VËSHTRIM PËR VËLLIMIN POETIK “VDEKJA VJEN PREJ FJALËVE TË TILLA” TË POETIT RRAHIM M. SADIKU

0
790
Rrahim Sadiku - Vdekja vjen...

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Krijimtaria poetike e autorit Rrahim M. Sadiku sa vjen e po lë gjurmë letrare në disa aspekte apo kahje preokupimi. Kjo vërehet edhe në vëllimin poetik “Vdekja vjen prej fjalëve të tilla”, ku na pasqyrohet një botë poetike si rrjedhë kryesore, me një angazhim krijimtar të sintetizuar, me një laryshi tematike, me një artikulim poetik gjithnjë e më tepër të kristalizuar me ide poetike të realizuara estetikisht. Pra, kemi të bëjmë me krijime të vargjeve nga një poet, që është duke krijuar në vazhdim e sipër, aktiv, dhe për këtë arsye mendimi ynë kritik për këtë autor nuk mund të rrumbullakësohet në vija të trasha, pra s’mund të ketë vlerësim të prerë, si shkak i vazhdimësisë krijuese të penës së tij.

Kur lexojmë përmbledhjen poetike “Vdekja vjen prej fjalëve të tilla” të poetit Rrahim M. Sadiku, menjëherë hasim në një strukturë poetike të ndërtuar mirë, me një stil krejt të veçantë, me idetë poetike të njësishme ose me pak veçanti dhe, deshëm apo s’deshëm na imponohet mendimi se kemi të bëjmë me një stil krijues të nivelit të lartë të autorit që është duke sjellë rezultate të dëshiruara.

Në këtë vëllim gjithashtu shumë lehtë vëhet në dukje lidhmëria e krijuesit me të kaluarën dhe aktualitetin, prandaj edhe analiza e tij kërkon një lexim “brenda të kaluarës dhe aktualitetit” dhe si i tillë, lë mbresa se do të mbetet i qëndrueshëm edhe më tej. Pra, edhe me këtë përmbledhje, poeti Sadiku është duke lënë gjurmë të shqetësimeve të vrullshme poetike, si tematikisht, ashtu edhe në aspektin stilistikor, prandaj përshtypja dhe konstatimi ynë është se te Rrahim M. Sadiku bota e tij poetike mbetet krejtësisht e hapur dhe nga pena e tij priten edhe prurje të tjera poetike.

Poezia e Sadikut nuk ka kthesa të befta e as rrënjësore, por ajo është ndërtuar dhe rritur në vijë të drejtë, me shpërthime të qeta. Këto poezi karakterizohen me disa përplotësime, me thellim mendimesh dhe si të tilla qëndrojnë, sepse janë të ndërtuara me strukturë të veçantë, të shtrira tematikisht në disa rrathë preokupimi mbi një gurrë të pashtershme frymëzimi. E preokupimi krijues i poetit është se si t’i zgjerojë koordinatat e refleksivitetit dhe të emocionalitetit.

Fare mirë vërehet se në vargjet e këtij vëllimi poeti Rrahim M. Sadiku ka arritur që ta përsosë përvojën e tij poetike, si sublimim në një përvojë të poezisë meditative e jo në një brendi poetike çfarëdo qoftë tjetër. Gati çdo vlim shpirtëror, çdo dilemë e subjektit poetik, çdo heshtje, zëron thuajse befas, ngase edhe shpirti i poetit është krejt i qetë, por fare lehtë mund të shkëndijojë sipas situatës në të cilën mund të gjendet.

Versifikacioni tradicional dhe stili i poetikës së poezisë popullore sikur i kanë ndarë rrugët me stilin krejt të veçantë të poetit Rrahim M. Sadiku. Ai me poezitë e tij, në shumë raste ka arritur t’i shpërthejë kornizat e strukturës së vargut tradicional. Vargu i tij është unik dhe i veçantë, edhe për faktin se vërehet një qëndrim pak më i nuancuar, pjesërisht i ri, që mund të kuptohet dhe vështrohet si ligjësi e qartë dhe e mundshme e prezencës dhe e metamorfozave të individualitetit poetik të tij.

Gjuha e poetit është e thjeshtë, por e pastër. Vargjet janë të ndërtuara mjeshtërisht, herë me rimë, e herë të lira. Po ashtu metri i vargut është i ndryshëm. Është përdorur mirë dhe mjaft edhe figuracioni poetik, që vërtet veprës ia shtojnë vlerën estetiko-letrare.

Prof. Zymer Mehani, në Podujevë, më 15 gusht 2017