VËSHTRIM PËR VËLLIMIN POETIK “EJA, PRANVERË!” TË POETIT, SHEFKI PËRVETICA

0
999

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Përmbledhja me poezi “Eja, Pranverë!” e poetit, Shefki Përvetica, është e ndarë në tri cikle: 1.”Dy fjalë vendlindjes”, 2.”Kurrë nënshtrim asnjë armiku” dhe 3.”Dhembje dhe krenari”.

Në ciklin e parë, tani në moshën e pjekurisë, poeti i rikthehet moshës fëmijërore dhe rinore, kujtimeve të përjetuara në natyrën e fshatit, në botën idilike, ku përshkruan me shumë lirizëm krojet e vendlindjes, stanin e kecërit, lëndinën e malin etj, dhe na e paraqet panoramën e dëlirë të natyrës së fshatit.

Te poezitë e këtij cikli dominon motivi i fshatit.

Ja sa bukur i këndon poeti vendlindjes, për të cilën prore ka shumë mall:

Në kullat tua t’gurta, imja vendlindje
Me përralla e këngë edhe me mikpritje
Ndër shekuj kanë folur në gjuhën amtare
Shumë breza burrash edhe grash shqiptare

Me dhimbe e lot për ty ruaj kujtime
E s’të harroj dot, ty vendlindja ime!

( Nga poezia Vendlindja ime)

Janë këto vargje vërtet një hymn për natyrën shqiptare.

Te cikli “Kurrë nënshtrim asnjë armiku”, mbizotëron motivi i atdhedashurisë, i qëndresës dhe i sakrificës që bëri ndër shekuj populli ynë për liri, për të cilën kurrë s’u ndal së luftuari, duke derdhur shumë gjak dhe duke u flijuar ndër breza.

Atdheu, atdheu mbi të gjitha
Rilindësit na kanë mësuar
Porosinë në vend t’ua çojmë
E t’mos rrojmë të turpëruar

(Nga poezia Zëri i atdheut)

Sa bukur, poeti na e rikujton në këto vargje porosinë e rilindësve shqiptarë se “atdheu, (është) mbi të gjitha” prej nga vjen edhe detyrimi që kemi ndaj kësaj porosie. Amaneti, pra doemos duhet të çohet në vend. Dhe, vërtet për ta çuar në vend këtë porosi, u flijuan shumë bij e bija të kombit tonë, siç ishte edhe vashëza e re nga Llapi ilirik, Ylfete Humolli:

Motër Ylfete-
Yll i Lirisë
Lulëkuqe e Llapit
Bijë e Dardanisë
……………………
Popullit i dhe fuqi
Armiqtë për t’i zhbi

(Nga poezia Lulëkuqes)

Për lirinë e atdheut ranë edhe shumë dëshmorë të kombit, siç
janë: Ali Ajeti, Afrim Zhitia, Bedri Ahmeti, Fahri Fazliu dhe shumë të tjerë, që janë simbol lirie dhe vetë liria jonë. Falë gjakut të tyre, sot ne në atdheun tonë jemi të lirë, dhe:

Vetëm Shqipet dhe Lulëkuqet
Në këto troje janë të lira
Në male, brigje e lumenj
Dhe në fusha të dëlira

(Nga poezia Të rënëve në Altarin e Lirisë)

Në ciklin “Dhembje dhe krenari” poeti, Shefki Përvetica, me mjeshtëri prej artisti do t’na i vizatojë portretet e disa figurave kombëtare, siç është edhe ajo e mësuesit dhe e atdhetarit, Shaban Shala:

S’do t’harrohet 63-ta
Mësuesit tonë i merret jeta
Për Flamur e shqiptari
Ngritet trimi n’Pavdekësi

(Nga poezia Kujtim për mësuesin Shaban Shala) Nëpër vargje të këtij cikli poetik do të ndeshemi edhe me figura luftëtarësh tjerë të lirisë, siç janë Agim Ramadani, Sali Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajaziti e shumë të tjerë, të cilët nën flamur të Skënderbeut s’u ndalën dot së luftuari për çlirim të truallit amtar:

Thellë nga toka del kushtrimi
-Zgjohuni djema, hasmit bini!
T’ia mbrojmë nderin Dykrenares,
Thërrasin Shqipet e Koshares.

Këndon pushkë e Agim trimit
Sali Çekut-za bylbylit
Zani i pushkëve nji asht’ ba
Pa qenë t’lirë, kurrë s’kem me pra!

(Nga poezia Djemtë e Shqipes nën nji za)

Pra, në këto vargje na del tejet i qartë qëllimi i luftës për çlirim dhe betimi që u bë në Flamurin kuqezi nga luftëtarët kombëtarë, për ta vazhduar luftën deri në çlirimin përfundimtar, që falë sakrificës dhe gjakut të tyre, edhe u
arrit:

Tash, Kosovë, ma gëzofsh Pranverën
Gjaku i bijve ta ktheu nderën
Me gjak t’kuq çdo cep ujitën
Lulet tua t’shohin dritën!

(Nga poezia Tash, Kosovë, ma gëzofsh Pranverën) Figura e NËNËS dhe e MOTRËS në vargjet e poetit Shefki Përvetica

Në përmbledhjen poetike “Eja Pranverë”, poeti Shefki Përvetica, me mjeshtri artistike ka arritur t’i skalisë në varg figurat e NËNËS dhe të MOTRËS.

