Botoi SHB “ProkultPress”, Prishtinë
Shkruan Zymer Mehani
Poetja Luçie Marku me përmbledhjen poetike “Kthehuni, dallëndyshe” depërton lehtësisht në zemrat dhe ndjenjat e lexuesve. Poezitë e kësaj përmbledhjeje kanë nivel kuptimplotë artistik dhe përshkohen me tematika e motive nga jeta jonë, me të tanishmen dhe të kaluarën. Pra autorja lëndën e ka gjetur në jetën e përditshme të së djeshmes, apo të së tashmes, që zhvillohet në vrullin e ngjarjeve dinamike. Motivet janë të ndryshme, si i kurbetit, i atdheut, i miqësisë etj.
Në këtë përmbledhje poetike vërejmë një talente, një poete lirike, një krijuese, që asnjëherë nuk i shmanget asaj që është jetësore, as aktualitetit. Ajo në vargjet poetike transponon me interesim tema e motive, me trajta të thukëta, artistikisht të pranuara. Duke qenë të tilla, poezitë e Luçie Markut na bëjnë që të ndalemi në çdo varg dhe të mendojmë, të kridhemi në refleksionet e tyre, në domethënien e asaj që shprehin, duke na nxitur të hetojmë edhe më tutje, edhe më thellë kuptimësinë e tyre. Kësisoj poetja Marku arrin të na angazhojë plotësisht, derisa lexojmë poezitë e saj dhe të na ngazëllejë, gjersa ndjejmë se si vargjet e saj depërtojnë lehtësisht në mendimet dhe ndjenjat tona, duke na shtuar dëshirën që të përsiasim për to.
Kuptohet se përmbledhja poetike “Kthehuni dallëndyshe” lajtmotiv e ka motivin e kurbetit, dhe kjo sigurisht, për faktin se vetë autorja tash e një kohë relativisht të gjatë jeton jashtë atdheut (në Greqi). Kjo përmbledhje nuk është voluminoze, por dëshmon për natyrën prej lirikeje të hollë të poetes, për çastet e shumta kur ajo shprehet si poete mendore, me shprehje të bukura, të mbështjellura dhe me pak dozë humori (Cikli i poezive “Pak humor”).
Që nga poezia e parë e këtij vëllimi poetik të poetes Luçie Marku, nuk është e vështirë ta zbulojmë dhe përjetojmë ndjenjën dhe mendimin e poetes. Poezitë janë thurur me ndjeshmërinë e një poeteje, e cila gjatë vargëzimit nuk shikon vetëm realitetin e rëndomtë, por edhe fiksionalitetin, prandaj konstatojmë se vërtet, vargjet e saj janë plasaritje shpirti dhe therrje të dukshme zemre.
Në poezitë me motivin e kurbetit, autorja Marku ravijëzon fytyrat e kurbetçarëve paksa të mugëta, të ngrysura, por edhe ndjellamira dhe arrin të shpreh urtësinë dhe krenarinë e tyre, por me dashuri të madhe gjithnjë për vendlindjen, familjen e fëmijët.
Një ndër poezitë më të bukura me motiv të kurbetit të këtij vëllimi është “Besa-besë, emrin shqiptar“ zëri i së cilës vërtet ka dalur si betim prej kurbetçari, që:
“Nëpër botë, mërgimtare rroj
Dhe të gjithë i respektoj
Si vendlindjen nënën Shqipëri
Nuk e lind e madhja PerëndiMe askënd unë s’të ndërroj
Sa të marr frymë e të jetoj
Le ta njohë gjithë bota e mbarë
Besa-besë, emrin shqiptar”
Edhe motivi atdhetar është i theksuar në shumë poezi të këtij vëllimi poetik të autores Luçie Marku, si në vjershat: “Atdhe, jetën e jap”, “Gjithmonë e madhe je për mua”, “Rrugë të mbarë, shqiponje” e tj., ku malli dhe dashuria për Shqipërinë shpërthen si llavë vullkani nga kraharori i poetes, ngase edhe vetë gjendet jashtë atdheut. Prandaj poetja ( për atdheun) Shqipërinë do të thotë:
“Shqipëri, o atdhe, e shtrejtë je ti
Zemra nga malli gjak më pikon
Flakë po ndizem çdo ditë si qiri
Edhe pse jam larg, shpirti im të donPo…. sa shumë që po më mungon
S’e dija as vetë këtë rrugë kaq të gjatë
Plaga në zemër po më lëngon
Në mendje të mbaj ditë edhe natë”
Në përmbledhjen poetike “Kthehuni, dallëndryshe” hasim edhe në dy-tri poezi, që autorja ua ka kushtuar më të dashurve të saj: prindërve, motrës, vëllait etj etj. Në vargjet e këtyre poezive vërejmë veç mall dhe dhembje për familjarët. Janë shum të dhembshme vargjet, që ia kushton motrës së ndjerë, Maries:
“Këto vargje po t’i kushtoj
Zemra ime shumë ka mall
Dhimbja për ty më përvëloi
Ah, sikur të ishe gjallëIke lart në qell t’ kulluar
Atje ngrohtësisht do të mbajnë
Zotit në gji i ke shkuar
Do të kujdeset për ty gjithmonëSëmundja ty shumë të mundoi
Asnjëherë të qetë s’të la
Trupin shumë ta dërrmoi
Nga fëmijët të pat nda’Ah, moj motër, e dashur motër
Sa herë vija, të gjeja në votër
Të përqafoja menjëherë
Me shumë mall, dëshirë e nder”
Poetja s’do t’i harrojë as miqtë e saj poetë, për të cilët ka thurur poezi përkushtuese (“Dy poetë të çmueshëm jeni”, “Me vëllain tonë kosovar” etj.), në të cilat shfaq dëlirësinë e saj shpirtërore dhe respektin e admirimin për miqtë e penës!
Në disa poezi do të gjejmë edhe dromca humoristike, por edhe autobiografike.
Dhe fare në fund, konstatojmë se Luçie Marku, sikurse edhe në vëllimin e parë poetik “Ngjyrat e jetës” (Prishtinë, 2017), edhe në këtë vëllim, që është i dyti me radhë, dëshmon se ka prirje poetike, duke e porositur që t’i rreket përvetësimit edhe më të plotë të ngjyrave dhe figuracionit poetik, të shprehjeve më elegante dhe të kulturës së vargut, në orientim të drejtpërdrejtë kah temat bashkëkohore.