Vështrim për romanin “Nusja e mërgatës” të autorit Shefki Përvetica

0
468
Shefki Përvetica - Nusja e mërgatës

Zymer Mehani

Një jetën tonë letrare, prozatori dhe romancieri Shefki Përvetica, kësaj here erdhi me ronanin “Nusja e mërgatës” (Prishtinë, 2020).
Vala e emigrimit nga Kosova për në Gjermani, e shkaktuar prej varfërisë, para luftës së vitit 1999, kishte të bënte edhe me kërcënimet e të rinjve shqiptarë të vendit tonë nga regjimi serb, apo me nevojën për mbrojtje fizike, e pas kësaj kohe, ky emigrim lidhej edhe me dëshirën dhe me shpresën për një të ardhme më të mirë dhe për përmirësimin e standardeve të jetesës, gjatë qëndrimit në mërgim. Ata të rinj, që ishin lindur në Gjermani, donin të martoheshin me ndonjë vajzë nga vendlindja e prindërve. Këto vajza, të cilat shkonin në Gjermani, por edhe në ndonjë shtet tjetër evropian, nga kritikët quhen « nuse të importuara ».

Fenomeni i martesave të vajzave tona në Gjermani është bërë temë kryesore, në romanin “Nusja e mërgatës” të autorit Shefki Përvetica.
Kryepersonazhi i romanit, Donjeta, një vajzë e re nga Rrafshi i Kosovës, udhëton për në Gjermani për t’u martuar. Ajo, sipas autorit Përvetica, ishte një vajzë e re e moshës rreth 20 vjeçe, të cilën na e paraqet të buzëqeshur dhe të hareshme nga pamja, me flokët ngjyrë gështenje të lëshuara mbi supe, që të jepte të kuptosh se ishte një person jo i mbyllur. Vullneti për jetën ishte në vrull tek ajo. Po ashtu ishte komunikative edhe me të tjerët.

Donjeta, gjysmën e familjes e kishte të vrarë në luftën e fundit të Kosovës. Ajo i kishte të zhdukur nënën, një motër, axhën dhe disa kushërinj. Pra gjithsej nëntë persona. Për nënën dhe motrën, edhe pas njëzet vjetësh, ajo dëgjon lloj-lloj historish se si u ka ndodhur. Atyre, sipas rrëfimit të vajzës, as sot, pas kaq vitesh s’u gjendet asnjë gjurmë e nishan.

Donjetën, nëna e kishte lindur në kohë të luftës, në male, sepse familjen e saj dhe shumë të afërm të tjerë, paramilitarët i kishin përzënë nga shtëpitë e veta. Djepi i saj, siç shprehet ajo vetë, ishin duart e nënës, në ato çaste të jashtëzakonshme. Dhe kalvari i vuajtjeve të saj vazhdon për të mos përfunduar asnjëherë, kur rinisi prapë një ofanzivë tjetër, kur këtë vajzë e paskësh marrë në duar gjyshja e saj!…

Për t’i ikur ndonjë të papriture, familja e saj qenka ndarë në dysh! Në ato çaste, Donjeta ngelet në duar të gjyshes, siç i kanë treguar më vonë, ndërsa nëna e saj, me fëmijët e tjerë kishte shkuar në një tjetër drejtim. Dhe autori Përvetica thotë se që nga ai çast, kurrë më buzët e vajzës nuk u njomën me qumshtin e gjirit të nënës së saj, me aromën e trupit të saj dhe me ngrohtësinë që askush nuk mund të ta dhurojë përveç nënës.

Se mërgimtarët shqiptarë posedojnë virtyte dhe të mira, që i kanë sjellë nga vendlindja, këtë fakt nuk mund ta mohojë askush. E tillë ishte familja e Demës, që në Kosovë kishte mbetur pa punë nga masat e dhunshme të okupatorit serb. Ai si rrugë të vetme për t’u përballuar vështirësive politiko-ekonomike e kishte zgjedhur pa vullnet rrugën e mërgimit. I biri, Malësori ishte lindur në Kosovë, ndërsa Durimi ishte lindur në Gjermani.

