Shkruan Prof. Zymer Mehani
Në letërsinë e sotme shqipe, veçanërisht në atë për fëmijë, krijimtaria letrare e shkrimtares Vilhelme Vranari zë një vend të veçantë. Lëvron thuajse në të gjitha gjinitë letrare, por vend kryesor zë proza.
Aktivitetin letrar e ka nisur qysh në bankat e shkollës, por realitet u bë vetëm pas rënies së Diktaturës. Filloi të botojë më 1996 në libra me fabula. Në vlerësimin që ka bërë Prof. Odhise Grillo për krijimtarinë e autores ka theksuar: “…Fabulat e saj kanë temë të larmishme, që i bëjnë jehonë problemeve të ditës edhe pse në qendër të tyre janë kafshët e shpendët etj…E veçanta e krijimtarisë së saj për fëmijë, është se ka një gërshetim të fabulës klasike të La Fontenit apo të Ezopit me fabulën bashkëkohore moderne, duke futur elementë të rinj didaktikë.”
Në ato fabula, spikat psikologjia, gjetjet poetike dhe bota e fëmijëve, e cila përmblidhet me personazhet e dashura të fëmijëve, me botën bimore dhe shtazore. Me kujdes të veçantë autorja ndërthur elementët edukativë, edukimi qytetar i fëmijëve.
Shkrimtarja Vilhelme Vranari është e veçantë në stilin e saj.
Preferon t’i shkruajë fabulat ndryshe nga ato me të cilat jemi mësuar. Krijimet e saj tingëllojnë si prozë poetike.
Autorja ka shumë për zemër edhe përrallën, gjini kaq të dashur për fëmijë. Preferon personazhe, ngjarje, vende nga më të çuditshmet, krijon e trillon, luan me personazhet, me emrat e tyre…i fut fëmijët në një botë imagjinare. Në përrallat e saj, autorja prezantohet me një emër mjaft të dashur, “Nëna Vili”. Si mësimdhënëse, si nënë, si gjyshe e dashur dhe si një person që vërtetë mundet, Nëna Vili, vërtetë ka se çfarë t’u rrëfejë dhe t’u ofrojë fëmijëve. Ajo ka gjetur bukur edhe personazhin e saj të quajtur Princesha Bianka (Princesha Bi), shqiptarja e vogël që jeton në emigracion, së cilës me shumë dashuri, ajo i rrëfen përrallat.
Tek të dy ciklet e librave “Kuçedra dhe Dragoi” dhe “Gjiganti dhe Xhuxhi”, gjenden krijime që me gjithë mend ofrojnë tek fëmijët kënaqësinë e të lexuarit, zhvillimin e imagjinatës dhe të memories historike të fëmijëve për vendin e të parëve, vendlindjen e stërgjyshave, gjyshave dhe prindërve. Të dy vëllimet që në formë imagjinare, shtjellojnë historinë e lavdishme të popullit shqiptar, shkojnë edhe më tej, në historikun e të parëve tanë ilirë.
Libri i parë përfshin tri përralla dhe një tregim, në përputhje me veçoritë psiko-fizike të moshës së lexuesve mbi 9 vjeç. Në krijime gjen episode historike lidhur me përpjekjet e ilirëve, punët, zakonet e tyre dhe zhvillimin e zejtarisë. E veçanta e këtij libri është fakti se ka një gjuhë të pasur letrare:
“Fëmjë të mirë, këto janë përrallat e bukura të vendit tuaj, që dikur quhej Iliri. Atdheun tonë të mrekullueshëm në këto përralla unë e kam quajtur “Vendi Blu”. Nuk ka vend më të bukur në botë se Shqipëria jonë.”- Kështu u drejtohet autorja fëmijëve shqiptarë.
Libri i dytë përmbledh 5 përralla, që përbëjnë ciklin “Përrallat e vendit Blu”. Në ndërtimin e të gjitha krijimeve, autorja është bazuar në historinë e popullit tonë, dhe kërkon të përcjellë dashurinë për atdheun e të parëve tanë ilirë, për gjuhën e bukur shqipe. Në faqet e librit fëmijët do të ndeshen me personazhe mistike, si me: Dragoin e maleve, me kalin Pegaso, Sirenat, Shenjtorin Yllion, Hyjneshat apo Perëndeshat. Do të njihen me Lubinë e pangopur me emrin Llufa apo Lubia e Detit, Gjiganti, Shtriga, e të tjerë personazhe.
