VJOLLCA KONI, NË LIBRIN “KUR FLASIN ZEMRAT…”

0
1538
Murat Gecaj, foto

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Po të shfletoni librin e ri, “Kur flasin zemrat…” (Tiranë, dhjetor 2016), ndërmjet 65 poeteve e shkrimtareve, artisteve e veprimtareve të njohura, do të gjeni edhe dy shkrime, të cilët flasin për poeten e talentuar, Vjollca Koni-Ajasllari.

Është me origjinë nga një fshat i Skraparit, por dallgët e jetës e hodhën në Austri, ku jeton e punon, bashkë me familjen e saj. Ashtu si për sa e sa emigrantë të tjerë, për atë, vendlindja e Shqipëria, kanë mbetur përherë peng i jetës. Krahas punës së përditëshme, ajo gjen kohë që të ulet e të thurë poezi, malli e dashurie, për çdo gjë të bukur e të paharruar, që ka lënë pas. Vargjet e poezive të saj janë të mbushura plot frymëzim e ndjeshmëri. Vjollca, jo vetëm risjell në kujtesë vitet e vegjëlisë e të rinisë, por jeton aktivisht me ditët e sotme, në Atdheun tonë.

Ja, me dhimbje të thellë në shpirt, ajo mësoi lajmin e dhimbshëm, se u nda prgjithnjë nga jeta, shkrimtari ynë i madh, Dritëro Agolli. Menjëherë, publikoi në faqe të ndryshme Interneti, skicën poetike, “Lamtumirë, Dritëroi ynë!”, të shoqëruar me pak vargje. Ndër të tjera, duke shkruar, me thjeshtësi dhe në stilin e tij, ajo e quan aty veten “argate, në krijimtarinë e D. Agollit:

”Unë kam qenë “argate” në “pronat” e tua! Ju shërbeja punëtorëve, të cilët mblidhnin mollët, në vjeshtë dhe bënin vjeljen e rrushëve, mbledhjen e ullinjëve e të qepëve. Mësova, deri në ngritjen e kazanit të rakisë, duke i kënduar, kur ajo dilte e djegur nga dashuria, me zjarr të fuqishëm, nga drutë e lisit. Mësova të përcjell lejlekët, në shtegëtim dhe të pres dallandyshet, në pranverë…”.
Më tej, me vargje, ajo e vajton ndarjen përgjithmonë nga Dritëroi:

Devoll, ti mos qaj,
ngre kokën, mos derdh lotë!
Është biri yt, Dritëroi,
për të cilin ndjehemi krenarë sot…
Driteroi, poezisë iu bë dritë;
vargut-shkëndijë, fjalës-mjaltë.
(Austri, 4 shkurt 2017).

Kur flasin zemrat - Murat Gecaj

2.
Tani, le të kthehemi te libri, që përmendëm në hyrje të këtij shkrimi modest, kushtuar poetes Vjollca Koni-Ajasllari. Në “Bisedën” e zhvilluar me të, me titullin “Është fjala poetike ajo, që na mban e na bashkon” dhe që është publikuar në katër faqe e gjysëm, ajo “rrëfehet” për jetën e vetë. Ndër të tjera, tregon:

“Dëshira e frymëzmi im, për të shkruar poezi, lindi qysh në bankat e shkollës fillore. Dhe, kur flas për atë kohë, ndjehem sikur jam kthyer në ato vite, sikur jam ajo vajza e vogël dhe e ndruajtur, nga ku fshihja vargjet prej secilit e shpesh herë i digjia në oxhak. Nga ajo kohë “e artë”, mbaj mend një katërvargësh, që po e sjell për ju dhe lexuesin:

Kur Hëna në livadhe sot të harliset,
do të dal unë, si xixëllonjë,
të shkoj dy vargje manaferra,
sikur dhe gishtat gjak të kullojnë!…”

Siç dëshmohet edhe gjatë kësaj “Bisede”, Vjollca është autore e dy librave poetikë, “Bio” dhe “Ti, qindvjetëshi”. Ata janë pëlqyer e vlerësuar nga lexuesit e shumtë. Ngjarje me rëndësi për të, ishte pritja e ngrohtë dhe përurimi i bukur i tyre, organizuar jo shumë kohë më parë, në Prishtinë.

Në vazhdim, në afër katër faqe të tjera, në këtë libër është botuar shkrimi “Sheg’e ëmbël, moj sheg’ e butë!…”(Kur Vjollca Koni thur poezi malli, për vendlindjen).Është fjala për poezitë e njëpasnjëshme, të cilat i publikon ajo në profilin e vetë të Fb, por dhe në faqe të ndryshme Interneti e në shtyp.Janë sa e sa vargje të tillë të frymëzuar. Por, po citojmë vetëm pak prej tyre: ““Dil një herë, të të shoh,/se më mori malli,/lule-Shqipërie, mbirë rrëzë atij mali!…” ose: “Eh, ato çahire, mbushur me tërfil,/bilbilat këndojnë,/thëllëzat bëjnë sehir./Rigoni ka çelur,/rreth e rreth ka mbledhur, /fluturat edhe bletët, për ta përkëdhelur…”. Ndërsa krijuesi popullor ka ditur ta mbështjellë aq bukur dashurinë, me petkun e artit poetik: “Dil, ta puthi pak buzën,/se më dogji malli, e ti më puth gushën,/të sjellim beharin…” ose, po ashtu: “Manushaqe e bukur,/që më çelë në prill,/nga sevdaja jote,/po këndoj si bilbil…”.

Duke thurur vargje për magjinë e natyrës shqiptare, Vjollca Koni shkruan, me plot ndiesi shpirti:

Këto cicërrima zogjësh,
në këtë natyrë vjeshte gri,
sa ma ngacmojnë zjarrin,
e fshehur thellë në gji!…

Duke vazhduar më tej, poetja kujton me mallëngjim vitet e vegjëlisë dhe të fëmijërisë së saj, kur çdo gjë ishte melodi më vete:

Sa më djeg malli e lotin e kam në sy,
kur mendoj rrugicën,ku u rrita fëmijë!
Ajo melodi, që mua ma rriti shtatin,
është dhe muza ime, që ma qendis vargun.

Fati i degdisi emigrantët tanë anë e mbanë botës, ku përpiqen për një jetë sa më të mirë. Këtë fakt, kjo poete e vajton me dhimbje, duke kujtuar edhe fundin e pashmangshëm:

Në se trupi këtu, mua do më ngelë,
shpirti im-flutur, atje do të jetë.
Po nuk pati lëndina e lulet të jenë tharë,
i kam thënë fluturës: Atje kam një thanë!

Sapo poetja Vjollca Koni publikon vargjet e saj të bukur, plot kuptim e frymëzim, vërshojnë mendimet e dhjetëra lexuesve. Sigurisht, ata nuk mund t’i përmendim të gjithë. Po veçojmë vetëm ata, që kanë shkruar Zh.Ikonomi e S.Nika: “Na dehe, me këto vargje-nektar!”
…Në mbyllje të këtij shkrimi, po citoj ndonjë titull domethënës të poezive, që ndodhen në profilin e Fb të Vjollca Konit: “Mall”, “Kujt t’ia jap dhimbjen?”, “Meditim…”, “Peng, kam lënë buzëqeshjen…”, “Malli, gjoksin ia djeg Nënës” etj.

Me këtë rast, përsëri dëshiroj ta përshëndes dhe ta përgëzoj atë, si për dy librat e botuar dhe, në tërësi, për krijimtarinë e bukur dhe të pashkëputur, poetike të saj!

Tiranë, 7 shkurt 2017