“VETËFLIJIM” POLITIK!

0
576

AV. XHABIR ZEJNUNI

Lulzim Basha nuk resht duke mrekulluar publikun me “krijimtarinë” e tij! Jo letrare, por “politike”! Në verën shumë të nxehtë (klimatike dhe politike) të vitit 2017, ai shpiku “institutin e ri politik” të “vetëngrirjes”, por që falë Allahut nuk vazhdoi gjatë!

Me datën 18 shkurt, Lulzim Basha në emër të PD-së dhe opozitës, deklaroi se “Opozita në unanimitet ka vendosur që t’ja vërë flakën mandateve”. Më pas, në një intervistë të shkurtër në mes të një hareje opozitare, përveç Bashës folën edhe liderët e partive të tjera opozitare (të zgjedhur me anë të listës së PD-së!) Mediu, Ndoka dhe Dule, të cilët e mbështetën Bashën me “djegjen” e mandatit të tyre.

Por, skena më mallëngjyese u bë kur edhe Agron Duka pa mandat e “dogji” mandatin e tij! Edhe Kryemadhi, e cila më parë kishte deklaruar “Se mandatet e fituara me gjak (por, që nuk e përcaktoi dot se për çfarë gjaku bëhej fjalë!) nuk do i djegim”, ju bashkua opozitës në “djegjen” e mandateve. Në këtë mënyrë, Basha do hyjë në histori, duke qenë se shpiku një “institut të ri juridik”, që është “djegja e mandateve”. Përkrahësit e tij, e mbështesin këtë fakt si një gjet të lartë patriotik dhe politik.

Kundërshtarët politikë po e kritikojnë atë. Kazani mediatik, po vlon duke bërë punën e vet! Ekspertët juridikë të opozitës, e mbështesin nga ana politike, por jo ligjore dhe kushtetuese “djegjen” e mandateve. Në “djegjen” e mandateve, opozita përfshin edhe listat pritëse rendore!

Një trajtim modest i Kushtetutës dhe Kodit zgjedhor, ja vlen që të bëhet, duke shtruar këtë pyetje: “A është kushtetuese dhe legjitime djegja e mandateve”?!
Kushtetuta, tek neni 71, par. 2, germa b), disponon se “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: b) kur heq dorë nga mandati”.

Nga ky fakt, rrjedh se mbarimi i vlefshmësrisë së mandatit, është individual dhe jo kolektiv, se mandati mbaron dhe nuk “digjet”. Pasi nëse një deputeti mandati i mbaron kur ai ”heq dorë”, do thotë se vakanca plotësohet nga kandidati, që është i pari në listën e pritjes. Ndërsa nëse një mandat “digjet”, atëherë do thotë se ai mandat nuk ekziston më dhe si i tillë nuk mund të zëvendësohet.

A mund të “djegë” mandatin lista pritëse? Jo. Pasi personat në listën pritëse, nuk janë deputetë që të ushtrojnë të drejtën që rrjedh nga neni 71, par. 2, germa b).
Si rregull, duhej vepruar ndryshe. Të gjithë ata deputetë që “dogjën” mandatin kolektivisht, duhej që të “hiqnin dorë nga mandati” në mënyrë individuale. Më pas, do duhej që këta deputetë të zëvendësosheshin nga kandidatët në listën pritëse, të cilët duhej të betoheshin dhe më pas edhe ata të “hiqnin dorë nga mandati”.

E kështu me radhë derisa të mbaronin listat pritëse të opozitës. Në këtë mënyrë, nuk do kishim “djegje” madatesh, por “heqje dorë nga mandati” në respektim të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor.

Kodi Zgjedhor, në nenin 164 me titull “Ndërprerja e mandatit dhe zëvendësimi i vakancës”, par. 1, disponon se “Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati.

Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës”.

Ky nen, sqaron saktë TRE çështje.
1. Se mandati ndërpritet dhe nuk digjet;
2. Se deklaratat idividuale dhe kolektive paraprake, nuk vlejnë për ndërprerjen e mandatit;
3. Se është deputeti ai që duhet të paraqitet para Kuvendit për të hequr dorë nga mandati. Dhe nuk parashikohet që para Kuvendit të paraqiten edhe kandidatët e listës pritëse.

Si rrjedhim, shtrohen dy pyetje:
1. “Si do heqin atëherë dorë nga mandati ata kandidatë që nuk janë akoma deputetë”? dhe
2. “A ka tagër një parti të tërheqë (apo djegë) edhe mandatin e kandidatëve të listës pritëse”?
Par. 2, 3 dhe 4, shpjegojnë shumë qartë procedurën e zëvendësimit të deputetëve me kandidatët e listave deri në shterimin e tyre.

Ka shumë mundësi që pyetjet më lart, si edhe interpretimi i par. 2, germa b) të nenit 71 të Kushtetutës dhe par. 1 i nenit 164 të Kodit Zgjedhor, të bëhen objekt diskutimi në Gjykatën Kushtetuese (kur të krijohet!).

Duhet shtuar se edhe pse “djegja” e mandateve ishte një surprizë, kjo surprizë nuk është atribut i kryetarit të PD-së, siç deklaron politikisht ndonjë jurist i njohur i kooptuar së fundmi në PD! Ai “harron” se këtë lloj suprize, nuk e parashikon as Kushtetuta, as Kodi Zgjedhor dhe as statuti i asnjë partie politike.

I njëjti jurist, thekson se kandidatët e listës, mund të zëvendësojnë një apo dy deputetë që kanë hequr dorë, por jo listën komplet të opozitës dhe si rrjedhojë duhet të shkohet në zgjedhje të parakohëshme. Por, juristi në fjalë, nuk na sqaron se në çfarë baze kushtetuese apo ligjore mbështetet deklarata e tij. Bën çudi po ashtu fakti që juristi në fjalë i trajton si sinonime termat “djegje mandati” dhe “dorëzim mandati”!

Problemi këtu nuk qëndron aq shumë tek juristi i njëanshëm, por tek gazetari i papërgatitur, i cili dëgjon atë se çfarë thotë juristi dhe nuk din (apo nuk don!) të replikojë siç duhet!

Por, surprizën më të fortë do e bëjë Agron Duka kur ai do “djegë” mandatin e tij inekzistent!
Surpiza të tjera po ashtu na presin në të ardhmën(….)!!!

Sidoqoftë, opozita do hyjë përsëri në Parlament, pas kërkesave dhe lutjeve që do i vijnë asaj nga populli “sovran”!