VËSHTRIM PËR ROMANIN “DROJA” TË SHKRIMTARIT, RIFAT KUKAJ

0
7328
Droja - Rifat Kukaj

Shkruan prof. Zymer Mehani

Romani i shkrimtarit, Rifat Kukaj trajton fatin e shoqërisë shqiptare brenda kornizave zakonore, duke e determinuar tema si një roman social, krahas temës politike të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Romani “Droja” (1978) ka një subjekt të përthyer me vija të ndryshme rrëfimi. Realiteti tradicional – insistimi në hakmarrje, që jepet si një fatkeqësi individuale, por edhe kolektive dhe vizioni progresiv, i shpallur përmes personazhit të hallë Sutës, që insiston për një të ardhme të bukur, pa hakmarrje – janë dy skajet e subjektit të këtij romani. Hallë Suta, si bartëse e një përvoje të rëndë dhe të një jete në vetmi, është një projeksion i mirë i autorit për instalimin e vetëdijes kundër hakmarrjes.

Imponimin e ideologjisë vdekjeprurëse – hakmarrjes, autori e paraqet si të huaj, rrënjët e problemit janë larg, por të bartura në këto troje si një formë vrasëse për popullin, edhe pse në një mënyrë hakmarrjenës individuale për jetë. Në realitet, tema është një problem që e krijojnë të rriturit, por që e pësojnë fëmijët dhe pikërisht përmes këtij pësimi fëmija bëhet qendra e veprës. Në këtë mënyrë ndërtohet imazhi se jeta në liri, jeta jashtë kodit të hakmarrjes është mbi gjithçka. Ky roman bart mesazhin për shkëputje nga pjesa e keqe e traditës, duke shtrirë besimin në njeriun përmes hallë Sutës, e cila bart një përvojë të rëndë nga jeta, e dëbuar heret në Turqi. Hallë suta nuk është personazh artefakt, është personazh me një botë reale dhe një loke tipike shqiptare.

Empiria e saj është segmenti sociologjik e veprës, që bart edhe kujtesën tonë historike brenda vetes.

Shoqëria shqiptare dhe struktura e saj sociale del më mirë se çdokund në këtë roman të Rifat Kukajt. Personazhet e Rifat Kukajt këtu janë njerëzit e tij, ata të përditshmërisë, të thjeshtë, pa pretendime të mëdha për jetë, por me probleme të rënda, që sfidojnë ekzistencën e tyre. Familjen e Balajve dhe Gashjanëve autori e merr si bartëse të ideve të kundërta, duke e sajuar mesazhin mbi lirinë dhe jetën, para se gjithash, pavarësisht nga normat tradicionale. Për ta bërë bindëse këtë ngjarje, autori, krahas personazheve, cakton edhe vendin e zhvillimit të kësaj ngjarjeje, fshatin Shkemzë (për ta bërë edhe ngajrjen më bindëse), ku brenda tij zhvillohen drama të ndryshme jetësore, por në këtë fshat nisin edhe jetë të reja, si ajo e hallë Sutës, së cilës i ndërtohet shtëpia e re.

Është këtu fryma e gjeneratës së re, nxënësit dhe mësuesja, me një emër simbolik Drita, rrinë në front të punës për ndërtimin sa më të shpejtë të shtëpisë së hallë Sutës. Progresivja, e reja përqafohet edhe nga gjenerata e vjetër, si është gruaja fisnike Suta, krahas fëmijëve, si Besniku, një djalë i ri që i kundërvihet edhe të atit.

Haxhi Mustafa është personazhi më negativ në roman, është një fetar primitiv, i cili, edhe pse ishte haxhi, vazhdonte të lakmojë pasurinë e huaj, duke nxitur Malën të vrasë që t’ia grabisë tokën hallë Sutës. Romani ka një mozaik ngjarjesh, ndaj edhe subjekti i tij shënon thyerje të shpeshta (ditarët, hartimi i Afrimit, që janë episodet më të motivuara dhe plot sentimentalizëm) shtojnë dinamizmin e veprës. Inkorporimi i garës së skijimit dhe ethet e fitores së Artanit e Shkëlzenit kthejnë në këtë roman emocionin e fëmijëve, duke qenë ky episodi që sjell ndjenjën e bukur të lojës në këtë roman të ngjeshur me plot probleme të rriturish.

Individi dhe lufta e tij me normat e kodifikuara është tema qendrore e romanit, krhas linjës që duket paksa më margjinale, por që zë një hapësirë të mirë në roman, dëbimin e shqiptarëve në Turqi përmews formave të ndryshme. Linja historiko-politike e kanunore dhe temat aktuale bashkëjetojnë në këtë roman në formë sintetike.

Fryma humane, kultivimi i ndjenjës së faljes dhe i ndjenjës së ndërtimit dhe rindërtimit të vendit, qoftë edhe përmes faljes së gjakut, janë idetë qendrore të këtij romani. Romani “Droja” flet për lirimin nga droja, nga frika, flet për lirimin nga zakonet vëllavrasëse dhe, para se gjithash, për lirinë e individit, i cili mind të vritej pa fije faji, shkaku i zakonit të hakmarrjes. “Droja” është roman në të cilin dominon gjakimi për lirinë. Në të vërehen edhe shenjat kanunore, që luftohen.

Ky roman i Rifat Kukajt bëri jetën e tij letrare dhe kreu ndikimin e tij në një kohë kur duhej.