VOA: Valdrin Pjetri e dinte se do sulmohej nga PD para se të akuzohej dhe kontaktoi autoritetet italiane që në korrik, tani rrezikon burgun

0
648
Valdrin Pjetri

Kandidati socialist Valdrin Pjetri duket se nuk do ta gëzojë karrigen e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, ku ai nuk është ulur ende. Dokumentat e publikuara sot nga Partia Demokratike dëshmojnë se ai ka qenë i dënuar në Itali dhe për më tepër e ka mbajtur të fshehtë këtë dënim. Valdrin Pjetri rezulton të jetë arrestuar më 27 Janar 2003 në Firence, dhe një ditë më pas, përpara gjykatës, ka pranuar fajësinë.

“Ai është dënuar nga Gjykata e Firences, me vendimin e formës së prerë të datës 12 Qershor 2003, me 18 muaj burg dhe 1000 Euro gjobë, për veprën penale “shpërndarje, prodhim dhe trafikim i lëndëve narkotike dhe lëndëve të tjera të paligjshme psikotrope”, të kryer në bashkëpunim. Për shkak të marrëveshjes së pranimit të fajësisë, gjykata ka urdhëruar pezullimin e dënimit. Më datë 3 Shkurt 2003 Vladrin Pjetrit i është revokuar leja e qëndrimit dhe më datë 4 Shkurt 2003 ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga shteti italian”, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.

Ai deklaroi më tej se “të gjitha këto të dhëna provojnë se Valdrin Pjetri është subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i dekriminalizimit. Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: “Prodhimin shitjen dhe trafikimin e e narkotikëve” dhe “Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie as personat që janë dëbuar nga territori i një shteti anëtar të BE-së”, siç është Italia në rastin e Valdrin Pjetrit, në lidhje me këto vepra penale. Për këtë kategori personash, sipas ligjit të dekriminalizimit (neni 4), ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës”.

Zoti Pjetri ka mohuar në vijimësi akuzat se ka qenë i dënuar duke deklaruar se “jam mëse i hapur për çdo verifikim”. Ai nxorri më pas dhe dy dokumenta të lëshuara nga autoritetet italiane, me anë të të cilave pretendoi pastërtinë e të kaluarës së tij. Por certifikatat flasin për gjendjen aktuale dhe për me tepër që periudha brenda së cilës ai mund të quhej i rehabilituar ka qenë deri në vitin 2015.

Edhe sot përmes një statusi në Facebook, ai mohoi sërish akuzat, duke u shprehur se “e vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e Partisë Demokratike”. Zëri i Amerikës mundi të verifikojë përmes burimeve të veta se dokumentat e publikuara sot nga Partia Demokratike janë origjinale, siç ndodhen në regjistrat e autoriteteve italiane.

Zoti Pjetri duket se ka qenë në dijeni të faktit se e kaluara e fshehur mund t’i rishfaqej para syve, ndyshe nuk ka si shpjegohet se përse me 19 korrik ai ka kërkuar të marrë certifikat nga autoritetet gjyqësore italiane, ndërkohë që denoncimet publike të opozitës nisën disa ditë më vonë, në fillim të gushtit, ndërsa më 23 korrik ai mori nga kryeministri Rama dhe një tjetër shenjë besimi dhe mbështetje të fortë “për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, atë do ta drejtojë kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës”.

Zoti Rama reagoi përmes një statusi në Twitter pas zhvillimeve të sotme duke u shprehur se “kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”. Nuk është e qartë se deri ku shkon kjo ndarje dhe nëse Partia socialiste do të jetë dakort që Pjetri të marrë apo jo detyrën javën e ardhshme.

Pavarësisht distancimit që kryeministri duket se po bën, dhe deklarimit të tij se “kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS”, ky nuk është rasti i parë, dhe fakti që forca që udhëheq vendin nuk arrin dot të gjejë 61 kandidatë ku askush të mos ketë hije mbi të kaluarën është një kosto që kryeministri vetë, si personi që ka dhënë bekimin për secilin prej tyre, e ka tanimë mbi shpinë.

Zoti Valdrin Pjetri, ka një karrierë për t’u patur zili, e nsur që në kohën e qeverisë Berisha, ku sipas curriculumit të tij, rezulton se nga viti 2010 deri në vitin 2014 ka mbajtur detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Më pas ka mbuluar disa detyra drejtuese në Ministrinë e Mbrojtjes deri në vitin 2018, kur u emërua drejtues i Hipotekës e më pas Prefekt i Shkodrës.

Për rastin e tij Prokuoria tha sot se ka nisur procedurat e verifikimeve, menjëherë pas denoncimit të dorëzuar pranë saj nga PD-ja, dhe se është në pritje të përgjigjeve drejtuar Interpol-it dhe Europol-it, ndërsa ende nuk ka kërkuar nga zoti Pjetri t’i marrë shenjat e gishtërinjve. Ai rrezikon të akuzohet për “Falsifikim të dokumentave zyratre dhe “Deklarim të rremë”. (VOA)