(askush nuk mundi ta shpëtonte)
Arben Çokaj
– tregim –
Ishte një i sëmurë për vdekje, lëngoi gjatë, e shtruan në spital dhe e mori veten disi. I thanë “mos e pi atë helm”, që pinte, se përndryshe nuk ke shpëtim… Jo thoshte, nuk e vë më kurrë në gojë… Premtim i kotë ky! Kurrë nuk e mbajti fjalën, për të zezën e vet!
Ngrihej natën dhe pinte pak nga ai helmi, që e kishte sëmurë… edhe pse mjekët i kishin thënë prerë, në mënyrë absolute: “mos e vër më në gojë!” Hajt edhe një, sa për ta provuar – thoshte ai me vete – nuk u bë nami. Bela nuk po më bën gjë këtë herë!
Nëse bashkimi i dy elementeve kimike, kur hidhen në një gotë me ujë krijon një shkumë të madhe, kjo nuk ishte e vërtetë për vetëshkatërruesin. Ai për të një mitën, a një të miliontën herë e provonte… Hajt se ndoshta këtë herë nuk po krijohet shkuma… Krijohet, krijohet i thonin tjerët. Jo ndoshta këtë herë nuk krijohet, dhe ashtu i kaloi jeta atij… Ishte i sëmurë!
Helmi ishte fatal, e ndikonte keq, sidomos plagën që kishte në stomak. I fryhej, gati sa nuk ia zinte frymën dhe i jepte një kollë shkulitëse. Nuk mund ta linte të qetë veten. Të nesërmen pyeste sikur nuk dinte gjë: “çfarë kam, që e kam këtë kollë të fortë, sikur don me ma shkulë shpirtin?” Ai shumë mirë e dinte se çfarë kishte, por i bënte me sy vetes se ishte njeri i zgjuar, dhe zgërlaqej kur i pyeste të tjerët, e ata ia fusnin kot… Ose atij i dukej se ia fusin kot… E ky kënaqej, justifikonte veten… Ishte i sëmurë!
Mjekja i merrte 50 mijë lekë për çdo vizitë, i thoshte mos e pi helmin, por ky prapë e pinte! Këtij i dukej se po tallej edhe me mjeken, ose ashtu kujtonte! Por ajo atë punë kishte, jep këshilla, të merr paratë, të pret fytin, të merr paratē, ndërsa ky tallej me të! Nuk ishte nē gjendje të kuptonte se ky nē fakt po tallej me veten e njerëzit e afërm të tij… se ishte i sëmurē, i dobët për tē dominuar sjelljen e vet!
Pse harxhon para që të kontrollohesh nga mjekët, kur nuk ke ndërmend të zbatosh këshillat e tyre? Me u tallē me ta? Apo me veten?! Se dy rrugë ka njeriu në këto raste, ose e lë veten nē mëshirë të fatit, të bëhet ç’të bëhet, një jetë ka njeriu, jeton sa jeton, të vijë si të vijë. Ose kur shkon te mjekët, ndjekë këshillat e tyre, e pastaj shpreson të ecin sa më mirë!
Po e tërhiqte vdekja. Punët nuk i kishte keq pra, po ta ruante veten dhe të mos e pinte atë dreq helmi, mund të jetonte ndoshta për mrekuli. Por ai zgjohej natën dhe pinte helm, kur nuk e shihte askush, ashtu ishte gatuar, dru i shtrembërt gjithë jetën, kënaqej duke abuzuar me veten dhe të tjerët rreth tij… Ai nuk ishte normal, ishte i sëmurë… Ky ishte viktimë e vesit, destruktivi i vetvetes!