IDRIZ ZEQIRAJ
“U bë ky mort dhe u pamë”, – thotë populli. Dhe, shqiptarët i panë argatët keqdashës të Kosovës. Duke përfituar nga një ligj i Kushtetutës, i cili kushtëzon praninë dhe votimin e 80 deputetëve, në raundin e parë zgjedhor. Ky ligj kushtetutor, duhet ndryshuar menjëherë, për t`i pamundësuar kushtëzimet korruptive, siç janë pazarët me: poste, emërime diplomatike, tendere, terminale doganore e tjera privilegje, në këmbim të votës!
Largimet masive të shqiptarëve, nga Veriu i Mitrovicës, zbuluan lidhjet konspirative të Hashim Thaçit me francezët. Kundërshtitë e Vjosë Osmanit, nismojnë që nga 2010-a, karshi veprimeve mafioze të Hashimit dhe të Isa Mustafës, si: Demarkacioni, Asociacioni, zgjedhja banditeske e Hashimit president dhe të Isës kryeministër, koalicionin LDK-PDK, e deri ke pazaret për ndarjen e Kosovës.
Çdo takim i Hashimit me Vuçiqin dhe ndërkombëtarët, përjetohej me frikë e ankth nga shqiptarët e kudondodhur, mos po sjellë një të zezë për vendin. Njëjtë, sikur thoshte gazetari dhe analisti i mirënjohur, Bajrush Morina, se sa herë që plaka Editë kthehet nga Brukseli, sjellë nga një gjëmë për Kosovën!
Kundërshtia e Vjosë Osmanit, ndaj veprimeve kundra-kombëtare të Hashim Thaçit, është unike dhe meritueshëm e vlerësoi populli i Kosovës, nga vendi dhe Mërgata, me tej 300 mijë votat dhënë asaj! Andaj, shpërblimi me krye-postin shtetëror, është rrjedhë logjike dhe, katërcipërisht, meritor. “Ka folë populli – ka miratuar Zoti”, – thotë urtësia.
Dr. Vjosë Osmani, kur nuk votoi kryetarin e saj, Isa Mustafën, për kryeministër, ishte veprim parimor dhe hiç personal. Njëjtë mund të thuhet edhe për refuzimin e Hashimit president. Dhe, mesazhet-porosi të Vjosës, për kolegët deputetë, nga Australia e largët, janë sa domëthënëse, po aq edhe mbresëlënëse: “Mos e votoni dhe mos ia bëni kourumin Hashimit për president, sepse, siç ka amanetuar Dr. Rugova, është i rrezikshëm për Kosovën!”
Andaj, Vjosa nuk i ka asnjë borxh as Mustafës dhe as PDK-së, sepse, lidershipi i saj është nën akuzë për përgjakjen e Kosovës, me gjak shqiptarësh të pafajshëm.
Tandemi Hashimi-Mustafa organizojnë dhe realizojnë prishjen e koalicionit LDK-LVV; mocionin e rrëzimit të qeverisë-Kurti dhe krijimin e qeverisë-Hoti! Këtë e konfirmon Amerika dhe BE-ja. Rrjedhimisht, Avdullah Hoti, me ministrat e tij, duhej ta refuzonin koalicionin me PAN-in, bandat e të cilit kanë vrarë shqiptarë të pafajshëm nëpër Kosovë dhe kanë marrë “pafajësinë” në Gjakovë!
Prandaj, Dr. Vosë Osmani nuk i ka asnjë borxh Hotit dhe qeverisë së tij, sepse refuzimi me votë, ishte thellësisht parimor dhe aspak personal. Përndryshe, do të bëhej pjesë e krimit, siç u bë Avdullah Hoti me shokë. Ai donte të qeveriste, kontrabandueshëm e dhunshëm, madje, deri në vitin 2023, me lutjen e çdoditshme, për ta bërë pjesë të koalicionit edhe kryebandën-PDK!!
Profesor Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së, po paguan tagrin, pse nuk shkoi në zgjedhjet e përgjithshme brenda-partiake, nga poshtë-lart. Anëtarësia do t`i ndëshkonte, me harresë, të gjitjë ata që i bënë gjëmën LDK-së. Fajësia ka emra. Dhe, Lumiri bëri më të paktën e mundshme, për t`i dhënë një mesazh-shprese, LDK-së dhe shqiptarëve, se diçka po ndryshon.
Agim Veliu është viktimë e “zgjedhjeve” fiktive, aklamative në LDK-e. Skilja e vjetër, Mustafa, i vuri në kurth klanorët e tij, për interesa personale e karrieriste, duke i ricikluar në nënkryetarë të parë, të dytë…! Dhe, këta u joshën, për të mbetur pasardhës të kreut të partisë. Për rrjedhojë, aprovuan të gjitha veprimet fatale për LDK-në dhe Kosovën, që projektuan binomi namkeq, Thaçi-Mustafa. Por, matematikat ua prishi nxënësja e Shkollës amerikane, luftarakja rugoviste, Vjosë Osmani.
Prisnim që profesor Lumiri të aktivizonte veprimtarët e devotshëm, të pendës dhe të mendjes, të cilët, dikur, ia bënin fushatën LDK-së, miq besnikë të presidentit Rugova, si: Skënder Zogaj, Bajrush Morina, Idriz Morina me shokë.
Përkundër, kryetar Lumiri u përkujdes t`i largonte disa nga kritikët bazikë të gardës rrënuese të LDK-së. Kjo u lexua, sikur kreu ri i LDK-së, kërkon bindje dhe nuk duron kritika, siç bënë pararendësit e tij! Paksa zhgënjyese, por, herët të paragjykohet. Megjithatë, kërkon të gjithë mbështetjen tonë, por, duke e monitoruar gjithëmonshëm.
Sidoqoftë, profesor Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja, nuk u ka asnjë borxh Veliut, Hotit, Selmanaj dhe bashkëmendimtarëve të tyre, për lëndimin minimal, në zbritje gradash, krejt normale, përgjatë një procesi reformues partiak.
Shokues është vendimi i Agim Veliut, për të mos dhënë votën në Kuvend, si djalë i një babai të zëshëm, në Llap e Gollak dhe më gjerë. Madje, shton fajësinë, duke qenë edhe vet me plagë trupi, bashkon votën me Listakët serbë dhe argatët e tyre, të cilët vranë ardhmërinë e Kosovës tonë.