Nga Pirro Misha
Këtu shekujt nuk ndjekin njëri-tjetrin. Ata bashkëjetojnë. – H. N. Brailsford-Londër, 1906
Shekulli XIX i gjeti shqiptarët si një ndër popujt më të prapambetur dhe më të izoluar, me një sërë disavantazhesh serioze, qoftë edhe nëse i krahasoje me fqinjët më të afërt. Në rrugën e tyre drejt krijimit të një identiteti të dallueshëm kombëtar ekzistonin një sërë pengesash objektive, që pjesa më e madhe e popujve të tjerë të rajonit ose i kishin kapërcyer, ose nuk i kishin pasur, të paktën jo në të njëjtat përmasa. «Deri vonë në shekullin XIX vendit i mungonte në një masë të madhe ajo bazë për zhvillimin e një ndërgjegjësimi kombëtar që ekzistonte në vendete tjera», gjykojnë Charles dhe Barbara Jelavich.
Shqiptarët kishin shekuj që ishin të izoluar nga kontaktet me pjesën tjetër të botës, madje edhe sipas standardeve të Perandorisë Otomane, e cila ndërkohë po i paguante një çmim mjaft të rëndë mbylljes dhe veçimit të saj të gjatë nga zhvillimet e botës moderne. «Izolim shoqëror-mendor! Ja titulli, ja njohja që shpreh në një mënyrë shumë të mbledhur dhe epigramatike, realitetin më të dukshëm të historisë shqiptare. Mbetëm pas nga gjithë popujt e tjerë të qarkut europian… vetëm e vetëm se pse rrojtëm të izoluar brenda në natën e maleve t’ona shekuj me radhë, pa ndonjë afrim shoqëror mendor me botën tjetër. Primitivizma jonë është rrjedhja këtij izolimi t’onë historik», – pëshpërinte një ndër intelektualët e njohur të viteve ’20 dhe ‘30 të shekullit të shkuar.
Është interesante kur sheh (si del nga një dokument otoman prej tetë faqesh që mban datën 6 shtator 1888, i cili analizon gjendjen që ekzistonte asokohe në shoqërinë tribale të veriut të Shqipërisë) se dhe vetë zyrtarët otomanë ishin të vetëdijshëm për këtë situatë. Sipas këtij dokumenti në Shqipëri, në përgjithësi «përparimi që sjell qytetërimi» (terakkiyat-i-medeniye) s’kishte arritur dot të hidhte rrënjë. Dokumenti gjykon si veçanërisht problematike gjendjen në një pjesë të madhe të Gegërisë (Gegalik, në turqisht), duke përmendur si zonat më të prapambetura ato të kazasë të Dibrës, të Matit, të Lumës, të Gjakovës dhe të Pejës, në të cilët njerëzit «që prej 500 vjetësh jetojnë në gjendje të egër dhe të kredhur në injrancë (cehaler ve vashet). Duket e çuditshme që vetë zyrtari otoman autor i këtij memorandumi përcakton qartë si kohëzgjatje të kësaj gjendjeje prapambetjeje dhe injorance të skajshme në të cilën qe kredhur vendi, pikërisht periudhën 500-vjeçare, çka përkonte pak a shumë me kohën e sundimit otoman në këto vise.
Në sytë e botës, Shqipëria mbetej një vend i mistershëm, imazh ky që do të vazhdojë ta ndjekë pas edhe për mjaft kohë. Madje edhe më 1913, kur vendi gjithsesi ishte relativisht mjaft më i hapur nga ç’kishte qenë më parë, francezi M. Delaise vazhdonte të shkruante: «S’di të ketë vend tjetër që të jetë më i mbyllur ndaj qytetërimit: edhe vetë Saharanë ne e njohim më mirë, madje edhe për Tibetin s’e thua dot që është më i mistershëm». Por, po aq problemor e me pasoja sa izolimi i jashtëm ishte e veçimi i brendshëm. Diplomati dhe albanologu i shquar austriak Johan Georg fon Hahn udhëtimit që bëri nëpër Shqipëri në vitin 1849, vinte në dukje se mes krahinave të banuara nga shqiptarët s’ekzistonte thuajse asnjë lloj komunikimi dhe asnjë lidhje organike. «Besojmë», – shkruante ai, – «se natyra e vendit asht shkaku kryesor që ai asnjëherë s’ka pasë nji histori të përbashkët». Sipas tij, Shqipëria duhej marrë si një tërësi vetëm për sa i takonte izolimit të saj të rreptë nga jashtë, sepse përndryshe ajo «ndahet në shumë krahina që janë pjesë të sistemeve të ndryshme të mëdha që kanë asnjë qendër të përbashkët dhe as lidhje organike mes tyre».
Dallimi i madh i Shkupit me Zagrebin, 1920
Për më tepër, vendi ishte i ndarë administrativisht në katër vilajete të cilët, në njëfarë mënyre, përbënin njësi krejt të veçuara nga njëra tjetra, aq sa dhe për të lëvizur nga njëri vilajet në tjetrin apo nga njëri qytet në tjetrin, banorëve iu duhej të ishin të pajisur me lejekalimi të posaçme. Por, në fakt, edhe pa këto pengesa administrative, lëvizja nga njëra krahinë në tjetrën ishte tepër e vështirë në radhë të parë për shkak të relievit malor e tepër të thyer të vendit, si dhe të mungesës pothuajse të plotë të rrugëve, çka bënte që në vend të mungonte ai rrjet i domosdoshëm shkëmbimesh, komunikimi e kontaktesh që krijon ndjenjën e një bashkësie. Në njëfarë mënyre, mund te thuhet se pikërisht malet, pra terreni tejet malor e i thyer, aq shumë i romantizuar në përfytyrimin tonë kolektiv, duke vështirësuar tej mase komunikimin dhe tregtinë mes krahinave te ndryshme të vendit, përbëjnë një ndër faktorët kryesorë që kontribuuan për ta bërë aq të komplikuar e të vështirë procesin e kombëtarizimit dhe të bashkimit politik të shqiptarëve.
