VËSHTRIM PËR ROMANET: “ZËRAT NË LAVJERRËS” DHE “ZËRAT NË HUMBËTIRË”, SAGË E MADHE SHQIPTARE E SHKRIMTARIT KRISTAQ TURTULLI JETA ËSHTË NJË LIBËR

0
478
Kristaq Turtulli - Zëra në lavjerrës

MURAT GASHI
Studjues, poet, gazetar, analist, Prishtinë, Kosovë

Shkrimtarin ynë i madh Kristaq Turtullin nga Korça e bukur, por me vendqëndrim në Kanadën e largët, autorin e më shumë se njëzet romaneve të botuara ndër vite në letërsinë shqipe dhe autorin e përkthyer edhe ne gjuhen angleze, për herë të parë para lexuesve në Kosovë e sjell shtëpia botuese ‘ProkultPress’ nga Prishtina me dy romanet e tij të fundit, të botuara brenda viti 2019 “Zëra në Lavjerrës ” dhe ” zëra në Humbëtirë”. Librat letrar: “Zëra në Lavjerrës ” dhe ” zëra në Humbëtirë”, janë dy romanet e fundit, moderne të shkrimtarit Kristaq Turtulli.

Këto romane te lexuesit tanë arritën si një meteor drite për ngjarjet që kishin ndodhur gjatë sistemit borgjez të viteve të 30-ta, e që vazhduan gjatë luftës së dytë botërore dhe deri kur Shqipëria dhe viset shqiptare, të ndara padrejtësisht, nga tradhtaret (superfuqitë e mëdha), përqafuan sistemin komunist. Megjithatë brezat e rinj, pra lexuesit e sotëm do të njihen jo vetëm me ngjarjet e atyre viteve, por lexuesit përmes këtyre dy romaneve lehtë e ndajnë errësirën prej asaj drite të mjegulluar.

Te të dy romanet, mësojmë sagën e një familje të zgjeruar, siç e quan edhe vetë shkrimtari Turtulli, familja “Madhi”, një nga familjet e rralla atdhetare, e cila përjetoi skëterrën e luftës së dytë botërore, por edhe epokën gjatë ndryshimit të sistemit nga ai borgjez, në atë komunist, që pa asnjë frikë, me çmimin e jetës së familjes (sagës) përfaqëson, ideologjinë, ekonominë, kulturën, borgjezinë dhe Shqipërinë e viteve 30 – ta, e këndej. Kështu në romanin “Zëra në Lavjerrës “, Turtulli përfshin fillimin e mbretërisë e deri në pushtimin fashist të Shqipërisë, ndërsa në romanin e dytë “Zëra në Humbëtirë”, ngjarjet shqiptare të dritëhijshëm në një univers kuptimplotë, shkrimtari Kristaq Turtulli, rrëfen rrjedhshmërinë e çiltërt. Ai ia del ta përpin bërthamën e çdo rrezatimi, për të kaluarën që ende vëren shënimin e aktualitetit shqiptar, përmes personazheve të gjallë në mesin shqiptar, të moteve të shkuar, një mjegull të bardhë dhe të hirtë – nxime.

Romanet e tij, si në të parin ashtu dhe në të dytin, si lexues më lanë përshtypje, ku autori Turtulli, më duket sikur ka përvijëzuar me një zdruktar i artit, të rrallë shqiptar por edhe ndërkombëtar, ngjarje me situata politike, ndërhyrje, përkushtimi, dhe me një kokëfortësi të mendjes shqiptare, që vetë autori nga dhuntia e tij natyrore cakton rolin e duhur brenda romaneve, ku lexuesit e kuptojnë kohën e pushtimit fashist e deri te lindja e sistemit komunist, si një regjim monist, fal mbështetjes së fallc “dashamirëve” të komunistëve serbë – jugosllavë, që iu shërbeu të gëzojnë fatin e lëçitjes së kësaj Sage shqiptare.

