VIZORJA E WITTGENSTEIN-it

0
635
Vizorja e Wittgenstein

Ardian Vehbiu

Këto ditë – mbase javë e muaj – më ka ndodhur shpesh të lexoj opinionet, këshillat dhe “teoritë” e disave për sëmundjen COVID-19, virusin që e shkakton dhe barnat me të cilat duhet trajtuar.

Më ka qëlluar edhe të lexoj vepra letrare, të cilat kanë fituar çmime të rëndësishme.
Kam dëgjuar opinione dhe analiza politike të ndërlikuara, nga disa të cilët, deri dje, e kalonin kohën kryesisht duke stërvitur qenin.

Dhe të gjitha këto herë më është kujtuar VIZORJA E WITTGENSTEIN-it, një mekanizëm i formuluar nga ekonomisti Nassim Nicholas Taleb, në bazë të disa koncepteve të Wittgenstein-it vetë.

Taleb-i e përkufizon vizoren kështu: Përveçse kur ti ke besim në saktësinë e vizores, kur ti përdor një vizore për të matur një tryezë, njëlloj mund ta përdorësh edhe tryezën për të matur vizoren.

Me fjalë të tjera, varësisht kualifikimit dhe inteligjencës së dikujt, opinionet e tij tregojnë më shumë për autorin, se për objektin e argumentit.

Thonë se, pas premierës së operës “Rrëmbimi nga Saraji”, perandori Joseph II iu afrua Mozartit dhe i tha: “Ka shumë nota, i dashur Amadeus, shumë nota.” Vizorja e Wittgenstein-it na sugjeron se ky opinion i perandorit vlen më shumë për të krijuar ne një gjykim për perandorin, se për të krijuar ne një gjykim për Mozartin.

Kur një person i mësuar me artin realist natyralist ndalet para një pikture, të themi, të Picasso-s, dhe thotë se piktori i ka shtrembëruar figurat, ky opinion na ndihmon të krijojmë një ide për personin që e shpreh, por doemos jo për Picasso-n.

Rregulla e vizores vlen edhe drejtim të kundërt: një snob që pëllet se është mahnitur nga Ferri i Dantes, jo rrallë thjesht po na kërkon që ta matim me kutin e poemës (me hijen e mëngjesit).

Ti ndihesh pa qejf, dhe shkon për t’u testuar për Ethet e Tenerifes. Ta zëmë se testi të del pozitiv. Je apo nuk je i sëmurë? Përgjigjja varet nga besueshmëria e testit – në kuptimin që, kur testi nuk është verifikuar ose është i pasigurt, mund të jesh ti vetë, që po të përdorin për ta testuar. Ose, për të testuar personelin që po ta bën testin. E kështu me radhë.

Opinionet që shprehin të gjithë poshtë e lart, falë amplifikimit që u japin rrjetet sociale (unë vdes për Rahmaninovin!), flasin në fakt – në masën më të madhe – për autorët e tyre.

Ai miku yt, që del përditë të demaskojë vaksinat dhe të denoncojë komplotin global për sterilizimin e grave, është thjesht duke të ftuar që ta gjykosh, në bazë të atyre që thotë.

Në kuptimin që duhet të jetë njeriu naiv i madh, ose budalla, që të besojë se kompozimet e Mozartit kanë vërtet “shumë nota,” ngaqë këtë e ka thënë perandori Joseph II.

Ai që, i ndodhur përballë një tabloje të Picasso-s, të thotë se kjo është një “shgarravinë”, është duke përshkruar profilin e vet si kritik arti, edhe pse mund ta provojë tezën e tij, duke e krahasuar Picasso-n me Raffaello-n.

Edhe çmimi kombëtar që merr një vepër letrare shpesh është thjesht pasqyrë dhe dëshmi e jurisë që e ka dhënë.

Siç e thotë edhe Taleb-i: nëse nuk ke besim te vizorja, njëlloj mund të përdorësh tryezën për të matur vizoren.

AV