EMOCIONE NË BAJGORË:
Vapa e 3 gushtit 2020 u shndërrua në freski të këndshme shpirtërore, kur delegacioni nga Stublla vizitoi kompaninë tonë, tashmë të njohur edhe në hapsira ndërkombëtare “ELEKTROSTUBLLA”, në kryerjen e punëve të mëdha për prodhimin e mbi 100 Kilovat-orë të energjisë elektrike me erë, lartë bë Malet e Bajgorës, mbi pikën më të pasur të Kosovës, nga ku presim ushqimin dhe përmirësimin e jetës ne fara dardane. Në fytarat e të gjithë ne që e vizituam, por edhe të vëllezërve pronarë të kompanisë së përmendur më lartë, shumë qartë vëreheshin emocione gëzimi, por edhe krenarie dhe kumbonin urime reciproke nga zemrat e të gjithëve.
Shkruan: Engjëll KOLIQI
Mitrovicë e Vushtrri, gusht 2020
Kur morëm lajmin për projektin fantastik të prodhimit të energjisë elektrike me erë, në Malësinë e Bajgorës, nga investitorë gjermanë, u gëzuam të gjithë. Ne në Stubëll, për këtë projekt ishim të dijeni shumë më herët, para rreth pesë vitesh, sepse ndërmjetësues në këtë ishte kompania jonë e mirënjohur “ElektroStublla”. Sapo ishin bindur për fuqinë e erës, në bazë të matjeve dhe eksperimenteve që ishin bërë në Bajgorë, investitorët e kishin ngarkuar kompaninë tonë “ElektroStublla” të bëjë projektin.
Siç na dëshmoi, pronari dhe drejtori i përgjithshëm i Kompanisë, Z. Marjan Pal Ramaj i kishte angazhuar mbi 100 ekspertë fushash të ndryshme dhe kishin hartuar projektin e detajizuar, që e kishin dërguar në Gjermani. Gjermanët e kishin pranuar në plotni projektin dhe, pa hezituar, e kishin marrë vendimin të investojnë, duke ndarë mbi 170 milionë euro për realizimin e këtij projekti.
Drejtori i përgjithshëm i Kompanisë “ElektroStublla”, Marjan Pal Ramaj, i cili është edhe kryetar i Këshillit të Stubllës, shpesh na rrëfente për ecurinë e punëve në realizimin e projektit madhor. Ne shpesh bisedonim për mundësinë e një vizite atje, për të parë nga afër realizimin e projektit. Gjendja e nderë me pandeminë Covid-19 na e imponoi shtyerjen e kësaj vizite. Nuk duruam më dhe megjithë gjendjen jo të mirë me pandeminë në Kosovë, vendosëm dhe të hënën e 3 gushtit, një delegacion intelektualësh dhe biznesmenësh nga Stublla ia mësyem Bajgorës. Delegacioni përbëhej nga këta: Unë – Engjëll Koliqi, drejtori i SHFMU “Dom Mikel Tarabulluzi – Marjan Ukaj dhe biznemenët Luz Zefi, Franklin Ramaj, Frok Ballabani e Nikollë Jakovi.
Drejtori Marjan Ramaj na priti në Bogë të Bajgorës, në restaurant “Dodona”, ku po ushqeheshin punëtorët e tij, çdo ditë që po punonin aty. Me këtë rast, ai na njoftoi me shumë bashkëpunëtorë vendorë aty, na gostisi dhe dolëm në terren, për të vizituar çdo turbinë për prodhimin e energjisë me erë – gjithsej 27 sosh dhe çdo shtyllë të tensionit të lartë përçues, që ishin 92 sosh, që nga maja më e lartë e Bajgorës e deri në Vushtrri, ke fabrika e llamarinës.
Takonim punëtorë profilesh të ndryshme, duke punuar, jo vetëm të kompanisë “ElektroStublla”, por edhe të kompanive të tjera vendore dhe gjermanë që po relizonin bashkë, në kombinim projektin shumë milionësh. Ekspertët që po merrshin me realizimin e këtij projekti na bënë të kuptojmë se nga kjo pikë do të prodhoheshin mbi 105 megawat-orë energji elektrike, që është diku rreth 10 përqind e prodhimit të KEK-ut në Shkabaj (Obiliq).
Me këtë lajm ne kënaqeshim, por na kënaqi shumë edhe lajmi tjetër, se punët po rridhnin shumë mirë dhe se plani dinamik i punëve po zhvillohej brenda afatit të paraparë në projekt. Veç levërdisë ekonomike për vendin tonë, me realizimin e këtij projekti po fitohej shumë edhe në ruajtjen e ajrit të pastër, si dhe në zbukurimin e natyrës, që veç tjerash kishin lidhur me rrugë të asfaltuara çdo shtyllë të përçuesit të lartë dhe çdo turbinë për prodhimin e energjisë elektrike me erë. Ishin hijeshuar shpatijet e Bajgorës me rrugët gjarpërore, që po shkëlqenin nga asfalti i ri.
Pak minuta mbas orës 14 u gjetëm në Muzeun e gjigantit tonë “Trepça” në Stantërg, ku po na priste gjeologu Ibrahim Musa. Aty, sa na u rrit zemra kur shihnim dhe kur gjeologu na tregonte për pasuritë tona dhe për krenarinë tonë kombëtare Trepçën, aq edhe u mërzitem se ende nuk janë funksionalizuar shkritorja dhe fabrikat tjera të Trepçës, në Kosovë.
Duke dashur që sa më thellë të jemi brenda traditave tona shekullore, në restorant Dodona, në vend mishërave kemi ngrënë fli me sallatë bio, me djath e me kos të shijshëm të Bajgorës. Emocionet na kanë mbuluar edhe gjatë vizitës së pikave, ku luftëtarët tanë të lirisë, të Zonës Operative të Shalës, të UÇK-së, kishin zhvilluar betejat e lavdishme dhe koshin ngadhnjyer kundër hordhive pushtuese serbiane. Kemi patur rastin edhe të takojmë familjarë të dëshmorëve tanë nga ajo zonë, të cilët na kanë emocionuar, duke na rrëfyer lavdinë e UÇK-së në Zpnën Operative të Shalës.