Romani është një Sagë, që deri më tani si lexues, nuk kam has të shkruar deri më sot në historinë e letërsisë sonë kombëtare. Zërat në Lavjerrës, është romani me një modalitet të ri, që vjen në letërsinë shqipe, me personazhe, ku autori Turtulli, rrëfen ngjarje me një rrjedhshmëri të pastër, me ndërthurje shpirtërore dhe penës së ndritur, që lexuesve u solli si një libër meteori, me përvijime krejt shqiptare, si një “realizëm magjik”. Pra, romani Zëra në Lavjerrës, është një sagë, që kur lexon lartëson kulturën tonë shqipe, dhe na jep një mësim apo përvojë të pashlyeshme në letërsi shqipe. Te romani Zëra në Lavjerrës, shkrimtari Kristaq Turtulli, duket se të gjitha personazhet dhe dukuritë qoftë pozitive, qoftë negative i përshkruan me një zdrukthterim të lartë artistik.

Kurse, zërat dhe zhurmat e asaj kohe, te romani Zëra në humbëtirë duken sikur ia ka tronditur zemrën e autorit. Në këtë roman, duket sikur edhe vetë autori ndodhet në brendinë e ngjarjeve të asaj kohe dhe për këtë romani në secilën kohë na flet shumë dhe e ka jetën e vet. Personazhi Dhimitër Leka, Albani dhe Leinardi, Irena, duken sikur ishin katandisur nga lufta e fashizmit, që kishte okupuar Shqipërinë. Dhimitër leka nga kundërshtimi burgoset dhe dënohet me 15 vite burg. Ai ishte njohës i qelbësirës dhe thotë: “Më keni gërryer shpirtin, nxirë jetën…Mjaft më ! Ikni, më lini të qetë”. Nga Inati i mëshoi furçës në murin e lagësht. I duket sikur edhe muri hapet dhe shndërrohet në një gojë të madhe. Sepse ditë e natë, kur Dhimitër Leka burgoset me tradhti nga miku i tij Vili Tare, që i kish besuar, i kanë thënë të lyej muret e godinës së re, të ngritur mbi dyqanet e pronat e tij. Nuk do të dëgjoja më shumë, zëra të trishtuara, klithma. Ta lënë të qetë, në lirin e çmuar. Më lini ….të ik, të qërohem njëherë e mirë dhe gjithë kundërshtarët t’i quaj qelbësirë.

Saga tjetër në romanin: ‘Zëra në humbëtirë’ më la përshtypje, sepse xhelozia ndërmjet Dhimitër Lekës dhe Leshtorit kish marrë përmasa të gjëra politike. I dyti personazh Leshtori, aq shumë e kishte mëri Dhimitrin sa që e përcillte në çdo skutë të jetës, ku Dhimitri shkonte….Pas sa kohe, edhe pse Dhimitri e dinte mirë, çfarë mendonte Leshtori, nuk kishte mundësi ta lëçiste Leshtorin nga jeta, sepse ishte i lidhur si ashti me mishin me kundërshtarët fashist, që Dhimitri i urrente shumë . Një ditë Dhimitri e gjeti kur fshinte, në qoshe të dhomës së mësuesve, këpucët e mësuesit të matematikës. Dhimitri e vështroi mirë e ngulazi, ndërsa Vili Tare murmuriti diçka, lëshoi… nguloi, këpucët përdhe.

Në këto çaste, Dhimitri ruajti gjakftohtësinë dhe i ktheu shpinën, u largua. Besimi dhe bindja e tij ishte në kundërshtim me Dhimitrin, përderisa koha e romantizmit kishte perënduar njëherë e përgjithmonë, ndaj qytetit dhe qytetarëve ishin disi ireal, anakronikë. Por, prapëseprapë ishte një amulli kohe (lufte) jo pastër, qyteti largohej prej tij, duke e vënë përballë sitën e padukshme etj. Kështu, flakja, përplasja e tyre ishte e ndryshme, saqë duhej vetëm një fije e shkrepëse për ta ndez zjarrin. Nga kjo sagë edhe Irena pati një zell trishtues në vete ndaj burrit të saj Leonardit, i cili me zë të lodhur e të frikshëm iu përgjigj Irenës, duke thënë: ‘kush kërkon të ëmblën prej Vili Tare, duhet të duroj të hidhurën’. Më këtë dimenzionalizëm Turtulli, jo vetëm që ka përshkruar aq bukur ngjarjen, këtë sagë, por edhe e zdrukthuroi si një zdrukthëtar i artit. Dhe jo vetëm kaq, por Turtulli është edhe një filozof i kohës së re, posmoderne. Vepra e tij “Zëra në humbëtirë” është një vepër e shquar në historinë e letërsisë sonë kombëtare, ku ndër të tjera gjejmë edhe fjalinë: “Jeta është një libër, s’ka ligje të harruara në gur…”