«Kur një shqiptar flet për rrugë, zakonisht ai e ka fjalën për një shteg të rrahur nga kafshët», thuhet në një raport që Shërbimi i Informacionit të Marinës Angleze hartoi për Shqipërinë më 1916, pra në mes të Luftës së Parë Botërore. Raporti arrinte në përfundimin se një ndër shkaqet kryesore të stagnimit të skajshëm e të primitivizmit në të cilin jetonin shqiptarët ishte vetë ambienti gjeografik në të cilin ata jetonin. «Në gjithë vendin s’ka një rrugë ku të mund të eci makina», -përfundonte raporti», – «Madje edhe në shtigjet e mushkës është tepër e vështirë të kalosh. Kështu, s’ekziston asnjë rrugë e përcaktuar për të shkuar nga Shkodra deri në Lezhë, herë të duhet të ndjekësh rrjedhën e Drinit, herë të tjera t’i biesh mes për mes arave. Në të vërtetë, këtu kur bëjnë fjalë për rrugë vendasit e kanë fjalën për gjithë fushën e Zadrimës. Gjatë dimrit kjo fushë shpesh përmbytet, kështu që nëpër të mund të kalohet vetëm me varkë».
Për të krijuar një përfytyrim më të saktë të kësaj situate mjafton të themi se, për shembull, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë s’ekzistonte asnjë rrugë që të lidhte Durrësin me Shkodrën, apo Durrësin me Vlorën. Poeti i njohur Asdreni, duke përshkruar një udhëtim që bëri në Shqipëri në vitin 1903, na tregon se si për të udhëtuar që nga Durrësi, ku kishte mbërritur me anije, deri në Tiranë, atij i qenë dashur «dy ditë udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm», i shoqëruar plot me rreziqe në një vend të kredhur në anarkinë më të plotë. «Nuk ekziston fare rrugë», – shkruan ai, -«që të mund të shkojë edhe një qerre. Në të s’mundin të udhëtojnë veçse kuaj apo mushka, që janë mësuar të ecin nëpër ato më të ngushtat rrugë. Këtu jeta e njeriut ka aqe fort të pakë vlerë, sa në ngjet që udhëtari të shpëtojë gjallë, kjo i detyrohet më tepër atij që i gjun se nuk do ta prishë një plumb për një njeri».
Në fakt, para Luftës së Parë Botërore në gjithë Shqipërinë s’kishte pasur veçse dy-tri rrugë në të cilat mund të ecej me karrocë edhe ato të mbajtura si mos më keq, ku madje dhe karvanët s’mund të udhëtonin dot gjatë gjithë vitit, çka bënte që një pjesë e madhe e ekonomive dhe bashkësive lokale të jetonin krejt të veçuara nga njëra-tjetra. Si na tregon Ferdinando Milone në librin e tij interesant
«L’Albania Economica», pjesa më e madhe e rrugëve që shteti i ri shqiptar trashëgoi në vitet ‘20 të shekullit XX, në të vërtetë s’vinin nga periudha otomane, por qenë ndërtuar nga ushtritë ndërluftuese gjatë kohës së Luftës së Parë Botërore. Kështu ishin vetëm trupat austriake ata që ia dolën të lidhnin për herë të parë me rrugë zonën bregdetare me qendrën dhe veriun e vendit, duke lidhur Durrësin me Tiranën, e më pas, që të dyja këto qytete me Shkodrën dhe Malin e Zi.
Në po të njëjtat vite, francezët punuan për të përmirësuar rrugët e juglindjes ku gjendeshin trupat e tyre, ndërsa italianët ato të jugperëndimit, duke ndërtuar aty, ndër të tjera, rrugën që të çon nga Vlora për në Çamëri (gjithsej 150 km), e cila duke ndjekur gjurmët e një rruge të vjetër romake, kalonte nëpër qafën e Llogarasë, në një lartësi që arrinte deri në 1000 metra. Po italianët ndërtuan rrugën e rëndësishme Vlorë-Tepelenë (e gjatë 75 km), si dhe një rrugë tjetër, e cila, pasi lidhte Sarandën me Delvinën, dilte në kufirin grek dite 50 km më tej, rifutej sërish në Shqipëri dhe, pasi kalonte nëpër Leskovik dhe Kolonjë, më në fund mbërrinte në Korçë. Me një fjalë, në vitin 1912 Shqipëria kishte gjithsej vetëm 200 km rrugë të shtuara me kalldrëme, ndërsa në mbarim të Luftës së Parë Botërore trupat e ndryshme pushtuese lanë pas në Shqipëri rreth 1500 km rrugë.
I lidhur ngushtë me këtë gjendje është edhe një faktor tjetër që, çuditërisht, s’para përmendet, por që në të vërtetë përbënte një ndër pengesat kryesore të shqiptarëve në procesin e ndërtimit të një identiteti kombëtar: ndryshe nga një pjesë e fqinjëve, shqiptarët s’kishin një qendër administrative, ekonomike, kulturore apo dhe fetare, e cila do të mund të shërbente si faktor kohezioni; përkundrazi, ekzistonin një sërë qendrash, të cilat, jo rrallë, duke konkurruar e rivalizuar mes tyre, kishin luajtur dhe vazhdonin të luanin një rol përçarës.