VËSHTRIM PËR POEZINË E POETES XHEMILE HOXHA – ALIU

0
1048
Xhemile Hoxha Aliu - Copëz jete

Shkruan prof. Zymer Mehani

Duke lexuar poezitë e poetes Xhemile Hoxha-Aliu, tek ne u nxit kërshëria e kërkimit, sepse kjo poete vargjet e veta i nisi në vorbullën e aventurave të gjata dhe krajatave të jetës, kundruall dallgëve, duke pasqyruar në artin e saj edhe shqetësimet që kjo dhe brezi i saj i përjetuan gjatë viteve ’90 të shekullit XX, kur si shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, edhe kësaj iu desh që t’i marrë rrugët e mërgimit.

Në botën e poezisë së poetes Xhemile Hoxha-Aliu gjejmë shtresa të shumta, ku përzihen kohët, ëndrrat dhe zhgjëndrrat, dëshirat dhe shpresat, gëzimet e zhgënjimet, vetëdija e ndërdija. Pena e saj nuk ndalet vetëm me përshkrim, por stili i saj është edhe më i gjerë dhe më i thellë, e kështu vazhdimisht e ndryshon këndin e vështrimit të fenomeneve dhe dukurive, por intensiteti i interesimit mbetet prore i njëjtë, i pandryshueshëm për çdo dukuri dhe fenomen, për çdo subjekt dhe objekt, për çdo detaj e tërësi.
Në poezinë e Xhemile Aliut ëndrra e nxit fshehtësinë e vetë jeta zhytet në ëndërr.

Malli për atdheun dhe njerëzit e përshkon çdo varg dhe poezi, ku përsëritet dhe del origjinal e njerëzor, por vazhdimisht i zjarrtë, që e zgjon dhe e motivon për vargjet e saj vazhdimisht.

Thuhet se ëndërrimtarët janë vetë krijuesit, artistët, e edhe Xhemile Aliu si poete duke ëndërruar depërton në magjinë e fjalës artistike dhe të artit përgjithësisht. Ajo është gjurmuese, vizionare dhe krijuese e poezisë. Një poete e tillë me vargjet e saj shkel shtigje të reja dhe hapë botëra të reja.

E tërë kjo ka qenë prezente qysh moti në poezinë tonë shqipe, por kjo që na dhuron Xhemile Aliu është krejt e veçantë.

Ne si lexues të rregullt të poezisë së petes Xhemile Aliu, e çmojmë lart hapërimin e saj të lehtë në artin poetik kundruall dallgëve të mërgimit, pa e lënduar, por përkundrazi duke e pasuruar vargun poetik shqiptar përgjithësisht. Në poezitë e kësaj poeteje takuam shpirtin e saj të trazuar, që nuk rehatohet, por që vazhdimisht gjurmon e kërkon. Poetja Aliu ia del që përmes vargut ta transformojë të kaluarën në të sotmen e të sotmen në të ardhmen. Kjo me vetmohim ka hapë rrugë të reja nëpër të cilat shtegton vargu i saj i shkruar.

Krijimtaria e poetes Xhemile Aliu është origjinale dhe premtuese për të pushtuar hapësira të gjera në mozaikun e pasur të letërsisë sonë që po kultivohet në diasporën tonë, por edhe këtu në atdhe.

Gjuha e poezisë së poetes Xhemile Aliu është e përdorur drejt, e pastër dhe nuk është e ngarkuar me dialektizma, krahinorizma apo barbarizma. Vargjet e kësaj poeteshe janë të skalitura me stil të nivelit të lartë dhe figuracioni poetik haset kudo në vargjet e saj. Kemi laryshi rimash dhe metra të ndryshëm të vargut poetik, fakt ky, i cili artit poetik të autores ia shton vlerën edhe më shumë.

Fare në fund, poetes Xhemile Hoxha-Aliut ne i urojmë suksese në krijimtarinë letrare e lexuesve tanë, kudo që janë, qoftë në mërgim a në atdhe, u urojmë lexim të këndshëm!