Sikurse në pjesën e parë nga romani “Zëra në Lavjerrës ” ashtu edhe në romanin e dytë “Zëra në Humbëtirë “, shkrimtari Turtulli, në letra shqipe na vjen si një shkrimtar modern, që të kujton shkrimtarin amerikan Drajzer me romanin e tij “Një tragjedi amerikane”, i cili përshkruan jetën apo sagën e një personazhi Klajdi, ku dallimi është se Drajzeri e përshkruan jetën e dashurisë apo konservatorizmin e Klajdit, gjykimin e tij mbi dashurinë, i cili e përfundon tragjikisht në Liqenin e 13 – të, ndërsa Turtulli, ngjarjen e sagës në Shqipëri e përshkruan në aspektin politik e historik. Turtulli me romanin e ri “Zërat në humbëtirë “, para lexuesve na vjen me një sagë përmes fabulave me zhurma politike që bënin fëlliqësira ata që më së shumti i besoi personazhi i ‘gjallë’ Dhimitër Leka. Një zhvillim i ngjarjeve i tillë, hap dyert e kohës pas luftës fashizoide dhe luftës të dytë botërore, luftën ndërmjet sistemit borgjez dhe atij komunist.

Romani ” Zëra në Humbëtirë ” na vjen si perle në letërsinë tonë shqipe, të cilin mund ta quaj moderne, sepse lexohet me ëndje shpirtërore dhe është një roman që të “hipnotizon” nga kureshtja se çka ka ngjarë në vitet e 30-dhjeta e deri në përfundimin e luftës së dytë botërore, duke sjell edhe komunizmin përmes të “dashamiqve jugosllavë” Me gamën e gjerë të kësaj dinastie, përmes imtelektualitetit, romanit Zëra në humbëtirë, të autorit Kristaq Turtullit zgjedhim efektet e një teksti në tekste tjera. Andaj siç e cek edhe shkrimtari Turtulli “Jeta është një libër, s’ka ligje të harruara në gur… Romani, “Zëra në humbëtirë “, është pjesa e dytë e romanit që ngërthen në vete sagën, si duket në qytetin e jugut të Shqipërisë, në Korçë. Është romani i sagës së zhurmës, trishtimit, që autori aq bukur i përshkruan personazhet me figura natyrore, na përkujton shkrimtarë botëror si: George Orëell me romanin ‘Rruga për në skelen Uigan’, pastaj 1984, Patrik Cavinez – ‘Të edukohet qytetari’, Xhek London – Dhëmbi i bardhë, Charles Diskens – ‘Kohë të vështira’, M. A. Asturias – ‘Papa Jeshil’ etj. Por për nga përshkrimi i ngjarjeve në Shqipëri, gjatë viteve 30, dhe okupimit të Shqipërisë nga fashizmi dhe gjatë luftës së dytë botërore, me pjelljen e egër të komunizmit nga “dashamiqët” serbo – jugosllav, Kristaq Turtulli, nuk dallon shumë edhe nga L. Tolstoi – ‘Lufta dhe paqja’, etj.

Në epokën e atyre viteve, Turtulli shtjellon problemet shoqërore dhe historinë e kombit, që krijon një të vetme në letërsinë shqiptare. Saga e këtij romani jep një mesazh të fortë universale, që kufizohet në aftësinë dhe intelektualitetin e familjeve të madhe për të ripërtërirë kombin, rigjenerimit nëpërmjet shpirtit të vet krijues. Kjo sagë ndryshe, e kohës ndryshe, mund ta quajmë saga e famshme shqiptare, që arrin kulmin në krijimtarinë e autorit dhe të vet romanit si zhanër letrar gjatë dy periudhave historike. Epokën që përfshinë nga vitet e 30 – ta, e deri te lufta e dytë botërore dhe epoka e dytë gjatë luftë e deri në shtrirjen e sistemit komunist, e cila lëshoi rrënjë të egër në Shqipëri, me ndihmën e “dashamirësve fallco” serbo – jugosllavë, në dëm të shqiptarëve, me përmasa kaq të mëdha historike është e përshkruar jashtëzakonisht bukur. Edhe pse e gjithë kjo sagë e ka shqetësuar autorin Turtullin, megjithatë gjeti forcë dhe optimizmin e vet gjenetik brenda shpirtit ose kontradiktës.

