Ndue Ukaj
Nuk di të ketë ndonjë libër që të ketë përshkruar më mirë paaftësinë e shqiptarëve për të krijuar shtet, sesa romani, “Viti i mbrapshtë” i Ismail Kadaresë.
Një roman i bukur, i shkruar mjeshtërisht, plot pikëllim, humor e qesëndi, trajton pasojat që i mbarte në supe Shqipëria e porsadalur nga nata e zezë osmane.
Si duket, viti i mbrapshtë i Kadaresë, është sintagmë pikëllimi dhe dhimbje, që e përshkon historinë shqiptare në secilën stinë.
Shqiptarët, të paaftë për katharsis, nuk mësojnë nga historia, dhe nga një gabim, përplasën në një tjetër, më të madh dhe më tragjik.
Mjafton që të lexohen me vëmendje këto pasuese të mëposhtme dhe mund të kuptojmë shumëçka për dramën e Kosovës së sotme.
…
Ma ndjell zemra për keq, -thotë befas Doska. –
Shqipëria do prishet.
-T’u thaftë ajo gjuhë, -ia pret Alushi dhe kthen kryet nga Shestani. Me vete thotë: si i lëshon kështu, pa të keq, këto mynxyra ky njeri?
…
“Rrëmujë e shkuar rrëmujës, o Perëndi. Pa lindur mirë, shteti shqiptar ishte bërë lëmsh. Dhe as që dihej kishte a s’kishte shtet. S’dihej kryeqyteti, se një qytet i kërcente sot të shpallej i tillë, e tjetri shkrepej nesër. Kishin humbur vulat e qeverisë. Kufijtë s’gjendeshin dot. I matnin, thoshin, me litar, por njëri e tërhiqte litarin këndej e tjetri andej, e vinte i treti e i hiqet shenjat natën.”
…
“Doska trokiti pa pushin në njërën nga portat, gjersa më zë foli nga brenda:
-Me kënd jeni ju?
-Me Shqipërinë, -thirr Doksa, me kënd tjetër të s’ëmës do të jemi.
-Të gjithë ashtu thonë, por pastaj del që asnjëri nuk është me të.
-Mbylle atë gojë, more kërmill, dhe më thuaj a ka trupa të armatosur matanë fshatit.”
…
Heroi i romanit, Shestan Verdha, një i kryqëzuar për atdhe, me grupin e tij të sinqertë që lufton kundër prishjes së Shqipërisë, i pikëlluar e kupton se ai dhe shokët e tij mezi bëheshin njëqind për të mbrojtë Shqipërinë, kurse bandat esadiste, që thërrisnin babën, ishin rreth njëmijë.
…
Kjo është fatkeqësi kombëtare dhe jehona e tekstit të Kadaresë tingëllon më aktual se kurdoherë.
Një komb që nuk gjen paqe me vetveten, ai duhet të mendohet mirë dhe të rrëfehet përpara historisë, kësaj gjykatore të pamëshirshme.