Me virtyte njerëzore ishin prindërit e Durimit, Dema dhe Zoja, por edhe vetë djali i tyre, i cili i mbeti besnik dashurisë për Donjetën, me të cilën ishte i fejuar. Ajo kish kaluar mijëra kilometra për t’u bashkuar me djalin mërgimtar. Dema të birin e kishte edukuar në frymë të shëndoshë të traditave shqiptare.

Jeta na ka mësuar t’i shikojmë të dy anët e medaljes, sepse, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, ende ka anomali tek shqiptarët, kur bëhet fjalë për martesën. Pra, ende ekziston fenomeni i të ashtuquajturave martesa të aranzhuara, ku të tjerët zgjedhin dhe propozojnë kandidatë për t’u martuar. Fatkeqësisht ky fenomen tek ne, ende është realitet, sidomos te mërgimtarët.

Vajzat tona, shpeshherë detyroheshin për t’u martuar me ndonjë person që nuk e kanë njohur, të cilin ia kanë zgjedhur të tjerët. Në këtë rrafsh tematik, autori Shefki Pëvetica, në faqet e romanit ka treguar për atë çka u ka ndodhur shumë femrave, që ishin të fejuara dhe donin të martoheshin në Gjermani. Këto prishje fejeshash autori i ilustron më së miri nëpërmjet personazheve të romanit, Norës dhe Fatonit, fejesa e të cilëve qe prishur për shkak të lakmisë së paarsyeshme të djalit, e që pas një kohe jo shumë të gjatë, fotoja e Norës në kornizë “u përshkua me shirit të zi në cepin e djathë.” Pra, fatkeqëshisht, për pasojë të këtyre prishjeve, fat të keq patën edhe shumë vazja shqiptare, ngase ato të fejuarve s’u pëlqenin, ose ata kishin gjetur ndonjë tjetër “zemër” për ta dashuruar.

Të gjitha këto vityte dhe anomali lidhur me fejesat dhe martesat e vajzave tona në Gjermani e përbëjnë temën që shtjellohet në faqet e romanit të autorit Përvetica.
Ky libër është shumë emocional dhe në disa kapituj, vërtet nuk është aspak lehtë për t’u përmbajtur.

Personazh tjetër i romanit është edhe xha Meti, një burrë rreth të gjashëdhjetave, urtak e i sprovuar nga vështirësitë e jetës, fjala e të cilit ishte çdoherë me vend. Siç e ravijëzon portretin e tij autori Përvetica, xha Meti ishte fjalëmatur, i saktë në atë që e thoshte dhe bindës në shtjellimin e gjërave. Aasnjëherë nuk e ngriste zërin e toni i tij të bënte për vete. “Shpesh zëri i tij na e kujton plakun e urtë dhe të mençur të pajtimit të gjaqeve, bacën Anton”, thotë autori i romanit.

Xha Meti ishte mik i vërtetë.
Siç shprehet autori Përvetica në faqet e romanit “Nusja e mërgatës”, Xha Meti ishte ai që i jepte shije bisedës. “Këtë gjë e bënte për të mos qëndruar krejt në heshtje, ngase ajo gjatë rrugëtimesh të gjata di të bëhet monotone. Prandaj ai gjente gjithnjë shkas dhe mënyra për të nxitur zhvillim të bisedave.”

Personazhe tjera të romanit në fjalë janë edhe dy të rinjtë: djali, oficer në shërbim policor dhe djaloshi flokëverdhë, si edhe zonja udhëtare, që ishte e ulur bashkë me Donjetën, gjatë rrugës së gjatë.

Dhaloshi flokëverdhë, sipas autort ishte i ri nga mosha, por i matur në fjalë, siç dukej në fillim. Por ai ndarjen nga familja nuk e kishte pasë të lehtë. Kjo dukej qartë nga sytë e tij, që i kishte të përlotur ende, ani pse, në njëfarë forme ai mundohej ta fshihte gjendjen në të cilën ndodhej.

Të gjithë këta persona, bashkë me Donjetën mund t’i quajmë bashkëbiseduesit e rrugës së gjatë, bashkudhëtarët e rrugës së kurbetit. E vetë Donjeta, pas këtij udhëtimi do të quhet Nusja e Mërgatës.

Zymer Mehani, Podujevë, më 13 mars 2020