VËSHTRIM PËR MONOGRAFINË “KANË BËRË MARRËVESHJE ME TOKËN” TË AUTORIT XHEMAJL HAJDINI-XHEJMI SHIA I LLAPIT

0
874

Sot, më 28 nëntor 2018, në Teatrin e Qytetit “Avdush Hasani” në Besianë, u përurua monografia “Kanë bërë marrëveshje me tokën” e autorit Xhemajl Hajdini.

Shkruan Zymer Mehani

Libri “kanë bërë marrëveshje me tokën” i autorit Xhemajl Hajdini është një monografi, në të cilën janë paraqitur shumë nga ngjarjet e rëndësishme të Kosovës, të Llapit, por edhe të fshatit Bellopojë, prej nga vjen autori. Në fillim autori do të na njohë me një historik të shkurtër të Llapit, kryesisht me karakteristika të përgjithshme të kësaj treve, siç janë pozita gjeografike, pastaj etimologjia e emrit Llap, numri i popullsisë gjatë periudhave të ndryshme, kryengritjet dhe luftërat e llapianëve për liri që nga Perandoria Turke e deri më 1999.
Autori Hajdini, në vazhdim të librit do të ndalet me disa fjalë edhe te fshati Bellopojë. Ai do të na e përshkruaj pozitën e fshatit, shtrirjen gjeografike, numrin e banorëve. Mirëfilli do të na shpjegojë ardhjen e muhaxhirëve edhe në këtë fshat më 1878 nga Sanxhaku i Nishit dhe rrethi i Toplicës, duke na treguar në detaje për çdo lagje të fshatit dhe përkatësinë e tyre fisnore, si dhe vendorigjinën e tyre që kishin në rrethin e Toplicës.

Një kaptinë sa e ndjeshme, që na dhuron emocione të forta, por edhe krenari, është kapitulli, në të cilin përshkruhet hollësisht ofanziva e 18 prillit 1999 që okupatori serb e ndërmorri edhe në Bellopojë, Tërrnavë, Halabak dhe më gjerë në shkallë vendi. Rreth kësaj ngjarjeje z Hajdini ka shkruar hollësisht thuajase për tërë situatën e asaj dite, për tmerrin, por edhe për rezistencën e banorëve të fshatit të tij. Meqë okupatori synonte zbrazjen e territorit të Kosovës nga shqiptarët dhe spastrimin etnik të saj, shumë banorë të Bellopojës, si edhe në vendbanimet tjera në Llap dhe Kosovë, ishin betuar që mos t’i lëshonin trojet, as shtëpitë e veta, por të rezistonin gjer në frymën e fundit për ta mbrojtur pragun e shtëpisë.

Një gjë të tillë e kishin bërë edhe vëllezërit Hajdini: Rexhepi, Muharremi dhe Hajdini, që ishin bijtë e atdhetarit Hazir Raçi, i vrarë në Luftën e Dytë Botërore për çlirim të vendit. Këta pra, rezistuan me armë kundër bandave serbe derisa ranë për trollin ku u lindën dhe u rritën. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe bashkëfshtari Faik Zenel Ramadani, duke rezistuar shumë orë me njësitë ushtarake e paramilitare serbe, gjersa u vra prej çetnikëve serbë.

Këtyre burrave të fshatit Bellopojë u qoftë lavdi! Ne dhe pasardhësit e tyre, familjarët, miqtë etj, do të jemi krenarë dhe gjithnjë do t’i përkujtojmë për të mos i harruar asnjëherë. E biri i dëshmorit Hajdin Hajdini, Xhemajl Hajdini, këtyre u ka ngritur një monument kulturor, me botimin e monografisë, që flet për jetën dhe veprën e tyre.

Ky libër është i veçantë për faktin se në faqet e tij autori Xhemajl Hajdini përgjithësisht ka paraqitur një kronologji të përpjekjeve të shqiptarëve të Kosovës për liri, e në veçanti të llapianëve, që nga kryengritjet e viteve 1910 kundër sundimit osman e deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 1999.

Natyrisht se për një punë të tillë, autorit Hajdini i është dashur të hulumtojë literaturë të mjaftueshme, në mënyrë që faktet të paraqiten në këtë monografi me vërtetësi shkencore dhe historike, çka edhe ia ka dalur që t’i realizojë me sukses.

Ky libër prej faqes së parë e gjer në të fundit tregon rrugën e gjatë dhe të vështirë të Kosovës, të Llapit, dhe veçanërisht të fshatit Bellopojë, që është vendlindja e autorit Xhemajl Hajdini, për ta fituar lirinë dhe shtetin tonë, që gjyshërit dhe baballarët tanë e kishin ëndërr. Kjo u arrit falë sakrificës dhe gjakut të dëshmorëve, martirëve dhe të të gjithë atyre bijve, bijave, baballarëve, nënave, vëllezërve e motrave tona, që bënë për atdhe dhe liri të popullit tonë.

Mendojmë se kjo monografi, veç tjerash do të jetë gjithashtu një udhërrëfyes për luftën tonë çlirimtare dhe për sakrificat e popullit tonë për të arritur deri te çlirimi i Kosovës.

Nga ana e tij, autori i librit “Kanë bërë marrëveshje me tokën” z. Hajdini është përpjekur që të sjellë më shumë njohuri për brezat e rinj rreth luftës së vitit 1999, sidomos për Ofanzivën e 18 prillit në fshatrat Bellopojë, Tërrnavë, Halabak e më gjerë, ku kriminelët vrastarë serbë bënë gjithçka që u erdhi ndoresh kundër popullatës së pafajshme të kësaj treve. Vetëm nga oafansiva dhe mësymjet e ushtrisë, të policisë dhe të formacioneve paramilitare të prillit e majit të vitit 1999 nga Bellopoja, Tërrnava e Halabaku humbën jetën rreth 28 persona, duke përfshirë këtu djem të rinj, burra e gra. Prandaj ta lexosh këtë libër, do të thotë se do të mësosh diçka më shumë rreth ngjarjeve, kryesisht të viteve 1998-99, kur edhe shpërtheu rezistenca e armatosur e shqiptarëve të Kosovës të prirë nga Ushtria jonë e Lavdishme Çlirimtare.

Dhe fare në fund të fjalës sime, unë në emrin tim si shok që nga fëmijëria jonë me autorin e libit, dhe si redaktor gjuhësor i kësaj monografie, por edhe në emrin e drejtorit të SHB PROKULTPRESS, z. Fatmir Halimi, z. Xhemalj Hajdini e falënderojmë për bashkëpunimin korrekt që kishte me ne dhe me dorë në zemër i themi: Urime për librin, që do të mbetet një permendore për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e Kosovës, të Llapit dhe të Bellopojës përgjatë historisë sonë kombëtare!

Lavdi dëshmorëve të atdheut!
Respekt Familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së!
Urime miku, ynë z Xhemajl Hajdini!