VËSHTRIM PËR VËLLIMIN POETIK “O MALE HIJERËNDË” TË POETES LUMTURIE S. DRENICA

0
584

Shkruan Zymer Mehani

Nga lexuesi shqiptar tanimë poetja Lumturije S. Drenica njihet me vëllimin poetik: “Veç një atdhe” (Prishtinë, 2017), ku është bashkautore me poetin Zymer Mehani, e sidomos me përmbledhjen e saj: “Ah, Shqipëri!…” (Prishtinë, 2018). E tani lexuesit besnik kjo autori po ia dhuron edhe vëllimin: “O male hijerëndë” (Prishtinë, 2018).

E ripërsërisim se poezia e poetes Lumturije Drenica është e përshkuar dhe e vulosur me motivin e atdhedashurisë dhe mallin për atdheun, që edhe identifikohet si e tillë. Poezia e saj është rrëfim i zakonshëm, nganjëherë edhe i ndërlikuar, serioz, i qetësuar dhe i kthjellët, poezi e rrjedhshme dhe ritmike. Ajo është poezi atdhetare, të cilën poetja e kultivon me ëndje dhe asnjëherë nuk e lë pasdore.

Duke lexuar përmbledhjen “O male hijerëndë” të poetes Lumturie Sulejman Drenica, menjëherë na bie në sy volumi i preokupimeve të kësaj autoreje me jetën aktuale dhe me problemet e saj, siç janë varfëria, plagët e kurbetit, vetmia etj. Ndonëse në poezitë e saj nuk mund të gjejmë ndonjë personazh të veçuar lirik, në to hasim portretin e mërgimtarit shqiptar, por shumë i shpeshtë është edhe portreti i nënës së vetmuar, që herë në dritare, herë në prag të shtëpisë, prore i pret me mall bijtë apo bijat e veta, që kurbeti i ka degëdisur gjithandej nëpër botë. Autorja Lumturije S. Drenica këto dy portrete (mërgimtarin dhe nënën) i fikson si palë komunikuese, qofshin në situata të largëta, që shfaqen në trajtë vegimesh dhe kujtimesh.

Në poezinë e poetes Lumturije S. Drenica ndeshemi me theksin evokativ, qoftë si evokim i kohës së largët (nga vitet e fëmijërisë, ditët e arta të rinisë, apo kohës së kurbetit), që përmbledhjen e pasurojnë në planin referencial të tekstit poetik.

Poezia e poetes Lumturije S. Drenica është përplot ide. Gjuhësisht është mjaft bashkëkohore. Shquhet për laryshi vargjesh. Të shumtën e herës poezitë janë të rimuara. Poezia e saj shquhet edhe për nga saktësia e fiksimit të detajit dhe për nga krijimi i imazhit të qartë, ravijëzimit të idesë, sugjerimit të gjendjeve. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një poete që në poezinë e saj di të ekuilibrojë kuantumin e tekstit dhe të substratit poetik.

Te poezia e Lumturije S. Drenicës lehtë mund t’i dallojmë tiparet e origjinalitetit, siç janë kualiteti i përceptimit individual artistik, diskursi i mëvetësishëm dhe ekspresiv, figuracioni poetik autentik dhe shumë veçori të tjera.

Edhe në vëllimin poetik “O male hijerëndë” të poetes Lumturije S. Drenica, padyshim se bie në sy imagjinata e bujshme poetike, prodhim i së cilës janë sendet dhe objektet konkrete, proceset aktuale jetësore, dukuritë e manifestimet, që në kontinuitet lidhen me njeriun, qoftë brenda në atdhe, qoftë jashtë tij, në mërgim.

Pothuajse çdo poezi e autores Lumturije S. Drenica përshkohet nga dimensioni social, por në poezinë e saj ajo i këndon të kaluarës së lavdishme, të ardhmes, sikurse edhe preokupimeve, qoftë personale, qoftë kolektive.

Në poezinë e autores Drenica mund të hasim edhe në përafrime të poezive të saj, për nga motivet, me poezinë e traditës. P.sh. me poezinë e Filip Shirokës (motivi i mallit për atdhe), apo me poezinë e Çajupit (motivi i atdhedashurisë).

Lumturije S. Drenica vargjet e veta i ka shkruar me forcë, e ndonjëherë si me qëllim e ka bërë këtë gjë, sepse ajo ka eksperimentuar dhe me, apo pa qëllim e ka lënë të errësuar deri diku mendimin. Sidoqoftë, fjala e saj poetike meriton një kujdes serioz, sepse përmban në vete mjaft elemente karakteristike.

BIOGRAFIA E AUTORES

Lumturije S. Drenica u lind në fshatin Borje të rrethit të Kukësit, më 1 gusht 1973. Pa e pasur fatin që të lindet e jetojë në trojet e gjyshit të saj, Rexhep Drenica…i biri i Tafil e Sadije Drenica, që lindi më 18 mars 1907 në fshatin Lubinje të Drenicës së Kosovës….Që në moshën 12- vjeçare, për të shpëtuar nga duart e shkaut, i drejtohet nënës Shqipëri, ku punon dhe jeton e krijon familje të përkryer në Fshatin Borje të rrethit të Kukësit, duke marrë për grua mbesën e dëshmorit Zahim Hamza nga Topojani i Kukësit…Ashtu fillon dhe zgjerimi i familjes duke u mbushur plot me nipa e mbesa. Familje e madhe me besë e mikëpritje dhe duke u edukuar me dashuri të madhe për atdheun.

Lumturija ishte një fëmijë me ëndrra për jetën, duke mbaruar shkollën tetëvjeçare në fshat me nota të shkëlqyera. Donte të vazhdonte edhe në lart, nga pamundësia për t’u larguar nga familja, vazhdoi gjimnazin në një fshat fqinjë, në fshatin Shishtavec të rrethit të Kukësit… Tri vitet e para i mbaroi aty dhe vitin e katërt e mbaroi me korrespondencë në Kukës me rezultat të lartë. Në vitin 1991 emërtohet Komandante e Çetës Vullnetare në fshatin Borje. Po në vitin 1991 martohet dhe ëndrrat e saj për vazhdim studimesh marrin fund… Krijoi familje …Më 1995 merr rrugën e mërgimit me familjen si shumë të tjerë duke lënë prapa gjërat më të çmuara…atdheun dhe njëzit e saj më të dashur… Sot 22 vjet banon e jeton në Greqi, duke shpresuar se një ditë do të kthehet në atdhe.