie i kish pushtuar gjithë qenien e saj, aq sa i dukej se helmi i dhëmbjes dhe i urrejtjes pat depërtuar deri në kapilarët më të hollë të gjakut dhe do të mbetej atje përjetësisht. Për Ermalin ndjente mëshirë dhe keqardhje, sepse në fund të fundit qe tërhequr nga bataku ku e kish futur Nikollaj.
Sa për të atin…
– Isha pa nënë, tani jam edhe pa baba – tha me zë të ulët, po të tjerët e dëgjuan në heshtje. Ishte diçka që i përkiste vetëm asaj. Mund ta mëshironte, ta urrente, ose ta mohonte.
Sonja zgjodhi atë të fundit.

Pajtim Xhelo, 16 qershor 2020