Me sagën e tij në romane “Zëra në Lavjerrës” dhe ‘Zëra në Humbëtirë “, shkrimtarin Kristaq Turtulli e shohim dhe me meditime filozofike brenda artit krijues në letërsinë shqipe. Ai me këto dy romane po e mbyll një kapitull të trajtimit në historinë kombëtare dhe po e hap një epokë tjetër të re krijuese posmoderniteti, që rrallë mund të hasim te shkrimtarët tanë. Fabula e romaneve “Zëra në Lavjerrës” dhe “Zëra në humbëtirë” shihet si një sagë e zërave, zhurmave, trishtimeve, tradhtive politike, qëndresës stoike të personazheve, në periudhë kohore të caktuar historike e kombëtare. Personazhet duke i mbushur me tiparet me njerëzore duken shumë real e rrjedhin shumë natyrshëm siç janë: Dhimitër Leka, Mara, Leonardi, Madhi, Irena, Vili Tare, Genc Sykalterti, Meles Rralla, etj. Përveç personazheve, ai nuk i lë pa i gdhendur mirë edhe figurat e personazheve me identitet të huaj, të cilët në një anë të “dashurojnë”, ndërsa në anën tjetër të kafshojnë.

Kjo fabul e Sagës së Turtullit, me personazhet e huaj serb, si Zoran Çociçi, Sllobo Dragojeviqi, Ratko etj. i ngjan fabulës së Nonda Bulkës – Lepuri dhe Qeni, kur në dy dimra shkoi si mik në shtëpi të lepurit, qeni në një faqe e puthte që do të thotë e dashuron, ndërsa në anën tjetër të faqes e kafshon, që do të thotë nuk e donë. Pra, shtylla e hekurt i të gjitha ngjarjeve në dëm të identitetit shqiptar, temave, motiveve, dhe e gjithë kësaj sage tmerruese ishte Dhimitër Leka, i cili si student mori mbi vete barrë të rëndë kombëtare për çlirimin e atdheut dhe trojeve shqiptare, Kosovë, Çamëri etj., nga okupatori fashist dhe nga pjellja e egër e kohës, komunizmi serbo – jugosllav. Me këtë barrë, Dhimitër Leka, tregoi idealin, edukatën, karakterin, kulturën, lashtësinë e një shqiptari e patriotit të madh shqiptar.

Një sagë tjetër që më mbi kokë është: Saga e trishtueshme e pabesisë, e dhunës, ra mbi Dhimitrin, jo pse Dhimitri është penduar nga ideali kombëtar, por nga tradhtia që disa herë është burgosur, që përjetoi dhunë çnjerëzore, përmes kuislingëve të serbëve komunist, ku këta te fundit jepni urdhra duke thënë: “Fshijeni atë dreq mellan, nga u gjend kjo gjë e pështirë në bardhësinë e borës”. “Tërhiqeni dhunshëm, zvarrë nga dikush”. Tradhtia e parë e gjumit i ndodhi menjëherë pas plagosjes së rëndë në qëndresën e madhe në qytet. Tradhtia e dytë i erdhi në javën e dytë të torturave. Tradhtia e tretë ishte më e gjatë, më e ngadalshme, më e mundimshme, sepse qe e plagosjes shpirtërore. Dremitja stresore ishte provokim djallëzor. Përjetimet shpirtërore të Dhimitrit ishin aq të të tronditura dhe të dhimbshme për atdhetarin Genci Sykaltër, i cili u pushkatua nga tradhtarë të regjimit komunist. Në meditimet e veta, brenda neuroneve të trurit të lodhur thoshte: ” Kujt t’ia kërkoj përgjigjen për burgosjen dhe pushkatimin e Gencit? Fshiu lotët tanëza, dhe në heshtje tha: “Për kokën e plakut, të gjithëve na dhembi shpirti”, ndërsa Sllobo Dragojeviçi dhe Zoran Çoçiçi luanin kokat si të çmendur, si një bishë e uritur hiene që kërkon viktimën në një shkretëtirë…

