Vështrim për vëllimin poetik “Prite ditën me dashuri” të poetit Beqir Nuredini

0
577
Beqir Nuredini - Prite ditën me dashuri

Zymer Mehani

Emri i autorit Beqir Nuredini për lexuesit tanë tanimë është i njohur me vëllimi poetik “Ka ndryshuar çdo gjë“, që është botuar në Prishtinë, para disa kohësh.
Tani ky autor po paraqitet para lexuesve me librin e tij të dytë poetik, “Prite ditën me dashuri”, vargjet e të cilit janë tinguj përjetimesh të shprehura besnikërisht.

Duke lexuar poezitë e autorit Beqir Nuredini, tek ne u nxit pasioni për lexim, sepse ky autor në vargjet e veta trajton dromca krajatash nga e kaluara dhe aktualiteti i jetës sonë, duke pasqyruar edhe shqetësimet që bashkë me të, i përjetuam të gjithë ne gjatë viteve ’90 të shekullit XX, e që jemi duke i përjetuar ende edhe sot e gjithë ditën.

Në botën poetike të autorit Nuredini gjejmë nuanca shumështresore, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija. Ky poet nuk mjaftohet vetëm me përshkrime ngjarjesh, dukurish e fenomenesh, por meqë stili i tij është i gjerë dhe i thellë, ky vazhdimisht e ndryshon këndin e kundrimit, me intensitet të shtuar të interesimit për çdo dukuri dhe fenomene, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.

Në poezinë e Beqir Nuredinit ëndrra e zgjëndrra janë pleksur duke u zhytur në njëra-tjetrën, ndërsa vetë jeta përplot andralla është tejet e vështirë.
Motivi atdhetar është mjaft i pranishëm në disa poezi të autorit Beqir Nuredini. Ai do t’i vargëzojë me shumë pasion atij dhe bijve të tij dëshmorë.

Beqir Nuredini është mjeshtër i fjalës së bukur artistike dhe si krijues depërton në magjinë e artit përgjithësisht, ngase është gjurmues, vizionar dhe krijues i denjë, që me vargjet e tij kapton shtigje të reja dhe hap botëra të reja imagjinative.

Në poezitë e vëllimit “Prite ditën me dashuri” të poetit Beqir Nuredini, ne e takuam shpirtin e tij të shqetësuar drejt hapërimit të lehtë në artin poetik, kundruall andrallave e dallgëve të jetës, duke e pasuruar vargun poetik tek ne. Ky krijues sikur s’gjen rehati në këto kohë të pakohë, nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë, prandaj vazhdimisht gjurmon dhe krijon vargun e tij.

Krijimtaria e poetit Beqir Nuredini shquhet për origjinalitetin e saj. Ajo karakterizohet me gjuhë dhe fjalor të pastër, me figuracion të bollshëm poetik. Vargjet i skalit me stil të bukur, ku kemi laryshi rimash dhe metër të ndryshëm të vargëzimit poetik. Këto janë fakte që artit poetik të Nuredinit ia shtojnë vlerën edhe më tepër.

Beqir Nuredini u lind më 14.11.1955 në fshatin Greme të Ferizajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Ferizaj. Studimet i nisi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, të cilat nuk i përfundoi për shkaqe shëndetësore…

Librat e botuar:
Ka ndryshuar çdo gjë” (Prishtinë 2019) dhe
Prite ditën me dashuri” (Prishtinë 2020).

Beqir Nuredini jeton dhe punon në Greme të Ferizajt.

Zymer Mehani, Podujevë, më 13 shtator 2020