Podujevë, më 17 Shkurt 2017Prof. Zymer Mehani


TA NJOHIM POETEN, XHEMILE HOXHA-ALIU

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

(Për këtë biografi më ndihmoi poetja Xhemile Hoxha-Aliu, për çka i falenderohem)

Xhemile Hoxha- Alium është lindur më 10 mars 1956, në fshatin Korroticë e Epërme të Drenasit. Dy vjet të shkollës fillore i kreu në Shkollën e fshatit Korroticë të Ulët (PNF e Sh.f “Jeta e re” të Komoranit), katër vjet i përfundoi në paralelen e ndarë të Shkollës fillore, poashtu të Komoranit, në Korroticë të Epërme dhe katër vjet të tjera i përfundoi në Shkollën fillore „Jeta e re” në Komoran.

Gjatë shkollimit fillor, Xhemile Hoxha-Aliu ka qenë nxënëse e shkëlqyeshme, por pas shkollimit fillor, për shkak të zakoneve tona të prapambetura, fejesa e parakohshme e detyroi që të mbyllej në shtëpi.

Ajo kishte ikur nga shtëpia, por me vonesë. E kishin rikthyer në shtëpi pas kësaj ikjeje dhe qe e detyruar të qëndrojë aty, për të ikur prapë pas një viti, e fati i kishte buzëqeshur që me shumë sakrifica të ulej sërish në bankat shkollore.

Xhemilja, me sakrifica shumë të mëdha, me ndihmën e mësueses Vahide Ibriqi, që ishte bashkëshortja e mësuesit të saj, sistemohet në konviktin e Shkollës së Mesme të Akademisë Pedagogjike në Prishtinë, ku edhe filloi sërish rrugën e shkollimit dhe të dijes.
Xhemilja asnjëherë nuk pati problem dhe mosmarrëveshje me vëllezërit e saj, sepse edhe ata ishin të shkolluar dhe ishin të suksesshëm në studime, por andralla pati kjo femër shqiptare, me zakonin prapanik të fejesave në djep, të cilën e kishte bërë babai, kur Xhemilja ishte e vogël.

Edhe në Akademinë Pedagogjike ishte nxënësja më e mirë, për çka dhe Këshilli i Profesorëve kishte marrë vendim që Xhemile Hoxha nga viti i dytë të kalojë në të katërtin. Pra, shkollimin e mesëm e kreu për tri vjet.

Pas shkollimit të mesëm u regjistrua në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, por njëkohësisht edhe punoi si mësuese në Paralelen e Ndarë në Korroticë të Epërme. Pas një viti e ndërpren punën për shkak të pamundësisë për t’i percjellur studimet me rregull. Diplomoi në Fakultetin Ekonomik dhe punësohet në Kuvendin komunal të Drenasit për vetëm për katër orë ( prej orës 8-12), ku pastaj i komunikohet vendimi për pushim nga puna për shkak të pjesëmarrjes në demostratat e vitit 1981, me të padrejtë punësimi në organet e pushtetit të atëhershëm.

Pas ankimit që bëri në Gjyqin e Punës të asaj kohe, u kthye në punë, por nuk iu dha kjo e drejtë që të punojë në organet e pushtetit. Atëherë e obligojnë që për një vit të bëjë praktikë në Bashkësinë Banesore dhe pas një viti Xhemilja refuzon që tutje të të qendrojë si paktikante, edhe pse mundësi të tjera s‘i dhanë dhe për pasojë qëndroi një kohë prapë në shtëpi deri në një konkurs të shpallur në “FERONIKEL”, ku punësohet dhe aty punon 10 vjet, deri kur u zbatuan masat e dhunshme serbe, kur edhe e largojnë nga puna bashkë me shumë kolegë të tjerë. Asokohe Xhemilja ishte e martuar dhe kishte edhe katër fëmijë, pa kushte për jetë dhe pa të ardhura, meqë edhe bashkëshortin, me të cilin punonin bashkë në “FERONIKEL” ia largojnë nga puna. Zgjidhja e vetme dhe e dhimbshme ishte vendimi për të marrë rrugën e kurbetit, që më parë kurrë s’e kishte menduar.

Jeta ishte kjo, dhe Xhemile Hoxha-Aliu edhe sot jeton dhe vepron në kurbet, prej nga neve lexuesve të saj besnikë na sjell thuajse për çdo ditë vargje të mbushura plot mall për njerëzit dhe Atdheun e saj.