Në poezinë “Vaji i nënës”, takohemi me figurën e nënës, që përmban në vetvete karakteristika dhe tipare të nënës shqiptare.
Kjo nënë, përmes dashurisë ndaj djemve të saj, thellë në zemër e ruan edhe dashurinë ndaj luftëtarëve për çlirim të atdheut (Kosovës), sepse, edhe i mëkoi me gjirin e saj, duke u kënduar ninullat me motive atdhedashurie, e kështu i brumosi dhe i rriti me atdhedashuri. Në këto vargje ne e shohim nënën e bijve më të denjë të kombit tonë, nënën e Jusufit e të Bardhoshit, të fortë sikur shkëmb graniti edhe në çastet më të rënda, kur e merr vesh rënien e bijve.

Se sa e fuqishme është dashuria dhe qëndresa e këtyre nënave mësojmë, kur ato e marrin lajmin për vrasjen e djemve të tyre. Ato prapë mbesin të forta, qëndrestare dhe sypatrembura. P.sh, në vargjet në vazhdim, nëna e Jusufit dhe e Bardhoshit, në çastet kur e kupton rënien e bijve të saj, nuk u drejtohet bijve të saj, por, i drejtohet shokut të idealit të djemve të saj, Kadri Zekës:

Jo, Kadri, s’t’harron Kosova,
Bir i nënës, dritë e syrit
T’fala t’zemrës të dërgon
Prehje t’qetë nëna t’uron!

(Nga poezia Vaji i nënës)

Ky është qëndrimi i nënës kosovare. Ajo është nënë e të gjithë bijve dhe bijave që luftojnë për lirinë e atdheut. Sa madhështore është shpirti i kësaj nëne. Tamam si në legjenda, mu sikur në epikë. Kjo nënë, pra, me kohë e kishte kuptuar se rruga deri te liria është me ferra e driza dhe, se deri tek ai diell, nuk arrihet dot pa viktima.

Nuk do të harrojmë kurrë se portreti i nënës shqiptare është shfaqur jo vetëm njëherë nëpër vargjet e poetit Përvetica.
Kështu me figurën shumë të dashur të nënës ne do të takohemi edhe në poezitë “Nënëlokja”, “Nëna shqiptare”, “Nënë Tereza”, “Ora e dhembjes”, “Nënës shqiptare” etj., ku kjo figurë gjithnjë na del madhështore, e dhimbshme, por plot krenari dhe qëndrestare, e plagosur në zemër, por çdoherë e paepur.

Veç figurës së nënës, një figurë tjetër po kaq e dashur, por edhe e dhimbshme, është edhe figura e motrës, të cilën do ta gjejmë, sidomos në dy poezitë me nota elegjiake të vëllimit “Eja, Pranverë!”.

Është krejt e vërtetë se në këtë botë njeriu sprovohet. Shpesh duhet ta pimë edhe kupën e hidhërimit, edhe pse s’na pëlqen. E gotë shumë e hidhur është edhe ndarja nga kjo botë dhe prej nesh e më të dashurve tanë.

Dhembjen për humbjen e motrës, poeti Shefki Përvetica na e përshkruan me shumë mall:

Si t’pajtohem me t’vërtetën
Se ti motër s’jeton jetën?
Stina e luleve me kokë përtokë
N’vend të shiut, rigojnë lotë.

(Nga poezia Pa ty, motër)

Në poezinë tjetër, të titulluar “Veç edhe një herë”, poeti tregon se ka shumë mall për ta parë edhe njëherë motrën dhe assesi nuk do që të bindet se ajo ka ndërruar jetë. Nga dhembja e madhe që ndien, poeti sikur rebelohet deri në urrjejte ndaj kësaj
bote:

As lotët për ty
Më nuk më bëjnë punë
E urrej këtë botë
Se të deshta shumë

(Nga poezia Veç edhe njëherë)
Gjuha dhe stili e vëllimit poetik “Eja, Pranverë!”

Në këtë përmbledhje, gjuha është e kuptueshme dhe rrjedhë si lumë. Ajo është e lehtë, pa ngarkesa fjalës a shprehjesh të paqarta. Herë-herë, për t’i dhënë ngjyrim krahinor vargut, poeti ka përdorur edhe fjalë dhe trajta dialektore, por pa teprime.
Ndryshe, fjalori i përdorur në këtë vëllim poetik është i kuptueshëm, sepse fjalët poeti i ka përdorur me përpikëri në gjuhën standarde, pa shkarje të mëdha.

Vargu është kryesisht gjashtërrokësh, por edhe tetërrokësh e njëmbëdhjetërrokësh. Kryesisht në këto poezi dominon vargu i rimuar, me të gjitha llojet e rimave, që përmbledhjes ia shton vlerën edhe më shumë.

Prej figurave letrare, më dendur janë përdorur krahasimi, metafora, epiteti, e sidomos hiperbola.
Mendojmë se përmbledhja “Eja, Pranverë!” është një përmbledhje e arrirë, me vlera letrare, që do t’i josh lexuesit, dhe pse jo, edhe do t’i mahnitë me çiltërsinë e shprehjes nëpër vargjet që rrjedhin si lumë.