Dhimitrit në çaste iu tha buza. Dhe nga buza e tharë, fërkoi ballin e djersitur dhunshëm dhe vazhdoi të rrëfente: Kur isha student, me shokët e bëmë një rend, rregull që ditën madhështore të festës sonë kombëtare që të valëvisnim flamurin kombëtar Flamurin Kuq e Zi. Kur e valëvisnim falmurin, dëgjonim fëshfërimën e lehtë dhe të ëmbël, që rrjedhte nga era e dashurisë së Shipërisë. Përloteshim dhe këndonim krenarisht këngën për flamurin. “Rreth flamurit të bashkuar, Me një dëshirë dhe një qëllim”. Këngën që e kënduam, e morën vesh, Zoran Çoçiçi, Ratko Mëtinoviç etj. të cilët më vonë ndërhyjnë përmes kuislingëve të therë, duke e shqyer flamurin, që kjo tash po përjetojmë terrin e trishtimit, errësirë e burgjeve. E gjithë kjo sagë ishte e dhimbshme, trishtuese, tradhtare por krenare për idealet tona kombëtare. Turtulli me aq mjeshtri artistike e përshkruan jetën e një të burgosuri, si të Dhimitrit, sikur të ishte vet në këtë ngjarje.

Ka edhe shumë saga tjera që shkrimtari Kristaq Turtulli, me një art të ndritur e përshkruan kohën dhe jetën e personazhit kryesor në të dy romane: ” Zërat në Lavjerrës ” dhe “Zërat në Humbëtirë ” Dhimitrin. Ai me mjeshtri të rrallë artistike e paraqet ndjenjën, damarin e gjakut shqiptar, shpirtin tragjik që përjetoi jo vetëm personazhi, por shqiptarët nga viti 1930 e deri në vendosjen e regjimit komunist. Turtulli aq dhimbshëm e përshkruan jetën tragjike që Dhimitri e kaloi në burgje dhe torturat më çnjerëzore që i bënin armiqtë, që me krenari iu kundërvu armiqve që të vdiste për atdhe mbarëkombëtar. Turtulli, në këto romane ka krijuar skena shumë të prekshme edhe rrëqethëse, që mund të ndërtoj ose t’i thur rrjedhshëm neuronet e trurit të tij, përmes një imagjinate të kthjellët shpirtërore të njeriut. Përmes skenave të krijuara, rrëqethëse që janë të përshkruara në romane, neve lexuesve na ngrit në kataklizëm, që na bënë ta ndiejmë në mendjen tonë, e pse jo edhe ta përjetojmë thellë edhe sot, në shpirtin tonë emocionet e dhimbjes, për të kaluarën tonë kombëtare. Pra, romanet “Zërat në Lavjerrës ” dhe Zëra në humbëtirë ” na vijnë si perlë në letërsinë tonë shqipe, të cilat lexohen me ëndje të uritur për të mësuar për të kaluarën e hidhur mbi kombin tonë shqiptar dhe me një frymë krejt tjetër të shpirtit.

Romanet, janë si dy dritare të hapura ku hyjnë rrezet e para të mëngjesit dhe na zgjon me lehtësi nga gjumi i rënd, për të rikujtuar ato skena të netëve të gjata okupimi, dhe të ushqehemi me rrezet e reja të diellit të qetë. Nëse mendohemi pak në humbëtirat e sotme apo kohën e sotme të letërsisë shqiptare, atëherë domosdoshmërish na arrijnë jehona në botën tonë të mishëshëruar në llojet njësore të librit e krijuar në letërsinë shqiptare, është kristalisht oshtimë e veprës letrare të Kristaq Turtulli, përmes ndjenjave shpirtërore, dhe krijimtarisë së tij letrare. Kjo, ndryshe hap një urë lidhëse të gjatë të jetës, ku lexuesit ja paraqet kohën e kaluar, vitet e pushtimit fashist e deri në lindjen e errët të vendosjes të regjimit monist, komunist, me mbështetjen e fallco “dashamirëve” serbo – jugosllavë. Shkrimtari Kristaq Turtulli, me këto vepra postmoderne, nuk do të ndalet, por do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ku lexuesve do t’i sjell vepra tjera, me saga tjera të reja, që me siguri në penën e tij mendore ka ende të pazbuluara.