Cilat janë vlerat që spikaten në këto përralla? Në mënyrën e ndërtimit strukturo-didaktik, kemi të bëjmë me një letërsi bashkëkohore për të vegjëlit. Në to lexuesve u rritet dëshirën që t’u ngjasojnë personazheve pozitivë që i duan dhe të urrejnë personazhet negativë dhe keqbërës. Autorja vë në lëvizje mendimin logjik të lexuesve, fantazinë e tyre.
Romani fantastiko-historik për fëmijë “Amanti i Arbërisë”
Romani me titull “Amanti i Arbërisë”, për fëmijë të moshave mbi
10 vjeç, një libër sa historik dhe po aq atdhetar, sa real dhe po aq fantastik. Ai është një udhëtim imagjinar i një fëmije, Amantit, që mban emrin e qytetit të lashtë, Amanties. Djali i vogël është trashëgimtar i mbretit Ilir, që është vrarë pabesisht nga të huajt. Fëmijës i lind një ide për të bashkuar shqiptarët që janë të ndarë e të përçarë. Në këtë mënyrë ai nis një rrugë të gjatë, të panjohur dhe shumë të vështirë, duke pasur parasysh udhëzimet apo porositë e gjyshes së tij.
Gjatë udhëtimit të Amantit dalin në pah bukuritë e vendit tonë, historia e lavdishme dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri, emra të njohur ilirë, të cilët kanë drejtuar dhe udhëhequr popullin shqiptar. Përveç kësaj lexuesi do të mrekullohet me përshkrimin dhe informacionet që përcjell autorja që në fillim të romanit:
Gryka e shpellës dilte në një qafë mali, ku në të majtë niste lugina ndërmalore e ku derdheshin ujërat e kristalta nëpër një ujëvarë. Në të dy anët e luginës hijeshonin makjet që nuk njohin stinë. Ato gjelbëronin midis bardhësisë së maleve dhe kaltërsisë së ujit. Një tablo mahnitëse e piktores dhe skulptores natyrë (61) etj, etj.
Shkrimtarja Vilhelme Vranari përshkruan me një stil të veçantë dhe dashuri të madhe bukuritë e vendit tonë. Gërsheton ngjarjet e ndryshme historike me informacionet mbi dukuri të ndryshme. Dhe këtë gjë ajo e bën mjaft lehtë e ëmbël.
Në roman personazhi kryesor Amanti kalon shumë peripeci, ai ishte rritur jetim, pa kujdesin prindëror, duke njohur vuajtjen, dhimbjen, skamjen dhe urinë. Ai u rrit dhe u edukua nga fjalët e urta të gjyshes së tij të ëmbël. Edhe pas vdekjes së saj, do t’ i qëndronte pranë, ta ndihmonte dhe ta këshillonte djalin: – Njeriu pa tokë, është i vdekur. Toka është shpirti i tij. Mbill ullinj kudo, Amant, se nuk ka pasuri më të shenjtë, biro (f. 18).
Gjithashtu në roman përcillen dhe mjaft këshilla e thënie të cilat ndikojnë në edukimin e fëmijëve dhe njohjen e tyre me këtë pasuri leksikore dhe frazeologjike të popullit shqiptar.
Thjeshtësinë dhe bukurinë e rrëfimit ia shton edhe krahasimi që bën autorja mbi bukurinë e vashës shqiptare. I krahason me hyjneshën Diona. Përmendim princeshën molose… Ajo ishte e bukur si zanë mali. Me sy të kaltër si valët e detit të Arbërisë; me lëkurën e bardhë si bora e maleve tona hijerëndë dhe me faqet e përskuqura si lindjet dhe perëndimet e diellit. Vetëm hyjnitë mund të krahasohen me këtë bukuri të rrallë. Ajo vashëz e rritur me erën e malit dhe ujin e burimeve… (f. 33). Apo krahasimi me Hyjninë e Butrintit, Dea. Hijeshi të veçantë i jepnin sytë blu, si Joni i thellë. Veshja e saj ishte e kaltër si qielli pa re i vendit të tij ndërsa mjedisi përreth ishte i blertë, si malet hijerënda të asaj toke të përgjakur (f. 49).